ATV

Author: ATVLive

  • ​Emmanuel Macron goditet me shuplakë nga gruaja e tij, pamjet bëhen virale

    ​Emmanuel Macron goditet me shuplakë nga gruaja e tij, pamjet bëhen virale

    Ky është momenti tronditës kur Presidenti francez, Emmanuel Macron goditet me shuplakë nga bashkëshortja e tij Brigitte, ndërsa çifti “grindeshin”.

    Pamje të pabesueshme tregojnë derën e avionit presidencial teksa hapet dhe duart e Brigitte-s shfaqen në fytyrën e Macron-it, teksa ata mbërrijnë në Vietnam për fillimin e një turneu në Azinë Juglindore. Pamjet e kapura të dielën në mbrëmje në aeroportin e Hanoit tregojnë derën e avionit që hapet, ku Macron shfaqet brenda mjetit fluturues, duke parë bashkëshorten e tij me një vështrim serioz.

    Brenda sekondash, krahët e Brigitte-s shfaqen në pamje, të dy të ngritur drejt fytyrës së Macron-it, në atë që duket si një goditje e lehtë, shkruan the sun.

    Duke u shfaqur i befasuar, lideri francez menjëherë vëren se dera është e hapur dhe shpejt kthehet për t’i përshëndetur kamerat në fund të shkallëve të avionit.

    Çifti më pas del nga avioni dhe zbret shkallët, me Macron-in që i zgjat dorën bashkëshortes së tij. Por ajo kapet për parmakun e shkallëve për mbështetje, ndoshta për shkak të një debati shpërthyes që kishin pasur brenda avionit.

    Videoja e çiftit që po ziheshin u bë virale brenda natës, me Pallatin Elysee fillimisht që e mohoi si të ishte e rreme.

    Por burime nga mediat franceze më pas konfirmuan se videoja është e vërtetë, sipas The Sun (SHBA).

    Sipas një burimi anonim pranë Presidentit, çifti ishte “duke u grindur”. Ata i thanë BFMTV: “Ishte një moment kur Presidenti dhe bashkëshortja e tij po relaksoheshin për herë të fundit para fillimit të turneut, duke bërë pak shaka”.

    Po i njëjti burim shtoi se “mjafton kaq për t’u dhënë teoricienëve të konspiracionit material për të spekuluar” – duke iu referuar shpifjeve mediatike të përhapura nga Rusia.

    Macron ndodhej në Hanoi për të filluar një turne njëjavor në Azinë Juglindore, ku do të vizitojë edhe Indonezinë dhe Singaporin.

  • ​Shtetas i huaj gjendet i vdekur në Prishtinë

    ​Shtetas i huaj gjendet i vdekur në Prishtinë

    Një shtetas i huaj është gjetur pa shenja jete në orët e para të ditës së djeshme në Prishtinë.

    Rasti është raportuar në ora 10:25, ku menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore në bashkëpunim me ekipin mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pas ekzaminimeve fillestare, mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i vdekjes.

    Hetimet rreth këtij rasti janë duke vazhduar.

  • Osmani në SHBA: Përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para

    Osmani në SHBA: Përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para

    Paqja nuk vjen duke ecur vetë apo izoluar, por përmes partneriteteve dhe aleancave, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë fjalimit në darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

    Osmani shprehu mirënjohje për rolin e shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.

    “Por paqja, siç e kemi mësuar të gjithë, është e brishtë. Vetëm disa vite pas marrëveshjes së Dejtonit dhe luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, po i njëjti makth erdhi në shtetin tim, Republikën e Kosovës. Jo si imazh në televizion apo zë në radio, por jetesë. Jetesë e përditshme, makth që erdhi në rrugët tona dhe në shtëpitë tona”, tha Osmani.

    “Sot, teksa mblidhemi me temën e paqes dhe prosperitetit, duhet të fillojmë me një të vërtetë të thjeshtë por të fuqishme: paqja rrallë herë është e trashëguar, është e ndërtuar dhe është në mënyrë konstante e ushqyer dhe e mbrojtur. Por, më e rëndësishmja është se paqja nuk vjen kurrë duke ecur vetë apo izoluar. Kjo paqe vjen nëpërmjet partneriteteve dhe aleancave. Sot, unë përfaqësoj republikën e lirë dhe sovrane të Kosovës, një tokë, zëri i së cilës një kohë u hesht në luftë, por tani flet në gjuhën e shpresës, në gjuhën e paqes dhe në gjuhën e mirënjohjes. Mbi të gjitha, ne i detyrohemi falënderim burrave dhe grave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, edhe ata në uniformë, edhe diplomatët në kostum, që qëndruan me neve, kur bota na u duk shumë terr. Ushtarët e SHBA-së dhe NATO-s erdhën jo vetëm si paqe-bërës, por si heronj, si mbrojtësit tanë dhe si shokët tanë. Në momentet tona më të brishta, prezenca e tyre u bë strehë jo vetëm për shtëpitë tona por edhe ëndrrat tona, sepse falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një komb i tërë pati guxim të ngrihej nga hiri. Këta heronj nuk erdhën për lavdi, ata erdhën sepse besonin në të drejtat thelbësore të çdo qenie njerëzore, të jetojë i lirë nga shtypja”, tha Osmani gjatë fjalimit.

    Ajo falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë “në orët më të vështira të historisë sonë”.

    “Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO: përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë. Paqja jonë dhe liria jonë është përgjithmonë e lidhur me trimërinë e juaj dhe mirënjohja jonë është e përjetshme”, tha Osmani.

    Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë./KP

  • Publikohet lista e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Letonisë

    Publikohet lista e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Letonisë

    Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, ndaj Serbisë dhe Letonisë.

    Trajneri Silvinjo ka bërë publike listën me 27 lojtarët e ftuar për këto dy përballje të rëndësishme.

    Lista e plotë:

    Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani

    Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami

    Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha

    Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku

    Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:45.

    Ndërsa ndeshja ndaj Letonisë do të luhet më 10 qershor, në stadiumin “Skonto Stadions”, po në orën 20:45.

  • Arabia Saudite pritet që ta lejojë alkoolin në Kupën e Botës

    Arabia Saudite pritet që ta lejojë alkoolin në Kupën e Botës

    Arabia Saudite raportohet se do të heqë ndalimin e alkoolit në 600 vende këtë vit, ndërsa vendi shpreson të fitojë mbështetjen e turistëve dhe tifozëve të futbollit para Kupës së Botës 2034.

    Kombi ultrakonservator do t’i japë fund ndalimit 73-vjeçar të shitjes dhe konsumit të alkoolit në vendet turistike deri në vitin 2026, transmeton KosovaPress.

    Vizitorët do të lejohen të pinë verë, birrë dhe musht molle në vende të licencuara, siç janë hotelet me pesë yje dhe zhvillimet turistike, pretenduan mediat lokale, të cilat u raportuan gjerësisht ndërkombëtarisht.

    Planet janë pjesë e Vizionit 2030 të Shtetit të Gjirit, një iniciativë për të tërhequr turistë dhe investime në përgatitje për organizimin e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë Expo 2030 dhe Kupën e Botës FIFA në vitin 2034.

    Autoritetet thanë se qëllimi “është të mirëpresim botën pa humbur identitetin kulturor — duke e pozicionuar Arabinë Saudite si një lojtar progresiv, por të respektueshëm në hartën globale të turizmit”.

    Sipas rregulloreve të reja për alkoolin, disa vende do të lejohen të shërbejnë birrë, verë dhe musht molle. Ato do të operohen nga një staf i trajnuar sipas kushteve të rrepta të licencimit.

    Pijet dhe pijet alkoolike me përmbajtje alkooli mbi 20% do të mbeten të ndaluara.

    Meqenëse politika e re u drejtohet turistëve dhe emigrantëve, alkooli në shtëpi, hapësira publike dhe pika shitjeje me pakicë do të vazhdojë të jetë i ndaluar me ligj.

    Qeveria shtoi në një deklaratëse : “Shitjet do të ndodhin vetëm në mjedise të kontrolluara, me staf shërbimi të licencuar dhe rregulla të qarta operative për t’u siguruar që alkooli trajtohet me përgjegjësi dhe respekt.”

    Vendet e lejuara do të përqendrohen në zhvillimet luksoze futuriste që po ndërtohen si pjesë e nxitjes së tyre turistike, të tilla si Neom dhe Projekti i Detit të Kuq.

    Udhëheqësi i vendit, Princi i Kurorës Mohammad Bin Salman, shpreson se ndryshimet do t’i lejojnë Arabisë Saudite të konkurrojë me shtetet e tjera të Gjirit që tashmë e lejojnë alkoolin.

    Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini lejojnë konsumimin e alkoolit në zona të caktuara turistike.

  • ​Xhudistët kosovarë morën pjesë në Kampin Stërvitor Ndërkombëtar në Spanjë

    ​Xhudistët kosovarë morën pjesë në Kampin Stërvitor Ndërkombëtar në Spanjë

    Nga data 19 deri më 23 maj 2025, në qytetin Benidorm të Spanjës u mbajt Kampi Stërvitor Ndërkombëtar.

    Kosova u përfaqësua nga Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Akil Gjakova, Dardan Cena, Shpati Zekaj, Rios Kuka, Sidorela Dodaj dhe Enise Zijade. Ekipi kosovar u udhëhoq nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe trajnerja Majlinda Kelmendi.

    Kampi mblodhi xhudiste/ë elitarë nga e gjithë bota, duke ofruar mundësi për shkëmbim përvojash dhe stërvitje në nivel të lartë.

  • Hapet Prishtina Arts and Architecture Festival – PAAF 2025 me temën “Një me të Ardhmen”

    Hapet Prishtina Arts and Architecture Festival – PAAF 2025 me temën “Një me të Ardhmen”

    Është hapur Festivali i Arteve dhe Arkitekturës në Kolegjin AAB për edicionin e gjashtë me radhë, me temën “Një me të Ardhmen”, ku trajtohen perspektiva bashkëkohore mbi artin, arkitekturën, teknologjinë dhe qytetet e së ardhmes.

    Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje të pranishmëve ndërsa tha se tema e këtij festivali na shtyn të reflektojmë thellë mbi marrëdhëniet në zhvillim midis artit, arkitekturës, teknologjisë dhe realiteteve urbane.

    “Në këtë ndërthurje të disiplinave krijuese dhe mendimit vizionar, ne nuk jemi thjesht duke imagjinuar të ardhmen, por po angazhohemi, po e ndërtojmë dhe po e sfidojmë të jetë më gjithëpërfshirëse, më e qëndrueshme dhe më njerëzore. Ne jemi krenarë që jemi shtëpia e Fakultetit të Arteve dhe Arkitekturës, i cili mishëron këto vlera çdo ditë”, tha Olluri ndër të tjera.

    Dekani i Fakultetit të Arteve Fitim Aliu, shprehu mirënjohje për të gjithë stafin akademik dhe studentët të cilët për 6 vite kontribuojnë në mënyra të ndryshme që festivali të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa tha se është hapësira ideale për ta që të shprehin talentet e tyre dhe të mësojnë gjëra të reja për tema të ndryshme që trajtohen gjatë pesë ditëve.
    Edhe aktori i mirënjohur Enver Petrovci, në fjalën e tij përshëndetëse uroi që ky festival të vazhdojë traditën dhe të sjell risi çdo vit që ndërlidhen me artin.

    Festivali do zgjas deri më 28 maj, ndërsa filloi me mbajtjen e një konference, për të vazhduar me promovimin e librit nga profesori Memli Kelmendi “24 vepra pianistike për fëmijë”, sfilata nga studentët e Dizajnit të Mdoës, workshop “Hybrid Urbanity”, koloni artistike e studentëve të Pikturës nga AAB, ndërsa do përmbyllet me ndarjen e certifikatave për të gjithë ata që dhanë
    kontribut në këtë festival.

  • Një anije e mbytur 102-vjeçare zbulohet në liqenin Michigan nga një peshkatar

    Një anije e mbytur 102-vjeçare zbulohet në liqenin Michigan nga një peshkatar

    Një anije e mbytur një shekullore është rishfaqur pranë brigjeve të Manitowoc, Wisconsin, falë zbulimit aksidental nga një peshkatar vendas. Rimorkiatori prej druri, JC Ames , i cili u fundos qëllimisht në vitin 1923, u gjet më pak se dhjetë metra nën sipërfaqen e niqenit Michigan . Zbulimi u konfirmua më vonë nga Shoqëria Historike e Wisconsin , e cila detajoi historinë dhe rëndësinë e anijes në një raport të dedikuar.

    Anija e mbytur u gjet nga Christopher Thuss, një peshkatar me një lidhje unike personale me botën e gjuetisë së anijeve të mbytura — ai është nipi i të ndjerës Suzze Johnson, e njohur në rajon si “Suzze e Anijes së Mbytur”. Johnson kaloi vite duke eksploruar Liqenin Michigan nga avionë të lehtë dhe madje edhe me parashutë të motorizuar, duke fituar reputacionin për zbulimin e anijeve të harruara. Vetëm në vitin 2015, ajo gjeti tre anije të mbytura në vetëm tre ditë. Trashëgimia e saj vazhdon përmes Thuss, zbulimi i të cilit sjell një kapitull të ri në historinë detare të Wisconsin.

