ATV

Author: ATVLive

  • KFOR-i amerikan kryen patrullime në veri: Ruajtja e infrastrukturës kritike siguron që Kosova të mbetet e sigurt për të gjithë

    KFOR-i amerikan kryen patrullime në veri: Ruajtja e infrastrukturës kritike siguron që Kosova të mbetet e sigurt për të gjithë

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ka ushtarët amerikanë të tij kanë kryer sot patrullime edhe në këmbë në veri të Kosovës.

    KFOR tha se ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje kryejnë patrullime rregullisht, përfshirë edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, Misioni përmendi edhe ruajtjen e infrastrukturës kritike.

    “Kryerja e patrullimeve dhe ruajtja e infrastrukturës kritike siguron që Kosova të mbetet një mjedis i sigurt për të gjithë”.

    KFOR tha se këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të tij për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    KFOR-i përsëriti se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Aksident i rëndë në Lipjan, një i vdekur e një tjetër i lënduar rëndë

    Aksident i rëndë në Lipjan, një i vdekur e një tjetër i lënduar rëndë

    Një person ka vdekur si pasojë e aksidentit mes një kamioni e dy veturave në Grackë të Vogël të Lipjanit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se një person tjetër është dërguar në QKUK për trajtim.

    “Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura. Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën ndërkaq për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti një person është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

    “Për shkak të aksidentit janë krijuar vështirësi qarkullimi në segmentin rrugor Lipjan-Shtime-Topliqan – Bujan”, tha Borovci.

    Tutje, ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia rajonale e trafikut ku ka nisur hetimin lidhur me rrethanat e aksidentit dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit dhe ridrejtimin e trafikut.

  • ​41-vjeçari ndalohet me mbi 13 mijë euro të padeklaruara në Morinë

    ​41-vjeçari ndalohet me mbi 13 mijë euro të padeklaruara në Morinë

    Një 41-vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht në gjendje të lirë pasi nuk deklaroi një shumë prej 13,420 eurosh në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës.

    Specialistët për Hetimin e Krimeve të Policisë Kufitare kanë sekuestruar shumën në cilësinë e provës materiale dhe kanë referuar materialet në Prokurori. Shtetasi V. Z., banues në Kosovë, akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

    Procedimi penal nisi pas një kontrolli fizik në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ku shërbimet e Policisë Kufitare zbuluan shumën e padeklaruar, duke konstatuar shkelje të ligjeve në fuqi.

    Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.

  • Tetë vdekur e 15 të lënduar nga shpërthimi i zjarrit në një treg perimesh në Kinë

    Tetë vdekur e 15 të lënduar nga shpërthimi i zjarrit në një treg perimesh në Kinë

    Një zjarr në një treg perimesh në provincën veriore të Kinës, Hebei, vrau tetë persona dhe plagosi 15 të tjerë, tha të shtunën televizioni shtetëror CCTV.

    Autoritetet po hetonin shkakun e zjarrit në qytetin Zhangjiakou, i cili u shua pak më shumë se një orë pasi shpërtheu rreth orës 8:40 të mëngjesit.

    I identifikuar si tregu i perimeve Liguang në disa media, ai u hap në vitin 2011 dhe shet artikuj që variojnë nga frutat dhe ushqimet e detit deri tek pajisjet elektronike, tha ofruesi i të dhënave të kompanisë Qichacha, shkruan Reuters.

  • Haradinaj prezanton planin për daljen nga kriza energjetike

    Haradinaj prezanton planin për daljen nga kriza energjetike

    Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i AAK-së, ka shpalosur planprogramin e tij për fushën e energjisë.

    Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Kosova ndodhet përpara një periudhe kritike për transformimin e sektorit të energjisë, ku siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe përmbushja e objektivave të dekarbonizimit janë domosdoshmëri.

    Ai i ka cekur edhe katër prioritet që sipas tij janë për zhvillimin e sistemit eletroenergjetik të Kosovës.

