ATV

Author: ATVLive

  • KMDLNj: Trajtim degradues i shtetasve të Kosovës nga Gjykata Speciale

    KMDLNj: Trajtim degradues i shtetasve të Kosovës nga Gjykata Speciale

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e ka quajtur Gjykatën Speciale si gjykatë raciste e të themeluar nën kushte dhune dhe presioni psikologjik nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

    Kjo organizatë shton se Gjykata Speciale është një monstrum juridik, në shërbim të politikës ndërkombëtare dhe vendore gjë që po dëshmohet sidomos në përfundim të procesit kundër udhëheqësve më të lartë të Kosovës sikur edhe udhëheqësve të luftës çlirimtare, transmeton Klankosova.tv.

    Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

    Gjykata Speciale Raciste e themeluar nën kushte dhune dhe presioni psikologjik nga deputetët e Kuvendit të Kosovës doli të jetë një monstrum juridik , në shërbim të politikës ndërkombëtare dhe vendore gjë që po dëshmohet sidomos në përfundim të procesit kundër udhëheqësve më të lartë të Kosovës sikur edhe udhëheqësve të luftës çlirimtare.

    Qëllimi ishte të arrestohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndërsa të tjerët u arrestuan për ta bërë më të besueshëm këtë proces gjyqësor , disa prej të cilëve u dënuan me dënime të larta, në procese të kurdisura dhe me “prova” nga Serbia. GJSR – e , ndonëse deklarohej se ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe se ishte pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, me asgjë nuk identifikohej me Kosovën dhe nuk ndjente asnjë detyrim ndaj “themeluesit” të Kuvendit të Kosovës.

    Madje, në një aneks marrëveshjeje që kurrë nuk ishte bërë transparent për publikun , sovraniteti i vendimmarrjes për të gjitha çështjet bartej te GJSR – e e që paraqet presedan në historinë e Drejtësisë ndërkombëtare, në kuptimin më negativ të fjalës.

    Që nga fillimi i procesit KMDLNj – ë ka identifikuar shkeljet e rënda të drejtave të njeriut të pengjeve të Hagës , të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Këto gjetje i ka adresuar te institucionet e Kosovës që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, në Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendit e Kosovës. MD e ka bërë të kundërtën, në vend se t’ua mbrojë të drejtat e njeriut, duke ua shkurtuar fondet, ua ka pakësuar mundësitë dhe të drejtat për një mbrojtje cilësore dhe efektive.

    Mazhoranca e deputetëve të Kosovës, nuk ka treguar vullnet, guxim dhe përgjegjësi që buron nga mandati i tyre për të kërkuar informata dhe përgjegjësi nga GJSR – e për trajtimin çnjerëzor, fyes dhe degradues të të burgosurve , të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit është dashur të thirren në dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në radhë të parë në Konventën për Parandalimin e Tortures dhe Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues.

    Kjo Gjykatë nuk është monitoruar nga askush, ka qenë krejtësisht jotransparente, me mungesë të theksuar të llogaridhënies. Që nga Procesi i Nyrembergut, pas luftës së dytë botërore, nuk mund ta gjeni një gjykatë që aq brutalisht i shkelë të drejtat e njeriut, kryesisht në baza etnike siç e bënë GJSR – e në Hagë. Pa asnjë pasojë. Pengjet në Hagë, të pambrojtur nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga shteti i Kosovës, kanë mbetur në mëshirën e një grupi burokratësh që kanë përfituar materialisht në dëm të popujve që kanë pësuar humbje të mëdha në njerëz, deri në përmasa gjenocidi siç ishte rasti i Kosovës.

    Kryetarja e kësaj Gjykate, Ekaterina Trendafilova, bashkë me prokurorin Smith, të përkrahur edhe nga politikanët e Kosovës kanë krijuar një alibi që pengjet nga Kosova duhet të dënohen gjithsesi ndërkaq, përkrahë agresiviteti më brutale ishte Trendafilova që, sikur vendasja e saj, Baba Vanga, parashikonte dënim me burgim të përjetshëm. Baba Vanga vetëm ka parashikuar, Trendafilova ka mundësi të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrje 100 përqind.

    KMDLNj, rregullisht ka denoncuar shkeljet brutale të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës në Hagë që nga arrestimi arbitrar, mosdhënia e shërbimeve shëndetësore me kohë, mospërkthimi i materialeve gjyqësore në gjuhën shqipe, trajtim çnjerëzor gjatë vizitave humanitare, informimi i kufizuar në gjuhën amtare, kufizimi i vizitave, ushqimi i pamjaftueshëm dhe jocilësor, mbajtja në arrest përtej çdo kohe të arsyeshme, shkelja brutale e parimit të prezumimit të pafajësisë përmes deklaratave publike të personelit të GJSR- e sikur edhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies.

    KMDLNj paralajmëron opinionin se para GJSR – e në Hagë po luhet një lojë e ndyrë juridike ku as viktimat nuk përfitojnë drejtësi e as përgjegjësit eventualë për krime nuk e marrin dënimin e merituar. Loja po luhet për qëllime krejtësisht të ndyra politike!

  • Berisha: Këto zgjedhje kurrë nuk do të njihen, largimi i Ramës qëllimi më madhor i shqiptarëve

    Berisha: Këto zgjedhje kurrë nuk do të njihen, largimi i Ramës qëllimi më madhor i shqiptarëve

    Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e 11 Majit, duke i quajtur një farsë.

    Ai theksoi se qëllimi madhor i shqiptarëve duhet të jetë largimi i kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se “farsa s’fitohet kurrë nga opozita”.

    “Unë edhe njëherë deklaroj se këto zgjedhje kurrë nuk do njihen dhe se ata, të cilët përpiqen t’u shesin shqiptarëve krimin si sukses elektoral, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se rreshtojnë veten me kartelet, me Edi Ramën dhe me të gjithë autorët e farsës më të shëmtuar elektorale të majit 2025”, tha Berisha.

    Më pas shtoi: “Farsa nuk fitohet nga opozita. Atëherë ka një qëllim, që çdo qytetar shqiptar, që beson se këto zgjedhje ishin farsë dhe se farsa nuk fitohet kurrë nga opozita, të pyesë veten a është i gatshëm të sakrifikojë për votën e lirë. A është i gatshëm të angazhohet në një betejë për t’u rikthyer shqiptarëve të drejtën e votës së lirë.

    Çka nënkupton të gjitha përpjekjet, të gjitha sakrificat për ata që besojnë se kjo është një farsë. Për ata që besojnë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe natyrisht largimi i Edi Ramës duhet të jetë qëllimi më madhor i shqiptarëve… …Farsa nuk fitohet kurrë nga opozita.

    Ka dy rrugë. Ka një rrugë, bojkoti i zgjedhjeve. Në qoftë se ju lexoni rezolutën e 30 prillit, të votuar nga 82 parti politike të qendrës së djathtë të Europës, parti që qeverisin Europën sot, aty është e qartë se 11 Maji do jetë një farsë, sepse Edi Rama gjatë fushatës po blinte vota me lekë, po blinte vota me kanabis, po blinte vota me prokurime, po blinte vota me punësime. Dhe se drejtësia e kapur nga Edi Rama nuk qëndronte ndaj gjithë këtyre krimeve.

    Përveç kësaj, u zhvillua një hearing në Parlamentin Europian i të gjithë spektrit politik të parlamentit. Dhe në këtë hearing, zgjedhjet u quajtën një emergjencë. Tani, në qoftë se ishim para dy rrugëve, pjesëmarrje ose mospjesëmarrje. Në qoftë se nuk merr pjesë, do zgjedhësh rrugën e dhunës ose rrugën e shuarjes. Ose do pranosh se këtu nuk do merrem më me politikë, ose do merrem dhe do përdor forcën ndaj kësaj qeverie që të merr liritë.

    Është njëra rrugë. Rruga tjetër është rruga që ndjekim ne. Rruga në të cilin ne marrim pjesë në proces, paraqesim të gjitha dokumentet e vërteta që ishte farsë dhe ftojmë shqiptarët të luftojnë për votën e tyre. Të dyja janë të vështira, por kjo e dyta ka një mbështetje ndërkombëtare. E para mund ta krijojë, por fillimisht nuk ka. E dyta po, ja ku janë raporti, ja ku janë rezolutat. Është pra një betejë e vështirë, por jo e pashpresë.”

  • 600 milionë euro në rrezik shkak i masave nga BE-ja, GAP nënvizon sektorët më të prekur

    600 milionë euro në rrezik shkak i masave nga BE-ja, GAP nënvizon sektorët më të prekur

    Kosova vazhdon të mbetet nën masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur tash e dy vite.

    Si pasojë e këtyre masave shumë projekte janë pezulluar. Instituti GAP ka dalë me një raport të ti rreth ndikimit që këto masa kanë për Kosovës.

    GAP thekson se rreth 613.4 milionë euro projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar rezultojnë si pasojë e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

    Në raportin “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”, theksohet se 7.1 milionë euro nga kjo shumë e përgjithshme janë humbur tërësisht për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara.

    “Nga qershori i vitit 2023, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian (BE). Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera për një afat të pacaktuar”, njofton GAP.

    Sektorët më të prekur, sipas raportit të Institutit GAP përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.

    Për më tepër, është pezulluar puna e organeve brenda Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila ishte ndërprerë deri në maj të vitit 2025.

    Po ashtu, janë pezulluar fondet për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), ndërsa propozimet nga Kosova në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) nuk po shqyrtohen nga bordi përkatës.

    Sipas Institutit GAP, këto masa përbëjnë një rrezik serioz për ecurinë e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke prekur drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve.

  • Ngrihet aktakuzë kundër të dyshuarve për grabitjen në Suharekë, Prokuroria jep detaje

    Ngrihet aktakuzë kundër të dyshuarve për grabitjen në Suharekë, Prokuroria jep detaje

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj K.G., B.B. dhe B.I. për grabitjen në argjendarinë në Suharekë më 22 nëntor. Ata veç e veç ngarkohen edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Ata kanë vjedhur 3 kilogram e 71 gramë ari, në vlerë prej 133,711.34 euro.

    Prokuroria ka lëshuar një komunikatë për këtë rast dhe ka treguar në detaje se si ka ndodhur rasti.

    Komunikata e plotë:

    Prizren, 26 Maj 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve K.G., B.B., B.I., për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 par.4 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK. Po ashtu, B.B. dhe B.I., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1, të KPRK-së.

    L.C., dhe T.B., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të grabitjes” nga neni 317 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 33 të KPRK-së. Po ashtu, T.B., ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paatorizuar të armëve” nga neni 366 parag.1 të KPRK-së.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit K.B., B.B., dhe B.I., me datë 22.11.2023 në ora 15:45min në qytetin e Suharekës, në argjendarinë “D.“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B., me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme.

    Të njëjtit, nisen me automjet në drejtim të Suharekës, dhe me të arritur në afërsi të argjendarisë “D”, e ndalojnë automjetin, dhe nga automjeti dalin të pandehurit K.B., B.B., dhe B.I., të shoqëruar me të ndjerin D.G., që të gjithë të armatosur dhe të maskuar, në atë mënyrë që i pandehuri B.B., i armatosur, pret jashtë objektit në rrugë, ndërsa i pandehuri B.I., e kapërcen banakun e argjendarisë duke ia drejtuar armën të dëmtuarit A.B., dhe të njëjtin, e neutralizon në dhomën e pasme të argjendarisë, duke ia lidhur duart, e duke e mbajtur nën kanosje të armës.

    Pastaj K.B., së bashku me D.G., fillojnë t’i thyejnë vitrinat, ku kanë qenë të vendosura stolitë e arit, dhe me shpejtësi të madhe e mbushin një thes, dhe me armë në duar dalin nga lokali. Të njëjtit, me shpejtësi nisen në drejtim të veturës, ku ishte duke i pritur i pandehuri B.B., i cili me të parë policinë shkrep disa herë në drejtim të tyre me pushkë gjysmë automatike. Më pas, të njëjtit vazhdojnë nga fshati Sopijë në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Komunës së Ferizajt, ku nga aty dalin nga automjeti, i marrin stolitë me vete, në sasi prej 3 kilogram e 71 gram, duke i shkaktuar të dëmtuarit T.B., dëm në vlerë prej 133,711.34 euro.

