ATV

Author: ATVLive

  • Policia tregon për planin dhe angazhimet në mbarëvajtje të procesit zgjedhor

    Policia tregon për planin dhe angazhimet në mbarëvajtje të procesit zgjedhor

    Policia e Kosovës njofton për planifikimet dhe fazat kyçe të urdhrit operativ policor “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës” të cilat po mbahen sot me datën 9 shkurt 2025.

    Sipas njoftimit të policisë, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

    “Zyrtarët policor sipas planit operativ kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë”, thuhet në njoftim.

    Ky plan operativ ka paraparë katër faza: Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

    Sipas policisë, tanimë dy fazat e para veçse janë realizuar, “përderisa tani jemi në zbatimin e fazës së tretë e që është faza kyçe (dita Z), për të vazhduar sipas planit me fazën e fundit, deri në përfundim të procesit zgjedhor”.

    Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor vazhdon të jetë: Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

    “Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, vazhdon të ketë të caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime me kohë për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

    “Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre. Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në komunikatë.

  • Voton kryeministri Albin Kurti

    Voton kryeministri Albin Kurti

    Kryeministri i Kosovës, si dhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti ka votuar në vendvotimin te Fakulteti Ekonomik.

    Ai është shoqëruar nga bashkëshortja e tij gjatë votimit.

    Kurti ka inkurajuar qytetarët që të votojnë.

    “Përdorni shancin e lirisë për të vendosur për katër vitet e ardhshme”, tha ai

  • I veshur me setër e kravatë, 101-vjeçari nga Klina voton dhe jep intervistë për ATV-në

    I veshur me setër e kravatë, 101-vjeçari nga Klina voton dhe jep intervistë për ATV-në

    Zef Berisha, një 101-vjeçar nga fshati Dobërdol i Klinës, ushtron të drejtën e tij për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

    Pavarësisht moshës së shtyrë dhe vështirësive me dëgjimin, ai është përgatitur për tu paraqitur në qendrën e votimit, i veshur me setër dhe kravatë, duke treguar përkushtim dhe respekt për procesin demokratik.

    Në një intervistë për ATV-në, ai konfirmoi se ka votuar gjithmonë dhe e konsideron pjesëmarrjen në zgjedhje një obligim qytetar.

    Djali i tij, Anton Berisha, tha se babai i tij ka qenë gjithmonë aktiv në votime dhe se sot, po ashtu këtë obligim do ta kryejë vullnetin e tij të plotë.

    Berisha, i cili festoi ditëlindjen e 101-të vetëm tri ditë më parë, është një nga qytetarët më të moshuar që merr pjesë në zgjedhje. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë – Arsyeja kryesore, mungesa e komisionerëve

    DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë – Arsyeja kryesore, mungesa e komisionerëve

    Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme, raporton EO.

    Ismet Kryeziu nga DNV-ja tha se vëzhguesit e këtij koalicioni gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit dhe deri tek përfundimi i procesit të numërimit të votave të subjekteve politike.

    Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1,970,944 votues, prej të cilëve 125,852 janë votues që do të votojnë për herë të parë.

    “Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në 19 misionet diplomatike të Kosovës, ku votuesit që jetojnë jashtë kishin për herë të parë mundësinë të votojnë fizikisht nëpër misionet diplomatike, DnV beson se një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë. Hapja e vendvotimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkaku i vonesave në hapjen e vendvotimeve ka qenë mungesa e komisionerëve, dhe kjo ka ndodhur në 6% të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga KQZ-ja,” tha ai.

    Kryeziu shtoi se nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që mund të cenonin fshehtësinë e votës. Po ashtu, ai theksoi se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që mund ta cënonte fshehtësinë e votës.

    “Ambienti dhe siguria rreth Qendrave të Votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100 metra të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, në përputhje me përcaktimet ligjore. Nuk është raportuar asnjë rast kur kanë munguar forcat policore. E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje, si e drejtë universale, duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate (pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt,” tha Kryeziu.

    Në lidhje me informimin e votuesve për të votuar saktë, ai theksoi se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në 2023, kanë ndryshuar edhe disa elemente të votimit, siç është vota preferenciale.

    “ në këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa ka qenë e lejuar në zgjedhjet parlamentare paraprake. Rrjedhimisht, secila Qendër e Votimit duhet të ketë vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit.”

    Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve, prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%,” tha ai.

    Kryeziu shtoi se janë raportuar dy incidente në hapjen e vendvotimeve, kur vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07.

  • “Ia kam qitë votën dikuj që me flen zemra” – I moshuari shprehet i emocionuar pas pasi kreu obligimin qytetar

    “Ia kam qitë votën dikuj që me flen zemra” – I moshuari shprehet i emocionuar pas pasi kreu obligimin qytetar

    Një i moshuar, pasi votoi në zgjedhjet e sotme, shprehu emocionet e tij lidhur me vendimin që mori.

