Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën e saj për fundvit në emisionin STUDIO A në ATV, tha se viti 2024 ishte i mbushur me sfida të sigurisë, por se institucionet arritën t’i menaxhojnë me sukses.
Ajo potencoi se, veç problemeve ekonomike, shteti u përball edhe me sulme nga Serbia, por forcat e sigurisë arritën t’i parandalonin pasojat e mundshme.
“Ka qenë vërtet një vit me sfida të shumta, do të thoja edhe në aspektin ekonomik, shkak të problemeve të mëdha ekonomike globale, me të cilat bota po përballet në këto vitet e fundit. Mirëpo, në Kosovë në veçanti kemi pasur sfida të sigurisë, që e dini që kryesisht kanë filluar në fund të vitit 2023 dhe vazhduan gjatë tërë vitit 2024, sfidat të cilat institucionet tona të sigurisë i kanë përballuar suksesshëm dhe i kanë parandaluar pasojat e mëdha të cilat dëshironte Serbia t’i arrinte nëpërmjet këtyre sulmeve ndaj vendit tonë”, tha Osmani.
Ajo tha se sukses i madh ishte mbrojtja e çdo pjese të Kosovës, falë përkushtimit të ushtarëve dhe policëve që rrezikojnë jetën për atdheun.
“Pra, mbrojtja e shtetit, mbrojtja e çdo cepi, çdo pëllëmbe të shtetit tonë nga këto forca të errëta të së kaluarës është suksesi më i madh i shtetit tonë, që tregon qëndrueshmërinë e institucioneve, por mbi të gjitha edhe dashurinë e madhe ndaj vendit që e kanë djemtë dhe vajzat tona në uniformë, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka edhe jetën, në mënyrë që ta mbrojnë çdo pjesë të Kosovës”, shtoi ajo.
Intervistën e plotë të Presidentes Osmani në STUDIO A në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

Leave a Reply