ATV

Author: ATVLive

  • ​Gjysmëfinale të zjarrta në playoff-in e futsallit

    ​Gjysmëfinale të zjarrta në playoff-in e futsallit

    Kanë nisur me duele të zjarrta ndeshjet gjysmëfinale të play-offit në futsallin e Kosovës, shkruan KP.

    FC Drenica ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke e mposhtur FC Vjosën me rezultat bindës 4-1.

    Ndërkohë, FC Prishtina 01 ka dalë fituese në derbin prishtinas, ku e mposhti FC Mabetex Prishtinën me shifrat 4-2, duke hedhur një hap të madh drejt finales.

    Sipas sistemit të garës, skuadra që arrin dy fitore siguron kualifikimin në finale, ndaj ndeshjet e kthimit do të jenë vendimtare.

  • ​Ancelotti zbarkon në Brazil, sot publikon listën

    ​Ancelotti zbarkon në Brazil, sot publikon listën

    Trajneri italian, Carlo Ancelotti, zbarkoi në Brazil të dielën në mbrëmje për të filluar zyrtarisht udhëtimin e tij në krye të Kombëtares braziliane, transmeton KosovaPress.

    Kjo lëvizje shënon fillimin e një kapitulli të ri për ekipin pesë herë kampion të botës në futboll. Trajneri italian do të shpallë listën e lojtarëve të thirrur për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës gjatë ditës së sotme.

    I pritur me pritje të mëdha, Ancelotti shkoi direkt në hotelin ku do të qëndrojë. Pak para orës 22:30, trajneri mbërriti në vend i shoqëruar nga biznesmeni Diego Fernandes, përgjegjës për kryerjen e të gjitha negociatave që i bënë të mundur trajnerit të merrte drejtimin e ekipit ombëtar të Brazilit.

    Në hyrje të hotelit, Ancelotti u prit nga presidenti i CBF-së, Samir Xaud, dhe u përpoq të dilte nga makina e tij dhe të përshëndeste tifozët dhe gazetarët që e prisnin jashtë. Krahas trajnerit, italiani përshëndeti me dorë, pozoi për foto dhe tregoi simpati ndaj publikut brazilian.

    Sot, Carlo Ancelotti do të prezantohet zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares braziliane, në një aktivitet në selinë e CBF-së. Në të njëjtën rast, ai do të bëjë thirrjen e tij të parë, duke u përqendruar tashmë në dy angazhimet e ardhshme për kualifikueset e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës: kundër Ekuadorit, më 5 qershor, në Guayaquil, dhe kundër Paraguait, më 9, në São Paulo.

    Ardhja e Ancelottit shihet si një moment historik për futbollin brazilian, i cili po mbështetet në përvojën dhe rekordin e fitoreve të italianit — kampion i shumëfishtë evropian i klubeve — për të udhëhequr rinovimin e ekipit drejt Kupës së Botës 2026.

  • ​Trump: Putin është “çmendur krejtësisht”

    ​Trump: Putin është “çmendur krejtësisht”

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se është “i pakënaqur” me presidentin rus, Vladimir Putinin, pas sulmit ajror më të madh të Moskës ndaj Ukrainës gjatë fundjavës.

    “Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur atij. Ai është çmendur krejtësisht! Po vret njerëz kot së koti, dhe nuk po flas vetëm për ushtarët”, tha Trump në platformën e mediave sociale, Truth Social.

    “Kam thënë gjithmonë që ai do tërë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo po rezulton të jetë e vërtetë, por nëse e bën këtë, do të çojë në rënien e Rusisë”, shton Trump.

    Sipas BBC-së, në komente të veçanta për gazetarët të dielën në mbrëmje, Trump tha se “nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur Putinit. E njoh prej kohësh. Gjithmonë kemi shkuar mirë. Por tani po dërgon raketa në qytete dhe po vret njerëz, dhe kjo nuk më pëlqen fare”.

    I pyetur nëse po shqyrton më shumë sanksione ndaj Rusisë, Trump tha “absolutisht”.

  • ​Botërori i Muaythait mund të mbahet në Kosovë

    ​Botërori i Muaythait mund të mbahet në Kosovë

    Ekipi i muaythait po merr pjesë në Kampionatin Botëror në Antalya, të cilin synon ta organizojë vitin e ardhshëm në Prishtinë, shkruan KosovaPress.

    Pas suksesit të shënuar vitin e kaluar në Kampionatin Evropian të organizuar në Prishtinë, ekipi i muaythait të Kosovës po merr pjesë në Kampionatin Botëror, që prej 24 deri më 31 maj 2025 mbahet në Antalia të Turqisë për senior dhe grupmoshën U-23.

    Kosovën po e përfaqësojnë garuesit Lindon Demiri, Arbos Maliqi dhe Erdonit Alija, të cilët synojnë t’i sjellin vendit tonë medaljen e parë nga një Kampionat Botëror. Të shtunën është mbajtur ceremonia hapëse, ku në mesin e mbi 100 shteteve ka valuar edhe flamuri ynë.

    Garuesit tanë kanë filluar garimin për U-23, ku fillimisht Erdonit Alija kaloi tutje pas diskualifimit të Paul Kingumba nga Kongoja, ndërsa në ring doli kampioni i Evropës për vitin e kaluar, Lindon Demiri i cili u përball me Elvin Mammadov të Azerbajxhanit.

    Pas një lufte të ashpër dhe me goditje të forta, Demiri pësoi humbje pas lëndimit të pësuar në raundin e tretë, për të ndalur këtu rrugëtimin e tij të mëtutjeshëm.

    Kryetari i Federatës së Muaythait të Kosovës, Shpejtim Ahmetaj, ka folur për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Kampionat, por gjithashtu ka zbuluar synimet e e mëdha të federatës e cila po lobon që vendi ynë të jetë mikpritës i Kampionatit të ardhshëm Botëror, që parashihet të mbahet vitin e ardhshëm në Prishtinë.

    Federata e Muaythait e Kosovës, edhe pse e themeluar vetëm në vitin 2019, ka arritur të organizojë vitin e kaluar Kampionatin Evropian, ndërsa tashmë është favorite për të marrë edhe organizimin e Botërorit.

  • ​Avokati Stojkoviç: Protestat në vjeshtë mund ta rrëzojnë Vuçiqin

    ​Avokati Stojkoviç: Protestat në vjeshtë mund ta rrëzojnë Vuçiqin

    Avokati Çedomir Stojkoiviç tha se protestat në Beograd mund të sjellin një rrëzim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Kjo gjë, sipas avokatit mund të ndodhë në vjeshtë pasi “tani bie intensiteti i protestave”.

    Avokati Cedomir Stojkoiviç foli nga Beogradi në “Balkan Talks” të Euronews, lidhur me situatën komplekse në Serbi ku protestat po vazhdojnë nga studentët dhe qytetarët përpara ndërtesës qeveritare për lëvizjen e tyre.

    Stojkoiviç shpjegoi rëndësinë që kanë këto protesta ndryshe nga herët e tjera.

    “Që nga fillimi i sistemit multipartiak në Serbi kemi një situatë që kur vera afron, fuqia e protestave bie. Tani protestat në Beograd kanë rënë dhe njerëzit nuk janë shumë të përfshirë në politikë. Kur bëhet fjalë për protestën e studentëve, ajo ka pasur një moment shumë të mirë dhe mendoj se në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës ajo do të arrijë pikun. Mendoj se atëherë do të kemi protestat më të mëdha”, tha ai.

    “Presidenti [Aleksandar Vuçiq] nuk ka plotësuar asnjë nga kërkesat e studentëve sepse dihet se një nga kërkesat kryesore është të pasurit një sistem normal pa korrupsion. Baza e protestës është korrupsioni qeveritar dhe qeveria këtë nuk e ka plotësuar. Vuçiq po përpiqet për të ulur peshën e protestave sepse ai e di se këto manifestime kanë kapacitetin për ta rrëzuar atë. Në gjykimin tim kjo gjë do të ndodhë në vjeshtë”, shtoi ai.

    Studentët në Serbi po organizojnë protesta që prej nëntorit të vitit të kaluar.

    Ata po kërkojnë përgjegjësi dhe ndjekje penale për shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad ku humben jetën 16 njerëz.

  • Kosova mikpritëse e mijëra trupave ushtarake për “Defender 2025”

    Kosova mikpritëse e mijëra trupave ushtarake për “Defender 2025”

    Për herë të tretë që nga 2021, Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë – Defender Europe 2025” [Mbrojtësi i Evropës 2025].

    Forca e Sigurisë së Kosovës përmes këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

    Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

    Ky është ushtrimi më i madh ushtarak shumëkombësh që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara.

    Nga sot e deri më 9 qershor, kur realizohet ky ushtrim, do të ketë lëvizje të konvojeve nga vend-bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, përkatësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

    Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar Defender Europe 25, andaj Ministria e Mbrojtjes kërkon mirëkuptim nga qytetarët gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit./KP

  • “The Times”: Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë emigrantë

    “The Times”: Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë emigrantë

    Britania do të kërkojë nga Kosova që të pranojë emigrant të cilët mundohen në arrijnë me barka në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e planeve për të hapur një varg “qendrash të kthimit” jashtë vendit, raporton gazeta britanike “The Times”.