    “Ia kam qitë votën dikuj që më flen në zemër. Ishalla ecë mbarë procesi i votimit dhe ishalla fiton më i miri,” tha ai për ATV-në.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • Voton Ramush Haradinaj, për herë të parë bashkë me fëmijët

    Voton Ramush Haradinaj, për herë të parë bashkë me fëmijët

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka hedhur votën e tij në qendrën e votimit 1909 në shkollën e mesme “Ali Sokoli” në Prishtinë.

    Haradinaj është shoqëruar nga bashkëshortja e tij Anita, ndërsa për herë të parë në një proces zgjedhor morën pjesë edhe fëmijët e tij, Gjini dhe Hana, të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese të votës.

    Haradinaj ka vlerësuar se procesi ka filluar mirë. Ai ka ftuar qytetarët të dalin dhe votojnë.

    “Procesi ka filluar mirë, në përjashtim të votave me kusht me disa vonesa. Hana dhe Gjini votojnë për herë të parë. Nëna Rukë ka votuar në Gllogjan”.

    “Dilni të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara”, ka thënë Haradinaj.

  • Gazetarja e ATV-së, Pranvera Krasniqi, voton për herë të parë në Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë

    Gazetarja e ATV-së, Pranvera Krasniqi, voton për herë të parë në Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë

    Gazetarja e ATV-së, Pranvera Krasniqi, ka ushtruar për herë të parë të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

    Procesi i votimit të saj është zhvilluar në një qendër votimi në Prizren, ku ajo njëkohësisht raportoi drejtpërdrejt për shikuesit e ATV-së.

    Duke qenë e re në moshë, Krasniqi nuk kishte pasur mundësinë të votonte në zgjedhjet e kaluara, por këtë vit ajo përjetoi emocionet e votimit për herë të parë, nën përcjelljen e kamerave.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • ​Arrestime në veri për cenimin e përcaktimit të lirë të votës

    ​Arrestime në veri për cenimin e përcaktimit të lirë të votës

    Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona shkaku i cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve.

    Katër të dyshuara femra kosovare janë arrestuar në Zubin Potok, për shkak se të njëjtat dyshohet se e kishin thirrur në telefon një person dhe i kishin kërkuar ta votojë një subjekt politik, në të kundërtën do t’ia ndalnin ndihmën sociale.

    Kështu ka bërë me dije Policia e Kosovës në raportin 24 orësh derisa në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok i kanë bërë disa sekuestrime.

    “Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok janë sekuestruar një aparat telefonik dhe listat me emrat dhe numrat e personave që dyshohet se janë kontaktuar me qëllimin e njëjtë. Në konsultim me prokurorin pas intervistimit të dyshuarat janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.

    Poashtu në sheshin “Car Llazar”, në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një person i cili i kishte thënë një personi tjetër se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar do tia largojë vajzën nga puna.

    “Është arrestuar i dyshuari/k, se i njëjti i kishte thënë ankuesit/k se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një llap-top dhe dy telefona. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.

  • Moshat e shtyra më të pranishme në orët e para të votimit në Kaçanik

    Moshat e shtyra më të pranishme në orët e para të votimit në Kaçanik

    Procesi zgjedhor në qendrën më të madhe të votimit në Komunën e Kaçanikut, në shkollën “Emin Duraku”, ka nisur pa probleme të mëdha, me vetëm disa vonesa të vogla në tri pika votimi.

    Sipas menaxherit të qendrës, Lulzim Krasniqi, votimi ka nisur pothuajse në kohë dhe materiali zgjedhor ka mbërritur pa vonesa.

    Ai për ATV-në tha se në orët e para janë vërejtur kryesisht votuesit e moshave të shtyra, të cilët duket se kanë preferuar të përmbushin obligimin qytetar herët gjatë ditës.

    Një risi në këto zgjedhje është vendosja e kamerave në çdo klasë votimi, për të siguruar një proces të rregullt dhe transparent. Për momentin, procesi po zhvillohet pa mungesa të stafit apo probleme organizative. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • Probleme teknike dhe mungesë stafi në qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut

    Probleme teknike dhe mungesë stafi në qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut

    Në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq janë raportuar disa probleme në qendrat e votimit. Sipas Dushan Radakoviq, zyrtar i Demokracisë në Veprim, në Leposaviq ka mungesë të materialit zgjedhor në qendrat votuese 5 dhe 6, raporton ATV.

    Ndërkohë, në Mitrovicën e Veriut, një qendër votimi ka hasur probleme teknike me kompjuterët, ndërsa në një tjetër mungon një anëtar i stafit, pasi ligji kërkon që ekipi të përbëhet nga katër persona.

    KQZ pritet të ndërhyjë për të zgjidhur këtë çështje dhe për të mundësuar vijimin e rregullt të procesit zgjedhor. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë: