ATV

Author: ATVLive

  • BILD: Trump ka përjashtuar tërheqjen e trupave, por në Evropë ka frikë se mund të ndodhë, Bild përmend Kosovën

    BILD: Trump ka përjashtuar tërheqjen e trupave, por në Evropë ka frikë se mund të ndodhë, Bild përmend Kosovën

    Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, ka raportuar se Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.

    Këto informacione “Bild” i jep duke u mbështetur në informacionet që ka.

    “Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në këtë artikull.

    Në artikull thuhet se ka shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse.

    “Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës”.

    Për të mbështetur burimet e saj, ‘Bild’ citon edhe një zyrtar të sigurisë në Evropën Lindore.

    “Sipas të dhënave tona, kjo ka të bëjë me kërkesat e Putinit të vitit 2021, që janë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që janë bërë pjesë e aleancës pas vitit 1990.”, citon gazeta zyrtarin e sigurisë.

  • Kryeministri i Malit të Zi uron Kurtin për Pavarësinë e Kosovës

    Kryeministri i Malit të Zi uron Kurtin për Pavarësinë e Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letë urimi nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    “Më vjen mirë që mund të them se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë. Besoj se në periudhën në vijim duhet të merren parasysh modalitetet për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për lidhjen infrastrukturore dhe forcimin e aktivitetit ekonomik”, thuhet në urimin e kryeministrit Spajić.

    Ai gjithashtu është shprehur i bindur në përmbushjen e pritjeve të partnerëve evropianë, për të arritur qëllimin tonë strategjik – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, i cili ndër të tjera, do të krijojë perspektivë për prosperitet ekonomik.

  • OVL-UÇK kërkon nga Specialja raport për gjendjen shëndetësore të Thaçit

    OVL-UÇK kërkon nga Specialja raport për gjendjen shëndetësore të Thaçit

    Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur shqetësimin për gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Në reagim thuhet se janë të indinjuar me heshtjen e institucioneve të Kosovës, të cilët sipas tyre nuk po reagojnë ndaj padrejtësive të Gjykatës Speciale dhe po ashtu që nuk po e mbajnë opinionin publik të infomurar për gjendjen shëndetësore të tyre.

    “Kërkojmë nga Gjykata Speciale që të japë një raport të qartë dhe zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtarëve tanë që po mbahen padrejtësisht në paraburgim që mbi katër vite”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

  • Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Në mesazhin e tij, Presidenti Milanović ka shprehur urimet e përzemërta për Presidenten Osmani dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke dëshiruar progres dhe mirëqenie për vendin tonë.

    Ai ka vënë në pah marrëdhëniet tradicionale miqësore dhe të ngushta mes dy shteteve dhe ka theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, për të mirën e dy popujve.

    Presidenti kroat ka nënvizuar gjithashtu rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Kroacisë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore. Ai ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Kroacisë për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe formatet rajonale të bashkëpunimit, duke përfshirë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe NATO.

  • Reali e kërkon konfirmimin sonte, Man City e synon përmbysjen e madhe

    Reali e kërkon konfirmimin sonte, Man City e synon përmbysjen e madhe

    Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me katër ndeshje të tjera të fazës së “play-off”-it.

    Pa dyshim, dueli kryesor i natës, por edhe i kësaj faze në përgjithësi do të jetë ai mes Real Madridit dhe Manchester Cityt.

    “Los Blancos” e fituan duelin e parë në Angli me rezultat 3:2 javën e kaluar, shkruan “Gazeta Express”.

    E tash, kampionët spanjollë, evropianë e botërorë do ta kërkojnë konfirmimin para publikut të tyre në “Santiago Bernabeu”.

    Trajneri Carlo Ancelotti i ka motivuar lojtarët e tij, duke kërkuar nga ta që të luajnë si në “Etihad Stadium”.

    Por, ka kërkuar nga ta që të jenë të kujdesshëm pasi kampionëve të Anglisë nuk iu dihet kurrë.

    Përkundër formës së zbehtë të shfaqur në këtë sezon, trupa e Pep Guardiolës mund të shfaqet gjithmonë e rrezikshme.

    Erling Haaland me shokë do ta kërkojnë sonte përmbysjen e madhe dhe njëherësh kualifikimin në të tetën e finales së Championsit.

    Një tjetër sfidë interesante sonte do të jetë ajo mes PSV Eindhovenit me Juventusin.

