ATV

Author: ATVLive

  • Gjermania: Ushtarët tanë nuk do të dërgohen në këtë fazë të nxehtë të luftës

    Gjermania: Ushtarët tanë nuk do të dërgohen në këtë fazë të nxehtë të luftës

    Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka mbështetur kancelarin Olaf Scholz, i cili refuzoi dërgimin e ushtarëve gjermanë si pjesë e një force paqeruajtëse në Ukrainë.

    “Ushtarët nuk do të dërgohen në këtë fazë të nxehtë të luftës,” tha Annalena Baerbock në një intervistë për ZDF.

    Ajo ngjashëm me kancelarin Scholz pak ditë më parë, e karakterizoi diskutimin për dërgimin e ushtarëve si pjesë e një force paqeruajtëse në Ukrainë si “shumë të parakohshme”.

    “Është një diskutim tipik gjerman, duke folur për hapin e 48-të përpara se të hidhet i pari,” tha Baerbock.

    Por në të njëjtën kohë, ajo theksoi se sigurimi i një armëpushimi në Ukrainë është kryesisht detyrë e evropianëve.

    “Sigurimi i paqes është një detyrë evropiane. Vendimet nuk mund të merren pas shpinës së evropianëve,” tha Baerbock, duke aluduar në bisedimet e vazhdueshme midis Rusisë dhe SHBA-së për të ardhmen e Ukrainës.

    Ministrja e Jashtme gjerman reagoi për fillimin e negociatave në Arabinë Saudite pa përfaqësues nga Ukraina dhe vendet evropiane dhe tha se Gjermania nuk e pranon këtë qasje.

    “Evropa duhet të mbrojë me vetëdije dhe qartë interesat e saj. Ne nuk duhet të bëjmë një gabim të madh tani dhe t’i bëjmë një nder presidentit rus Putin duke u dhënë këtyre bisedimeve më shumë rëndësi se sa kanë,” përfundoi Baerbock.

  • ​Izraeli: Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes me Hamasin do të fillojnë këtë javë

    ​Izraeli: Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes me Hamasin do të fillojnë këtë javë

    Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar tha se negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza do të fillojë këtë javë.

    Sipas lajmit të “The Times of Israel”, ministri Saar tha se kanë kërkuar që Gaza të jetë një zonë plotësisht e çmilitarizuar, transmeton Anadolu.

    “Dje mbajtëm një takim të kabinetit të sigurisë. Vendosëm të fillojmë negociatat e fazës së dytë këtë javë”, deklaroi ministri i Jashtëm izraelit.

    Duke informuar se shtetet arabe kanë zhvilluar një alternativë kundër planit të presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur me forcë palestinezët në Gaza dhe për ta vënë rajonin nën kontrollin e SHBA-së, Saar tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka parë këtë plan me vlerë për t’u shqyrtuar.

    Saar thekson se nuk do të mbështesin një plan për të transferuar kontrollin e Gazës nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez.

    – Kabineti izraelit i Sigurisë u mblodh dje

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit në Gaza, faza e dytë e negociatave duhej të fillonte 16 ditë pas hyrjes në fuqi të fazës së parë (3 shkurt).

    Në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i cili akuzohet për sabotim të fazës së dytë të negociatave, u njoftua se kabineti do të mblidhet për të diskutuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit.

    Gjithashtu u raportua se ekipi negociator do të shkonte në Egjipt për të diskutuar mbi “zbatimin e fazës së parë” të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza dhe se ekipit do t’i jepej autoriteti për të negociuar fazën e dytë në varësi të rezultateve të mbledhjes së kabinetit.

    Mediat izraelite pretenduan se në mbledhjen e djeshme të Kabinetit të Sigurisë nuk u mor asnjë vendim në lidhje me fazën e dytë të negociatave për marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza.

  • ​Rubio: BE duhet të bashkohet në negociata për Ukrainën

    ​Rubio: BE duhet të bashkohet në negociata për Ukrainën

    Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se sanksionet kundër Rusisë janë të lidhura drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë dhe se “të gjitha palët” duhet të bëjnë disa lëshime për t’i dhënë fund konfliktit.

    “Ne nuk do të paracaktojmë se cilat do të jenë ato lëshime dhe sigurisht që nuk do t’i negociojmë sot ose në një konferencë shtypi,” u tha Rubio gazetarëve.

