ATV

Author: ATVLive

  • Gashi: Problemi kryesor i Ligjit Zgjedhor në Kosovë është sistemi njëzonal

    Gashi: Problemi kryesor i Ligjit Zgjedhor në Kosovë është sistemi njëzonal

    Ish-deputeti Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se sistemi njëzonal i zgjedhjeve është një nga problemet më të mëdha të ligjit zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të pafavorshëm për kandidatët nga rajonet me më pak votues.

    Sipas Gashit, në sistemin njëzonal të gjithë kandidatët garojnë në gjithë Kosovën, gjë që krijon vështirësi për ata që vijnë nga rajone me bazë më të ngushtë elektorale.

    “Gjithnjë 110 kandidatët garojnë në krejt Kosovën. Ai që niset prej një regjioni ku ka pak vota të një partie të caktuar, e ka problem me kompensu numrin e madh të votave në krejt Kosovën”, tha Gashi.

    Ai sugjeroi se një sistem shumëzonal do të ishte më i drejtë, duke e bërë garën më të qartë dhe të ndershme për kandidatët dhe votuesit.

    “Krejt ndryshe do të ishte sikur të ishte sistemi shumëzonal. Të kishim gjashtë zona, dihet se cila zonë kish nxjerrë shtatë-tetë kandidatë, dhe popullata dhe votuesi i kish njoft shumë më mirë se tash”, u shpreh Gashi.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hodaj: Votimi i 10 kandidatëve mund ta komplikojë procesin zgjedhor dhe të rrisë mundësinë për manipulime

    Hodaj: Votimi i 10 kandidatëve mund ta komplikojë procesin zgjedhor dhe të rrisë mundësinë për manipulime

    Avokati Taulant Hodaj, i ftuar në emisionin CONTEXT në ATV, tha se votimi i 10 kandidatëve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, por gjithashtu mund ta komplikojë procesin zgjedhor dhe të rrisë mundësinë për manipulime.

    Sipas Hodajt, zgjerimi i mundësisë për votuesit dhe kandidatët është pozitiv, por rrit kompleksitetin e procesit nga numërimi deri te rinumërimi i votave.

    “Ka avantazhe dhe disavantazhet e veta. A e komplikon procesin? E komplikon. A mund të ketë keqpërdorime? Po, sepse tash ka më shumë deputetë dhe deri te numërimi e rinumërimi mund të ndodhin manipulime”, tha Hodaj.

    Ai tha se për të shmangur keqpërdorimet, institucionet e drejtësisë duhet të jenë të përqendruara jo vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe në fazën e numërimit.

    “Këtu ndoshta duhet të jetë përqendrimi i organeve të drejtësisë, i fokusuar përtej ditës së zgjedhjeve, edhe gjatë procesit të numërimit dhe rinumërimit”, u shpreh Hodaj.

    Deklaratën e plotë të Taulant Hodajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamidi: Në këto zgjedhje nuk ka me pasë mundësi me vjedh vota

    Hamidi: Në këto zgjedhje nuk ka me pasë mundësi me vjedh vota

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ligjet e reja zgjedhore dhe masat për transparencë e bëjnë pothuajse të pamundur manipulimin e votave në zgjedhjet e ardhshme.

    Hamidi tha se masat e reja përfshijnë transparencë të plotë në numërimin e votave dhe monitorim të rreptë nga komisionet zgjedhore.

    “Mundësia e manipulimit me këtë ligjin e ri është shumë e vogël, sepse numërimi i votave të subjekteve politike bëhet nga kuadrot e KKZ-ve, janë me kamera transparente, dhe tani shkojnë në QNR”, tha Hamidi.

    Ai përmendi se rastet e mëparshme të manipulimeve të cilat kanë çuar shumë komisionerë përpara drejtësisë, gjë që ka shtuar kujdesin në këtë proces.

    “Mos harrojmë se janë me dhjetëra raste komisionerësh që përballen me procese gjyqësore,” shtoi Hamidi.