    “Zonja e Vjetër” e fitoi përballjen e parë në Itali javën e kaluar, ndërsa drejt Holandës është nisur për ta ruajtur këtë avantazh.

    Kurse, PSV-ja para publikut të zjarrtë e kërkon sonte përmbysjen e madhe.

    Favorit absolut për të shkuar tutje është edhe Paris Saint-Germaini, i cili e mundi Brestin në lojën e parë me rezultat 3:0.

    Dhe, kampionët sonte duan ta kryejnë formalitetin dhe të ecin tutje në këtë garë.

    Nga ana tjetër, vetëm ndonjë mrekulli e madhe mund t’ia shmangte Brestit eliminimin.

    Edhe Borussia Dortmundi e sheh veten me një këmbë në të tetën e finales pasi kishte fituar javën e kaluar ndaj Sportingut në Lisbonë me rezultat 3:0.

    Gjermanët sonte do të tentojnë ta ruajnë këtë kapital të madh për të përfunduar në mesin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve.

    Tri prej katër ndeshjeve të sontme do të nisin prej orës 21:00.

  • Krasniqi takon diplomaten amerikane Prattipati: SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik

    Krasniqi takon diplomaten amerikane Prattipati: SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.

    “Në vazhdën e takimeve me misionet diplomatike në Kosovë, sot pata kënaqësinë të pres në selinë e PDK-së të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati. Një diskutim i hapur dhe pozitiv mbi zgjedhjet e 9 shkurtit, respektimin e vullnetit qytetar dhe përmbylljen e procesit në mënyrë demokratike – ashtu siç e meriton Kosova”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai ka thënë se PDK beson se vendi ka nevojë sa më shpejt për një qeveri të re, stabile dhe të përgjegjshme.

    “Pavarësisht rrethanave politike, angazhimi ynë për të mirën e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit mbetet i palëkundur. SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik. E falënderova zonjën Prattipati për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në çdo hap të rrugëtimit të saj”, ka thënë Krasniqi.

  • Seanca përfundimtare në gjyqin ndaj Dodikut

    Seanca përfundimtare në gjyqin ndaj Dodikut

    Në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës të mërkurën, më 19 shkurt, mbahet seanca përfundimtare në gjyqin ndaj Millorad Dodikut, presidentit të entitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Sërpska (RS).

    Së bashku me Dodikun, në të njëjtën çështje po gjykohet edhe Millosh Llukiq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të atij entiteti. Ata akuzohen për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në pesë vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike.

    Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat parashikojnë se vendimet e përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do të zbatohen në atë entitet.

    Përpara ndërtesës së Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës vërehet një prani e shtuar e forcave policore të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës. Aty janë mbledhur edhe përkrahësit e Dodikut.

    Derisa po pritet përfundimi i një gjyqi njëvjeçar, presionet ndaj Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës po rriten.

    Nga njëra anë, udhëheqësia e RS-së kërcënon me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës nëse Dodiku dënohet.

    Presion ushtrojnë edhe përfaqësuesit e autoriteteve të Serbisë fqinje, si dhe të Hungarisë.

    Kështu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Budapest më 17 shkurt se shpreson që “në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.

    Dy ditë para seancës së fundit, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, bashkë me të gjithë udhëheqësinë e RS-së, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Çfarë çoi në këtë gjyq?

    Në seancat e Asamblesë së RS-së në qershor të vitit 2023 u miratuan ligje jokushtetuese që parashikonin se aktet ligjore të përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat sipas Kushtetutës së këtij shteti janë përfundimtare dhe detyruese, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.

    Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy ligje entiteti më 1 korrik 2023 përmes kompetencave të tij të Bonit dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë vepër penale moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.

    Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet, me të cilat i shpalli këto ligje të vlefshme, dhe ato u botuan në Gazetën Zyrtare të RS-së. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator./REL/

  • Arrestohet francezi në Merdarë, dyshohet për dokumente false

    Arrestohet francezi në Merdarë, dyshohet për dokumente false

    Në pikëkalimin kufitar në Merdarë, policia ka ndaluar një automjet me targa vendore drejtuar nga i dyshuari mashkull francez, i cili ka prezantuar letërnjoftimin dhe patente shoferin e lëshuar nga autoritetet franceze që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

  • Miliarda dollarë nga USAID-i për projekte në Ballkan, sa përfitoi Kosova dhe vendet tjera të rajonit

    Miliarda dollarë nga USAID-i për projekte në Ballkan, sa përfitoi Kosova dhe vendet tjera të rajonit

    Administrata e Donald Trump planifikon të shpërbëjë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose ta bashkojë atë me Departamentin e Shtetit.

    Është një lëvizje që shumë thonë se do të zvogëlojë ndikimin amerikan në botë, ndërsa vlerësohet nga Rusia dhe Kina.

    Qindra punonjës me kontratë që punojnë për agjencinë janë vendosur në pushim pa pagesë dhe disa janë pushuar nga puna, pasi Presidenti Donald Trump vendosi një ngrirje të plotë të ndihmës së huaj amerikane në mbarë botën.

    Në vitin 2023, agjencia shpërndau 44 miliardë dollarë për programet e ndihmës amerikane në 160 vende të botës.

    Në atë vit, Ukraina mori shumë para – më shumë se 16 miliardë dollarë, shumica e të cilave ishin për mbështetje makroekonomike (14.4 miliardë dollarë).

    Kjo pasohet nga Etiopia (1.6 miliardë), Jordania (1.2 miliardë) dhe Afganistani (1 miliardë).

    Të dhënat më të fundit të plota janë të disponueshme për vitin 2023, ndërsa janë të paplota për vitin 2024.

    Paratë e USAID-it në Ballkan

    Sa i përket vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, gjatë 24 viteve të fundit, USAID ka disbursuar pothuajse 3.7 miliardë dollarë amerikanë për projektet e asistencës së SHBA-së.

    Shumica e parave të USAID-it shkuan në Serbi – pak më shumë se një miliard dollarë amerikanë, siç raporton Al Jazeera Balkans.

    Një total prej 938 milionë dollarësh janë ndarë për projektet e USAID-it në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë 24 viteve të fundit.

    613 milionë dollarë shkuan për Maqedoninë e Veriut dhe 583 milionë dollarë për Kosovën.

    Agjencia amerikane ka investuar 225 milionë dollarë amerikanë në Kroaci, dhe 527 mijë dollarë në Slloveni – gjatë 24 viteve të fundit.

    Vlen të përmendet se në fillim të viteve 2000, alokimet e USAID-it për programet e ndihmës amerikane në vendet e rajonit ishin dukshëm më të larta. Në Bosnje dhe Hercegovinë, më së shumti fonde të USAID-it u disbursuan në vitin 2002 (më shumë se 74 milionë dollarë), në Serbi në 2004 – më shumë se 91 milionë dollarë dhe në Maqedoninë e Veriut në 2003 – 62.6 milionë dollarë.

    Sa i përket Kosovës, në bazën e të dhënave të ndihmës së huaj amerikane thuhet se në vitin 2001, USAID financoi projekte me vlerë 47.7 milionë dollarë amerikanë. Më pas pasuan disa në të cilat nuk kishte asnjë investim të USAID-it dhe në vitin 2012 u ndanë 75.4 milionë dollarë – një shumë rekord në 24 vitet e fundit.

    Paratë e USAID-it kanë ardhur në Mal të Zi në vëllime dukshëm më të vogla gjatë 20 viteve të fundit dhe e njëjta gjë vlen edhe për Kroacinë, e cila nuk ka pasur asnjë projekt të financuar nga kjo agjenci që nga viti 2018.

    Vetëm gjysmë milioni dollarë kanë mbërritur në Slloveni për projektet e USAID-it në 24 vjet – më së shumti në vitin 2019 – 300,000 dollarë.

  • Gjyqi për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, çka deklaruan të akuzuarit

    Gjyqi për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, çka deklaruan të akuzuarit

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vazhduar seanca për vrasjen e e Bedri Rexhepit në vitin 2021, në të cilën akuzohen Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, raporton Ekonomia Online.

    Kjo seancë javë më parë ishte ndërprerë për shkak se i akuzuari Jeton Vllasaliu, tha se është pisiqikisht i ngarkuar.

    Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues vendosi që ta largojë nga seanca të akuzuarin tjetër, Nexhat Vllasaliu, kurse seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë nga i akuzuari Jeton Vllasaliu. Ky i fundit tregoi për momentin tragjik.

    “Shiko se çfarë po bën me të ndjerin Bedriun se këtu e këndej ke ti punë me të dhe unë jam ofruar dhe e kam parë në tokë, jam munduar t’i jap ndihmën e parë aq sa kam ditë e aq sa kam mundur, por e kam parë që është e kot. Dhe atë ditë, kam qenë i stresuar dhe i ngarkuar, nuk kam ditur se çfarë të bëj me të dhe kam vendosur që ta varrosi vet dhe atë e kam bërë”, tha Vllasaliu.