    Të njëjtit, pastaj hipin në dy automjete të tjera, dhe nisen në drejtim të Prishtinës, ku njëri nga automjetet ndalet në afërsi të argjendarisë “B.” në Prishtinë, dhe arin e grabitur e dorëzojnë në lokalin e T.B., për ta fshehur dhe pastaj për ta larguar nga aty. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” sipas KPRK-së.

    Ndërsa, i pandehuri L.C., prej mesit të muajit Nëntor të vitit 2023, e deri në momentin e arrestimit me datën 30.11.2023, me dashje i ndihmon të pandehurit B.B., B.I., K.B., dhe D.G., për kryerjen e veprës penale të grabitjes, ashtu që i jep premtim paraprak se do t’i fshehë provat e kryerjes së veprës penale dhe të pandehurit.

    Në anën tjëtër, i pandehuri T.B., prej mesit të muajit Nëntor të vitit 2023, e deri në momentin e arrestimit 30.11.2023 me dashje ndihmon të pandehurit e lartpërmendur, për kryerjen e veprës penale të grabitjes. I njëjti, në argjendarinë e tij “B.” e cila gjendet në Prishtinë, pranon nga të pandehurit B.B., dhe të tjerët, stolitë e arit të grabitura në peshë prej 3 kilogram e 71 gram, duke i fshehur fillimisht në kasafortën e vet, e pastaj pjesën më të madhe e ka dërguar në drejtim të panjohur. Me këto veprime, secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të grabitjes” sipas KPRK-së.

    Po ashtu, të pandehurit B.I., B.B., dhe T.B., secili veç e veç, kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

    Prokurori i rastit ka propozuar që të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjeteve me të cilat janë kryer veprat penale të lartëcekura, si dhe gjësendet e përfituara përmes kryerjes së veprës penale, dhe atë: një mori armësh të kalibrave të ndryshëm, karikatorë, fishekë, stoli ari ngjyrë të verdhë 439.6 gr., stoli të ndryshme ari 1969.55 gr., stoli argjendi 61.67 gr., bizhuteri të ndryshme 1690.14 gr., para të gatshme në vlerë prej 3.178.58 €, vetura të markave të ndryshme, telefona etj.

    Gjithashtu, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Delegacioni nga Nigeria në vizitë zyrtare në Kolegjin AAB – Në fokus thellimi i bashkëpunimit akademik dhe ndërkombëtar

    Delegacioni nga Nigeria në vizitë zyrtare në Kolegjin AAB – Në fokus thellimi i bashkëpunimit akademik dhe ndërkombëtar

    Kolegji AAB ka mirëpritur një delegacion akademik nga Nigeria, i përbërë nga pesë përfaqësues të fushave të ndryshme të arsimit të lartë, në kuadër të një vizite zyrtare për shkëmbim të stafit dhe krijimin e partneriteteve ndërinstitucionale.

    Delegacioni përbëhet nga: Prof. Aruwa Samaila Sani, Prof. Otunba Yisa Idowu, Prof. Shakirudeen Taiwo, Prof. Priscillia Efosa Maradona, Prof. Lawal Tawaklitu Ajibola. Anëtarët e delegacionit vijnë nga fushat e Shkencave Kompjuterike, Edukimit, Menaxhmentit dhe Gjuhës Angleze.

    Në takimin e parë zyrtar, delegacioni u prit nga Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, Zëvendësrektori për Zhvillim Strategjik Ilir Bytyçi, dhe Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim Venera Llunji.

    Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, përfshirjen e stafit dhe studentëve në aktivitete të përbashkëta akademike, shfrytëzimin e platformave digjitale për shkëmbime virtuale, si dhe bashkëpunimin në pjesëmarrje në konferenca dhe projekte të përbashkëta kërkimore.

