ATV

Author: ATVLive

  • ​Baerbock: Bisedimet SHBA-Rusi ‘mund të jenë të dobishme’

    ​Baerbock: Bisedimet SHBA-Rusi ‘mund të jenë të dobishme’

    Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock përsëriti se Evropa duhet të përfshihet në bisedimet e paqes në Ukrainë, por gjithashtu theksoi se bisedimet midis SHBA dhe Rusisë “mund të bëhen të dobishme” për përparimin e ardhshëm.

    Baerbock theksoi se “vetëm Evropa mund të arrijë paqen në Evropë”, por shtoi se fillimi i negociatave mund të jetë i dobishëm.

    “Fakti që amerikanët po negociojnë me Rusinë, dhe gjithashtu për ta bërë përsëri plotësisht funksionale ambasadën e tyre ruse, mund të jetë i dobishëm për negociatat e ardhshme”, tha Baerbock, njofton Ministria e Jashtme gjermane.

    Kujtojmë, delegacionet nga Uashingtoni dhe Moska u takuan dje në Arabinë Saudite, por nuk u ftua pala ukrainase dhe as përfaqësues të vendeve evropiane.

  • ​Abdixhiku merr besimin e vetëm 58 për qind të votuesve të LDK-së

    ​Abdixhiku merr besimin e vetëm 58 për qind të votuesve të LDK-së

    Nga rezultatet preliminare të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 147 mijë 827 ose 17.67 për qind të votave nga zgjedhjet parlamentare të mbajtuara më 9 shkurt.

    Ndërsa, kandidati për kryeministër nga LDK Lumir Abdixhiku, ka marrë brenda listës në partinë e tij 87 mijë e 51 vota nga ato që janë numëruar deri më tani sipas raportimeve në media.

    Krahas këtyre votave të numëruara deri tani që ka marrë LDK më 9 shkurt, del se 58 për qind të tyre i ka fituar Abdixhiku nga votat e përgjithshme në LDK, raporton KosovaPress.

    Në zgjedhjet 2021, LDK ka pasur 110 mijë e 985 vota, apo 12.7 për qind.

    Deri më tani nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.

    Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

    Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

  • Vendosja e pajisjeve GPS, vjen reagimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

    Vendosja e pajisjeve GPS, vjen reagimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të sqarimit të opinionit publik, njofton se i demanton deklarimet e gazetarit Lirim Mehmetaj se prokuroria ka konfirmuar ndonjë lajm sa i përket vendosjes së pajisjeve të GPS në veturën e gazetarit V.K., deklarimet e tilla nuk janë në interes të askujt, e aq më pak të drejtësisë. Për çdo komunikim dhe lajm nga prokuroria do të njoftohet publiku, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën, pra përmes kanaleve zyrtare.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se prokurori i shtetit do të vazhdoj në luftimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre dhe për këtë opinioni publik do të mbahet i informuar, deklarimet e tilla mund të dëmtojnë integritetin e hetimeve dhe nuk i shërbejnë zbardhjes dhe hetimit të veprave penale.

  • ​Tromp: Serbia do të sillet ndryshe kur Kosova do ta padisë për gjenocid

    ​Tromp: Serbia do të sillet ndryshe kur Kosova do ta padisë për gjenocid

    Pas padisë për gjenocid, Serbia do të sillet ndryshe në arenën politike, ka thënë hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp.

    Ani pse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ajo tha se mund të padisë Serbisë nëpërmjet një vendi tjetër.

    Kështu u shpreh ajo në konferencën ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

    Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve.

    Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i kanë humbur rastet për gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati konstatuar se Serbia është përgjegjëse për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të gjenocidit në Srebrenicë, por jo edhe për kryerje të gjenocidit, për çka Bosnja kishte ngritur padi.

    Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, tha se nga këto dy raste Kosova duhet të mësojë dhe se është e rëndësishme që të paditet Serbia për gjenocid.

