ATV

Author: ATVLive

  • Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” në grevë para Komunës së Prishtinës

    Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” në grevë para Komunës së Prishtinës

    Punëtorët e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” nisnë grevën e para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

    Ka disa ditë që ndërmarrja “Pastrimi” nuk po i grumbullon mbeturinat dhe sipas kësaj ndërmarrjeje është e detyruar ta ndërpresë shërbimin, për shkak të mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna.

    Faruk Deçani, një grevist, tha se kërkesa tona janë rrogat dhe kushtet më të mira.

    “Menaxhimi me qenë i mirë, të kemi naftë. Sot jemi thes i shterrur. Jemi lodhur. Jemi në shërbim. Pikë së pari: pastërtia është shëndeti dhe kur nuk ka pastërti nuk ka as shëndet”, tha ai.

    Nga ana tjetër, Komuna ka mohuar borxhin ndaj ndërmarrjes Pastërtia dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh.

    Ndërkohë, kryeqyteti është mbushur bërllok dhe është alarmuar për rreziqe shëndetësore, ndërsa Prokuroria është aktivizuar për të grumbulluar informata për situatën.

    Më parë, në njoftimin e Shoqatës Sindikale të “Pastrimit” për grevën thuhej se qëllimi i saj është
    shprehja e pakënaqësisë dhe kërkesës për zgjidhje emergjente ndaj situatës së rëndë financiare ku
    është futur ndërmarrja, “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.

    “Formati i tubimit: Pjesëmarrës: rreth 300 punëtorë dhe të punësuar të KRM “Pastrimi”;

    Vendndodhja: përreth objektit të Komunës së Prishtinës, me qëndrim të vazhdueshëm; Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt dhe pa bllokuar rrugët emergjente;

    Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në veprimtarinë e organeve publike, dhe në koordinim me autoritetet policore”, thuhej në njoftim.

  • Kallas sot në Prishtinë, takohet me drejtuesit e partive, në agjendë s’përmendet ndonjë zyrtar institucional

    Kallas sot në Prishtinë, takohet me drejtuesit e partive, në agjendë s’përmendet ndonjë zyrtar institucional

    Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, e cila ka nisur dje një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd, sot pritet të arrijë në Prishtinë.

    BE-ja e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.

    “Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.

    Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

    Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” thuhet në njoftimin e BE-së

    Javën që shkoi, Presidentja Osmani e takoi Kallasin në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian duke njoftuar se kur zyrtarja e BE-së do të vijë në Prishtinë nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër.

  • Presidentja Osmani në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër me disa aktivitete dhe takime

    Presidentja Osmani në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër me disa aktivitete dhe takime

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër sot në ditën e dytë do të ketë disa aktivitete, raporton nga Zvicra Ekonomia Online.

    Në orën 9:00 do të vizitojë kompaninë “Stadler Rail” në St. Gallen.

    Ndërsa, në orën 11.45 do të vizitojë

    Universitetin e St. Gallen.

    Në orën 16:10 presidentja Osmani do të takohet në Gjenevë me Marko Ahtisaarin, kryetar i Bordit të Fondacionit për Paqe CMI Martti Ahtisaari.

    Është kjo vizita e parë e një presidenti të Kosovës në Zvicër me ftesë të presidentit të këtij shteti.

    Presidentja Osmani u prit në Zvicër me nderime ushtarake.

  • Agim Musliu i përgjigjet Marko Gjuriqit: Qendra në Gazivodë nuk ekziston ligjërisht

    Agim Musliu i përgjigjet Marko Gjuriqit: Qendra në Gazivodë nuk ekziston ligjërisht

    Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit serb në SHBA, Marko Gjuriq, i cili e quajti “sulm ndaj Kryqit të Kuq” aksionin e institucioneve të Kosovës në objektin buzë liqenit të Gazivodës, përcjell ATV.

    Musliu publikoi në platformën “X” një artikull të gazetës serbe Danas, ku thuhet se “Qendra për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit në Zubin Potok”, e inauguruar nga presidenti serb Aleksandar Vučić në vitin 2018, nuk ekziston në kuptimin juridik. Sipas këtij raportimi, objekti nuk është i regjistruar si subjekt ligjor, edhe pse nga buxheti i Serbisë janë derdhur rreth 450 mijë euro ndër vite.

    Reagimi i Musliut erdhi pas një vale akuzash nga zyrtarë serbë për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në objektin që Serbia e paraqet si hapësirë të Kryqit të Kuq.

    Sipas Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë, objekti në fjalë është pjesë e sistemit të ujësjellësit rajonal, një aset jetik për furnizimin me ujë të mijëra qytetarëve në veri të Kosovës. KRU “Mitrovica”, me mbështetjen e policisë, e mori nën kontroll objektin për të ndërprerë aktivitetin ilegal të strukturave paralele.

