ATV

Author: ATVLive

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë për posedim të substancave narkotike

    Arrestohen dy persona në Prishtinë për posedim të substancave narkotike

    Janë arrestuar dy persona në kryeqytet për posedim të substancave narkotike.

    Sipas Policisë së Kosovës, Rasti ka ndodhur dje në orën nëntëmbëdhjetë e pesëdhjetë e pesë, raporton KP.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë kontrollit tek njëri nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë me peshë rreth 0.2 gram, një telefon një palë çelësa të banesës dhe para të gatshme të valutave të ndryshme rreth 825 euro”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Ndërsa, tek i dyshuari tjetër janë gjetur dhe sekuestruar dy qese të vogla të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth dy pikë një gram.

    “Tek i dyshuari tjetër janë gjetur dhe sekuestruar dy qese të vogla të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 2.1 gram. Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja e banesës së të dyshuarit ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 643.7 gram, dy peshore digjitale”, thuhet në raport.

    Më tej thuhet se vlera e përgjithshme e substancës së dyshuar arrin vlerën rreth dymbëdhjetëmijë euro. Sipas raportit, pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Gjendet pa shenja jete një person në shtëpinë e tij në Ferizaj

    Gjendet pa shenja jete një person në shtëpinë e tij në Ferizaj

    Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën në shtëpinë e tij në Ferizaj.

    Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policor dhe Ekipi i Emergjencës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Netanyahu e bën planin e Trumpit për zhvendosjen e popullsisë së Gazës kusht të ri për përfundimin e luftës

    Netanyahu e bën planin e Trumpit për zhvendosjen e popullsisë së Gazës kusht të ri për përfundimin e luftës

    Gjatë konferencës së tij të parë për gazetarë pas pesë muajve, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën e përmendi zbatimin e planit “revolucionar” të presidentit amerikan, Donald Trump, për zhvendosjen e popullsisë civile të Gazës si kusht për përfundimin e luftës.

    Kjo është hera e parë që Netanyahu bën një kërkesë të tillë. Ai e quajti “të shkëlqyeshëm” planin e Trumpit dhe tha se projekti ka potencial për ta ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme, raporton gazeta “The Times of Israel”.

    Me operacionin e ri e të zgjeruar ushtarak tokësor në Gaza, i cili filloi në fundjavë, synohet “përfundimi i luftës, puna” në enklavë, tha kryeministri izraelit para gazetarëve dhe kamerave në Zyrën e Kryeministrit në Jerusalem.

    Izraeli ka një plan “shumë të organizuar” për t’i arritur qëllimet e luftës në Gaza, këmbëngul ai, duke thënë se objektivat janë “që të mposhtet Hamasi, i cili i kreu mizoritë e 7 tetorit (2023), të kthehen të gjitha pengjet tona dhe të sigurohemi që Gaza nuk do të përbëjë kërcënim ndaj Izraelit”.

    “Forcat tona po japin goditje të fuqishme që do të bëhen më të forta kundër bastioneve të Hamasit që ende ekzistojnë në Gaza” – shtoi Netanyahu, duke premtuar se deri në fundin e operacionit, “tërë territori i Gazës do të jetë nën kontrollin e sigurisë të Izraelit dhe Hamasi do të mposhtet tërësisht”.

    Edhe pse tha se është “i gatshëm për t’i dhënë fund luftës”, kryeministri izraelit tha se do të pajtohet për ta bërë këtë vetëm “në kushte të qarta që do ta garantojnë sigurinë e Izraelit: Të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi, Hamasi t’i ulë armët, të tërhiqet nga pushteti, udhëheqësia e tij të shkojë në ekzil… Gaza të çarmatoset tërësisht dhe ne ta kryejmë planin e Trumpit, një plan që është aq korrekt e aq revolucionar”.

    Sipas Netanyahut, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë të vendosura për t’u siguruar që Irani të mos mund të prodhojë armë bërthamore dhe Hamasi të dëbohet nga Gaza.

    “Ne duam që të sigurohemi që plani i Trumpit” për Gazën të bëhet realitet, shtoi ai. “Është një plan i mrekullueshëm që vërtet mund të sjellë ndryshim jo vetëm këtu… por mund ta ndryshojë fytyrën e Lindjes së Mesme. Mund ta ndryshojë një herë e përgjithmonë tërë atë nëpër të cilën ne kemi kaluar nga Gaza me dekada” – tha më tej kryeministri izraelit.