    Deklaratën e plotë të Lavdim Hamidit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve të saj nga Serbia

    ​Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve të saj nga Serbia

    Ambasadori i Serbisë Slobodan Vukçeviq është ftuar sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, pas shpalljes “non-grata” të dy shtetasve shqiptarë të cilët ishin pjesë e një seminari të shoqërisë civile në Beograd.

    MEPJ e Shqipërisë kërkoi nga ambasadori serb sqarime lidhur me rastin dhe theksoi nevojën që Serbia të rishikojë apelimin e vendimeve të marra, si dhe u kërkua të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

    MEPJ e Shqipërisë tha ndalimi dhe largimi nga territori i Serbisë i dy përfaqësuesve të shoqërisë civile nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet për të ruajtur marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe se ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

    “Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd”, thuhet në reagimin e MEPJ të Shqipërisë në Facebook.

    Me argumentin se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

    Gjatë 21 dhe 22 janarit ata ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat jo qeveritare mundet të krijojnë të ardhura”. Një aktivitet tërësisht apolitik dhe pa asnjë lidhje me protestën antiqeveritare nisur prej nëntorit të vitit të shkuar.

    Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.

  • Rexhaj për votimin e 10 kandidatëve: Kjo e rrit mundësinë shumëfish për manipulime brenda partiake

    Rexhaj për votimin e 10 kandidatëve: Kjo e rrit mundësinë shumëfish për manipulime brenda partiake

    Profesori në Kolegjin AAB, Xhavit Rexhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, ka ngritur shqetësime për ndikimin e votimit të 10 kandidatëve në lista zgjedhore, duke e konsideruar këtë proces si një rrezik për manipulime brenda partiake.

    Sipas Rexhajt, procesi i mbrojtjes së votës dhe numërimit bëhet shumë më i ndërlikuar, duke rritur mundësinë e manipulimeve në qendrat e votimit.

    “Kjo e rrit mundësinë shumëfish për manipulime brenda partiake, brenda llojit. Domethënë, bëjnë pak komisionerët, edhe t’i tutë unë të mitë’, sepse do të ketë shumë vota”, tha Rexhaj.

    Ai gjithashtu shprehu shqetësim për vështirësitë që do të hasin votuesit në zgjedhjen e 10 emrave nga listat zgjedhore, duke përmendur problemet e mëparshme me procesin e numërimit.

    “Unë me pesë vota kam pasë problem me i gjetë pesë emra në listën me njëqind e dhjetë emra. Tash me dhjetë emra… njerëzit që nuk kanë formim politik, arsimor apo tjetër do ta kenë shumë të vështirë,” u shpreh Rexhaj.

    Deklaratën e plotë të Xhavit Rexhajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Votimi i 10 kandidatëve mund të sjellë ndryshime cilësore

    Gashi: Votimi i 10 kandidatëve mund të sjellë ndryshime cilësore

    Ish-deputeti Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se votimi i 10 kandidatëve në lista zgjedhore mund të sjellë ndryshime të rëndësishme cilësore në përbërjen e partive politike në Parlament.

    Sipas tij, kjo qasje krijon hapësirë për përfshirjen e emrave të rinj që mund të ndryshojnë strukturën cilësore të partive.

    “Votimi i dhjetë kandidatëve jep mundësi më shumë, domethënë me fut edhe emra të rinj në atë të dhjetëshin që e përzgjedhin votuesit për ta votu dhe në këtë kombinim mund të ketë ndryshime kualitative në përbërjen e partisë dhe të ulëseve që ajo merr në Parlament”, tha Gashi.

    Ai komentoi gjithashtu përfshirjen e kryetarëve të komunave në lista zgjedhore, duke e konsideruar si një taktikë të partive për të tërhequr më shumë vota.