    Delegacioni nigerian u takua gjithashtu me Drejtoreshën e Zyrës për Zhvillim të Projekteve, Ilirjana Geci, si dhe me dekanët e fakulteteve të ndryshme të AAB-së: Aida Alla Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Fatmir Pireva Dekan i Fakultetit të Shkencave të Sportit, Mentor Lecaj Dekan i Fakultetit Juridik.

    Gjatë ditëve në vijim, anëtarët e delegacionit do të marrin pjesë në një sërë aktivitetesh të tjera në Kolegjin AAB, përfshirë ligjërata me studentë dhe takime me stafin akademik në programet përkatëse.

  • PDK asnjë bashkëpunim me Vetëvendosjen rreth qeverisë

    PDK asnjë bashkëpunim me Vetëvendosjen rreth qeverisë

    Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli ka thënë se nuk kanë asnjë bashkëpunim apo kontakt me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Kështu u përgjigj ai, derisa në konferencë për media u pyet nëse janë të informuar se Lëvizja Vetëvendosje po i kontakton individualisht deputetët për sigurimin e votave për kryeparlamentar.

    “Kryetari i partisë ka qenë shumë i qartë sa i përket pozicionit të PDK-së. Ne duhet të kuptojmë se jemi njerëz mund të takohemi personalisht, privatisht kudo qoftë sepse lidhje të ndryshme familjare dhe ato nuk janë të përjashtuara. Mirëpo, kryetari e ka thënë atë dhe qëndron deklarata e kryetarit se ne nuk kemi asnjë marrëveshje dhe asnjë bashkëpunim dhe nuk kemi asnjë kontakt në kuptimin e asaj rreth qeverisë Vetëvendosje. Është shumë e qartë dhe shumë e lexueshme”, tha Ismajli.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë sot se zgjidhja për të dalë nga ngërçi në Kuvendin e Kosovës është votimi i fshehtë, për të cilin, sipas tij, opozita padrejtësisht dhe duke dëmtuar shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin.

    Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të mbahet nesër në orën 11:00, ku për herë të 22-të do të tentohet konstituimi i kuvendit. /kp

  • ​FSK me afër 1 mijë trupa në ushtrimin më të madh ndërkombëtar

    ​FSK me afër 1 mijë trupa në ushtrimin më të madh ndërkombëtar

    Kosova për herë të tretë që nga 2021, është nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë – “Defender Europe 2025” [Mbrojtësi i Evropës 2025]. Në këtë ushtrim i cili është më i madhi ushtarak shumëkombësh që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, Kosova përveçse si mikpritëse do të marrë pjesë edhe me afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

    Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025”, tregon besimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndaj Republikës së Kosovës.

    Maqedonci për KosovaPress tha se ushtrimi “Defender Europe 2025”, këtë vit është edhe më i rëndësishëm, pasi për herë të parë në aeroportin e Gjakovës është vendosur komanda taktike e divizionit të tetë të kombësotisë, nga e cila komandë do të komandohen të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit.

    “Ushtrimi Defender Europe 2025 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, jo vetëm për faktin se vendi ynë do të jetë vend pjesëmarrës me trupat ushtarake të FSK-së në këtë ushtrim, jo vetëm për faktin që ne do të jemi mes 18 vendeve nikoqire të këtij ushtrimi, por edhe për faktin se këtë herë për herë të parë ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë ka besuar në shtetin e Kosovës, në institucionet tona, në ushtrinë e Kosovës që të vendos në Kosovë, në aeroportin e Gjakovës komandën taktike të divizionit të tetë të kombësotisë, komandë e cila do të komandojë me të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit… Ushtrimi Defender Europe 2025 është ushtrimi më i madh nga ushtria e SHBA-ve në kontinentin e Evropës këtë vit, marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende të NATO-s dhe vende partnere në tri zona të ushtrimeve”, tha ai.

    I pari i Mbrojtjes në vend, tha se në ushtrimin më të madh ushtarak “Defender Europe 2025”, po marrin pjesë afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Kosova me FSK do të marrë pjesë në këtë ushtrim afërsisht me një numër prej 1 mijë pjesëtarësh të cilët përveç në Kosovë – që do të jetë numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së që do të ndjekin pjesën e ushtrimit – do të dislokohen dhe tashmë është dislokuar edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. E gjitha tregon për besimin që SHBA-të kanë në Republikën e Kosovës dhe në aftësinë e institucioneve tona për të mikpritur një ushtrim të përmasave të tilla”, tha ai.