    Netanyahu tha, gjithashtu, se nëse ekziston mundësia për një “armëpushim të përkohshëm” që do ta mundësonte kthimin e pengjeve, ai do të pajtohej, por theksoi se kjo do të ishte vetëm e përkohshme./Nacionale

  • Komuna për grevën e punëtorëve të “Pastrimit”: Po keqpërdoren për qëllime politike nga menaxhmenti

    Komuna për grevën e punëtorëve të “Pastrimit”: Po keqpërdoren për qëllime politike nga menaxhmenti

    Komuna e Prishtinës ka reaguar pas nisjes së grevës nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi” para ndërtesës së komunës.

    Siç thuhet në njoftim, “grumbullimi i i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm” dhe se sipas tyre, të njëjtit po keqpërdoren për qëllime politike nga menaxhmenti.

    “Të nderuar qytetarë, Ka kohë që Kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm.

    Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

  • Organizata për dëme të luftës “Ngritja e zërit” dorëzoi dosjet – lëndët në Kushtetuese

    Organizata për dëme të luftës “Ngritja e zërit” dorëzoi dosjet – lëndët në Kushtetuese

    Organizata për dëme të luftës “Ngritja e zërit” dorëzoi për të 13-tën herë dosjet- lëndët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, raporton EO.

    “Ngritja e zërit” nga viti 2008 ka ushtruar padi për kompensimin e dëmeve të luftës, përfshirë dëmin në njerëz dhe pronë.

    Kujtojmë se rreth 1 mijë kërkesëpadi janë hartuar nga kjo organizatë dhe janë dorëzuar nëpër gjykata, pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, por të gjitha janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se nuk mund të paditet një shtet tjetër.

  • ​Caktohet vendi ku do të zhvillohet Superkupa e Evropës

    ​Caktohet vendi ku do të zhvillohet Superkupa e Evropës

    Tottenham Hotspur do të përballet me Interin ose Paris Saint-Germainin në Superkupën e UEFA-s në tokën italiane, e cila do të zhvillohet në “Stadio Friuli” në Udine, transmeton KosovaPress.

    “Stadio Friuli”, siç njihet për arsye sponsorizimi nga UEFA, por stadiumi Bluenergy në Serie A, është shtëpia e ekipit të Udineses.

    Fituesi i Ligës së Evropës dhe fituesi i Ligës së Kampionëve përballen në Superkupën e Evropës, e cila tradicionalisht hap sezonin e ri. Kjo ndeshje është planifikuar të luhet në Udine të mërkurën, më 13 gusht 2025.

    Tashmë dihet njëra nga skuadrat që do të jetë e përfshirë në atë ndeshje, pasi Tottenham Hotspur mundi Manchester United 1-0 në Bilbao për të ngritur trofeun e Europa League.

    Ishte trofeu i tyre i parë në 17 vjet dhe trofeu i tyre i parë evropian që nga Kupa UEFA në vitin 1984. Ata do të përballen ose me Interin ose me Paris Saint-Germainin, varësisht se kush fiton finalen e Ligës së Kampionëve në Mynih më 31 maj.

    “Stadio Friuli” iu nënshtrua një rikonstruksioni të madh në vitin 2016 dhe që nga viti 2018 ka një fushë hibride natyrale dhe sintetike.

    Në vitin 2023, u bë stadiumi i parë në Evropë që u shpall plotësisht ‘i gjelbër’ dhe neutral ndaj karbonit. /KP

  • ​Policia e Kosovës kryen operacion të suksesshëm anti-terrorizëm

    ​Policia e Kosovës kryen operacion të suksesshëm anti-terrorizëm

    Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm anti-terrorizëm në orët e para të së enjtes. Bëhet fjalë për dy raste të ndara – Malishevë dhe Fushë Kosovë – ku janë kryer kontrolle.

    Janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari që lidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit si dhe për shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale.

    Policia njoftoi të enjten se operacioni është zhvilluar nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    “Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara, që kanë rezultuar me tri kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishevë, si dhe dy arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale”, thuhet në njoftim e Policisë së Kosovës.

    Sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë./KP

  • ​Kurti përgëzon Trepçën për titullin kampion

    ​Kurti përgëzon Trepçën për titullin kampion

    Trepça ka mbrojtur me sukses titullin e kampionit. ‘Xehetarët’ në super finalet e “Play-off”-it triumfuan ndaj Bashkimit në serinë finale 4:2. Finalja e fundit në Mitrovicë u zhvillua në një super atmosferë, derisa ky kampionat ishte me dramë, adrenalinë dhe emocione të pafundme.