    “Furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë. Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë,” kishte deklaruar ministrja Artane Rizvanolli.

    Ndërkohë, reagime të ashpra erdhën nga Beogradi. Petar Petkoviq dhe Lista Serbe e cilësuan aksionin si “shkelje të konventave ndërkombëtare”, duke pretenduar se aty zhvilloheshin kurse humanitare dhe aktivitete sportive nën emrin e Kryqit të Kuq.

    Ky aksion vjen në vazhdën e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në veri, përfshirë objekte të kulturës, sportit dhe administratës, që kanë vepruar jashtë sistemit ligjor të Republikës së Kosovës. /atvlive.tv

  • Kryeqyteti dështon bartjen e mjeteve buxhetore në mungesë të kryetarit Rama

    Kryeqyteti dështon bartjen e mjeteve buxhetore në mungesë të kryetarit Rama

    Bartja e mjeteve buxhetore nga 2024 në vitin 2025 në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës ka dështuar pasi nuk u hodh në votim.

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës insistuan në prezencën e kryetarit Përparim Rama, i cili nuk ishte i pranishëm, andaj edhe nuk mbështetën hedhjen në votim të bartjes së mjeteve buxhetore, raporton KosovaPress.

    Për këtë arsye asamblistët e këtyre dy partive e lëshuan seancën e jashtëzakonshme.

    Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla deklaroi është e paqartë mungesa e Ramës në mbledhjen që e vetë e kishte ftuar.

    “Nuk e kam të qartë mungesën e kryetarit në një mbledhje të jashtëzakonshme të cilën vetë e fton. Ne kemi marrë një ftesë që seanca e rregullt është më datën 2 qershor. Nëse kryetari e ka të pamundur të vijë sot, këtë pikë është mirë ta mbajmë në seancën e rregullt për shkak se nuk po e shoh të arsyeshme që për çështjen kryesore që ka të bëjë me buxhetin prej 28 milionë eurosh për të cilat është planifikuar të barten për vitin 2025 të mungojë kryetari. Kemi shumë pyetje për të cilat mund të përgjigjet vetëm kryetari”, theksoi ai.

    Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Leotrim Retkoceri tha se mungesa e kryetarit Rama është taktikë për të vazhduar me arsyetimet për bllokada dhe sabotime.

    “Edhe në këtë seancë mungon kryetari Përparim Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme që vetë e ka ftuar të mbahet dhe është një pyetje që vlen nga të gjithë se ku është kryetari Përparim Rama për të arsyetuar bartjen e mjeteve financiare që e ka paraqitur para Kuvendit dhe asamblistëve. A është kjo një taktikë, për të vazhduar arsyetimet në bllokada dhe sabotime që janë kryefjala e tij, apo e ka detyrë dhe përgjegjësi të dalë para qytetarëve për të arsyetuar bartjen financiare para asamblistëve në mënyrë që të zhbllokohen situata dhe të vazhdohet me punimet e Kuvendit. Për këtë nuk mund të flas askush tjetër pasi ligji e njeh kryetarin e komunës si personin më të lartë të komunës, i cili duhet të dal të arsyetoj”, theksoi ai.

    Për dallim që dy partitë opozitare më të mëdha në Kuvendin Komunal të Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kërkuan prezencën e kryetarit Rama, nga partia në pushtet në kryeqytet Lidhja Demokratike e Kosovës u shprehën pro bartjes së mjeteve në vitin 2025.

    Shefja e asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jeta Rafuna-Hasani u shpreh se për pyetjet që partitë opozitare mund t’i keni përgjigjet mund t’i marrin nga nënkryetarëve të Prishtinës bashkë me drejtoreshën e Financave, Valbona Makolli.

    “I kisha thënë kolegut nga Vetëvendosje se edhe pse është në mungesë kryetari, është drejtoresha e Financave, e cila gjithmonë ka qenë afër neve në seanca dhe ka raportuar dhe ka mbrojtur pikat e saj janë dy nënkryetarët të pranishëm. Si asamblistë të LDK-së e përkrahim bartjen e buxhetit të vitit 2024 në vitin 2025 në vlerë prej 28 milionë eurosh”, u shpreh ai.

    Sqarime për mungesë të kryetarit, Përparim Rama në seancën e sotme të jashtëzakonshme dha nënkryetari Florian Dushi.

    “Kryetari, objektivisht e kishte të pamundur të jetë në këtë takim, i cili është thirrur mbi bazën e rekomandimeve nga drejtoresha e Financave, për shkak të afateve, sipas të cilave duhet të kalojë bartjen e mjeteve dhe për shkak të obligimeve të mbetura të komunës. Konsideroj, se nuk paraqet ndonjë problem ju keni të drejtë është thirrur nga kryetari, sepse është personi kompetent për të thirrur këtë seancë, megjithatë konsideroj se janë të gjithë personat përgjegjës që mund t’u japin informacione për secilin detaj që ndërlidhet me projekte të caktuara”, theksoi ai.