    Maqedonci theksoi se për Kosovën dhe sidomos për sektorin e mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor.

    Ai shtoi se më 13 qershor në Pentagon, vetë ai do të nënshkruajë marrëveshjen kornizë të mbrojtjes e cila, siç tha ai, është e para e këtij niveli që nënshkruhet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Për ne SHBA janë partneri ynë kryesor strategjik, sidomos partneri kryesor strategjik me të cilin bashkëpunojmë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ne dihet që më 13 maj kemi nënshkruar një marrëveshje që quhet SISMOA dhe adreson çështjen e informacionit të klasifikuar dhe aspekte të teknologjisë. Kurse, më 13 qershor është planifikuar që të nënshkruhet në Pentagon nga unë dhe përfaqësuesit e Departamentit të Mbrojtjes marrëveshja kornizë e mbrojtjes, marrëveshja e parë e tillë që bëhet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Pavarësisht që shtetet edhe kur janë në stadin më të mirë të partneritetit mund të kenë mospajtime në çështje dhe aspekte të caktuara, ne me SHBA-të po zhvillojmë, thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin jashtëzakonisht shumë”, tha ai.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes për KosovaPress, thotë se mbajtja e këtij ushtrimi edhe në vendin tonë është mesazh politik se Kosova është vend stabil dhe i denjë i cili mund të kontribuojë për paqen në botë dhe rajon.

    “Përveç që është mesazh politik që SHBA, partnerët tanë, por edhe ne si Republikë japim për regjionin dhe botën që Kosova është një vend stabil, një vend i denjë për të mikpritur organizime të tilla, është edhe një mundësi që njësitet tona ushtarake të ndërveprojnë me njësitë e NATO-s dhe që përmes ndërveprueshmërisë ne zhvillojmë aftësinë se në rast se kërkohet që njësitë tona bashkë me njësitë e NATO-s të zbarkojnë diku për ndonjë mision paqeruajtës, të kemi përgatitjet e nevojshme. Kjo tregon edhe për besimin që, mes të tjerash, vendet e NATO-s kanë në profesionalizmin e ushtrisë sonë, në doktrinën që e përfaqësojmë brenda ushtrisë sonë, në sistemin tonë të planifikimit, por edhe në blerjet ushtarake që i kemi të gjitha sipas standardeve të NATO-s”, theksoi ai.

    Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ushtrimit “Defender Europe 2025” do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

    Ky ushtrim në Kosovë do të ndodhë nga 26 maj deri më 9 qershor./kp

  • Kosova ende e cenueshme nga korrupsioni

    Kosova ende e cenueshme nga korrupsioni

    Kosova mbetet ende e cenueshme nga korrupsioni, edhe pse prej më shumë se dy dekada ka marrë mbështetje të gjerë nga partnerët ndërkombëtarë për të forcuar sistemin e drejtësisë dhe për të rritur llogaridhënien publike.

    Kështu u tha në diskutimin e Lëvizjes FOL, derisa u publikua raporti “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë, ndikimi i ndryshimeve legjislative”.

    Në raport thuhet se përgjatë viteve 2020-2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur 263 aktakuza për rastet e korrupsionit, ndërsa prokuroritë themelore 1174 aktakuza për rastet e korrupsionit.

    Albert Avdiu, konsulent në FOL, teksa paraqiti raportin, tha se ndërhyrjet ligjore i kanë dhënë sistemit të drejtësisë një infrastrukturë më të saktë, por rezultatet në teren po ecin më ngadalë se dispozitat në letër.

  • ​Operacioni “Shigjeta” kujtohet si kryebeteja e UÇK-së

    ​Operacioni “Shigjeta” kujtohet si kryebeteja e UÇK-së

    Në 26 vjetorin e nisjes së operacionit “Shigjeta”, bashkëluftëtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia vizituan kompleksin memorial në Landovicë të Prizrenit, për të bërë homazhe dhe nderuar luftëtarët që ranë gjatë atij operacioni.