    Ai shtoi se sanksionet nuk janë vetëm një çështje e SHBA-së dhe se Bashkimi Evropian do të duhet të përfshihet në negociata, pasi gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

    “Qëllimi është t’i jepet fund këtij konflikti në një mënyrë që të jetë e drejtë, e qëndrueshme, e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira,” tha Rubio.

    “Si do të duket kjo? Kjo është pikërisht ajo që do të diskutohet në negociatat e ardhshme.”

  • Misioni i SHBA’së në NATO: Përpjekja e ushtarëve tanë për një mjedis të sigurt në Kosovë vazhdon

    Misioni i SHBA’së në NATO: Përpjekja e ushtarëve tanë për një mjedis të sigurt në Kosovë vazhdon

    Misioni i SHBA-së në NATO i ka kushtuar një shkrim përvjetorit të pavarësisë së Kosovës në faqen e tyre zytare në platformën “X”.

    Në këtë postim misioni amerikan në Aleancën Veri-Atlantike shkruar se kjo javë shënon 17 vjetorin e deklarimit të pavarësisë së Kosovës, një testament për qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e popullit të Kosovës.

    Në shkrim thuhet se puna e forcave amerikane dhe ushtrive tjera aleate për një Kosovë të sigurt vazhdon.

    “ Ne gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për ushtarët e SHBA dhe forcat aleate për punën e tyre të paçmuar përmes misionit të KFOR-it, një operacion për mbështetjen e paqes i nisur në vitin 1999. Përpjekjet e tyre vazhdojnë për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhë në postim.

  • ​Malisheva mposht Ferizajn

    ​Malisheva mposht Ferizajn

    Malisheva iu është rikthyer fitoreve duke e mposhtur Ferizajn me rezultat 3=2, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e 20-të të elitës së futbollit kosovar.

    Skuadra e Bekim Isufit pati një sfidë të vështirë në stadiumin “Liman Gegaj”, por mori tri pikë jetike duke e përforcuar kështu pozitën e tretë në renditjen tabelare, raporton KosovaPress.

    Për Malishevën golat i realizuan Dren Kryeziu, Drilon Hazrollaj dhe Lauren Xhylani, ndërsa dy golat e Ferizajt i shënuan Qlirim Avdulli dhe Erion Sadriu.

    Kështu Malisheva është e treta me 33 pikë, ndërsa Ferizaj mbettë në kuotën e 23 pikëve në vendin e tetë.

  • ​Ambasadori Rhode thotë se Serbia ndërhyri në zgjedhjet parlamentare në Kosovë

    ​Ambasadori Rhode thotë se Serbia ndërhyri në zgjedhjet parlamentare në Kosovë

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, ka përmendur se Serbia ka ndërhy në zgjedhjet në Kosovë.

    Rohde ka cituar kryevëzhguesen e Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Kosovë, Nathalie Loiseau.

    “Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç ka theksuar shefja e Misionit të Vëzhgimit në Kosovë, Nathalie Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet në Kosovë duke kërkuar vota për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave në Serbi, pa asnjë provë”, ka shkruar Rohde në rrjetin social Bluesky.

    Ndryshe në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt derisa ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave.

  • ​Rrëfimi i Morattit, si dështoi Interi në transferimin e Messit dhe Iniestas?

    ​Rrëfimi i Morattit, si dështoi Interi në transferimin e Messit dhe Iniestas?

    Ish-pronari i Interit Massimo Moratti pretendon se “Nerazzurrët” u përpoqën të nënshkruanin me Andres Iniestan nga Barcelona gjatë mandatit të tij, skautuan edhe Lionel Messin në Kupën e Botës U18 dhe se “Nerazzurrëve” iu ofrua një shans për të nënshkruar me legjendarin Francesco Totti nga Roma e tij e dashur.

    Ish-patroni i “Nerazzurrëve” dha një intervistë për “Corriere della Sera” , të publikuar të martën, në atë që është 30-vjetori i marrjes së klubit nga ana e tij.

    Moratti e filloi intervistën e tij me një vlerësim të shkurtër të humbjes së fundit 1-0 të Interit ndaj Juventusit në “Derby d’Italia”. Ai mendon se është bërë shumë presion mbi kapitenin, Lautaro Martinez, përcjellë KosovaPress.