    “Kjo është taktikë e partive me tërheq më shumë vota në ato komuna ku ata kanë fitu një herë si emra të përveçëm. Nëse kanë punu mirë, kjo mund t’ju përkthehet në vota dhe e rrit numrin total të votave të partisë,” u shpreh ai.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj: Qeveria meriton kartonin e kuq, Kurti përçau shqiptarët në rajon

    Haradinaj: Qeveria meriton kartonin e kuq, Kurti përçau shqiptarët në rajon

    Koalicioni AAK, NISMA, KONSERVATORËT, FORUMI INTELEKTUAL E30, IDEAL, ka mbajtur sonte tubim elektoral në Fushë Kosovë.

    Në mungesë të Ramush Haradinajt, kandidatit për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese i cili ndodhet për vizitë në SHBA, nënkryetari i AAK-së Daut Haradinaj akuzoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti se gjatë qeverisjes së tij ka përçarë shqiptarët në rajon.

    “Kjo qeveri e meriton kartonin e kuq. Meriton kartonin e kuq edhe për një arsye tjetër. Përveç që s’bëri asgjë për Kosovën, nuk është e tepërt të themi se qysh e kemi gjendjen në Luginë, si përçau vëllezërit dhe motrat tona në atë pjesë. Sot i kemi pikë e pesë shqiptarët andej… Nuk është e tepërt të themi edhe ndërhyrjen e tij kundër liderëve të UÇK-së në Maqedoni të Veriut. Me vetëdije të plotë shkon dhe ndërhyn atje dhe lut Mickovskin për të hequr UÇK-në prej pushteti. Ai e hoqi prej pushteti, por i ktheu shqiptarët në vitin 2001…. Me Shqipërinë na prishi, atje ka shkuar vetëm dy herë, ndërsa në Greqi mbi 30 herë”, tha Haradinaj.

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në koalicionin Kosova Fituese ka njerëz të veprave që kanë lënë gjurmë në shtet-ndërtimin e Kosovës.

    “Ne bashkoheni për një Kosovë fituese, ne rreshtohemi për një Kosovë fituese. Ne jemi këtu dhe gjithkund në Kosovë ku po i ftojmë qytetarët të bashkohen rreth këtij projekti të madh. Brenda koalicionit tonë ka plotë kandidatë të profesioneve të ndryshme me një biografi atdhetare, profesionale. Koalicioni ynë nga fillimi deri në fund është vepra. Njerëz me vepra të mëdha që kanë lënë gjurmë në transformimin dhe ndërtimin e Kosovës”, tha ai.

    Votën e qytetarëve të Fushë Kosovës e kërkuan edhe kandidatët për deputetë të këtij koalicioni nga ky qytet.

    Kujtojmë, 11 janar ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të cilat mbahen për herë të parë brenda afatit të rregullt. /KP

  • ​Trump dëshiron të takohet së shpejti me Putin

    ​Trump dëshiron të takohet së shpejti me Putin

    Presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se dëshiron të takohet së shpejti me homologun e tij rus Vladimir Putin për të siguruar fundin e luftës gati trevjeçare në Ukrainë.

    Në prag të fitores së tij në zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump deklaroi dhjetëra herë se do të arrinte një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë në ditën e tij të parë në detyrë, nëse jo më parë. Këshilltarët e tij tani pranojnë se do të duhen muaj për të zgjidhur luftën.

    “Unë me të vërtetë do të doja të takohesha me presidentin Putin së shpejti për t’i dhënë fund asaj lufte. Miliona jetë po humbasin, kjo është një masakër,” tha Trump përmes një lidhjeje video në Davos.

    Trump tha gjithashtu se përpjekjet e SHBA për të siguruar një zgjidhje paqeje ishin duke u zhvilluar, por ai nuk dha detaje.

    Presidenti amerikan kërcënoi dje Rusinë me sanksione të reja nëse nuk bën një marrëveshje me Ukrainën.

    “Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse të rris taksat, tarifat dhe sanksionet për gjithçka që Rusia mund t’i shesë Shteteve të Bashkuara, si dhe vendeve të tjera që bashkohen”, tha Trump.

    Moska u përgjigj se ishte e gatshme për dialog, por me respekt të ndërsjellë.