    “Këto lloj zbulimesh janë gjithmonë kaq emocionuese sepse lejojnë që një pjesë e historisë së humbur të rishfaqet”, tha Tamara Thomsen , arkeologe detare në Shoqërinë Historike të Wisconsin. “Ajo qëndroi aty për më shumë se njëqind vjet dhe më pas u rikthye në radarin tonë krejt rastësisht.” Rimorkiatori ndodhej pak në veri të dallgëthyesit në Manitowoc, në ujëra çuditërisht të cekëta, duke e bërë zbulimin të arritshëm dhe shumë të dukshëm.

    Hetuesit u habitën nga gjendja jashtëzakonisht e pastër e rrënojave. Kishte shumë pak midhje quagga, një specie pushtuese e zakonshme në Liqenet e Mëdha, të ngjitura në trupin prej druri. Ky detaj i bëri ekspertët të besonin se anija ishte varrosur nën rërë për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar. Vetëm ndryshimet e fundit në terrenin nënujor – ndoshta për shkak të rrymave ose stuhive – mund ta kenë zhvendosur rërën dhe ta kenë zbuluar rimorkiatorin edhe një herë.

    Ky lloj ruajtjeje natyrore ofron një mundësi të rrallë. Ndryshe nga rrënojat e anijeve që janë ekspozuar për dekada të tëra, JC Ames tregon ndotje biologjike ose prishje të kufizuar, duke u dhënë historianëve një pamje më autentike të ndërtimit të anijeve nga fundi i shekullit të 19-të. Gjendja e saj e bën atë gjithashtu një vend tërheqës për kajakistët dhe ata që bëjnë snorkeling, pasi rimorkiatori qëndron në ujëra të qeta dhe të cekëta brenda kufijve të Rezervatit Kombëtar Detar të Bregut të Anijeve të Mbytura të Wisconsin-it, i mbrojtur nga qeveria federale.

    E ndërtuar në vitin 1881, JC Ames fillimisht ishte projektuar për të transportuar lëndë druri, një mall i rëndësishëm në rajon gjatë zgjerimit industrial të fundit të shekullit të 19-të. Me kalimin e kohës, përdorimi i saj u zhvendos në transportimin e llojeve të ndryshme të ngarkesave, duke përfshirë vagonët e trenit – një simbol i përshtatshmërisë së rimorkiatorit dhe ndërlidhjes në rritje të transportit tokësor dhe liqenor në atë epokë.

    Deri në vitin 1923, rimorkiatori kishte arritur fundin e jetës së tij operative dhe u çmontua dhe u fundos qëllimisht, një praktikë rutinë në atë kohë për anijet e nxjerra nga përdorimi. Sot, ky akt asgjësimi është bërë një dhuratë e papritur për arkeologët detarë, duke ofruar një artefakt të ruajtur mirë nga një periudhë transformuese në tregtinë dhe transportin e Midwest-it.

  • Begaj në SHBA: Pa udhëheqjen amerikane nuk do të kishim një Kosovë të pavarur

    Begaj në SHBA: Pa udhëheqjen amerikane nuk do të kishim një Kosovë të pavarur

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Gjatë fjalës në forumin me temë “Renewing focus on peace and prosperity in the Balkans”,Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Dayton-it dhe integrimin Euroatlantik të Bosnjë dhe Hercegovinës.

    Duke nxjerr në pah përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve në rajoni tonë, Begaj theksoi se “Marrëveshja e Paqes e Dayton-it i dha fund një lufte brutale në Ballkan, duke mbetur një gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës”.

    Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes në kohë në Kosovë, që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dayton-it nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”.

    Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se “Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të fortë ndaj vlerave thelbësore të demokracisë, duke promovuar paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë”.

    Begaj tutje vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s, raporton A2.

  • ​Sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe pas sulmit masiv ajror

    ​Sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe pas sulmit masiv ajror

    Nga e shtuna në mbrëmje deri të dielën në mëngjes, Rusia ndërmori sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.

    Sipas BBC-së, të paktën 12 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi Rusia lëshoi 367 dronë dhe raketa.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se arritën të rrëzonin 266 dronë dhe 45 raketa. Por ato paralajmëruan se “shumica e rajoneve të Ukrainës” u prekën nga sulmi.

    Të dielën në mbrëmje, sulmet nga Moska vazhduan, megjithëse dukeshin më të kufizuara.

    Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan depërtime të dronëve Shaheed dhe UAV gjatë natës, por thanë se kërcënimi ishte zmbrapsur në të gjitha rajonet deri rreth orës 07:00 lokale.

    Këtë mëngjes, shërbimi shtetëror i emergjencave po shpërndan foto të ndërtesave në flakë në Odesa, ku thuhet se një ndërtesë banimi është shkatërruar nga dronët rusë.