ATV

Author: ATVLive

  • Danimarka shtynë moshën e daljes në pension në 70 vjeç

    Danimarka shtynë moshën e daljes në pension në 70 vjeç

    Danimarka ka shtyrë moshën e pensionit në 70 vjeç.

    Deputetët e këtij shtetit miratuan një projektligj që parasheh rritjen e moshës së pensionit të enjten, me 81 vota pro dhe 21 kundër.

    Ligji i ri do të zbatohet për personat e lindur pas 31 dhjetorit 1970, sipas CNN.

    Mosha aktuale e daljes në pension është mesatarisht 67 vjeç, por ajo mund të shkojë deri në 69 për ata që kanë lindur më 1 janar 1967 ose më vonë.

    “Rritja është e nevojshme për të qenë në gjendje të përballojnë mirëqenien e duhur për brezat e ardhshëm”, tha ministrja e punësimit Ane Halsboe-Jorgensen.

    Danimarka kësisoj bëhet shteti i parë evropian që vendos moshën e saj kombëtare të pensionit përtej 60′.

  • 12 të lënduar nga përplasja e autobusëve në Kroaci

    12 të lënduar nga përplasja e autobusëve në Kroaci

    Dymbëdhjetë persona kanë mbetur të lënduar lehtë nga përplasja e dy autobusëve pasditen e sotme në autostradën A1 në dalje të Vuçevicës afër Splitit në Kroaci.

    Në spitalin e Splitit mësohet se nga dymbëdhjetë pacientët e pranuar, tre janë kryesisht me fraktura dhe po mbahen për trajtim mjekësor.

    Aksidenti ka ndodhur në drejtim të Zagrebit, pas orës trembëdhjetepesëmbëdhjetë minuta. Në vendngjarje janë nisur menjëherë ekipet e urgjencës mjekësore, policia dhe zjarrfikësit, raporton KP.

    Jo zyrtarisht mësohet se të gjithë të lënduarit janë shtetas kroatë të moshës madhore që po ktheheshin nga pelegrinazhi.

  • Tragjike në Zvicërr, 5 skiatorë gjenden të vdekur në Alpet Zvicerane

    Tragjike në Zvicërr, 5 skiatorë gjenden të vdekur në Alpet Zvicerane

    Pesë skiatorë u gjetën të vdekur dje në malin Ribfissorn në Alpet Zvicerane, pranë Zermatt në kantonin Valais, sipas policisë vendase.

    Dy alpinistë që ngjiteshin në Ribfissorn ngritën alarmin dje pasdite pasi vunë re praninë e çizmeve të skive në rrëzë të majës, por pa takuar pronarët e tyre.

    Të pestë u gjetën të vdekur me helikopter, sipas policisë, e cila nuk ka dhënë informacion në lidhje me rrethanat e incidentit apo identitetin e viktimave.

  • Begaj takoi Christopher Landau: Ftojmë investitorët amerikanë në Shqipëri

    Begaj takoi Christopher Landau: Ftojmë investitorët amerikanë në Shqipëri

    Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj është takuar në Dejton me zëvendëssekretarin e Shtetit Christopher Landau.

    Begaj nënvizoi faktin se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetës të palëkundur dhe kanë luajtur rol vendimtar në momente historike të kombit shqiptar.

    “Jemi mirënjohës për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë demokratizimit, transformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe në mënyrë të veçantë reformimit historik të sistemit të drejtësisë,” tha presidenti Begaj.
    Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike, presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria mbetet shpresëplotë dhe me dëshirën e saj shumë të madhe për të vijuar bashkëpunimin bilateral dhe ndihmesën ekonomike në të ardhmen.

    “Ne ftojmë investitorët amerikanë, pasi Shqipëria ofron mundësi investimi më turizëm, infrastrukturë strategjike, teknologji dhe siguri kibernetike. Po ashtu, ne inkurajojmë kompanitë e Shteteve të Bashkuara të investojnë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Projektet e SHBA-së, siç janë ato në energjinë e rinovueshme apo transformimin digjital, krijojnë mundësi punësimi dhe modernizojnë ekonominë shqiptare”, tha Begaj.

    Begaj vlerësoi rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur e vijojnë të luajnë në rajon, raporton KosovaPress.
    Kreu i shtetit shqiptar i përcolli zëvendëssekretarit të Shtetit Christopher Landau nevojën për vijimësinë e prezencës amerikane në rajon si faktor të pazëvendësueshëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.

    Presidenti çmoi rolin e SHBA-së në NATO, dhe e njohu Landau me angazhimin e Shqipërisë për të rritur buxhetin e mbrojtjes.

    “Të jesh anëtar i NATO-s do të thotë të marrësh përgjegjësi dhe Shqipëria është e përkushtuar në përmbushjen e tyre”, tha ai, transmeton Topchannel.