  • Disa lagje të Fushë Kosovës janë të stërmbushura me mbeturina që hidhen afër kontejnerëve

    Disa lagje të Fushë Kosovës janë të stërmbushura me mbeturina që hidhen afër kontejnerëve

    Përgatiti: Egzona Mema

    Orendi, goma veturash, mbetje ushqimesh, e mbeturina të tjera ka gjithandej në tokë por jo aq në kontejnerë.

    Gjendja me mbeturina në Fushë Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese derisa hidhen edhe në afërsi të komunës apo edhe shkollave.

    Nga kompania “Pastrimi” përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave edhe në Fushë Kosovë thonë se ato largohen dy deri në tre herë në javë pikërisht në Bresje.

    ‘’Kompania “Pastrimi”, Njësia Operuese në Fushë Kosovë, shërbimin e largimit të mbeturinave në këtë rrugë e kryen së paku dy herë brenda javës. Bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që mbeturinat t’i hedhin në kontejnerë e jo nëpër tokë’’, thuhet në përgjigjen nga Kompania Tajonale e Mbeturinave “Pastrimi”.

    Por, hiç më mirë punët me mbeturina nuk janë as te ‘’Shkolla e Re’’.

    “200-300 fëmijë janë këtu në shkollë, çdo ditë, që vi me marr mbesën këto mbeturina janë këtu, kurrë nuk e gjen pastër. I kisha bë apel Komunës pak me pesë kujdes këtu të fëmija”, thotë një qytetar.

    Njëkohësisht as Komuna e Fushë Kosovës nuk merr përgjegjësi për grumbullimin e mbeturinave. Ardit Sekiraqa, drejtor i shërbimeve publike tha se ekipet vazhdimisht janë në terren.

    “Ekipet tona të Komunës vazhdimisht bëjnë pastrimin dhe largimin e deponive ilegale të mbeturinave të cilat krijohen afër pikave grumbulluese të mbeturinave apo në pjesë të ndryshme të qytetit”, tha Sekiraqa.

  • Komuna e Leposaviqit e ka shkëputur bashkëpunimin me komunën e Podujevës

    Komuna e Leposaviqit e ka shkëputur bashkëpunimin me komunën e Podujevës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Komuna e Leposaviqit s’ia tha punës në projekte infrastrukturore gjatë tërë vitit të kaluar.

    Për një vit, komuna më veriore e vendit shpenzoi vetëm 1 për qind të buxhetit për investime kapitale. Kësisoj nga 2.6 milionë sa kishin në dispozicion për projekte të tilla, Komuna shpenzoi vetëm 26 mijë euro.

    Deri vonë, pjesën operacionale e të prokurimit për komunën e Leposaviqit, e mbulonte Podujeva.

    Por, siç kupton ATV-ja, të dy komunat kanë shkëputur bashkëpunimin, pas disa mosmarrëveshjeve, që lidheshin pikërisht më pjesën administrative.

    Derisa komuna e Leposaviqit është në përpjekje për një marrëveshje të re, monitorues të qeverisjes lokale thonë se bartja e përgjegjësive tek dikush tjetër, ndodh për shkak të mungesës së kuadrove brenda institucionit.

    “Duhet ta kemi parasysh që akoma nuk mund të flasim për konsolidim të plotë të resurseve ekzekutive të pushtetit. Pra kemi të bëjmë me një pushtet i cili është duke u konsoliduar e për rrjedhojë ka shumë vështirësi dhe ka shumë paqartësi në ekzekutimin e projekteve. Mirëpo kjo ka ardhur në mungesë të resurseve profesionale që i ka kjo komunë”, tha Bekim Salihu nga Instituti Gap.

    Nga shuma e shfrytëzuar prej 26 mije euro, mbi 16 mijë, u përdorën për rregullimin e lumit Bistrica, ani pse kjo përbën vetëm 7 për qind të shumës totale prej 250 mijë euro, që ishin paraparë për këtë projekt.

    Ndërkaq mbi 9 mijë të tjera, ishin zotuar për renovimin e shtëpisë së shëndetit në fshatin Vraqevë.