    “Kosova është shtet edhe pse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mundet [të bëjë padi] nëpërmjet shtetit anëtar të Kombeve të Bashkuara të paraqesë padinë kundër Serbisë për gjenocid, jo pse e dini që do të fitoni por që qeveria juaj apo ndonjë qeveri më vonë do të duhej ta bëjë këtë për ta përfunduar këtë. Sepse është një rast shumë i mirë, jo për të fituar edhe një herë sepse do të mbetet aq konservative sa ka qenë kjo gjykata ndërkombëtare, por për të treguar që do t’i çoni përpara dhe Serbia do të sillet krejt ndryshe në arenën politike dhe në Procesin e Berlinit, apo procesit kundër Kosovës, sepse do të jetë shumë në siklet për atë që do të ndodhë dhe pa këtë lloj kontrollimi të Serbisë, Serbia sillet pikërisht si çdo shtet tjetër, sepse pavarësisht prej kapitullimit dhe tërheqjes ushtarake nga Kosova s’ka pasur kurrfarë mekanizmash që po e ndalojnë Serbinë për t’u trajtuar si shtetet tjera. Madje, edhe nuk po negocion për statusin e Kosovës, por shpesh po mundohet ta kontrollojë procesin”, deklaroi ajo.

    Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi tha se arkivat e gjykimeve janë dëshmi të vlefshme për shkrimin e historisë.

    “Pyetja fillestare dhe madhore është se si munden gjykimet penale të këtyre krimeve të kontribuojnë në shkrimin e historisë edhe në përfaqësimin e historisë edhe në historiografi? Një gjë shumë e rëndësishme është se arkivat e gjykimeve janë një shumësi shumë e pasur e dëshmive, janë të dhëna artefakte, audio dhe dëshmi gojore që janë dhënë nga dëshmitarët. Tash, ku shumica e gjykimeve kanë përfunduar ka një dosje të gjykimeve, shumica prej këtyre dëshmive mund të kenë qasje publiku në to por nuk është e lehtë ta kesh qasje në to. Këto janë dosje të gjykimeve, këto dëshmi janë ekspozuar gjatë një sesioni të hapur të botës së jashtme”, tha ajo.

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci thotë se institucionet vendore është dashur të fuqizohen për adresimin e krimeve të luftës.

    Bogujevci: Jemi larg adresimit të krimeve të luftës të kryera në Kosovë
    (Video)
    “Kur flasim për aspektin e drejtësisë mendoj që jemi shumë larg për t’i adresuar krimet që janë kryer në Kosovë. Por këtë nuk e kisha ndërlidh specifikisht vetëm me përgjegjësinë që duhet të adresohet brenda institucioneve të Kosovës… Çështja e EULEX-it, më mirë do të ishte që institucionet e Kosovës qysh në atë kohë të fuqizoheshin qoftë në aspektin e policisë, qoftë në aspektin e prokurorisë, qoftë institucione të tjera të cilat kanë pasur rol në këtë drejtim. Pse të mos ketë një gjykatë specifikisht për krime të luftës”, deklaroi ajo.

    Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti foli për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe sfidat për drejtësi.

    “Këto krime janë të padukshme, është arma e pistë dhe ma e lirë e mundshme që zbatohet si strategji e luftës jo vetëm në Kosovë por edhe në Ukrainë edhe në vendet tjera ku ka konflikt. Fatkeqësisht trupi i gruas por edhe i burrave bëhet pjesë e fushëbetejës pa dashjen e tyre. Ka të bëjë me integritetin e individit dhe nuk është lehtë të dokumentohen, nuk është lehtë të flitet. Nuk mund të flasësh për një akt seksual të kënaqshëm e lëre më të flasësh për një akt torturues, ku dhuna seksuale ndodh para familjarëve, ndodh në prezencë të fëmijëve, ndodh në prezencë të gjyshërve”, përfundoi ajo.

    Në luftën e viteve 1998-1999, në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e burra, mbi 6 mijë persona janë zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona janë zhvendosur. /KP

  • ​Kurti takon ambasadorin e Italisë në Kosovë De Riu

    ​Kurti takon ambasadorin e Italisë në Kosovë De Riu

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Prishtinë Antonello De Riu.

    Në takim u bisedua mbi zhvillimet në vend, me theks mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe hapat për formimin e institucioneve pas certifikimit të rezultateve.

    Po ashtu u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Itali, thuhet në njoftim.

  • ​Qasja e Trump ndaj Ukrainës, a mund të vendoset Kosova para aktit të kryer në raport me dialogun me Serbinë?

    ​Qasja e Trump ndaj Ukrainës, a mund të vendoset Kosova para aktit të kryer në raport me dialogun me Serbinë?