    ” Ndërtimi i një centrali energjetik me gaz prej 500 MË në Ferizaj. Modernizimi i rrjetit transmetues për operim të sigurt dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme. Mundësia e zhvillimit të kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit të pastër”, ka thënë Haradinaj.

    Më poshtë e keni planprogramin e tij:

    1. Ndërtimi i një centrali energjetik me gaz prej 500 MË në Ferizaj
    • Ky central do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe fleksibilitet operacional, duke shërbyer si burim balancues gjatë periudhave të ulëta të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme (energji diellore dhe e erës), krahas sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS), të financuara nga Qeveria e SHBA, përmes programit të MCC dhe buxhetit të Kosovës.
    • Lidhja direkte me rrjetin 400 kV të KOSTT-it do të mundësojë integrim efikas në sistemin transmetues.
    • Kostoja e përafërt: 0.8-1.5 miliardë euro, duke përfshirë edhe teknologjinë e kapjes dhe ruajtjes së karbonit, dhe në varësi të kapacitetit dhe teknologjisë së zgjedhur.
    1. Modernizimi i rrjetit transmetues për operim të sigurt dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme
    • Ndërtimi i unazës së brendshme 400 kV: Siguron stabilitet të sistemit dhe rrit kapacitetet transmetuese për projekte të mëdha energjetike.
    • Kostoja e përafërt: 100-150 milionë euro.
    • Unazat 220 kV dhe 110 kV: Forcojnë kapacitetet lokale për integrimin e burimeve të shpërndara të energjisë dhe përmirësojnë fleksibilitetin operacional të rrjetit.
    • Kostoja e përafërt:
    • Unazat 220 kV: 50-70 milionë euro.
    • Unazat 110 kV: 20-40 milionë euro.
    • Rishikimi i Metodologjisë së Kyçjes: Një qasje më fleksibile nga KOSTT dhe ZRRE për të përshpejtuar integrimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme në rrjetin nacional.
    1. Mundësia e zhvillimit të kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit të pastër
    • Hidrogjeni i prodhuar nga energjia e erës dhe diellit mund të shërbejë si zgjidhje për menaxhimin e furnizimeve të tepërta, duke e ruajtur energjinë nëpërmjet elektrolizuesve dhe duke e përdorur atë për balancim të rrjedhave energjetike.
    • Hidrogjeni mund të ruhet dhe të përdoret si lëndë djegëse ose si bartës energjie, duke siguruar fleksibilitet të sistemit dhe reduktim të emetimeve të karbonit.
    • Kostoja e përafërt:
    • Kapacitetet e elektrolizës: 1-1.5 milionë euro për MË.
    • Infrastrukturat e ruajtjes dhe transportit të hidrogjenit: 50-100 milionë euro.
    • Strategjia përfshin ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit pranë termocentraleve ekzistuese, për optimizim të kostos.
    1. Ndikimi i këtyre projekteve në balancimin e sistemit dhe dekarbonizimin
    • Centrali me gaz: Përveç furnizimit të sigurt, ky central do të mundësojë mbështetje në periudha të paqëndrueshmërisë nga burimet e ripërtëritshme, duke rritur fleksibilitetin dhe sigurinë e sistemit.
    • Hidrogjeni i pastër: Roli i tij në integrimin e burimeve të ripërtëritshme është thelbësor përmes ruajtjes së energjisë, duke shmangur humbjet dhe duke balancuar rrjetin.
    1. Pjesëmarrja aktive në integrimet në tregjet e energjisë rajonale dhe evropiane, për të siguruar mundësi më të mira për tregtinë e energjisë, duke rritur kështu konkurencën dhe ulur çmimet.
    2. Përfitimet:
    • Stabilitet dhe siguri më e lartë operative.
    • Integrim më i lehtë dhe më i shpejtë i projekteve të energjisë së ripërtëritshme.
    • Reduktim i varësisë nga burimet konvencionale dhe përmbushje e objektivave të tranzicionit energjetik.

    Kjo qasje, që kombinon burimet tradicionale, ato të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, është çelësi për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të sigurt për Kosovën.

  • KQZ: Dy milionë e 75 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote

    KQZ: Dy milionë e 75 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e Listës së Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, raporton EO.

    Sipas kësaj liste votuesish, numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.

    Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani ka thënë se numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është 1 milionë e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

    “Lista përfundimtare e votuesve i është nënshtruar edhe verifikimit. Ky numër i votuesve që është prej 2 milionë e 75 mijë e 868 votuesve si listë përfundimtare. Nuk është një listë tërësisht e pastër, për faktin që figurojnë ende personat e vdekur në këto lista, për shkak se qytetarët nuk ia kanë njoftuar organet kompetente. Ndryshe nga çdo palë zgjedhje tjetër që është mbajtur më parë, në këto zgjedhje lista e votuesve është krijuar me dy data baza. Me atë të gjendjes civile dhe departamentit të dokumentit të prodhimit. Prandaj, nga kjo listë nuk mbetet askush jashtë, ndryshe se çka ka mundur të ndodhë në raste të caktuara. Ndërsa numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovë është 104 mijë e 924 votues, prej të cilëve 84 mijë e 525 kanë zgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe 20 mijë e 399 votues kanë zgjedhur mënyrën e voitmit fizik në përfaqësi diplomatike. Në dallim prej zgjedheve të fundit lokale të 17 dhjetorit është 174 mijë e 888 votues më shumë”, ka thënë ai.

    Po ashtu në këtë mbledhje u miratua rekomandimi për caktimin e numrit maksimal të votuesve në vendvotime, i cili u vendos qe për vendvotime në zonat rurale numri i votuesve të jetë 999 votues.

    Ndërsa në zonat urbane u vendos që numri i votuesve në vendvotime të jetë 950 votues.

    “Numri të jetë 999 votues për vendvotime në zonat rurale. Për zonat urban 950 ashtu siç ka qenë në zgjedhjet e më parshme, ky është rekomandimi”, ka thënë Elshani.

    KQZ në këtë mbledhje mori vendim po ashtu që në Tiranë dhe Podgoricë të mos mbahet votim fizik në këto përfaqësi diplomatike, kjo për shkak se në disa përfaqësi diplomatike numri i shtetasve të regjistruar për votim fizik është shumë i vogël, nën 50 votues. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që procesi i votimit të mos organizohet në përfaqësitë diplomatike të vendosura në Podgoricë (Mali i Zi) dhe Tiranë (Shqipëri).

    Sipas të dhënave të KQZ-së, për të votuar në përfaqësinë diplomatike në Podgoricë janë regjistruar vetëm 8 votues dhe po aq edhe në Tiranë.

    Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani, tha se gjithë votuesit e regjistruar, KQZ do t’i informojë se të njëjtit do të mund të votojnë përmes postës.

    “Ka disa shtet që kanë një numër më të vogël 50 votues. Ne kemi konsideruar që dy prej tyre në Podgoricë dhe Tiranë të mos hapen për votim, në këtë rast 8 persona që janë regjistrua, këtyre votues të ju mundësohet votimi përmes postës”, ka thënë Elshani.

    Më 29 gusht 2024, KQZ ka miratuar listën prej 35 Qendrave të Votimit me gjithsej 47 vendvotime të planifikuara për votim në 19 Ambasada dhe 16 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës.

  • ​La Repubblica: Shqipëria bllokon TikTok-un si masë kundër nxitjes së dhunës mes të rinjve

    ​La Repubblica: Shqipëria bllokon TikTok-un si masë kundër nxitjes së dhunës mes të rinjve

    Qeveria e Tiranës ka ndaluar rrjetin social pas vdekjes së një 14-vjeçari. Një vendim që ka ndezur debat në vend dhe kudo në mediet e huaja, përfshirë median ruse, shkruan Arcangelo Rociola në një artikull të publikuar në të përditshmen italiane “La Repubblica”.