    Binak Gashi, një prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se operacioni “Shigjeta” është kryebeteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Kryebetejën e UÇK-së, projektin më të madh kombëtar që ka ndodhur në historinë e shqiptarëve është projekti i UÇK-së. Sot Shënojmë ditën e fillimit të operacionit “Shigjeta’ – kryebetejën e UÇK-së që ka filluar më 26 maj 1999 dhe ka zgjatur deri më 10 qershor 1999, ka qenë një ndër operacionet më të suksesshme të UÇK-së. Ka bashkëpunuar me forcat e NATO-s, forcat e NATO-s kanë qenë nga ajri, kurse pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë nga toka dhe bashkërisht e kemi kryer ashtu siç është më së miri. Humbjet tona kanë qenë shumë minimale, kurse nga ana e armikut kanë qenë shumë të mëdha”, tha ai.

    Gashi për KosovaPress tha se kjo betejë detyroi forcat serbe te nënshkruajnë marrëveshjen tekniko-ushtarake në Kumanovë.

    “Është beteja e fundit që ka detyruar forcat serbe ta nënshkruajnë marrëveshjen tekniko-ushtarake në Kumanovë… Atë kohë [e kujtojmë] pak me dhimbje, por është një kohë shumë krenare sepse ka kurorëzuar më lirinë e Kosovës…19 luftëtarë të UÇK-së kanë rënë, kurse nga armiku ka pasur 10 herë më tepër”, tha ai.

    Muhamer Ibrahimi ushtar i njësisë speciale TF0, sot mbante veshur uniformën solemne si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se sot me këtë veshje po ndihet “sikur ditën e parë kur veshi uniformën e UÇK-së”.

    Ibrahimi thotë se operacioni “Shigjeta” ishte grushti i fundit për largimin e forcave serbe nga Kosova.

    “Është veshja e veteranëve, është solemne dhe në këtë ditë edhe të dëshmorëve dhe të operacionit, ne kemi vendosur si shokë t’i veshim këto, emocionin e kemi pak a shumë të njëjtë sikurse kur e kemi vesh uniformën e UÇK-së herën e parë… Tash secilën ditë e shoh rëndësinë dhe madhështinë e atij operacioni dhe efektin që e ka pasur… E di që ka qenë një prej operacioneve që ia kemi dhënë grushtin e fundit ushtrisë serbe”, tha ai.

    Nga Tetova për të luftuar për lirinë e Kosovës kishte ardhur edhe Fexhri Asipi, i cili ishte pjesë e operacionit “Shigjeta”.

    “Kam qenë pjesë e operacionit ‘Shigjeta’ dhe nëse i dëgjon dikush lajmet apo programet serbe, operacioni ‘Shigjeta’ ka qenë helm për armikun. Operacioni ka qenë shtrirje e gjatë nga Prizreni deri në Gjakovë ka qenë pjesë e madhe ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me një distancë shumë të gjatë”, tha ai.

    Operacioni “Shigjeta” u zhvillua nga 26 maj deri më 10 qershor 1999.

    “Shigjeta” kishte tre drejtime taktike: Kosharja, Pashtriku dhe Koritniku. Ai shtrihej përgjatë vijës kufitare nga Kosharja në Korintik. /kp

  • ​Kurti thotë se Albulena Haxhiu s’është as në pyetje e as në pikëpyetje

    ​Kurti thotë se Albulena Haxhiu s’është as në pyetje e as në pikëpyetje

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se zgjidhja për të dalë nga ngërçi në Kuvendin e Kosovës është votimi i fshehtë, për të cilin, sipas tij, opozita padrejtësisht dhe duke dëmtuar shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin.

    Pasi që është pyetur disa herë radhazi, kryeministri Kurti sot pranoi të flasë për mediat, duke thënë se Albulena Haxhiu nuk është në pyetje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    “Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. E përgjigjja është votimi i fshehtë, për çfarë opozita padrejtësisht dhe me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundësoj kuorumin”, tha Kurti.