ATV

Author: ATVLive

  • Akademi përkujtimore për Masakrën e Reçakut

    Akademi përkujtimore për Masakrën e Reçakut

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Udhëheqës të institucioneve e personazhe të shumta u mblodhën në Reçak për akademi përkujtimore pas homazheve në Kompleksin Memorial.

    Me këtë rast, presidentja, Vjosa Osmani tha se tragjedia e Reçakut nuk lidhet vetëm me fshatin dhe banorët e tij, por është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit.

    “Në kohën kur Reçaku dhe Kosova kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo që shohim në Serbi është vazhdimësi e viteve të 90-ta, mendësi kjo që shkaktoj mbi 100 mijë civil të vrarë në këtë pjesë të Evropës. Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin ,me emrin Aleksander Vuçiq”, tha Osmani.

    Derisa sipas kryeministrit, Albin Kurti lufta për çlirim ka mbaruar beteja për drejtësi ende vazhdon.

    “Ajo që duhet të ndodh për pasojë është drejtësi, gjykimi dhe ndëshkimi i krimineleve qoftë edhe në mungesë. Në vitit 1998 dhe 1999 thuhej se përfundoj beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbin tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi”, tha Kurti.

    I pranishëm në akademi përkujtimore ishte edhe ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Wiliam Walker.

    Njeriu i cili sensibilizoi opinion ndërkombëtar për Masakrën e Reçakut, tha se nuk ka qenë e vështirë për të të deklarojë atë që pa mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999.

    “Nuk ka qenë e vështirë të deklarohem për atë që pash në mëngjes, që 45 civilë të pafajshëm u morën nga fshati burra edhe djem të rinj, nën kërcënimet e armëve të armatës së Serbisë dhe u vranë”, tha Walker.

    Në akademi foli edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, duke thënë se për masakrën ende nuk është vendosur drejtësi.

    “Është ditë që ka vulosur fatin e popullit tonë. Fshati i vogël u bë dëshmi e dhimbjes më të thellë dhe sakrificës”, tha Aliu.

    Masakra e Reçakut është njëra prej më të mëdhave që ndodhën në Kosovë gjatë luftës së fundit. Pamjet e saj tronditën botën dhe nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtar mbi qeverinë e asokohshme serbe që më pas rezultoi me sulme të NATO-s.

  • ​Ambasadori William Walker promovon librin kushtuar masakrës në Reçak

    ​Ambasadori William Walker promovon librin kushtuar masakrës në Reçak

    Ambasadori William Walker promovoi sonte librin “Historia e një krimi lufte Reçak”, i cili përshkruan përjetimet e tij personale lidhur me masakrën që tronditi komunitetin ndërkombëtar dhe ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

    Latif Mustafa, zyrtar për komunikim nga libraria “Dukagjini”, tha se janë krenarë me mysafirin e tyre sot.

    “Dje e kemi paralajmëruar se sot dhe nesër ambasadori Walker do jetë para qytetarëve për të dhënë nënshkrime, për t’u takuar me ta dhe për të marrë librin e tij që ka botuar dhe e ka përkrahur shtëpia botuese “Dukagjini”. Prej dje kemi ekspozuar librin në shitje meqë edhe dje kemi pasur një promovim të mbyllur dhe që nga dje ka pasur një interesim jashtëzakonisht të madh për librin gjë që po shihet nga masa e tubuar këtu”, tha ai.

    Qytetarë të shumtë kishin ardhur në këtë promovim të librit. Njëri prej tyre ishte edhe Sadik Shala nga Suhareka.

    “Vij nga Suhareka, kam ardhur për të respektuar ish-ambasadorin Walker dhe për ta takuar dhe falënderuar për të gjithë atë që ka bë për popullin e Kosovës. Librin tash e kam blerë dhe mendoj se është një libër shumë i qëlluar sepse i ka faktet dhe i ka të gjitha ato që duhet t’i ketë një libër kështu që do ta lexoj deri në fund. Meqë nuk e di gjuhën angleze, megjithatë jam krenar që pata mundësinë të vij për ta takuar një njeri që është profet për popullin e Kosovës”, tha ai.

    Edhe Murat Bytyqi tregon se kishte ardhur nga Suhareka për ta takuar ambasadorin Walker.