    “Shumë shanse të humbura dhe shumë presion mbi Lautaro, shumë, është keq. Por dëgjoni, unë e dua Motta-n, si dhe të gjithë nga tripleta. Ata janë si fëmijë shtesë”, tha Moratti.

    Nënshkrimi i parë i madh i mbretërimit të Morattit ishte Javier Zanetti, i cili tani shërben si zëvendës-president i klubit. Moratti zbuloi se Interi u ul tek Zanetti ndërsa po përpiqej të kërkonte një tjetër lojtar në divizionin argjentinas.

    “Kam parë video të ligës argjentinase me fëmijët e mi. Ne filluam të ndiqnim (Ariel) Ortega. Por duke e parë atë, pashë një nga lojërat ku luajti ky djalë Zanetti. E dërgova Suarezin në Argjentinë për ta parë nga afër”, shpjegoi ish-pronari.

    “Një natë, natën në Milano – ishte ditë atje, Suarez më telefonoi për të më pyetur nëse duhet të vazhdojmë me blerjen. I thashë të bënte durim. Vrapova për të zgjuar fëmijët, më duhej të shikoja videokasetat e Zanettit për herë të fundit. I dhashë dritën jeshile.”

    I pyetur nëse kishte ndonjë lojtar që Interi kishte tentuar ta merrte, të cilët i vjen keq që i humbi, Moratti u përgjigj: “Iniesta. Ishim në një fazë ku kishim tërheqje të madhe dhe fuqi ekonomike. Nuk po them se mund të kishim blerë dikë, por pothuajse. Epo, ne u përpoqëm me Barcelonën, u përpoqëm në çdo mënyrë me qasje diplomatike në fronte të shumta, me ndërmjetës, duke shkuar personalisht, duke u përpjekur të fillonim negociatat që do të ishin në favorin tonë. Nuk kishte asnjë mënyrë. Ata do të kishin shitur këdo përveç Iniestës. Mund të kishim bërë një ofertë të çmendur, por prapë do të ktheheshim vetëm në Milano”, ka thënë Moratti.

    Ai gjithashtu shpjegoi se si erdhi nënshkrimi i Ronaldos në vitin 1997.

    “Si një djalosh i mirë brazilian, atij i pëlqente ta ndiqnin, ai ishte i kënaqur. Nuk bëmë gjë tjetër veçse flisnim në telefon, një mijë herë çdo ditë. Fillimisht ai tha ‘po, do të nënshkruaj’ dhe më pas ‘jo, duhet të mendoj për këtë, pastaj ‘po, do të nënshkruaj’, ‘jo, nuk do të firmos’ e kështu me radhë”, shpjegon Moratti.

    Më pas ai zbuloi se Interi kishte parë mundësinë e nënshkrimit me Messin adoleshent, por pranoi se “Nerazzurrët” nuk mund t’i ofronin atij njësoj si Barcelona.

    “Ne e ndoqëm atë në Kupën e Botës U18. Ne ishim gati ta blinim atë, por kur dëgjova se çfarë po bënte Barcelona për problemet e tij shëndetësore, e lashë të ikte, betohem”.

  • Erdogan takohet me Zelenskin

    Erdogan takohet me Zelenskin

    Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, është takuar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Erdogan e priti homologun Zelensky në hyrje të Kompleksit Presidencial, në Ankara, raporton Anadolu.

    Më pas të dy liderët u fotografuan pranë flamujve të Turqisë dhe Ukrainës.

    Në takimin të mbyllur për media, morën pjesë gjithashtu kryediplomati turk, Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yashar Gyler, kreu i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun dhe kryekëshilltari i presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çagatay Kiliç.

    Pas takimit dypalësh midis Erdogan dhe Zelensky, palët do të kalojnë në darkën e punës midis delegacioneve, si dhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe konferencën e përbashkët për media.

  • Përfundon takimi SHBA-Rusi në Riad, Moska e konsideron konstruktiv

    Përfundon takimi SHBA-Rusi në Riad, Moska e konsideron konstruktiv

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka bërë të ditur se takimi i delegacionit amerikan me atë rus në Riad të Arabisë Saudite, ka përfunduar pas mbi katër orësh.
    Një zëdhënës i DASH-it ka thënë se palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët gjeopolitik, për mundësi ekonomike dhe mundësi për investime, që dalin nga dhënia fund e luftës së Moskës në Ukrainë.