    “Ata kanë qenë të maskuar, kam parë veç një veturë dhe tjetër gjë nuk kam bërë”, vazhdoi ai.

    Në pyetjen e avokatit se si e ka bërë bartjen e kufomës, i akuzuari u përgjigj se atë e ka bërë me veturë të viktimës. “Unë pasi që u mundova t’i jap ndihmën e parë dhe pasi që e pash se nuk ka efekt dhe ndoshta nga dhënia e ndihmës së parë kam mundur ta lëndoj, e kam hapur deren e veturës e kam vendosur në karrige dhe kam vazhduar”, tha ai, teksa u pyet se ku vazhdoi tutje.

    “Unë e mora rrugën me veturë të të ndjerit dhe shkova për në fshatin tim ku e mora një kazmë dhe e mbështjella trupin e të ndjerit dhe me atë veturë e dërgova në vendin ku siç mu duk i sigurt për ta varrosur të ndjerin. Më pastaj vazhdova për në Prishtinë”, tha ai.

    Pas kësaj dëshmie, i akuzuari shprehu ngushëllime familjarëve, ndërsa tash e tutje do të mbrohet në heshtje. Seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë nga i akuzuari tjetër, Nexhat Vllasaliu. “Unë punoj ndërtimtari që nga fëmijëria, gjendja familjare është e mirë. Jetoj me fëmijët e mi dhe gruan. Kam trashëguar pasuri nga babai dhe kam blerë edhe vet, u kam blerë edhe vëllëzërve truall. Kam qenë pjesë e luftës, pastaj kam filluar ndërtim deri në vitin 2012 e deri në vitin 2018 rrallë kam ardhur në shtëpi se nuk kam pasur kohë shumë”, tha ai.

    Cili është raporti me vëllaun tënd Jetonin?. Ishte pyetja e avokatit të tij. “Raporte të mira i kem pasur, Jetoni ka punuar ndërtim, i ka punët e veta. Kur iu kanë dashur mjetet e mia, ia kam huazuar”.

    Tutje, avokati e pyeti për dyshimet dhe arsyen e arrestimit. “Më kanë arrestuar nuk di edhe me tregu detaje. Më akuzojnë për vrasjen e të ndjerit, që kurrë nuk kam dëgjuar kurrë për të dhe betohem në kokë të fëmijëve. Atë ditë që e kam lutur prokurorin që të mos e arrestojë gruan time se ka me hy në operim por që ka vazhduar”, tha ai.

    Pas zhdukjes së të ndjerit, avokati i tij pyeti nëse është angazhuar për gjetjen e tij.

    “Unë shok të tij nuk kam njohur dhe kur kam shkuar te Jetoni e kam pyetur nëse e njeh dhe nëse di diçka për të, por mu përgjigj se nuk di asgjë. Pas pak ditësh më ka thirr hoxhë Mulla Osmani dhe u takuam dhe më thotë se nëse je në gjendje për të biseduar me familjen Rexhepi dhe kam thënë se jam në gjendje me kontribu ditë e natë për gjetjen e të ndjerit. Kemi biseduar dhe kam shpreh keqardhje sepse nuk e kam njohur të ndjerin dhe u kam thënë se unë nuk kam lidhje me këtë punë dhe nëse vërtetohet kjo gjë, u kam një gjak borxh”, u shpreh ai, teksa rrëfen se as sot nuk e di të vërtetën.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Pas përfundimit të pyetjeve të avokatit, radha ishte e prokurorit Armend Hamiti. Ky i fundit pyeti përse nuk kishte treguar për të marrë Jetonin. “Ju deklaruat se gjendjen financiare e keni të mirë dhe keni blerë troje tjera dhe u ke blerë edhe vëllezërve”, pyeti prokurori, teksa përgjigja e tij ishte po.

    “Nga deklaratat që i keni dhënë si dëshmitar dhe arrestimi më 18 gusht si i pandehur dhe pse nuk ke treguar në Prokurori që kanë shkuar me marr Jetonin në Graçanicë pasi që ke deklaruar se keni qenë të interesuar siç e thatë se keni dashur të zbardhët ky rast”, pyeti prokurori, teksa përgjigja e tij ishte se nuk e kishte ditur nëse do t’i interesonte dikujt.