    Kjo gazetë thotë se Kosova është në një listë të ngushtë të nëntë vendeve, e cila është hartuar nga ministra e zyrtarë të tjerë britanikë për të shërbyer si destinacione të mundshme për qendrat e emigrantëve jashtë vendit, ku do të dërgoheshin personat që u është refuzuar azili, pasi t’i kenë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për apelimin e vendimit në Britani.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu ka thënë se vendi i saj do të ishte “i hapur” për bisedime për një marrëveshje të mundshme për pranimin e personave që u është refuzuar azili nga Britania, shkruan gazeta.

    Kosova u bashkohet Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe disa shteteve të tjera jashtë Evropës që janë futur në listën e ngushtë si vende të cilat ministrat britanikë duan t’i kontaktojnë.

    Ende nuk kanë filluar bisedime formale me ndonjë shtet, por merret vesh se ministrat britanikë duan që të kenë bërë progres deri në kohën kur Britania të mbajë një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër në vjeshtën e këtij viti, ku emigrantët do të jenë në krye të agjendës.

    Ministrat britanikë kishin shpresuar se Shqipëria do të ishte e hapur për ta pranuar hapjen e një qendre të emigrantëve, por kryeministri Edi Rama përjashtoi një gjë të tillë javën e kaluar, thekson gazeta britanike.

    Burime të larta qeveritare britanike thanë se Kosova është vend “i besueshëm” për ndërtimin e një qendre të kthimit, sepse është njëra nga rrugët kryesore që shfrytëzohet nga emigrantët e paligjshëm gjatë rrugës së tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

    Gati 22 mijë emigrantë të paligjshëm e shfrytëzuan rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian vitin e kaluar, sipas Zyrës së Jashtme të Britanisë.

  • ​Flamuri evropian mbush 39 vjet

    ​Flamuri evropian mbush 39 vjet

    Komuniteti evropian më 26 maj të vitit 1986 miratoi flamurin evropian, simbol i Bashkimit Evropian, por edhe identitetit në kuptim më të gjerë.

    Flamuri evropian përbëhet nga 12 yje të arta në një rreth me sfond blu.

    Yjet simbolizojnë idealet e bashkimit, solidaritetit dhe harmonisë mes popujve të Evropës.

    Numri i yjeve nuk lidhet me numrin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, edhe pse rrethi është simbol uniteti.

  • ​Dhjetë vjet nga varrimi i të vrarëve në Kumanovë

    ​Dhjetë vjet nga varrimi i të vrarëve në Kumanovë

    Mijëra qytetarë nga mbarë vendi, por edhe nga troje të tjera shqiptare, para dhjetë vjetësh, u kanë dhënë lamtumirën e fundit tetë prej nëntë kosovarëve të vrarë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

    Pas homazheve dhe një akademie përkujtimore, djem me uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përcjellë për në banesën e fundit, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve, në Prishtinë, trupat e Xhafer Zymberit, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Turgaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellës dhe Arben Rexhajt.

    Nga Këshilli Organizativ, në përbërje të shoqatave të dala nga lufta, familjarëve e personaliteteve të tjera, të rënët në Kumanovë gjatë një konflikti me policinë maqedonase më nëntë dhe dhjetë maj, janë nderuar si dëshmorë. Përveç disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje e të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, askush nga institucionet e larta të shtetit nuk ka qenë as për homazhe e as në varrimin e organizuar në kryeqytet.

    Teksa varrimi është mbajtur në orën 17:00 në praninë e mijëra qytetarëve nga tërë Kosova, paraprakisht në sallën e sporteve “1 Tetori” janë bërë homazhe për më shumë se një orë, ndërsa është mbajtur edhe një akademi përkujtimore.

    Qindra qytetarë kanë bërë homazhe pranë arkivoleve të cilët ishin të mbuluara me flamuj kombëtarë.

    Veteranë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të veshur me uniformën e dikurshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëndronin pranë arkivoleve.

    Në duar ata mbanin fotografitë e të vrarëve në Kumanovë, fotografi këto të montuara, sipas të cilave këta të fundit paraqiteshin si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në fakt, disa prej tyre kanë qenë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kanë qenë pjesë edhe e UÇPMB-së në Luginë të Preshevës, por në vitin 2001 edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. /KosovaPress

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Në vendin tonë sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16 dhe 20 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes, e lehtë deri mesatare, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.