    Yuri Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.

    Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

    Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.

    Sipas tij, dy palët do t’i formojnë ekipet e tyre negociatore për të pasur kontakt në kohën e duhur.

    Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.

    Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, kur Ukraina të mos jetë prezente në tavolinën e negociatave.

    Zelensky aktualisht është në një vizitë në Lindje të Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë.

    Kremlini: Putin do të bisedojë me Zelenskyn, ‘nëse është e nevojshme’
    Teksa vazhdonin bisedimet, Kremlini ka thënë se presidenti Putin është i përgatitur për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.

    “Vetë Putin ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Zelenskyn, nëse është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.

    “Megjithatë, duhet diskutuar bazën ligjore të marrëveshjeve, duke marrë parasysh që legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai.

    Zelensky është zgjedhur president më 2019 për një mandat pesëvjeçar.

    Sipas ligjit, atij është dashur t’i skadojë mandati në maj të vitit 2024, mirëpo zyrtarët ukrainas kanë thënë se vazhdimi i luftës dhe shpallja e gjendjes së luftës e bëjnë të pamundshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Ligji i Ukrainës për gjendjen e luftës ndalon mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale.
    Peskov ka thënë se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa nuk përbën kërcënim për sigurinë.

    “Kjo është e drejtë sovrane e secilit shtet. Po flasim për integrim dhe procese ekonomike, dhe në këtë pikë, natyrisht, askush nuk mund të diktojë diçka për një shtet tjetër. Nuk do ta bëjmë këtë”.

    “Por, qëndrimi ynë në çështjet e sigurisë, aleancat ushtarake, është krejt tjetër. Ajo është temë tjetër dhe të gjithë e dinë këtë”.
    Takimi i 18 shkurtit në Riad është zhvilluar pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.

    “Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.
    Bisedimet mes dy vendeve janë të parat të nivelit të lartë në vjetët e fundit, dhe kishin për synim hapjen e rrugës për një samit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

    Në delegacionin amerikan nuk është përfshirë gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një zgjidhje për luftën.

    Zelensky ka thënë se Kellogg do të arrijë në Kiev më 20 shkurt për “bisedime të gjata për garanci të sigurisë”.

    Ndërkohë që liderët evropianë janë takuar në Paris në një samit urgjent për Ukrainën dhe çështje të mbrojtjes, Lavrov ka thënë se nuk sheh arsye që evropianët të përfshihen në diskutime.

    “Asgjë e madhe nuk do të arrihet derisa të mos jenë Trumpi dhe Putini në dhomën e njëjtë”, ka thënë Andrew D’Anieri, hulumtues i lartë për Këshillin Atlantik, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Kjo do të thotë se ka ende kohë dhe shumë mundësi që evropianët dhe ukrainasit të formësojnë idetë e administratës Trump”.
    Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë shumë shpejt, ndërsa tani administrata e tij synon të përmbushë këtë zotim në 100 ditët e para prej marrjes së detyrës.

    Bisedimet në Arabinë Saudite zhvillohen pas një morie deklaratash që janë bërë prej tij dhe zyrtarëve amerikanë në ditët e fundit, lidhur me luftën në Ukrainë.

    Në udhëtimin e tij të parë zyrtar në Evropë, prej marrjes së pozitës, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë më 12 shkurt në Bruksel se Uashingtoni nuk e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO, në kuadër të marrëveshjes për paqe, dhe është joreale që Kievi t’iu rikthehet kufijve që ka pasur më 2014, para se Rusia të pushtonte Gadishullin e Krimesë dhe lindjen e Ukrainës.

    Hegseth ka thënë po ashtu se trupat ushtarake evropiane duhet të jenë forca kryesore për të garantuar sigurinë pas përfundimit të luftës në Ukrainë, dhe që trupat ushtarake amerikane nuk do të përfshihen.
    Ditën e njëjtë, Putin dhe Trump kanë zhvilluar bisedë telefonike, të cilën presidenti amerikan e ka përshkruar si sinjal për dhënie fund të izolimit diplomatik të Rusisë, meqë dy liderët është thënë të kenë diskutuar për “bashkëpunim ekonomik” dhe Trump ka bërë thirrje për kthimin e Moskës në grupin e shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7).