    Bllokimi i TikTok-ut në Shqipëri është i ndryshëm nga 20 vendet e tjera që kanë ndaluar rrjetin social deri më tani, në mbarë botën.

    Një vendim që do të zbatohet për të gjithë, pa dallim.

    Qeveria e Tiranës ka ndaluar përdorimin e medias sociale në mbarë vendin për një vit, për shkak të shqetësimeve për ndikimin që ai ka në shëndetin mendor të qytetarëve të saj të rinj, sidomos të adoleshentëve.

    “Problemi sot nuk janë fëmijët tanë. Problemi jemi ne. Problemi është shoqëria jonë dhe çfarë po bëhet. Problemi sot është TikTok-u dhe të gjitha mjetet e tjera që po i marrin fëmijët tanë peng”, tha kryeministri Edi Rama.

    Vrasja e një 14-vjeçari – një konflikt i lindur përmes rrjeteve sociale

    Gjithçka nis nga një lajm krimi. 20 nëntorin e kaluar, një djalë 14-vjeçar nga Tirana u godit me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar i tij.

    Ata, fillimisht sfiduan njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Pastaj ndjekësit e tyre i ftuan në veprim. Reagimet ishin nxitëse – duke bërë që dhuna të shpërthente – duke kaluar nga digjitale në kinetike. 24 plagë me thikë e lanë të riun të pajetë.

    Një lajm që goditi opinionin publik shqiptar, jo vetëm për vetë dhunën, por edhe për nxitjen e bërë nga shumë të rinj që e realizuan atë.

    “Problemi sot nuk janë fëmijët tanë. Problemi jemi ne. Problemi është shoqëria jonë dhe çfarë po bëhet. Problemi sot është TikTok dhe të gjitha mjetet e tjera që po i marrin fëmijët tanë peng”, tha kryeministri Edi Rama një muaj më vonë, më 25 dhjetor, kur miratoi me shpejtësi ligjin me efekt të menjëhershëm që ndalonte përdorimin e TikTok në vend për të paktën një vit.

    TikTok-u protestoi ndaj vendimit, duke thënë se nuk kishte prova që lidhnin vrasjen e të riut me përdorimin e platformës.

    Rama është kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

    Masa u kritikua gjithashtu nga opozita e tij politike.

    Sali Berisha, ish-kryeministër, lider i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë për censurë politike – pasi TikTok-u është një rrjet social që përdoret edhe për fushata politike.

    Ndërkohë që po qarkullojnë analiza të ndryshme për ndikimin ekonomik që mund të sjellë ky ndalim, duke qenë se shumë biznese të vogla, shumë tregtarë përdorin platformën për të shitur produktet e tyre.

    Rama vazhdon përpara. Problemi i medieve sociale dhe mendja e adoleshentëve

    Rama nuk kthehet mbrapsht. As kritikat e medieve perëndimore dhe as ato të medieve ruse nuk kanë depërtuar në qëndrimet e tij.

    Në fund të fundit, Shqipëria nuk është vendi i parë që ndalon TikTok-un. Gjithsej sot janë rreth 20 vende.

    India ndaloi rrjetin social në vitin 2020, nga frika e ndërhyrjeve të mundshme kineze në jetën politike kombëtare.

    Vendet e tjera pasuan vendimin si Nepali, Australia dhe Kanadaja.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisjet e njerëzve që punojnë në institucione. BM ka vepruar njësoj.

    Por, Shqipëria është një rast më vete. Vendimi është marrë për të shmangur përhapjen e kulturave të dhunës.

    Raporte të ndryshme nuk flasin për perversitete, por për efekte të thella psikologjike.

    Një raport i “Amnesty International”, nëntorin e kaluar shkaktoi shumë diskutime.

    Duke cituar disa studime – organizata joqeveritare ndërkombëtare e fokusuar në të drejtat e njeriut, me qendër në Britani te Madhe – shpjegoi se si sistemi i rekomandimit të përmbajtjes së TikTok-ut dhe praktikat e tij invazive të mbledhjes së të dhënave përfaqësonin një rrezik për përdoruesit e rinj të platformës.

  • ​Rrugëtimi i dialogut me Serbinë nën Qeverinë Kurti

    ​Rrugëtimi i dialogut me Serbinë nën Qeverinë Kurti

    Në prag të përfundimit të mandatit katërvjeçar, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti thotë se Kosovën e ka përfaqësuar denjësisht në bisedimet me Serbinë në Bruksel.

    Zyrtarë qeveritarë akuzojnë Serbinë se nuk ka treguar qasje konstruktive në dialog dhe thonë se është koha që BE-ja të evidentojë palën bllokuesi të procesit – Beogradin zyrtar.

    Opozita ndërkaq kritikon Qeverinë për qasjen në procesin e dialogut duke thënë se me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, me ndërmjetësimin e BE-së hoqi dorë nga njohja e ndërsjellë derisa pranoi autonomi për serbët e Kosovës.

    Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit, kryenegociatorit në dialogu, thotë për KosovaPress se Kosova pranuar marrëveshjen bazike, por që e njëjta është refuzuar nga Serbia dhe kjo e fundit e keqpërdor çdo takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të procesit të dialogut.

    “Në këta katër vjet, e kemi përfaqësuar denjësisht Kosovën në tryezën e dialogut dhe kemi shfaqur konstruktivitetin e gatishmërinë tonë për të ecur përpara me normalizimin e marrëdhënieve. E kemi një marrëveshje, atë Bazike dhe Aneksin e Implementimit të Ohrit, të cilat duhen pranuar e zbatuar nga të dyja palët. Kosova i ka pranuar ato në tërësi, është e gatshme për nënshkrim dhe zbatim, dhe nuk i shkel ato. Nga ana tjetër, Serbia bën krejtësisht të kundërtën. E ka refuzuar marrëveshjen edhe verbalisht edhe me shkrim përmes letrave drejt Bashkimit Evropian, e ka refuzuar nënshkrimin, e ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjen… Qasja destruktive e Serbisë në procesin e dialogut, fatkeqësisht ka ecur paralelisht edhe me sulmet e saj në terren ndaj Republikës së Kosovës. Serbia ka tentuar, duke dështuar, të krijojë çështje artificiale, në mënyrë që të devijojë vëmendjen nga normalizimi i marrëdhënieve, rruga përpara, dhe pranimi e zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Presim nga BE që si ndërmjetësues në proces, qartësisht të evidentojë palën bllokuese të procesit, e që adresë kryesore e të vetme e ka Beogradin zyrtar”, thuhet në përgjigjen e tij me shkrim për KosovaPress.

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti i ka sjellë dëme Kosovës në dialog, duke larguar marrëveshjen finale me njohje të ndërsjellët, teksa ka sjellë një statut të asociacionit, i cili paraqet një autonomi të plotë për serbët në Kosovë.

    “Dialogu gjatë këtyre katër viteve të fundit i ka sjellë një dëm të madh Kosovës. Ia ka përmbushur ambiciet dhe pritjet Serbisë dhe i ka dëmtuar qëllimet kryesore që i ka pasur Kosova pas 17 shkurtit të vitit 2008. Largimi i njohjes së ndërsjellët, largimi i një marrëveshje finale, së bashku me statutin e asociacionit që është një autonomi e plotë. Këto dokumente janë integruar dhe janë parakushte në rrugën tonë të ardhshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian janë një prej dëmeve më të mëdha që i ka bërë kjo Qeveri Kosovës”, thotë ai.

    Edhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj kritikon Qeverinë Kurti për qasjen në dialog, duke thënë se pranoi marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

    “Kjo qeveri në çështjen e dialogut ka bërë koncesione që janë të dëmshme për Kosovën, siç është falja e tokave të Manastirit të Deçanit, por edhe pranimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku pranohet edhe asociacioni. Kjo është forma më e keqe e asociacionit. Me këtë marrëveshje dhe letrën e zotimeve që kanë bërë tre krerët e shtetit, shihet se ka kompetenca ekzekutive dhe është një vetëqeverisje në komunat serbe. Në këtë formë cenohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës…Kushdo që vjen (në qeveri) duhet të ketë dialog me parime, por edhe që duhet të kërkoj të respektohet Kushtetuta, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës”, tha Kadrijaj.

    Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku thotë se mungesa e progresit në dialog ka qenë gjë e pritur dhe se ai nuk pret që ky proces të këtë ndonjë përparim deri pas procesit zgjedhor në Kosovë.

    “E kemi ditur qysh në start për faktin se në Kosovë ka qenë një vit elektoral dhe është ditur se kryeministri Kurti nuk do të zbatojë marrëveshjen derisa t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe të krijojë një qeveri të re pas shkurtit 2025. Të njëjtën kohë ka qenë vit elektoral në BE dhe SHBA. Është ditur se nuk do të ketë rezultate të prekshme sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe krijimit të asociacionit…Për të ndodhur këto duhet pritur rezultatet vetëm pas zgjedhjeve në Kosovë. Mendoj se në tremujorin e dytë 2025 mund të kemi rezultate konkrete në dialog dhe të kemi një situatë më të qartë, qoftë pozicionin e Kosovës në raport me dialogun dhe pozicionin e BE-së se sa do t’i mbajë përgjegjëse palët”, tha Sadiku.

    Kosova dhe Serbia kanë rritur dakordimin për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023 dhe Aneksit të Ohrit në mars të po atij vitit, por deri më tani nuk ka gjetur zbatim.

    Gjatë qeverisjes Kurti, të dyja palët negociuese zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve dhe atë të kryenegociatorëve, por nuk u gjet gjuhë e përbashkët për zbatim të marrëveshjes.

    Pjesë e marrëveshjes është edhe themelimi i asociacionit me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë hap për zbatim. Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar, Qeveria ka thënë se drafti i BE-së për asociacionin është një “non paper” dhe si i tillë nuk do të dërgohet në Kushtetuese./KP

  • ​Hyri ilegalisht nga Serbia, arrestohet në veri të Kosovës

    ​Hyri ilegalisht nga Serbia, arrestohet në veri të Kosovës

    Një person është arrestuar pasi që i njëjti nuk posedonte asnjë dokument identifikimi rrugën “Kral Petria’, në veri të Mitrovicës.

    Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë pasi gjatë verifikimit në pikat kufitare, është vërtetuar se të njëjtit i ishte ndaluar hyrja në PKK-Jarinje, në mungesë të dokumenteve.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Presidentja Osmani kujton kolonelin Tahir Zemaj në 22-vjetorin e vrasjes

    Presidentja Osmani kujton kolonelin Tahir Zemaj në 22-vjetorin e vrasjes

    Në 22-vjetorin e vrasjes se heroit të Kosovës, Kolonelin Tahir Zemaj, Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Zemaj ka qenë një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një udhëheqës i paharruar i luftës për liri.

    Presidentja Osmani theksoi sakrificën e madhe të Kolonelit Zemaj, duke thënë se ai u vra pabesisht 22 vjet më parë në hyrje të Pejës, së bashku me të birin, Enisin, dhe kushëririn, Hasanin. Ajo ka shtuar se vrasësit e këtij akti të tmerrshëm ende nuk janë identifikuar dhe ndëshkuar, duke lënë një plagë të hapur në zemrat e atyre që e nderojnë figurën e Kolonelit.