    Mitrovicasit finalen e fundit e fituan 82:67 (27:22, 18:8, 17:19, 20:18). Sfida ka qenë mjaft interesante nga fillimi deri në fund. Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë 27:22, derisa edhe më bindës ishin në periudhën e dytë 18:8, për të shkuar në pushim me epërsi të lartë 45:30.

    Trofeun e kampionit e kanë ndarë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Ky i fundit pastaj përmes një postimi në Facebook ka uruar Trep♪5ësn për suksesin e arritur por edhe bashkimin për paraqitje dinjitoze në këto gjashtë finale, raporton KosovaPress.

    “Titulli i dytë radhazi dhe i gjashti në histori për minatorët e Mitrovicës që po vazhdojnë të dominojnë basketbollin vendor. Përgëzime KB Bashkimit! Finalist dinjitoz që përkundër humbjes, i dha hijeshi kampionatit të sivjetëm me rivalitet të fortë. Urime Trepçës, qytetit të Mitrovicës dhe Torcidës, që edhe këtë herë ishin zemra e fitores”, ka shkruar Kurti.

  • ​Vriten dy punonjës të ambasadës izraelite në Uashington

    ​Vriten dy punonjës të ambasadës izraelite në Uashington

    Dy punonjës të Ambasadës izraelite janë qëlluar për vdekje jashtë një muzeu hebre në qendër të Uashington, thanë zyrtarët.

    Burri dhe gruaja ishin një çift dhe u vranë ndërsa po largoheshin nga një ngjarje e fokusuar në ndihmën e banorëve të Gazës në Muzeun Jewish Capital, shkruan BBC.

    I dyshuari është ndaluar dhe identifikuar nga policia si 30-vjeçari Elias Rodriguez.

    Policia tha se ai bërtiti “Palestina e lirë” pasi u arrestua dhe oficerët “do të shqyrtojnë lidhjet me terrorizmin e mundshëm”.

    Ambasada e Izraelit tha se dy anëtarët e stafit u qëlluan “nga një distancë e afërt” ndërsa ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar tha se është një “sulm terrorist tronditës”.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se sulmi është “aq i trishtuar” dhe “i bazuar qartë në antisemitizëm”.

  • Kupola e Artë: Trumpi e shpalos konceptin miliarda dollarësh për sistemin e ri kundërajror

    Kupola e Artë: Trumpi e shpalos konceptin miliarda dollarësh për sistemin e ri kundërajror

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shpalosur konceptin për programin e ardhshëm të mbrojtjes ajrore: Kupola e Artë.

    Ky kundërajror shumështresor, në vlerë 175 miliardë dollarë, nënkupton se SHBA-ja do të vendosë armë në hapësirë për herë të parë.

    Duke folur të martën nga Zyra Ovale, Trumpi tha se pret që sistemi “ta nisë punën plotësisht para përfundimit të mandatit tim”, i cili mbaron në vitin 2029, dhe të ketë aftësinë për t’i ndalur raketat “madje edhe nëse ato lëshohen nga hapësira”.

    Një zyrtar amerikan tha se ka më shumë gjasa që ky sistem kompleks të ketë kapacitet fillestar deri atëherë.

    Trumpi gjithashtu njoftoi se gjenerali Michael Guetlein, i cili aktualisht shërben si zëvendësshef i operacioneve hapësinore, do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e përparimit të Kupolës së Artë.

    Kupola e Artë parashikohet të përfshijë kapacitete, nga toka dhe nga hapësira, të cilat janë në gjendje të zbulojnë dhe ndalojnë raketat në katër fazat kryesore të një sulmi të mundshëm: zbulimi dhe shkatërrimi para lëshimit, ndalimi në fazën më të hershme të fluturimit, ndalimi gjatë rrugëtimit të tyre ajër, ose ndalimi në minutat e fundit gjatë rënies së tyre mbi cak.

    Si u frymëzua Trump për Kupolën e Artë
    Plani i presidentit Trump për Kupolën e Artë, për t’i mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga raketat me rreze të gjatë, u frymëzua pak a shumë nga sistemi shumështresor i Izraelit.

    Sistemi kundërajror i Izraelit, i njohura shpesh si Kupola e Hekurt, ka luajtur rol kyç në mbrojtjen nga zjarri me raketa dhe raketa balistike nga Irani dhe grupet militante aleate në konfliktin e nisur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.