    “Kam ardhur sot edhe për ta blerë librin për Reçakun dhe për ta takuar nga afër ish-ambasadorin William Walker, i cili ka bërë kthesë shumë të madhe në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi. Kam dëshirë ta takoj, ta shoh si frymon ai njeri i cili ka bërë shumë për neve. Çka është më e mira e më të mirave atë që i ka përjetuar dhe çka ka parë në Reçak i ka vendosur në libër, andaj e falënderojmë deri te Zoti për kontributin e tij që e ka dhënë për shqiptarët”, tha ai.

    Libri është një përmbledhje e kujtimeve të William Walker mbi ngjarjet në Reçak dhe krimet e kryera nga forcat kriminale serbe.

    Sipas Walker, libri është një dëshmi historike mbi atë që ndodhi, duke e trajtuar nga perspektiva e një diplomati që pati rol të drejtpërdrejtë në ekspozimin e kësaj masakre të tmerrshme duke e konsideruar si një moment kyç që ndryshoi të ardhmen e vendit.

    Libri është botuar nga “Dukagjini” dhe është i disponueshëm në gjuhën angleze dhe shqipe.

    Kujtojmë, sot ambasadori William Walker mori pjesë në homazhet në Reçak, në 26-vjetorin e masakrës. /kp

  • Ambasada e Francës: Zgjidhja për institucionet paralele është Asociacioni, për keqardhje që vala e mbylljeve po ndodh në fushatë

    Ambasada e Francës: Zgjidhja për institucionet paralele është Asociacioni, për keqardhje që vala e mbylljeve po ndodh në fushatë

    Ambasada e Francës në Prishtinë ka reaguar për veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa institucioneve paralele në nivel vendi. Nga kjo Ambasadë kanë thënë se janë të shqetësuar për mbylljen e një anshme, duke nënvizuar se mbyllja e tyre mund të ketë ndikim ne jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera.

    “Jemi të shqetësuar nga mbyllja e njëanshme e një numri të madh të strukturave të ashtuquajtura “Serbia drejton paralele”.Këto struktura funksionojnë pa autorizim formal nga autoritetet kompetente në Republikën e Kosovës, por ato ofrojnë shërbime që kanë rëndësi të madhe për jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera.Mbyllja e tyre mund të ketë ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve”, thuhet në reagim.

    Ambasada ka thënë se Franca është e përkushtuar plotësisht ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, megjithatë shtojnë se çështja e institucioneve që drejtohen na Serbia duhet të trajtohet përmes Dialogut dhe se Asociacioni është zjgidhja.

    “Jemi plotësisht të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, kujtojmë se çështja e këtyre strukturave ‘paralele’ duhet të trajtohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Zbatimi i ASMM-së, në bazë të draft statusit të përgatitur nga BE-ja, do të mundësojë vazhdimin e ofrimit të shërbimeve të caktuara për qytetarët serbë të Kosovës në respekt të plotë të kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Francës.

    Në fund, Ambasada e Francës thotë se është për keqardhje që kjo valë mbylljesh po ndodh gjatë fushatës zgjedhore, duke shtuar se kjo periudhë do të duhej të ishte një mundësi për të paraqitur perspektiva gjithëpërfshirëse për të ardhmen e të gjitha komuniteteve, në përputhje me natyrën multi-etnike siç kishte kërkuar bashkësia ndërkombëtare në vitin kur ishte shpallur pavarësia.

    “Është gjithashtu për të ardhur keq që kjo valë mbylljesh po ndodh gjatë fushatës zgjedhore. Kjo periudhë duhet të jetë një mundësi për të paraqitur perspektiva gjithëpërfshirëse për të ardhmen e të gjitha komuniteteve të Kosovës, në përputhje me natyrën multietnike të Kosovës, siç kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare në vitin 2008”, përfundon reagimi.

  • Ambasadori Bajrami i reagon BE-së: S’ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e strukturave paralele serbe

    Ambasadori Bajrami i reagon BE-së: S’ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e strukturave paralele serbe

    Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën, i cili u bë pa koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

    Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.

    “Për sqarim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Sot, operacioni i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione”, ka shkruar Bajrami në platformën X.

    Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele, pasi siç ka thënë, mbyllja e strukturave “të mbështetura nga Serbia” bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së. Në reagimin e BE-së u tha se përderisa konkluzionet janë se BE-ja do të heqë gradualisht masat paralel me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, “këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.

    BE-ja ka thënë tutje se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.

    Policia e Kosovës të mërkurën ka mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.

  • Mbyellja e strukturave paralele, vjen reagimi nga ambasada britanike

    Mbyellja e strukturave paralele, vjen reagimi nga ambasada britanike

    Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë ka reaguar lidhur me aksionin e sotëm për mbyelljen e strukturave paralele serbe.

    ”Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar nga veprimet e sotme në strukturat paralele të Serbisë në mbarë Kosovën. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë që këto veprime të kryhen në përputhje me kornizën e saj ligjore, por edhe që ato të marrin parasysh faktin se shumë serbë të zakonshëm të Kosovës, duke përfshirë edhe më të cenuarit, vazhdojnë të mbështeten në këto institucione për shërbime”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

    Më tutje thuhet se angazhimi konstruktiv, nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Brukselit dhe themelimin e ASMM-së, është mënyra më e mirë për të adresuar këto çështje.

    Ndryshe, Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kompetente të mërkurën ka realizuar një aksion policor në disa rajone të Kosovës.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë mbyllur strukturat paralele “kriminale” të Serbisë në Republikën e Kosovës.

    Sipas ministrit, komunat paralele të Serbisë janë mbyllur në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyreve tatimore ilegale.

    Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk ka lëshuar autorizim për bastisjet në objektet e strukturave paralele.

  • BE-ja dhe SHBA-ja e kundërshtojnë mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

    BE-ja dhe SHBA-ja e kundërshtojnë mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

    Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.

    Në një reagim, Bashkimi Evropian tha se veprimet e Kosovës përmbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia – në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.

    *Në videon më poshtë mund ta shikoni aksionin e mbylljes së institucioneve paralele serbe më 15 janar.

    Ambasada amerikane në Prishtinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia “ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund t’i minojë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

    “Këto veprime, në kundërshtim me këshillat tona më të mira, e dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj”, sipas një zëdhënës të Ambasadës amerikane në Kosovë.

    Ndërkohë, BE-ja e përsëriti se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

    Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele më 2013 në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

    BE-ja gjithashtu i paralajmëroi autoritetet kosovare se vendimi i së mërkurës mund të ndikojë në vendimin e saj për të mos i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

    “Ndërsa, siç theksohet në konkluzionet e Këshillit për zgjerimin për vitin 2024, BE-ja do t’i heqë gradualisht masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e shtesë të ndërmarrë nga Kosova për t’i ulur tensionet në veri, këto veprime i dëmtojnë këtë qëllim”, tha blloku të mërkurën.

    Derisa Prokuroria në Prishtinë tha se nuk e autorizoi aksionin e së mërkurës, Policia e Kosovës tha se operacioni u krye me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe se qëllimi i tij ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.

    Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

    Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq tha se “zhvillimi i situatës” në Kosovë po ndiqet me kujdes.

    “Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë”, tha Vuçeviq.

    Mbyllja e institucioneve serbe në 10 komuna të mërkurën – Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj – vjen disa ditë pasi policia mbylli më 8 janar Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranj”.

    Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

    Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

    Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë/ REL

  • Ambasada britanike: Qëndrojmë në solidaritet me familjet e viktimave të Masakrës së Reçakut

    Ambasada britanike: Qëndrojmë në solidaritet me familjet e viktimave të Masakrës së Reçakut

    Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se kujtojnë të gjitha viktimat e Masakrës së Reçakut e cila u krye në vitin 1999 nga forcat serbe.

    Në një postim të publikuar në rrjetin social X, ambasada ka bërë të ditur se sot aty ka bërë homazhe, Paul O’Connor, zëvendësambasadori britanik.

    “Ne qëndrojmë në solidaritet me familjet e viktimave derisa i vazhdojnë thirrjet e tyre për drejtësi”, shkruan ambasada.

  • ​SHBA vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

    ​SHBA vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

    Shtetet e Bashkuara vendosën sot sanksione të reja ndaj Rusisë për shkak të agresionit ushtarak ndaj Ukrainës, duke synuar afro 100 subjekte, duke përfshirë sektorin energjetik dhe bankar të Rusisë.

