ATV

Author: ATVLive

  • Hapet qendra e votimit në Fakultetin Filologjik, aty vendosen edhe vëzhguesit e BE-së

    Hapet qendra e votimit në Fakultetin Filologjik, aty vendosen edhe vëzhguesit e BE-së

    Është hapur qendra e votimit në Fakultetin Filologjik, ku të drejtë vote kanë rreth 9700 votues, ndërkaq numri i vendvotimeve është 11.

    Në kryeqytet numri i qytetarëve me të drejtë vote është mbi 212 mijë, në 54 qendra të votimit dhe 258 vendvotime. Ndërkaq, është një qendër votimi me kusht, me shtatë vendvotime.

    Në zgjedhjet e vitit 2021, numri i votuesve të regjistruar ka qenë 185 mijë e 635. Pjesëmarrja në votime: 60.77%

    Emanuel Xhurekaj, menaxher ka thënë se gjithçka është gati për fillimin e procesit zgjedhor.

    “Gjithçka është gati, materialet kanë ardhur me kohë. Materiali nga KQZ ka ardhur rreth 05.30. Komisionarët disa salla ka mungesë, për ata, është njoftuar KQZ dhe janë në proces të zëvendësimit. Mund të fillojmë”, tha ajo.

    Përndryshe, në këtë qendër të votimit janë 12 vendvotime. Aty kanë ardhur edhe ekipi i vëzhguesve të BE-së.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

  • ​Radoniqi bën thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik

    ​Radoniqi bën thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ushtruar të drejtën e tij për votë në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Kosovë.

    Radoniqi është personi i parë i cili voton dhe hap këtë proces zgjedhor, të parin të rregullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.

    Derisa, Radoniqi ka votuar në Qendrën e Votimit “Lidhja e Prizrenit” në Pejë bëri thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik.

    Teksa ftoi qytetarët të votojnë kryesuesi i KQZ-së u shpreh se i gjithë materiali sensitiv dhe jo sensitiv është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Moti mbi vendin tonë të dielën do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Ditën e diel sipas Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale pritet të luhaten nga -6 deri -4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale 5-8 gradë Celsius.

    “Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 metër për sekondë”, thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • ​Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

    ​Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

    Të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës janë hapur me kohë për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në vendin tonë.

    Janë gjithsej gjashtë qendra me 24 vendvotime, ndërsa 18 mijë e 781 qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

    Në kohën kur po raportojmë, në njërën prej qendrave të votimit që është shkolla e mesme teknike ‘Mihajlo Petroviq-Alas’, numri i qytetarëve të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces është i vogël.

    Ndryshe, në katër komunat veriore të vendit, Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore, janë gjithsej 44 qendra të votimit me 74 vendvotime, ku do të mund të votojnë 46 mijë e 703 qytetarë./kp

  • Kosova voton

    Kosova voton

    Qytetarët e Republikës së Kosovës sot ushtrojnë të drejtën e votës – në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

    Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

    Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924.

    Për herë të parë, diaspora votoi nëpër përfaqësi diplomatike. Votimi përmes postës ka nisur nga 9 janari.

    Në garë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë 28 subjekte politike me gjithsej 1280 kandidatë për deputetë. Për kryeministër garojnë 4 kandidatë.

    Për dallim nga zgjedhjet ë mëparshme, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit – 7:00 të mëngjesit deri 19:00 në mbrëmje.

    Janë 941 qendra të votimit, prej të cilave 903 për votim të rregullt – me 2 mijë e 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit me kusht (nga një për çdo komunë) me 56 vendvotime.

    Sipas Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, në ditën e zgjedhjeve në vendvotime do të numërohet pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike, ndërkaq një ditë pas, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit – votat për kandidatë për deputetë.

    Për herë të parë, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë dhjetë kandidatë për deputetë.

    Zgjedhjet parlamentare do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.

    KosovaPress do t’i mbulojë drejtpërdrejt zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Ekipi ynë në teren do të sjell në kohë reale të gjitha zhvillimet që lidhen me procesin zgjedhor, deri në orë të vona të natës./KP

  • Votojnë ish-ushtarët e UÇK-së që po mbahen në Hagë

    Votojnë ish-ushtarët e UÇK-së që po mbahen në Hagë

    Ish-krerët e UÇK’së Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, aktualisht po mbahen në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë votuar për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se shtetasit e Kosovës e kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese sipas procedurave dhe akteve nënligjore të KQZ-së.

    “Mund t’iu konfirmoj se shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurave dhe akteve nënligjore të KQZ-së”, tha Elezi.