    Sistemi i sofistikuar, i zhvilluar për dekada me mbështetje të konsiderueshme amerikane, është në gjendje t’i zbulojë raketat dhe të aktivizohet vetëm nëse raketa është e drejtuar drejt një qendre popullsie ose infrastrukture të ndjeshme ushtarake apo civile. Udhëheqësit izraelitë thonë se sistemi nuk është 100 për qind i sigurt, por ia lanë meritat atij për parandalimin e dëmeve serioze dhe viktimave të shumta.

    Gjatë muajve të fundit, planifikuesit e Pentagonit kanë zhvilluar opsione – të cilat zyrtari amerikan i përshkroi si të mesme, të larta dhe “jashtëzakonisht të larta” bazuar në kostot e tyre – që përfshijnë raketa kundërajrore në hapësirë. Zyrtari foli në kushte anonimiteti, pasi këto plane nuk janë bërë ende publike.

    Dallimi mes tri versioneve qëndron kryesisht në numrin e satelitëve dhe sensorëve – dhe për herë të parë, raketave kundërajrore nga hapësira – që do të bliheshin.

    Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerësoi këtë muaj se vetëm komponentët e Kupolës së Artë, të vendosur në hapësirë, mund të kushtojnë deri në 542 miliardë dollarë gjatë 20 vjetëve të ardhshme. Trump ka kërkuar një financim fillestar prej 25 miliardë dollarësh për programin në projektligjin e tij për uljen e taksave, i cili është duke kaluar nëpër Kongres.

    Pentagoni ka paralajmëruar prej vitesh se raketat më të reja të zhvilluara nga Kina dhe Rusia janë aq të avancuara saqë nevojiten masa të përditësuara mbrojtjeje. Satelitët dhe raketat shtesë kundërajrore të Kupolës së Artë – që përbëjnë pjesën më të madhe të kostos së programit – do të përqendrohen në ndalimin e raketave të avancuara në fazat e hershme apo gjatë fluturimit.

    Armët hapësinore të parashikuara për Kupolën e Artë “përfaqësojnë kërkesa të reja dhe në zhvillim për misione që nuk janë realizuar kurrë më parë nga organizatat ushtarake hapësinore”, tha gjenerali Chance Saltzman, shefi i Forcës Hapësinore të SHBA-së, para ligjvënësve në një seancë dëgjimore të martën.

    Kina dhe Rusia kanë vendosur armë sulmuese në hapësirë, si satelitë me aftësi për t’i çaktivizuar satelitë e rëndësishëm amerikanë, duke e bërë SHBA-në të cenueshme ndaj sulmeve.

    Vitin e kaluar, SHBA-ja tha se Rusia po zhvillonte një armë bërthamore në hapësirë, e cila mund të qëndrojë në orbitë për kohë të gjatë dhe pastaj të lëshojë një shpërthim që do t’i shkatërronte satelitët përreth saj.

    Trump tha të martën se ende nuk ka folur me presidentin rus, Vladimir Putin, për programin e Kupolës e Artë, “por në kohën e duhur, do ta bëjmë”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

    Në një deklaratë të përbashkët më herët këtë muaj, Kina dhe Rusia e quajtën idenë e Kupolës së Artë “thellësisht destabilizuese nga natyra”, duke paralajmëruar se do ta shndërronte “hapësirën e jashtme në një mjedis për vendosjen e armëve dhe një arenë për konfrontim të armatosur”.

    Ende nuk ka të holla për projektin dhe Kupola e Artë në përgjithësi është “ende në fazën konceptuale”, tha sekretari i ri i Forcave Ajrore, Troy Meink, gjatë një seance dëgjimore në Senat të martën.

    Derisa presidenti zgjodhi konceptin që dëshironte, Pentagoni është ende duke zhvilluar kushtet që Kupola e Artë do të duhet t’i përmbushë – që nënkupton se kjo nuk është mënyra e zakonshme se si zhvillohen sistemet e reja.

    Pentagoni dhe Komanda Veriore e SHBA-së janë ende duke hartuar atë që njihet si dokumenti fillestar i kapaciteteve, tha zyrtari amerikan. Kjo është mënyra se si Komanda Veriore, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e atdheut, identifikon çfarë duhet të bëjë sistemi.

    SHBA-ja tashmë ka shumë kapacitete për mbrojtje nga raketat, si bateritë raketore, Patriot, që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës për t’u mbrojtur nga raketat, si dhe një sërë satelitësh në orbitë për të zbuluar lëshimet e raketave. Disa nga ato sisteme ekzistuese do të përfshihen në Kupolën e Artë.

    Trump i dha urdhër Pentagonit të zhvillojë raketa kundërajrore për hapësirë me një urdhër ekzekutiv gjatë javës së parë të presidencës së tij. /REL/