ATV

Author: ATVLive

  • Dështon për herë të 21-të konstituimi i Kuvendit

    Dështon për herë të 21-të konstituimi i Kuvendit

    Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 21-të me radhë për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.

    Vazhdimi i sotëm ishte i njëjtë me vazhdimet e mëparshme: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

    Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

    Nga 90 deputetët e pranishëm, ishin 53 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.

    Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 27 maj, në orën 11:00.

  • Qalaj: Serbia është shtet armiqësor, policia jonë duhet të kryejë punën pa u frikësuar

    Qalaj: Serbia është shtet armiqësor, policia jonë duhet të kryejë punën pa u frikësuar

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, i pyetur për fletarrestin e lëshuara nga Serbia për pjesëtarë të Policisë së Kosovës në lidhje me incidentin e ndodhur në veri të vendit, tha se nga një shtet armiqësor nuk mund të pritet asgjë tjetër veç veprimeve të tilla, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se PK-ja duhet të bëjë maksimumin që kudo në Kosovë të ketë rend dhe ligj.

    “Çka të pritet nga një shtet armik përveç gjërave të tilla. Mendoj që Policia e Kosovës duhet ta kryejë punën që ka mandat dhe të mos brengoset fort se çka bën Serbia. Serbia është një shtet jo miqësor ndaj Kosovës, është një shtet armiqësor. Ne duhet të bëjmë maksimumin që kudo në Kosovë të ketë rend dhe ligj,” deklaroi Qalaj.

  • Kërcënohen policët në Mitrovicë

    Kërcënohen policët në Mitrovicë

    Dy incidente të ndara, të cilat kanë pasur në shënjestër zyrtarë policorë, janë raportuar gjatë ditës së djeshme në Mitrovicë të Jugut.

    Rasti i parë ka ndodhur më 24 maj, ku dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, janë arrestuar pasi kanë penguar dhe kanosur zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar të dyshuarit, të cilët janë dërguar për intervistim në stacion policor. Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje.

    Ndërkohë, në një rast tjetër të raportuar po në Mitrovicë të Jugut, në të njëjtën ditë, një zyrtar policor mashkull ka paraqitur ankesë se ka pranuar mesazhe kërcënuese përmes rrjeteve sociale, në gjuhën serbe. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe hetimet janë duke u zhvilluar.

    Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për të dyja rastet.

  • Financat e ushtrisë amerikane, Trump: Nuk do të shkurtoj buxhetin e mbrojtjes prej 1 trilion dollarësh!

    Financat e ushtrisë amerikane, Trump: Nuk do të shkurtoj buxhetin e mbrojtjes prej 1 trilion dollarësh!

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të qartë se nuk ka në plan të shkurtojë buxhetin ushtarak të vendit, i cili arrin në 1 trilion dollarë.

    Trump shpreh me këmbëngulje se, pavarësisht spekulimeve të ndryshme, ai nuk do të prekte asnjë cent nga ky buxhet.

    “Ne sapo morëm një buxhet ushtarak prej 1 trilion dollarësh,” tha Trump, duke shtuar se disa njerëz kishin pyetur nëse ky buxhet mund të shkurtuar, dhe ai kishte përgjigjur “Jo, nuk po shkurtoj 10 cent”.

    Presidenti theksoi gjithashtu se, ndonëse nuk do të prekej buxheti i mbrojtjes, kishte mundësi për të bërë kursime në fusha të tjera.

    Në fjalimin e tij, Trump përmendi gjithashtu ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në mënyrën e zhvillimit të luftërave moderne, duke theksuar se përdorimi i dronëve ka sjellë një transformim të rëndësishëm. “Ata kanë prezantuar një gjë të quajtur dron,” tha ai, duke shtuar se ushtarët duhet të mësojnë një “formë krejt të re lufte”.

  • Presidentja Osmani takon delegacionin e Kongresit Amerikan

    Presidentja Osmani takon delegacionin e Kongresit Amerikan

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me delegacionin e Kongresit Amerikan në Dayton.

    Delegacioni u kryesua nga Kongresmeni Michael Turner, udhëheqës i delegacionit të ShBA-së në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

    Pjesë e delegacionit ishin edhe: Kongresmenët Brett Guthrie, Linda Sánchez dhe Joe Wilson.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik i Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe potencialin për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të investimeve amerikane në Kosovë.

    Gjatë takimit, ajo i njoftoi kongresistët për zhvillimet e sigurisë në Kosovë e rajon si dhe për kontributin e Kosovës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.

  • Kallas: Liderët të lënë ndarjet anash, në plan të parë e ardhmja e Kosovës

    Kallas: Liderët të lënë ndarjet anash, në plan të parë e ardhmja e Kosovës

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, i përmblodhi mesazhet që i ka përcjellë në vizitën e saj në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

    Gjatë kësaj vizitës së saj në tri vendet e Ballkanit Perëndimor, Kallas, dha porosi të qarta për secilin vend.

    “Në Serbi, kërkova që autoritetet të përshpejtojnë reformat dhe të përcaktojnë qartë drejtimin strategjik të vendit drejt BE-së, përmes rikthimit të besimit dhe përkushtimit ndaj parimeve demokratike. Bisedova edhe me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan drejtësi dhe përgjegjësi – zëri dhe energjia e tyre janë thelbësore për të ecur përpara”, shkroi ajo dje në një postim në Instagram.

    Kurse, sa i përket Kosovës, kryediplomatja e BE-së bëri thirrje për tejkalimin e ngërçit politik dhe formimin sa më të shpejtë të një qeverie funksionale.

    “Liderët duhet të lënë ndarjet anash dhe të vendosin në plan të parë të ardhmen e Kosovës”, theksoi ajo.

    Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Kallas nënvizoi se vendi ishte i pari në rajon që nënshkroi një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në dhe përfitoi nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    “Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane dhe tani është thelbësore të vazhdohet në rrugën drejt BE-së”, u shpreh ajo.

  • Mot i vranët me reshje shiu, në zona të larta malore edhe borë

    Mot i vranët me reshje shiu, në zona të larta malore edhe borë

    Sot në Kosovë do të mbajë mot, kryesisht i vranët gjatë orëve të paradites, kur priten reshje lokale shiu, herë pas here në formë rrebeshesh. Reshjet do të jenë më të theksuara në jug, juglindje dhe lindje të vendit, njoftoi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Në zonat e larta malore, reshjet do të jenë në formë bore.

    Megjithatë, pasdite parashikohet një përmirësim i kushteve atmosferike, me ndërprerje të reshjeve dhe kthjellime të pjesshme, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit.

    Era do të fryjë nga veriu dhe herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi që do të variojë nga 15 deri në 43 kilometra në orë.

    Temperaturat do të shënojnë një rritje graduale. Vlerat minimale do të jenë ndërmjet 7 dhe 10°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 13 deri në 18°C, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

  • Sot nis “Defender Europe”, Kosova-nikoqire, marrin pjesë mbi 25 mijë ushtarë

    Sot nis “Defender Europe”, Kosova-nikoqire, marrin pjesë mbi 25 mijë ushtarë

    Mbi 25 mijë ushtarë nga 29 shtete do të jenë pjesë e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – Defender Europe, që nis sot dhe do të zgjasë deri më 9 qershor.

    Kosova do të jetë nikoqire e këtij organizimi të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Evropë dhe Afrikë. Ushtrimet do të zhvillohen kryesisht në Gjakovë.

    Pjesë e ushtrimeve disa ditore do të jenë forcat e armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë.

    “Gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

    Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • Nisma Socialdemokrate sot mban Kuvendin Zgjedhor

    Nisma Socialdemokrate sot mban Kuvendin Zgjedhor

    Nisma Socialdemokrate sot do të mbajë kuvendin zgjedhor.

    Në njoftimin e kësaj partie, bëhet e ditur se në këtë kuvend do të bëhet zgjedhja e kryetarit të partisë, Këshillit Kombëtar si dhe e Kryesisë.

    Kuvendi zgjedhor do të mbahet në Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00, në ‘’Hotel Emerald’’.

  • Sot vazhdimi i 21-të i seancës konstituive të Kuvendit, pas 20 dështimesh

    Sot vazhdimi i 21-të i seancës konstituive të Kuvendit, pas 20 dështimesh

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen për 21-tën herë me radhë në seancën konstituive të përbërjes së nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Çështja e votimit të fshehtë , që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzojnë që ta propozojnë një përfaqësues që të formohet komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryetarin e Kuvendit

    Vetëvendosje vazhdon të këmbëngul për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa partitë e tjera e kundërshtojnë këtë kandidim, duke e konsideruar Haxhiun si figurë përçarëse.