    Drejtoresha e Financave në Prishtinë, Valbona Makolli tha se sikur të votohej buxheti komunal në afate të rregullta situata do të ishte ndryshe.

    “Bartja e mjeteve nuk ka projekte të reja, janë obligime të cilat kanë mbetur në kontrata të nënshkruara. Kontratat janë të publikuara në ueb faqen e komunës… projekte, të cilat janë futur në këtë bartje të mjeteve janë obligime që operatorët janë duke pritur pagesat, përndryshe sikur të ishte vota juaj në buxhetin e rregullt gjysma e këtyre bartjeve nuk do të ishin këtu”, deklaroi Makolli.

    Asamblistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe ata të Aleancës Kosova e Re dhanë mbështetje për votim të kalimit të mjeteve buxhetore nga viti 2024 në vitin aktual. /KP

  • Merren masa ndaj shoferëve për dëmtimin apo ndotjen e ambientit përmes parkimit të automjeteve

    Merren masa ndaj shoferëve për dëmtimin apo ndotjen e ambientit përmes parkimit të automjeteve

    Policia e Kosovës, konkretisht patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren (NJRTRR), gjatë një kontrolli të realizuar sot, më 21 maj 2025, ka ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar shkeljet në zonën e gjelbëruar të rrugës “Rrustë Kabashi” në Prizren, përkatësisht në lagjen Dardania në afërsi të rrugës në drejtimin Prizren–Suharekë.

    Gjatë këtij kontrolli, janë identifikuar automjete të parkuara në mënyrë të kundërligjshme në hapësira të gjelbëruara, veprim ky që përbën shkelje të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat në Trafikun Rrugor, konkretisht Neni 20, paragrafi 9, që ndalon dëmtimin apo ndotjen e ambientit përmes parkimit të mjeteve në vende të ndaluara.

    Si rezultat i këtij aksioni:
    – Janë shqiptuar 19 gjoba për kundërvajtje.
    – Janë konfiskuar 3 automjete.

    Policia e Kosovës do të vazhdojë me veprime të tilla për të siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit. Ftojmë qytetarët që të respektojnë rregullat në trafikun rrugor dhe të kontribuojnë në ruajtjen e ambientit të pastër dhe të sigurt për të gjithë.

  • Papa Leoni i lutet Izraelit t’i lejojë ndihmat humanitare në Gazë

    Papa Leoni i lutet Izraelit t’i lejojë ndihmat humanitare në Gazë

    Papa Leoni XIV i ka bërë thirrje të mërkurën Izraelit ta lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke e përshkruar gjendjen në enklavën palestineze si “shqetësuese dhe tronditëse”.

    “Ripërtërij thirrjen time të zjarrtë për të lejuar hyrjen e ndihmës së drejtë humanitare dhe për t’i dhënë fund armiqësive, çmimin shkatërrues të të cilave po e paguajnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët”, tha papa i ri në sheshin e Shën Pjetrit.

    Leoni – i cili u zgjodh papë më 8 maj duke pasuar të ndjerin Papa Françesku – e ka përmendur luftën në Gazë disa herë në javët e para të papatit të tij.

    Ai e bëri këtë lutje në fund të fjalimit para audiencës, duke shtuar disa fjalë përtej tekstit të përgatitur.

    Në mesazhin e tij të parë të së dielës më 11 maj, Papa Leoni bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe për lirimin e të gjithë pengjeve izraelite që po mbahen nga grupi militant Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

    Izraeli tha të hënën se do ta lejojë hyrjen e ndihmave në Gazë pas një bllokade 11-javore ndaj enklavës, por Kombet e Bashkuara thanë se deri të martën nuk është shpërndarë asnjë ndihmë.

    Izraeli bëri të ditur se synon t’i intensifikojë operacionet ushtarake kundër Hamasit dhe të marrë nën kontroll të gjithë Gazën, e cila është shkatërruar nga një luftë ajrore dhe tokësore izraelite që nga sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve izraelite në tetor 2023.

    Ai thotë se bllokada ka për qëllim, pjesërisht, t’ua pamundësojë militantëve palestinezë devijimin dhe konfiskimin e ndihmave humanitare. Hamasi e ka mohuar këtë gjë.

    Kritikat e Françeskut për Izraelin

    Françesku, i cili vdiq më 21 prill, i kishte shtuar kritikat ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë gjatë muajve para vdekjes së tij.

    Ai e quajti situatën në enklavë “shumë serioze dhe të turpshme” në janar, dy muaj pasi tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të hetojë nëse ka ndodhur gjenocid ndaj popullit palestinez.

    Duke pasqyruar ftohjen e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Izraelit pas kritikave të Françeskut, Izraeli, ndryshe nga shumë shtete të tjera, nuk dërgoi zyrtar të lartë në varrimin e papës së ndjerë, por vetëm ambasadorin e tij në Vatikan.

    Si shenjë e mundshme për një rivendosje marrëdhëniesh me papën e ri, presidenti izraelit, Isaac Herzog, mori pjesë në meshën inauguruese të Leonit në sheshin e Shën Pjetrit të dielën.

    Ushtria izraelite e rifilloi ofensivën në mars, duke e prishur armëpushimin që kishte mundësuar lirimin e më shumë se 30 pengjeve.

    Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

    Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 53.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./rel

  • Merr flakë autobusi i me targa kosovare në Gjermani, reagon kompania

    Merr flakë autobusi i me targa kosovare në Gjermani, reagon kompania

    Kompania kosovare e autobusëve “Pranvera Travel” tha se nuk ka pasur asnjë udhëtarë në autobusin e saj të djegur sot në Dortmund të Gjermanisë.

    Kompania, në një njoftim për media të mërkurën, tha se autobusi mori flakë rreth 10 kilometra pas daljes nga një servis në Gjermani.

    “Ju informojmë se autobusi nuk ka pasur udhëtarë. Ai ka qenë në servis në Gjermani dhe, për shkak të neglizhencës së servisimit në lidhje me kabllot elektrike, rreth 10 kilometra pas daljes nga servisi, autobusi ka marrë flakë”, tha kompania në njoftim.

    “Pranvera Travel” tha se në momentin e zjarrit në autobus ka qenë vetëm shoferi, “i cili, për fat të mirë, nuk ka pësuar asnjë lëndim”.

  • Presidentja Osmani nis vizitën në Zvicër, pritet nga presidentja zvicerane

    Presidentja Osmani nis vizitën në Zvicër, pritet nga presidentja zvicerane

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot nga Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, në Lohn Manor – rezidenca zyrtare e Këshillit Federal të Zvicrës, raporton EO.

    Kjo pritje u zhvillua në kuadër të vizitës shtetërore që Presidentja Osmani po realizon këto ditë në Zvicër.

    Në takim me Presidenten Osmani janë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe Qemajl Aliu, kryetari i Komunës së Shtimes.

    Pas takimit bilateral, Presidentja Osmani do të pritet me nderime ushtarake në Sheshin Federal në Bernë. Më pas, të dyja presidentet do të japin deklarata për media nga Ndërtesa e Parlamentit/Këshilli Federal.

    Vizita do të vazhdojë me një konferencë të përbashkët për media të dy lidereve, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe roli i diasporës kosovare në Zvicër.

    Gjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu një takim me mërgatën shqiptare në qytetin e Gjenevës.

  • Kallas nesër në Kosovë, takohet me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile

    Kallas nesër në Kosovë, takohet me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, në kuadër të vizitës në rajon, do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile në Kosovë .

    Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.

    Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet gjithashtu me Komandantin e KFOR-it Enrico Barduani.

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, do të nisë sot një vizitë në rajon, duke ia filluar nga Beogradi. Ajo më pas vjen në Kosovë ndërsa si destinacion të fundit e ka Maqedoninë e Veriut. Kjo është vizita e saj e dytë në Ballkanin Perëndimor që prej se e ka marrë detyrën e kryediplomates së BE-së.

    Komunikata:

    Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas udhëton për në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

    Më 21-23 maj, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian (HR/Zëvendëspresidente), Kaja Kallas, do të udhëtojë për në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në vizitën e saj të dytë në Ballkanin Perëndimor.

    Në Serbi, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiq, Kryeministrin Gjuro Macut, me Ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe Ministrin e Integrimit Evropian Nemanja Staroviq, Kryetaren e Parlamentit Ana Brnabiq dhe grupet parlamentare të opozitës. Ajo do të flasë me studentët dhe organizatat e shoqërisë civile. Një konferencë për shtyp është planifikuar për në orën 13:15 më 22 maj, e transmetuar drejtpërdrejt në EBS.

    Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.

    Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet gjithashtu me Komandantin e KFOR-it Enrico Barduani.

    Në Maqedoninë e Veriut, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me Kryeministrin Hristijan Mickoski. Një konferencë e përbashkët për shtyp është planifikuar për 23 maj, e transmetuar drejtpërdrejt në EBS në orën 12:10.

    Ajo do të hapë Dialogun e parë për Sigurinë dhe Mbrojtjen midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timcho Mucunski dhe do të vizitojë Organizatën e Përhershme të Task Forcës Mjekësore Ballkanike (BMTF SO) në prani të Ministrit të Mbrojtjes Vlado Misajlovski.

    Ajo gjithashtu do të angazhohet me të rinj vendas, studentë dhe profesionistë të rinj.