ATV

William Walker ftohet të dëshmojë pë Reçakun në Gjykatën Themelore

Written by

in

Përgatiti: Nora Luta

Publiku e ka dëgjuar rrëfimin e tij për masakrën e Reçakut shpesh.

Por, në institucionin që pritet të ndajë drejtësi për kryerësit e masakrës, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë Willam Walker rrëfeu për atë çfarë kishte parë para 25 viteve, për herë të parë këtë të mërkurë.

“Më është bërë kërkesë që të vij në Gjykatë dhe kur më kërkohet, unë vij. Supozoj se po ka të bëjë me Masakrën e Reçakut. Në këtë gjë jam i përfshirë tashmë qe 26 vjet. Kështu që mezi po pres të flas”, deklaroi Walker.

Ish ambasadori i është përgjigjur ftesës së Gjykatës së Prishtinës, e cila aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale, e bazuar në nenin 147 të Kodit të Procedurës Penale.

“Prokurori i shtetit, pala e dëmtuar ose viktima, mbrojtësi i viktimave ose përfaqësuesi i viktimës, i pandehuri ose mbrojtësi i tij mund të kërkojë nga gjyqtari i procedurës paraprake të merr dëshmi nga dëshmitari ose të kërkojë ekspertizë me qëllim të ruajtjes së provës kur ekziston një mundësi e veçantë për marrjen e provës së rëndësishme ose kur ka rrezik të konsiderueshëm se kjo provë nuk do të mund të merrej gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në Nenin 147 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkohë, për shkak se janë duke u zhvilluar ende hetime lidhur me masakrën e Reçakut, dëshmia e 89-vjeçarit nuk ishte e hapur për publikun.

Nën llupën e hetuesisë për këtë rast janë më shumë se dhjetë persona, ndërsa deri tash për këtë masakër është dënuar në mungesë Çedomir Aksiq, dhe Zoran Stanojoviq, i cili ndodhet në arrati.

Ndërkohë, Willaim Walker e kishte vizituar Reçakun, një ditë pas ofensivës ku ishin masakruar 45 civilë. Për rastin që e konsideroi krimi kundër njerëzimit, Walker kishte drejtuar akuza në drejtim të forcave serbe.

Imazhet e dokumentuara të kësaj masakre i treguan botës për tmerrin që po kalonin kosovarët dhe i hapën rrugë intervenimit të NATO-s.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *