ATV

Author: ATVLive

  • Vendosja e kamerave, KQZ: Sigurohet nivel i lartë i mbikëqyrjes, integritetit dhe mbrojtjes së procesit zgjedhor

    Vendosja e kamerave, KQZ: Sigurohet nivel i lartë i mbikëqyrjes, integritetit dhe mbrojtjes së procesit zgjedhor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për të garantuar sigurinë dhe integritetin e procesit zgjedhor në vendvotime, Qendra komunale të numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të vendosen kamera regjistruese.

    KQZ njofton se këto kamera do të mbulojnë të gjithë hapësirën e sallave, përfshirë hyrjen dhe vendet ku bëhet pranimi dhe ruajtja e materialeve zgjedhore.

    “Kjo siguron një nivel të lartë të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes gjatë gjithë procesit zgjedhor. Kamerat do të regjistrojnë pa ndërprerje çdo aktivitet që ndodh brenda hapësirës, duke mundësuar mbikëqyrjen e të gjitha veprimeve të realizuara. Çdo aktivitet në QKN dhe QNR regjistrohet dhe ruhet, duke mundësuar verifikimin dhe kontrollin e çdo detaji të procesit zgjedhor”, thonë nga KQZ.

    Tutje thuhet se vendosja e kamera në vendvotime bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës dhe kanë për qëllim të garantojnë sigurinë e materialeve zgjedhore si dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.

    “Gjithashtu, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera ditën e zgjedhjeve, pra regjistrimi i tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe qasja në video-regjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligj-zbatuese”, thuhet tutje.

    KQZ njofton po ashtu për të siguruar që procesi i regjistrimit vazhdon edhe në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike, çdo sistem i kamerave në vendvotim, QKN dhe QRN do të lidhet me një burim energjie rezervë që garanton funksionimin e kamerave të paktën 2 orë pa ndërprerje.

  • DnV: Një fushatë dinamike mes premtimeve programore dhe një diskursi të tensionuar

    DnV: Një fushatë dinamike mes premtimeve programore dhe një diskursi të tensionuar

    Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka mbajtur konferencën e katërt për media gjatë së cilës ka shpalosur të dhënat për mbarëvajtjen e 30 ditëve të fushatës zgjedhore, mbulimin medial, gjuhën e urrejtjes dhe shpenzimet në rrjetet sociale. Po ashtu, DNV ka njoftuar edhe për përgatitjet për monitorimin e ditës së zgjedhjeve me 9 shkurt.

    Gjatë kësaj periudhe, përmes mbi 40 vëzhguesve afatgjatë, DnV ka monitoruar fushatën e cila, pavarësisht se është zhvilluar në një mjedis përgjithësisht të qetë, ishte tejet e ashpër në aspektin e diskursit politik si në terren ashtu edhe në hapësirën digjitale. Shpeshherë, fushata u karakterizua nga sulme të ndërsjella, akuza personale dhe përdorimi i termave denigrues, duke krijuar një atmosferë të polarizuar që minon standardet e një gare të drejtë dhe demokratike. Kjo situatë reflektoi edhe në numrin e madh të vendimeve dënuese të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili shqiptoi gjoba të shumta për shkelje të rregullave të fushatës, kryesisht për shkak të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe shkeljeve të tjera të kodit të mirësjelljes zgjedhore.

    Fushata u zhvillua me një dinamikë të shtuar të aktiviteteve nga dita në ditë dhe një angazhim të subjekteve politike në terren dhe në hapësirat digjitale. Disa incidente kanë shënuar këtë periudhë, duke ngritur shqetësime mbi respektimin e standardeve demokratike. Rastet kryesore të incidenteve përfshijnë hedhjen e mjeteve të forta dhe atyre piroteknike në një tubim në Skenderaj, djegien e materialeve propaganduese të kandidatëve, si dhe disa incidente në komunat me shumicë serbe, të tilla si pengimi i aktiviteteve elektorale në Graçanicë, hedhja e një kokteji molotovi mbi një veturë të KQZ-së, si dhe disa incidente të tjera në veri të vendit. Këto raste dhe akte, jo vetëm që kanë rritur tensionet në terren, por gjithashtu kanë ndikuar në perceptimin mbi lirinë e grumbullimit gjatë fushatës.

    Gjatë fushatës zgjedhore, peizazhi mediatik ishte i polarizuar, duke u karakterizuar nga dy aspekte kryesore: partia në pushtet mbajti një qasje vazhdimisht konfrontuese ndaj gazetarëve; ndërsa disa media u perceptuan si të njëanshme në mbulimin dhe raportimet e tyre.

    Fushata e këtij viti ka sjellë gjithashtu një mobilizim të madh në rrjetet sociale, me një rritje të konsiderueshme të numrit të postimeve të sponsorizuara dhe shpenzimeve për promovim digjital nga ana e partive dhe kandidatëve. Pavarësisht rritjes së intensitetit të fushatës online, transparenca mbi financimin e këtyre aktiviteteve mbetet çështje e hapur, me monitorimin që ka evidentuar vështirësi në identifikimin e burimeve të financimit dhe kontrollin e shpenzimeve nga organet përkatëse.

    Sa i përket pjesëmarrjes së grave në aktivitetet e fushatës, ajo ishte e ulët, qoftë si folëse në tubime apo në debate televizive. Për më tepër, gratë kandidate u përballën me një numër të lartë sulmesh të drejtpërdrejta në hapësirat online, një prirje që tregon sfidat e vazhdueshme në sigurimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor.

    Fushata në numra
    Deri më tani, DnV ka monitoruar 786 aktivitete të subjekteve politike në tërë vendin, prej të cilave 168 janë mbajtur vetëm në javën e fundit. Më së shumti tubime publike ka organizuar Partia Demokratike e Kosovës (206), pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (202), Lëvizja Vetëvendosje (163) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (113). Tubime kanë organizuar edhe partitë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, ku prin Lista Serbe me 24 aktivitete, si dhe partitë tjera (Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Srpski Nardoni Pokret; Srpska Demokratija; Partija Kosovskih Srba; e të tjera).

    Liria e grumbullimit
    Vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar që 30 nga aktivitetet e subjekteve politike, janë mbajtur në kundërshtim me legjislacionin i cili përcakton obligime për paralajmërim të aktiviteteve 24 apo 48 orë më herët.
    Palestrat sportive, shtëpitë e kulturës, shkollat e të tjera, ishin gjerësisht vendet e preferuara për organizim të aktiviteteve nga subjektet politike, të cilat 75% të aktiviteteve i kanë zhvilluar në objekte publike.

    Pjesëmarrja qytetare në aktivitete
    Sa i përket pjesëmarrjes qytetare, pothuajse gjysma e tubimeve ishin të mesme, me deri në 200 pjesëmarrës. Tubimet e vogla me deri në 50 pjesëmarrës përbëjnë 23% të aktiviteteve, kurse tubimet e mëdha me mbi 500 pjesëmarrës janë 15% e numrit të përgjithshëm të aktiviteteve.

    Përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese
    Kjo fushatë është karakterizuar me raste të theksuara të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, diskriminuese apo fyese. Pa llogaritur aktivitetet e sotme, në plot 130 aktivitete, apo rreth 1/5 e tubimeve publike të organizuara, është raportuar për raste të një gjuhe të tillë.
    Në përqindje, Lëvizja Vetëvendosje prin sa i përket aktiviteteve të zhvilluara ku ka pasur gjuhë të urrejtjes – me rreth 21% të aktiviteteve; pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 19% të aktiviteteve; Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 18% të aktiviteteve; dhe Partia Demokratike e Kosovës me 14% të aktiviteteve të organizuara, në të cilat ka pasur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes.

    Fushata në hapësirën online
    Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, DnV ka monitoruar gjithsej 679 kandidatë për deputetë, prej të cilëve 447 burra dhe 232 gra. Gjatë monitorimit, janë identifikuar 878 raste të i) gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes, veçanërisht në videot e realizuara nga subjektet politike dhe të shpërndara në rrjetet sociale; ii) Gjuhës së urrejtjes dhe përçmuese nga palët e treta, të cilat shpesh shfaqen në komentet e postimeve të kandidatëve për deputet/e; iii) Lajmeve të pavërteta, të cilat krijojnë dezinformim dhe përhapin mesazhe që rrezikojnë integritetin e fushatës.

    Nga këto në total, 387 raste apo 44 % e rasteve kanë targetuar gratë e subjekteve politike.
    Paralelisht, është bërë monitorimi edhe i 152 portaleve online në gjuhën shqipe dhe Serbe, ku janë identifikuar mbi 38.000 komente të bëra, prej të cilave 5% përmbajnë gjuhë urrejtjeje drejt subjekteve politike. Këto pasqyrojnë praninë e gjuhës së urrejtjes në komunikimin politik, e cila dëmton diskursin publik dhe demokratik të vendit. Po ashtu, gjuha e urrejtjes ndaj kandidatëve për kryeministër është si vijon:
    -Albin Kurti – nga 10.164 artikuj ku ai përmendet, 6% përbëjnë gjuhë të urrejtjes
    -Bedri Hamza – nga 7056 artikuj ku ai përmendet, 5% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
    – Lumir Abdixhiku – nga 6001 artikuj ku ai përmendet, 5% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
    – Ramush Haradinaj – nga 4121 artikuj ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
    Gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po përballen me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. Nga 121,385 komente të analizuara në rrjete sociale, (6%) prej tyre janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje. Kandidatet më të targetuara përfshijnë:

    Fitore Pacolli Dalipi (LVV) – nga 71 artikuj ku ajo përmendet, me 6848 komente, nga të cilat, 19% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
    Besa Kabashi Ramaj (PDK) – nga 44 artikuj ku ajo përmendet me 574 komente, 17% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
    Emrije Bashota (AAK) – nga 1 artikuj ku ajo përmendet me 100 komente, 10% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
    Hykmete Bajrami (LDK) – nga 273 artikuj ku ajo përmendet me 10,117 komente, 9% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
    Barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja
    Pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në më shumë se në gjysmën e aktiviteteve është shënuar pjesëmarrje minimale – vetëm në deri 10% të pjesëmarrësve që ishin gra. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, në mesin e mbi 160 folësve, vetëm 44 prej tyre ishin gra, apo më pak se 30% prej tyre. Kjo i bie se, mesatarisht, në mes të 7 folësve të fushatë, maksimalisht vetëm 2 prej tyre ishin gra.
    Njëjtë, edhe në media është shënuar një prani e ulët e grave. Nga 376 debate të monitoruara, vetëm 22% të pjesëmarrësve kanë qenë gra. Ngjashëm edhe në kronika zgjedhore, ku nga 1230 kronika ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm 14% prej tyre kanë qenë gra. Sa i përket kohëzgjatjes televizive në kronikat zgjedhore, koha e ofruar ka qenë dukshëm më e ulët për gratë krahasuar me burrat. Vetëm 46 minuta, apo 12% e hapësirës televizive, u është dhënë grave.

    Mesazhet politike
    Arsimi, ekonomia dhe pagat, infrastruktura, mirëqenia sociale, kultura, rinia e sporti, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës. Lëvizja Vetëvendosje e kishte temë bosht të fushatës së saj veriun e vendit dhe mirëqenien sociale, të cilat i trajtoi në rreth 120 nga 160 aktivitetet e organizuara. Në anën tjetër, në aspekt programor, partitë opozitare e orientuan fushatën e tyre drejt arsimit, ekonomisë dhe pagave, infrastrukturës dhe shëndetësisë.
    Lidhja Demokratike e Kosovës i adresoi çështjet e arsimit dhe ekonomisë në rreth 160 prej 202 aktiviteteve të saj. Ngjashëm, Partia Demokratike e Kosovës, i trajtoi më së shumti këto dy tema, në rreth 170 prej 206 tubimeve të organizuara; si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që i trajtoi po këto tema në rreth 90 prej 113 tubimeve të tyre.
    Sa i përket partive serbe në garë, fushata e tyre ishte më pak e koncentruar në përçim të mesazheve programore e më shumë e përqendruar në sulmet dhe akuzat e ndërsjella për korrupsion. Deri më tani këto parti, fare pak kanë prezantuar plane të qarta politike duke mos trajtuar të drejtat dhe shqetësimet e komunitetit serb.

    Liria e shprehjes dhe informimit
    Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, janë monitoruar gjithsej 376 debate, prej të cilave kanë dominuar debatet me nga një kandidat/subjekt politik me gjithsej 212 të tilla. Sa i përket pjesëmarrjes në debate sipas partive prinë PDK, e cila ka marrë pjesë në 95 debate, pasuar nga Koalicioni AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA, Konservatorët, Intelektualët, i cili ka marrë pjesë në 92 debate, LDK në 69 debate dhe LVV ka marrë pjesë në 36 debate.
    Sa i përket kronikave zgjedhore, subjektet e mëdha kanë dominuar hapësirën televizive. Nga 1754 kronika të transmetuara gjatë 30 ditëve të fushatës, 1389 kronika janë transmetuar për subjektet e mëdha ( PDK-362, LDK-361, Koalicioni AAK/NISMA- 339 dhe LVV 327). Ndërsa, sa i përket hapësirës brenda subjekteve, pjesa më e madhe e kohës gjatë gjithë fushatës i është kushtuar kandidatëve për kryeministër dhe liderëve të listave garuese.

    Parandalimi i keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale
    Gjatë kësaj fushate, janë evidentuar gjithsej 45 raste të keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale, të cilat janë evidentuar në aktivitetet e pothuajse të gjitha partive – përfshirë partinë në pushtet në nivel qendror, por edhe komunat ku qeverisin partitë tjera.

    Transparenca dhe Financimi i fushatës
    Ndonëse të organizuara kryesisht në objekte publike, aktivitetet e subjekteve politike kanë përfshirë materiale, produkte e shërbime që kanë kosto. Shpërndarja e kartëvizitave (612 raste), broshurave (274 raste), rekuizitave (243 raste), pijeve (165 rasteve) si dhe shërbime si zërimi (449 raste), video xhirimi profesional (392 raste), ndriçimi dhe laserët (145 raste) si dhe LED-at e mëdhenj (117 raste) janë disa prej produkteve dhe shërbimeve për të cilat partitë kanë shpenzuar më së shumti. Shfrytëzimi i këtyre shërbimeve dhe materialeve është intensifikuar veçanërisht javën e fundit, në kuadër të aktiviteteve përmbyllëse të subjekteve politike.

    Po ashtu, deri më sot janë evidentuar të paktën 19 raste të sjelljes së organizuar të pjesëmarrësve me autobusë apo minibusë.

    Shpenzimet për sponsorizim në Facebook: Gjatë kësaj fushate, DnV ka analizuar shpenzimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në rrjetet sociale. Të dhënat flasin për një rritje domethënëse të numrit të postimeve si dhe mjeteve të shpenzuara. Gjatë kësaj fushate kemi pasur rreth 8 mijë postime të sponsorizuara nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre, me mbi 200 mijë euro të shpenzuara. Përgjatë javës së fundit është vërejtur një intensifikim masiv i sponsorizimit dhe shpenzimeve në rrjetet sociale.

    Kandidati i LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, është kandidati që përgjatë 30 ditëve të fundit, ka shpenzuar për sponsorizim në 153 postimeve Facebook dhe Instagram mbi 18 mijë euro. Pas tij, renditet kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka shpenzuar mbi 17 mijë euro, për sponsorizim të gati 300 postimeve. Në vendin e tretë për më së shumti shpenzime është një parti nga radhët e komunitetit rom, Opre Roma Kosova, që ka shpenzuar pothuajse 16 mijë euro. Pas tyre renditet partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka sponsorizuar më së shumti postime (rreth 900 sosh) në vlerë prej 14 mijë eurosh. Profilet e Memli Krasniqit – me 10 mijë euro; Ramush Haradinajt – me gati 9 mijë euro; profili zyrtar i LDK-së me rreth 8 mijë euro; kandidatit të LDK-së, Krenar Xhaferi – me 5,600 euro; kandidatit të AAK-së, Egzon Kelmendi – me rreth 4 mijë euro; si dhe kandidates së PDK-së, Aurora Berisha – me 3,400 euro; përmbyllin listën e top dhjetë shpenzuesve më të mëdhenj në rrjete sociale për 30 ditët e kaluara.

    Neutraliteti institucional
    Gjatë këtyre 30 ditëve të fushatës deri më tani, PZAP ka nxjerr gjithsej 222 vendime sa i përket ankesave për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, prej të cilave 125 kanë qenë vendime aprovuese dhe 97 vendime refuzuese. Lidhur me vendimet dënuese PZAP ka shqiptuar në total 654,500 euro gjoba për subjektet politike që kanë kryer shkelje ligjore të Kodit të Etikes. Këto gjoba janë shqiptuar kryesisht për shkak të shkeljeve lidhur me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes, përdorim të resurseve publike, për vendosje të materialit zgjedhor në hapësira publike, përdorim të fëmijëve në fushatë zgjedhore dhe pengim të gazetarëve. LVV është dënuar 202 mijë e 500 euro gjobë, PDK me 143 mijë e 500 euro gjobë, LDK me 141 mijë e 600 euro gjobë, AAK-NISMA me 81 mijë e 200 euro gjobë, Koalicioni për familjen me 33 mijë euro gjobë, Lista Serbe me 21 mijë e 500 euro gjobë, PLE-Partia Liberale Egjiptiane me 3000 mijë euro gjobë, SRB Demokratija me 12 mijë euro gjobë, Partia Kosovksi SRBA me 7 mijë e 200 euro gjobë, Za Slobodno Pravnu i Opstanak- N.Rashiq me 3 mijë e 500 euro gjobë, Nova Stranka me 1 mijë 500 euro gjobë, IRDK me 1 mijë e 500 euro gjobë, Partia e Ashkalinjëve për Integrim me 1000 euro gjobë dhe Koalicioni VAKAT me 1, 500 euro gjobë.

    Sa i përket sigurisë, policia është kujdesur për mbi 70% të aktiviteteve të fushatës. Këtë javë, është shënuar një rast i pengimit të mediave në raportim të procesit zgjedhor, për çka edhe është shqiptuar gjobë nga PZAP-ja për Lëvizjen Vetëvendosje.

  • Çelësi i dyfishtë apo çelësi i shantazhit? Deklarata e Elek: Një tjetër tentativë e Serbisë për manipulime politike

    Çelësi i dyfishtë apo çelësi i shantazhit? Deklarata e Elek: Një tjetër tentativë e Serbisë për manipulime politike

    Deklarata e fundit e kryetarit të Listës serbe Zlatan Elek për RTS është një shembull tipik i propagandës që synon të keqpërdorë procesin zgjedhor për interesa të ngushta politike dhe për të thelluar ndarjet ndërmjet serbeve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Përmes një retorike të mbushur me manipulime, ai synon të legjitimojë një agjendë të dirigjuar nga Beogradi, e cila ka për qëllim vetëm thellimin e kontrollit politik mbi serbët e Kosovës dhe jo përfaqësimin e tyre të vërtetë.

    Përfaqësimi politik i komunitetit serb në Kosovë duhet të bazohet në interesat dhe nevojat e qytetarëve, jo në lojëra politike të imponuara nga Serbia. Për këtë arsye, çdo përpjekje e Serbisë për të vendosur etiketa të rreme mbi ta është një përpjekje për të penguar procesin demokratik.

    Përmendja e emrave si Nenad Rashiq dhe përpjekja për t’i paraqitur si “serbë që punojnë kundër interesave të popullit serb” është një taktikë e njohur për të diskredituar ata që nuk i binden diktateve politike të Listës Serbe dhe të Beogradit. Në realitet, përfaqësuesit e pavarur serbë janë ata që me të vërtetë mbrojnë të drejtat dhe interesat e komunitetit serb në Kosovë, duke promovuar bashkëpunimin, integrimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

    Për më tepër, përdorimi i termave si “çelësi i dyfishtë” për të përshkruar përfaqësimin e serbëve në Kuvendin e Kosovës nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të krijuar frikë dhe për të përligjur ndikimin politik të jashtëm. Në realitet, përfaqësuesit e komunitetit serb kanë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me mekanizma të qartë që sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.

    Në vend të lojërave politike dhe përpjekjeve për të përçarë, është koha që politika serbe në Kosovë të fokusohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në forcimin e institucioneve dhe në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë.

  • Zgjedhjet 2025 – Mërgimtarët në Gjermani e Danimarkë presin në radhë për të votuar

    Zgjedhjet 2025 – Mërgimtarët në Gjermani e Danimarkë presin në radhë për të votuar

    Për herë të parë në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po mbahet procesi i votimit për diasporën.

    Për zgjedhjet e 9 shkurtit, diaspora nisi sot votimin nga ora 07:00, sipas kohës lokale.

    Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka publikuar fotografi të bashkatdhetarëve, të cilët i janë drejtuar vendvotimeve në misionet diplomatike dhe konsullore.

    “Ditë historike – Votimi për herë të parë në misionet tona diplomatike dhe konsullore në Gjermani dhe Danimarkë! Sot, për herë të parë në historinë e shtetit tonë, qytetarët e Republikës së Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në misionet tona diplomatike dhe konsullore në Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Kopenhagë, München dhe Stuttgart”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Kanosi dy policë pasi e ndalën për kundërvajtje në trafik, arrestohet i dyshuari

    Kanosi dy policë pasi e ndalën për kundërvajtje në trafik, arrestohet i dyshuari

    Një mashkull kosovar ka kanosur dy zyrtarë policorë.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuar ishte ndaluar për kundërvajtje në trafik.

    “KANOSJE Rr. Ismail Kryeziu 07.02.2025 – 05:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte kanosur dy zyrtarët policorë të cilët e kishin ndaluar atë lidhur me një kundërvajtje në trafik. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – ka raportuar PK-ja.

  • Në shoqërinë e Policisë së Kosovës, fillon shpërndarja e materialit zgjedhor nëpër komuna

    Në shoqërinë e Policisë së Kosovës, fillon shpërndarja e materialit zgjedhor nëpër komuna

    Në shoqërinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të shtunën është shpërndarë materiali zgjedhor nga depo qendrore e KQZ-së, për zgjedhjet që mbahen nesër (e diele), raporton Ekonomia Online.

    Materiali i ndjeshëm zgjedhor është bartur sot (e shtunë) nga depo qendrore e KQZ-së për në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve.

    Ky material i ndjeshëm zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet do të përdoret për ditën e nesërme të zgjedhjeve, në të cilët garojnë 27 parti politike.

    Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.

    Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

  • Gjykata pezullon vendimin e Trumpit për punëtorët e USAID-it

    Gjykata pezullon vendimin e Trumpit për punëtorët e USAID-it

    Gjykata përkohësisht bllokoi kërkesën e presidentit amerikan, Donald Trump nga vendosja e 2200 punonjësve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në pushim me pagesë, disa orë para se kjo të ndodhte.

    Gjykatësi Carl Nichols lëshoi një urdhër të përkohshëm “të kufizuar”, si përgjigje ndaj një padie të paraqitur në minutën e fundit nga dy sindikata që përpiqeshin të shpëtonin agjencinë.

    Urdhri do të mbetet në fuqi për shtatë ditë, saktësisht deri më 14 shkurt në mesnatë, shkruan cnn.

    Trump ka pohuar se USAID-i është vetëm barrë për taksapaguesit dhe dëshiron ta shuajë atë. Ai planifikon të vërë në “pritje” rreth 10 mijë punonjës të agjencisë, duke lënë aktivë vetëm 611 prej tyre.

    Rreth 500 punonjës tashmë janë dërguar në pushim administrativ dhe 2200 të tjerë pritej t’u bashkoheshin atyre që nga mesnata e së premtes.

    Megjithatë, në padinë e ngritur të premten, u argumentua se qeveria po shkelte Kushtetutën e SHBA dhe se punonjësit po pësonin dëme.

    Gjykatësi Nichols mbështeti sindikatat, duke thënë se ato do të pësonin “dëm të pariparueshëm” nëse gjykata nuk ndërhynte, ndërsa “nuk do të kishte ndonjë dëm për qeverinë”.

    “Të gjithë punonjësit e USAID-it që aktualisht janë në pushim administrativ do të rikthehen në punë deri në atë datë dhe do të kenë qasje të plotë në email, pagë dhe sistemet e sigurisë deri në atë datë, dhe asnjë punonjës shtesë nuk do të vendoset në pushim administrativ para asaj date”, deklaroi gjykatësi.

    Gjykata do të shqyrtojë të mërkurën një kërkesë për zgjatjen e ndalimit të përkohshëm. Nga vendimi gjyqësor mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër të vendeve të punës dhe punonjësve.

    Ndërkohë, teksa gjykata po merrte këtë vendim, në selinë e USAID në Washington po hiqeshin dhe mbuloheshin tabelat me emrin e agjencisë.

  • Votimi në përfaqësitë diplomatike në diasporë, KQZ del me detaje

    Votimi në përfaqësitë diplomatike në diasporë, KQZ del me detaje

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se në orën 7:00, të mëngjesit ka filluar procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike.

    Elezi bëri të ditur se janë hapur qendrat e votimit në shtetet evropiane, ndërkaq votimi në përfaqësitë diplomatike në ShBA dhje Kanada do të fillojë në orën 13:00.

    “Në orën 13:00 sipas kohës lokale të Kosovës planifikohen të hapet edhe procesi i votimit në ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Uashington deri në konsullatën e Nju Jorkut, gjithashtu edhe në ambasadën e Kosovës në Kanada, respektivisht në Otavë, si dhe në konsullatën e Torontës”, tha Elezi.

    Ai tha se numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar është mbi 20 mijë.

    “Numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar në këto 30 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës është 20 mijë e 324.

    Sqarojmë se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve e cila është dërguar në përfaqësitë diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

    Pra, në kohën kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit nga 29 gushti deri më 26 dhjetor 2024. Procesi i votimit do të zhvillohet në 43 vendvotime që u përkasin 16 ambasada dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme”, shtoi ai.

  • E shtune me diell, temperaturat shkojnë në 8 gradë Celsius

    E shtune me diell, temperaturat shkojnë në 8 gradë Celsius

    Moti gjatë ditës së shtunë pritet të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të lëvizin nga -5 deri në 8 gradë Celsius, transmeton Klankosova.tv.

    “Të shtunën, moti parashikohet me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të variojnë nga -5°C deri në -3°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 5°C deri në 8°C. Era do të fryjë nga verilindjes me intensitet të lehtë deri mesatar”, njofton IHMK-ja.

  • Fillon votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës

    Fillon votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë konferencë Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në këtë orë, sipas kohës lokale, janë hapur qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike në shtetet europiane, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike në ShBA dhe Kanda do të fillojë më vonë.

    Përfaqësitë diplomatike në të cilat ka filluar procesi i votimit në orën 07:00, sipas kohës lokale në Kosovë, janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Turqi (Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); dhe Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë).

    Procesi i votimit në ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë) dhe n♪7 Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë) do të fillojë në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

    Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 43 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.

    Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.

    Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 8 shkurt 2025, pasi në Listën Votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024).

    Verifikimi i statusit mund të bëhet në çdo kohë përmes platformës elektronike: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterStatuses
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
    KQZ