    Rusia është përjashtuar nga ky grup pasi e ka aneksuar Krimenë më 2014.
    Fillimisht Putini pati synuar kapjen e Kievit dhe instalimin e një qeverie të afërt me Moskën.

    Meqë ky plan i ka dështuar, Kremlini ka qenë i ashpër tentimet për të pushtuar sa më shumë territor ukrainas që mundet dhe për t’ia dobësuar Ukrainës kapacitetet ushtarake.

    Përgjatë thirrjes telefonike, Putin i ka thënë Trumpit se dëshiron t’i zgjidhë “arsyet e konfliktit”, duke dhënë sinjale se Rusia ka hequr dorë prej idesë që t’ia pamundësojë Ukrainës idetë e integrimit me Perëndimin.

    “Nëse do të isha unë Putini, unë do të përpiqesha të shfrytëzoja gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të kuptuar nëse mund t’iu afrohem sa më shumë pozicioneve të mia maksimale, që i kam pasur qysh prej nisjes së luftës”, ka thënë John Hardie, ekspert për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracive, institut me seli në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Gould-Davies, ish-diplomat britanik, ka thënë se Kremlini mund të shtyjë përpara kërkesa të ngjashme me ato të vitit 2021, para se të niste luftën në shkallë të plotë.

    Atëbotë, Lavrovi pati kërkuar në bisedimet me palën amerikane që Ukrainës t’i pamundësohet anëtarësimi në NATO, si dhe zhvendosjen e armëve dhe ushtarëve në pozicionet që kanë qenë më 1997, para zgjerimit të aleancës ushtarake në lindje.

    “Putini ka qenë i qartë që nuk është i interesuar në armëpushim, ai dëshiron vetëm dhënie fund të luftës”, ka thënë Gould-Davies.

    “Kjo do të thotë një lloj zgjidhjeje për gjërat themelore dhe krijimin e një rendi të ri rajonal që mund të jetë më i favorshëm për Rusinë”.

  • Pse u rrëzua aeroplani në Toronto dhe si mbijetuan të gjithë?

    Pse u rrëzua aeroplani në Toronto dhe si mbijetuan të gjithë?

    Nuk është raportuar asnjë vdekje pasi një aeroplan që u ul në Toronto nga SHBA-ja rrëshqiti përgjatë pistës dhe u përmbys, me flakë të dukshme për një kohë të shkurtër.

    Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi incidentin, me analistët që sugjerojnë se moti mund të ketë luajtur një rol, ose se avioni goditi diçka.

    Një hetim është duke u zhvilluar.

    Çfarë ndodhi kur avioni u rrëzua?

    Incidenti ndodhi pak para orës 15:00 me orën lokale të së hënës

    Ai përfshinte një aeroplan model CRJ-900, që funksiononte si fluturim i Delta Air Lines DL4819.

    Avioni mbërriti në Toronto nga qyteti amerikan i Minneapolisit dhe mbante 76 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, raporton BBC.

    Ndërsa u ul, avioni duket se ka goditur pistën, ka rrëshqitur për një farë distance dhe më pas është kthyer përmbys, vëzhgoi Dan Ronan, një gazetar dhe pilot i licencuar nga Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA), i cili foli për BBC Neës.

    Pamjet e marra nga TMZ treguan se një pjesë e avionit shpërtheu në flakë ndërsa ndodhi ulja. Zjarrfikësit nxituan për t’i shuar këto.

    Pasagjeri Pete Carlson i tha transmetuesit CBC se ishte “një ngjarje shumë e fortë”, duke kujtuar tingujt e “betonit dhe metalit” në momentin e përplasjes.

    Ai dhe të tjerët në bord u pezulluan me kokë poshtë në vendet e tyre dhe iu desh të lëshoheshin në tavanin e kabinës përpara se të largoheshin nga avioni i përmbysur.

    Të 80 personat në bord mbijetuan. Ishin 18 të lënduar, prej të cilëve vetëm një numër i vogël mendohet të jetë rëndë.

    Delta ka premtuar të japë më shumë përditësime.