    Begaj po merr pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dejton të SHBA-së, i cili përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes që i dha fundin luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
    Sesioni do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor, ku do të marrin pjesë edhe presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • PK tregon se i mituri serb ka pranuar se rrobat e tij ishin ngjyrosur në të kuqe me marker

    PK tregon se i mituri serb ka pranuar se rrobat e tij ishin ngjyrosur në të kuqe me marker

    Policia e Kosovës sot në një konferencë për media ka hedhur poshtë akuzat për dhunë ndaj të rinjve serbë në veri të Mitrovicës, duke thënë se një i mitur që ishte paraqitur kinse i përgjakur, në fakt ai më pas ka pranuar se nuk është prekur nga policia e Kosovës dhe shenja e kuqe në rrobat e tij ishte bërë me një marker.

    Drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha ka bërë të ditur se i mituri i komunitetit serb, i cili është shfaqur në disa medie serbe me gjak në disa pjesë të trupit, ku shihet edhe polici i Kosovës D.B., pas intervistimit të tij nga Policia e Kosovës, i mituri ka pranuar se shenjat nuk janë gjak dhe nuk janë bërë nga policia, por është marker me ngjyrë të kuqe, raporton KosovaPress.

    Ai kishte pranuar se shenjat e tilla janë bërë nga shokët e tij të cilët po festonin maturën.

    Policia e Kosovës gjithashtu ka siguruar dhe pamje e foto, ku i njëjti pas intervistimit shihet se nuk ka asnjë shenjë në trup dhe fyt.

    Gazmend Hoxha ka sqaruar se polici serb, i cili kishte ndërhyrë pasi të rinjtë serbë kishin provokuar me këngë nacionaliste, është duke u kërcënuar vazhdimisht në rrjete sociale nga disa profile të cilët sipas tij ose janë brenda Kosovës në Mitrovicën e Veriut apo nga Beogradi zyrtar.

    Kreu i policisë tha se po hetohet rasti dhe se do të verifikohen profilet prej nga po vijnë kërcënimet ndaj policit D.B.

  • Festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrit në Kosovë përmbyll edicionin e 9-të, çmimi kryesor shkon në Bosnje dhe Hercegovinë

    Festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrit në Kosovë përmbyll edicionin e 9-të, çmimi kryesor shkon në Bosnje dhe Hercegovinë

    Edicioni i nëntë Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” 2025, ka përmbyllur me suksese të shumta festivalin që për gjashtë netë ishte edhe epiqendra e kulturës në kryeqytet.

    Ceremonia madhështore e ndarjes së çmimeve, e organizuar në bashkëpunim me Kolegjin AAB, Art Image dhe ATV, u mbajt në mbrëmjen e 24 majit dhe mblodhi figura të shquara nga bota e artit dhe kulturës. Ndër të pranishmit ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, aktori i njohur Enver Petrovci, si dhe shumë personalitete të tjera nga skena vendore dhe ndërkombëtare, të cilët nderuan festivalin me praninë e tyre.

    Para fillimit të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin shfaqjen mysafire “The Lie” të regjisorit Agon Myftari.

    Edicioni i sivjetmë përfshiu pesë shfaqje garuese dhe një shfaqje mysafire, me pjesëmarrës nga Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Izraeli, Franca dhe Kosova.

    Këtë vit çmimin kryesor të PITF 2025, çmimin “Best Play” (Shfaqja më emirë) e gëzoi shfaqja “Purple” (Bosnje dhe Hercegovinë) – Regji nga Selma Spahić

    Fituesit e çmimeve për PITF 2025:

    • Çmimi “Best Play” – “Purple” – Bosnje dhe Hercegovinë
    • Çmimi “Best Director” – Harry Thomos / “Petrichora – The Story of the Bridge of Arta” – Greqi
    • Çmimi “Best Actress” – Tanja Šojić / “Purple” – Bosnje dhe Hercegovinë
    • Çmimi “Best Supporting Actress” – Ofir Zweigenbom / “Family on a Train” – Izrael
    • Çmimi “Best Supporting Actor” – Kushtrim Qerimi / “God Bless America” – Kosovë
    • Çmimi “Public Award” – “Petrichora – The Story of the Bridge of Arta” – Greqi
    • Çmimi “Special Mention” – “On the Heart of the Rose” – Francë
    • Çmimi “Students Choice: Best Play” – “God Bless America” – Kosovë
    • Çmimi “Media Choice: Best Play” – “Purple” – Bosnje dhe Hercegovinë

    Edicioni i PITF 2025 u mbyll si një ngjarje e paharruar që bashkoi kultura të ndryshme në një festival ndërkombëtar të artit teatror, duke dëshmuar se arti është një gjuhë universale që tejkalon kufijtë dhe lidh njerëzit nga mbarë bota. /atvlive.tv

  • Fatmir Limaj edhe një mandat kryetar i Nismës Socialdemokrate

    Fatmir Limaj edhe një mandat kryetar i Nismës Socialdemokrate

    Fatmir Limaj u rizgjodh kryetar i Nismës Socialdemokrate, në Kuvendin e sotëm zgjedhor të kësaj partie, raporton Ekonomia Online .

    Limaj ishte kandidat i vetëm për këtë pozitë.

    Në kuvendin zgjedhor morën pjesë 350 delegatë dhe Limaj u zgjodh me votim të hapur, pa asnjë votë kundër.

    Limaj tha se do të punojnë fort për zgjedhjet lokale, derisa bëri thirrje që secili të angazhohet për Kosovë.

    Ai theksoi gjithashtu idenë e forcimit të shtetit të Kosovës, për interesa nacionale, siç e kemi pasur vazhdimisht.

    “Për të ofruar e gjetur zgjidhje, kompromise kur ka dallime, për të tejkaluar interesat partiake në shërbim të vendit. Do të vazhdoj të paraqes vizionin e partisë, përmes politikave të pjekura dhe shtetformuese që shohin më larg nga ajo që shihet më shumë.

    Jemi ithtarë të hapjes së një dialogu social, qasja ndaj shtetit, punës, ligjit, familjes, edukimit, shëndetësisë, komunikimit të përbashkët”, tha Limaj.

    Po sot Nisma Socialdemokrate pritet ta zgjedhë Kryesinë si dhe Këshillin Kombëtar.

  • Policia thërret konferencë për media në orën 15:00

    Policia thërret konferencë për media në orën 15:00

    Policia e Kosovës do të mbajë një konferencë për media me fillim nga ora 15:00.

    Kjo konferencë mbahet lidhur me veprimet policore me 23 maj në Mitrovicë veri.

    Aty do të marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha.

    Kjo ngjarje do të mbahet në Drejtorinë Rajonale të Policisë, Stacioni Policor Qendër – Prishtinë.

  • IKSHPK-ja ia dhuron pesë pajisje ShSKUK-së, shërbejnë për zbulim të hershëm të Sepsës

    IKSHPK-ja ia dhuron pesë pajisje ShSKUK-së, shërbejnë për zbulim të hershëm të Sepsës

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka dhuruar pesë pajisje moderne për hemokulturë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

    Njoftimi u bë i ditur nga IKSHPK-ja.

    Këto pajisje synojnë të përmirësojnë ndjeshëm kapacitetet për zbulimin e hershëm të sepsës dhe trajtimin e duhur të pacientëve, në komunitetin tonë.

    “Këto pajisje janë thelbësore për diagnostikimin e hershëm dhe të saktë të sepsës, një gjendje serioze që kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Pajisjet e dhuruara do të shërbejnë për të forcuar aftësinë e identifikimit në kohë të infeksioneve në gjak, me përfitime të drejtpërdrejta për një numër të gjerë pacientësh – veçanërisht ata të hospitalizuar në Kujdesin Intensiv dhe Klinikën Infektive”, thuhet në njoftim.

    “Shprehim mirënjohje të veçantë për SHSKUK për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj inovacionit dhe përkujdesjes ndaj pacientëve. Ky bashkëpunim përfaqëson një shembull domethënës të fuqisë së veprimit të përbashkët ndërinstitucional, për përmirësimin e shëndetit publik”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • Haradinaj: Deputetët e VV-së janë kapur peng nga Kurti

    Haradinaj: Deputetët e VV-së janë kapur peng nga Kurti

    Deputeti i betuar nga radhët e AAK, Daut Haradinaj, ka reaguar pas dështimit të 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Haradinaj tha se ky dështim i Vetëvendosjes po dështon në procesin e konstituimit të institucioneve është e papranueshme dhe shumë e dëmshme për vendin.

    “Pas çdo seance të dështuar, po bëhet më e qartë se deputetët e VV-së janë tashmë të kapur peng nga Albin Kurti, i cili për vete i paska siguruar numrat”, deklaroi Haradinaj.

    Ai i bëri thirrje Albulena Haxhiut, por edhe për deputetët e tjerë të VV-së.

    “I bëj thirrje deputetes Albulena Haxhiu, por edhe gjithë deputetëve të VV-së, që të reflektojnë dhe t’i kërkojnë Albin Kurtit numrat e tij, që janë siguruar për Kryeministër, 61+, ashtu siç po deklarojnë, edhe t’i ofrojë të njëjtit edhe për votimin e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos lejohet vazhdimi i bllokimit të vendit”, theksoi ai.

    “Si mund të kuptohet sigurimi i numrave për Albin Kurtin e jo edhe për Albulena Haxhiun?Flisni ndër veti, reflektoni dhe mos e bllokoni vendin tutje. Barra e përgjegjësisë është plotësisht mbi ju. Albin, mos e lë Albulenën në baltë, jepja votat tua edhe asaj. Nëse ti nuk ke besim në të, atëherë ndërroje kandidatin dhe gjeje një më të besueshëm dhe jepja votat. Në këtë do të kesh reflektim edhe nga deputetët opozitarë”, përfundon reagimi i Daut Haradinajt.