  • Rama për zgjedhjet në Kosovë: Nuk kam preferencë, i respektoj të gjithë

    Rama për zgjedhjet në Kosovë: Nuk kam preferencë, i respektoj të gjithë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk ka asnjë preferencë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen të dielën.

    Në një intervistë për “El Mundo” të shtunën, Rama u shpreh se i respekton të gjithë kandidatët dhe u uron më të mirën.

    “Kosova është një vend demokratik, i gjallë dhe i larmishëm. Dhe, si të gjitha vendet e Ballkanit, lufton me gjithë pasion dhe shumë zhurmë, por kjo është në rregull. I uroj për mirë, por nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

    Në të kaluarën, Rama ka pasur përplasje me kryeministrat e Kosovës. Fillimisht, u përplas me asokohe kryeministrin Ramush Haradinaj për çështjen e taksës ndaj Serbisë, ndërsa më vonë edhe me kryeministrin aktual Albin Kurti, për veprimet që mori në veri të cilat hasën në kundërshtim edhe nga ndërkombëtarët.

  • FIFA përjashton tri shtete nga Botërori 2026 – Rusia njëra ndër to

    FIFA përjashton tri shtete nga Botërori 2026 – Rusia njëra ndër to

    Turneu do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    Edicioni i ardhshëm i turneut global, i cili mbahet çdo katër vjet, do të zhvillohet në tre vende gjatë verës së vitit 2026.

    SHBA-ja do të jetë mikpritësi kryesor me gjithsej 11 stadiume që do të presin ndeshje, ndërsa tre qytete në Meksikë dhe dy në Kanada do të kompletojnë përbërjen e turneut.

    Argjentina është kampionia në fuqi pasi fitoi Kupën e saj të tretë të Botës në turneun e mbajtur në dimrin e vitit 2022 në Katar, duke mposhtur Francën me penallti pas barazimit 3-3 në kohën shtesë.

    Vitin e kaluar, FIFA dhe UEFA vendosën të mbajnë në fuqi ndalimin e Rusisë nga garat ndërkombëtare deri në Kupën e Botës 2026.

    Federata Futbollit të Rusisë (RFU) është ndaluar nga të gjitha garat e FIFA-s dhe UEFA-s që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.

    Kjo do të thotë se as ekipet kombëtare të meshkujve dhe as ato të femrave nuk mund të marrin pjesë në Kupën e Botës apo në Kampionatin Evropian. Ekipet e klubeve vendase gjithashtu nuk mund të luajnë në garat e UEFA-s.

    Në Evropë, shorti për grupet kualifikuese u hodh në dhjetor, dhe Rusia ishte i vetmi anëtar i UEFA-s që nuk u përfshi, ndërsa 54 kombet e mbetura u ndanë në 12 grupe.

    Tani, FIFA ka pezulluar federatat e futbollit të dy vendeve të tjera me efekt të menjëhershëm për shkak të ‘rrethanave serioze’ – duke i ndaluar ato nga çdo mundësi për të marrë pjesë në Botëror.

    Dy vendet e pezulluara janë Kongo dhe Pakistani, dhe FIFA ka shpjeguar arsyet për këto pezullime.

    FIFA ka ndaluar Federatën e Futbollit të Kongos, të njohur si FECOFOOT, për shkak të një ‘ndërhyrjeje të pajustifikueshme dhe serioze nga palë të treta’ në punët e saj.

    Një deklaratë e FIFA-s thotë:

    “FECOFOOT është pezulluar me efekt të menjëhershëm për shkak të një situate veçanërisht serioze të ndërhyrjes së pajustifikueshme nga palë të treta në punët e organizatës, e cila përbën një shkelje të qartë të detyrimeve të saj sipas Statutit të FIFA-s.

    Vendimi është marrë në konsultim me CAF pas dy misioneve të FIFA/CAF në Brazzaville.”

    FIFA thotë se pezullimi do të hiqet vetëm nëse plotësohen disa kushte, duke përfshirë rikthimin e selisë së FECOFOOT nën kontrollin e plotë të Federatës së Futbollit të Kongos, ndalimin e çdo përpjekjeje për të ‘ndryshuar firmëtarët’ e llogarive bankare të FECOFOOT, dhënien e vendimeve një komisioni ad hoc dhe sigurimin e bashkëpunimit të plotë për të lejuar federatën të funksionojë pa ndonjë ndikim nga palët e treta.

    Federata e Futbollit e Pakistanit (PFF) gjithashtu është pezulluar pasi nuk miratoi një kushtetutë të rishikuar që do të ‘siguronte zgjedhje të drejta dhe demokratike’.