    Departamenti Amerikan i Thesarit, pas një urdhri të ri ekzekutiv, njoftoi se po vendos sanksione të reja ndaj subjekteve kryesore ruse, vetëm disa ditë përpara se Donald Trump të merr detyrën si president në Shtëpinë e Bardhë.

    Uashingtoni ka goditur gjithashtu një model të evazionit të sanksioneve të identifikuar midis aktorëve në Rusi dhe Kinë dhe Keremet Bank, një institucion financiar me bazë në Kirgistan që koordinoi evazionin e sanksioneve midis zyrtarëve rusë dhe bankës amerikane.

    “Qëllimi ynë me këtë lëvizje është t’u bëjmë të qartë institucioneve financiare, por edhe kompanive, se të bërit biznes me Rusinë që mbështet kompleksin e saj ushtarako-industrial i ekspozon ata ndaj sanksioneve,” tha një zyrtar në kushte anonime.

    Departamenti Amerikan i Shtetit po vendos gjithashtu sanksione kundër më shumë se 150 subjekteve dhe individëve.

  • ​Izraeli e Hamasi pajtohen për ndërprerjen e luftimeve në Gaza

    ​Izraeli e Hamasi pajtohen për ndërprerjen e luftimeve në Gaza

    Qeveria izraelite dhe Hamasi kanë rënë dakord për një marrëveshje që do të ndalojë përkohësisht luftimet në Gaza dhe do të lejojë lirimin gradual të pengjeve dhe të burgosurve palestinezë, tha një burim i njohur me negociatat për CNN. CBS dhe Sky News raportojnë gjithashtu të njëjtin lajm.

    Armëpushimi dhe marrëveshja e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit u arrit pas takimeve të veçanta që kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman al-Thani mbajti me Hamasin dhe negociatorët izraelitë në zyrën e tij, sipas raporteve.

    Një zyrtar izraelit konfirmoi për Times of Israel se ishte arritur një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh. Gazeta, duke cituar një diplomat të lartë arab, raportoi se SHBA, Katari dhe Egjipti së shpejti do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët duke shpallur marrëveshjen.

    Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump shkroi në platformën Truth Social: “Kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen shpejt. Faleminderit!”

    Më 7 tetor 2023, Hamasi kreu një sulm në jug të Izraelit. Sipas shifrave izraelite, 1200 njerëz u vranë në sulm dhe rreth 250 u dërguan në Gaza si pengje, nga të cilët Hamasi ende mban më shumë se 100.

    Pasuan luftime të ashpra midis forcave izraelite dhe Hamas. Gjatë një viti, Izraeli bombardoi më shumë se 40.000 objektiva në Rripin e Gazës, gjeti 4.700 tunele dhe shkatërroi 1 mijë vende lëshimi të raketave.

    “Hamasi ka miratuar marrëveshjen dhe ka dorëzuar përgjigjen e tij te ndërmjetësit”, tha zyrtari i lartë i Hamas, Bassem Naim për CNN.

    Në një deklaratë të veçantë, grupi tha se ishte konsultuar me grupet militante aleate në lidhje me marrëveshjen e propozuar.

  • Rohde mbështet deklaratën e BE’së: Rruga drejt ndërprerjes së funksionimit të strukturave paralele të jetë gjithëpërfshirëse

    Rohde mbështet deklaratën e BE’së: Rruga drejt ndërprerjes së funksionimit të strukturave paralele të jetë gjithëpërfshirëse

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se e mbështet deklaratën e BE’së për mbylljen e komunave paralele në Kosovë.

    Ai ka shtuar se nuk pajtohet që të ketë struktura paralele por jo me mënyrën se si u bë mbyllja e tyre, duke thënë se rruga drejt ndërprerjes së funksionimit të strukturave paralele duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

    “Mbështetje të plotë për deklaratën e BE’së. Më lejoni të jem i qartë: ne jemi dakord në parim që funksionimi i strukturave të tilla paralele duhet të ndërpriten. Por rruga drejt kësaj duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Me veprime si sot, nuk fitoni zemrat, mendjet e njerëzve të prekur”, ka shkruar Rohde në “X”.