    Deklarata e FIFA-s thotë:

    “Pezullimi do të hiqet vetëm nëse Kongresi i PFF miraton versionin e Kushtetutës së PFF të paraqitur nga FIFA dhe AFC.”

    Aktualisht, Kongo renditet në vendin e fundit të Grupit E në kualifikueset e CAF, ndërsa Pakistani përfundoi në vendin e fundit në Grupin G në raundin e dytë të procesit kualifikues në konfederatën Azisë.

  • Gjilani “fundos” Llapin – Prishtina barazon me Suharekën

    Gjilani “fundos” Llapin – Prishtina barazon me Suharekën

    Kanë përfunduar dy ndeshjet në program të Albi Superligës me dy ndeshje interesante që u zhvilluan – ajo mes KF Llapit të rrezikuar për të rënë nga Superliga kundër Gjilanit dhe FC Prishtinës që luajti kundër Suharekës. Gjilani ka fundosur edhe më shumë Llapin duke e mposhtur me rezultat 0-1. Prishtina ka barazuar me Suharekën në kryeqytet me rezultat 2-2.

    KF Llapi – Gjilani – 0-1

    Një ndër ndeshjet më interesante të kësaj jave në Albi Superligën e Kosovës ishte ajo në mes të KF Llapit dhe Gjilanit. Dy skuadrat e nisën këtë përballje nga pozitat nëntë respektivisht 6, me skuadrën e Tahir Batatinës nga Podujeve që jashtë çdo parashikimi mbetet në zonën për të rënë nga Albi Superliga për këtë sezon. Pjesa e parë në këtë ndeshje përfundoi me rezultat të barabartë – me Llapin që ishte më kërkues por Gjilani nga ana tjetër arriti që të mbrohet mirë. Pjesa e dytë filloi shumë më mirë për Gjilanin të cilët shënuan që në minutën e 63-të te ndeshjes. Ishte Bilalli ai që shënoi për mysafirët. Ky gol doli të jetë gol i tri pikëve për Gjilanin, me të cilën fitore ata marrin 24 pikë për të qëndruar në vendin e 6-të. Ndërkohë Llapoi fundoset edhe më shumë duke qëndruar në vendin e parafundit me 18 pikë.

    FC Prishtina – Suhareka 2-2

    Prishtina vazhdon të synojë këtë sezon që të kap njërën prej tri pozitave të parë që dërgojnë në gara europiane, derisa të njëjtat synime i ka edhe Suhareka që është vetëm një pozitë më poshtë se Prishtina – në vendin e pestë. Pjesa e parë ishte mjaftë interesante ku u shënuan dy gola. Fillimisht në minutën 38-të për Prishtinën shënoi Leutrim Susuri derisa pak para përfundimit të pjesës së parë – në minutën e 44- Suhareka barazoi rezultatin me anë të një autogoli të Limanit. Pjesa e dytë filloi shumë më mirë për mysafirët ku Zeka shënoi gol që në minutën e 57-të. Prishtina barazoi rezultatin në minutën e 80-të të ndeshjes. Përsëri ishte Leutrim Kryeziu ai që shënoi për Prishtinën. Ndeshja përfundoi me këtë rezultat me Prishtinën që mbetet në vendin e katër me 28 pikë, dy më shumë së Suhareka e cila është në vendin e 5-të me 26 pikë.

  • Donika Gërvalla lajmërohet nga Dusseldorfi, tregon se ka votuar si mërgimtare

    Donika Gërvalla lajmërohet nga Dusseldorfi, tregon se ka votuar si mërgimtare

    Ndonëse është zëvendëskryeministre e Kosovës, Donika Gërvalla ka votuar në konsullatën e Kosovës në Dusseldorf.

    Ajo ka thënë se ka votuar si të gjithë mërgimtarët nëpër të gjithë botën.

    “Unë votova. Ashtu si edhe mijëra e mijëra mërgimtarë në të gjithë botën. Me zemër plot e me mendjen te ju. Votova për çdo hap që keni bërë larg atdheut, për çdo sakrificë që keni duruar, për çdo ëndërr që nuk e latë të shuhet. Votova për Kosovën që e mbani në shpirt, për Kosovën që e doni pa kushte, për Kosovën që e duam më të drejtë, më të fortë, më të denjë. Kjo votë është për ju. Për mallin që e keni bërë forcë, për fjalën shqip që nuk e latë të heshtë, për rrënjët që nuk i harruat kurrë. Kosova ju ka borxh shumë. E sot, unë dhashë votën time me bindjen se ky borxh duhet të njihet, të nderohet dhe të kthehet në vepra”, ka shkruar Gërvalla.