    Kosova mund të ballafaqohet me qasje të re nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, thonë ish diplomatë kosovarë.

    Sipas tyre, Kosova mund të vendoset para aktit të kryer më një vendim të Shtëpisë së Bardhë, që s’le shumë hapësirë për negocim e kundërshtim, njëjte siç është vepruar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn, në raport me agresionin ushtarak të Rusisë në shtetin e tij.

    Delegacionet të nivelit të lartë të SHBA-së dhe Rusisë janë takuar më 18 shkurt në Riad të Arabisë Saudite për të diskutuar lidhur me luftën në Ukrainë, pa përfshirjen e Kievit zyrtar.

    Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, thotë për KosovaPress se administrata Trump mund të ndjekë një politikë të bazuar në rezultate pragmatike dhe marrëveshje të suksesshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë vetëm mbështetës të këtij procesi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Gjatës administratës së parë të presidentit Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik në Uashington, në vitin 2020.

    Ish-diplomatja deklaron se Kosova ka humbur shumë shanse gjatë këtyre viteve për një zgjidhje në raport me Serbinë, andaj nga presidenti Trump mund të ketë një marrëveshje “merre ose lere”.

    “Kjo çfarë po ndodh me Ukrainën në mënyrën sesi po i qaset zgjidhjen e problemit zotëri Trump, unë mendoj se gjithçka është e hapur. Duke pasur parasysh këto zhvillime që ShBA-ja po bën marrëveshje me Rusinë dhe po e rikthehen atë në arenën ndërkombëtare duke ndryshuar plotësisht politikën që kanë ndjek ShBA-ja në raport me Rusinë dhe konfliktin në Ukrainë. Çështja është se Kosova nuk është në gjendjen që është Ukraina pasi ajo është në luftë dhe presidenti Trump kërkon të ndalë luftën, por mënyra sesi po kërkon të ndalë duket se është e kritikueshme duke pas parasysh deklaratat që kemi dëgjuar deri tani. Kosova s’është në luftë ka një konflikt të pazgjidhur me Serbinë që kërkon një marrëveshje. A mund të ketë një marrëveshje merre ose lerë? Mendoj se kjo është mundur jo vetëm për presidencën e Trump, por edhe të tjera. Kosova ka humbur shumë shanse gjatë këtyre viteve për një zgjidhje në raport me Serbinë”, thekson Lama.

    Në anën tjetër, ish-diplomati Blerim Canaj, deklaron se presidenti Trump është një politikan jo-konvencional dhe i paparashikueshëm, andaj mund të insistojë në një marrëveshje të shpejtë dhe pragmatike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, anashkalimi i Ukrainës në bisedimet e SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës tregon mënyrën e funksionimit të ndërmjetësimit amerikan.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës si zakonisht nën qeverisjen e Donald Trump e shohin veten si forcë në Evropë. Në anën tjetër e dina se prioritet tani për tani për SHBA-në është Ukraina dhe e pamë sesi po funksionon ndërmjetësimi amerikan në raport me Ukrainën. Nuk duhet ta harrojmë një fakt se për ShBA-në, Kosova është një shtet dhe aty përfundon. Neve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës na njohin si shtet dhe pastaj shtetet krijojnë raportet bilaterale mes veti. Njëkohësisht flet për prioritetet që i kanë shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk duhet ta harrojmë faktin se Donald Trump është një politikan jo-konvencional dhe i paparashikueshëm, por në anën tjetër kur e kam parasysh edhe Richard Grenell, i cili po e ka fokus Kosovën, pres që të ketë lëvizje edhe në raport me dialogun me Serbinë”, tha Canaj.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, së fundmi uroi Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku u theksua thellim i bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, por për dallim nga e kaluara nuk u theksua nevoja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve të marra në këtë proces.

    Në lidhje me këtë, ish-diplomatja Alma Lama, thotë se urimi i Trump ishte më shumë i fokusuar në bashkëpunim ekonomik sesa te dialogu Kosovë-Serbi.

    “Urimi ishte më shumë sa i përket bashkëpunimit ekonomik më shumë që lidhet me mënyrën sesi po e bën politikën e jashtme presidenti Trump jo vetëm me Kosovën, por krejt botën. Është e vërtet se nuk ishte një kërkesë për njohje nga ana e Serbisë edhe në letrën që iu dërgua Serbisë. Nuk u përmend dialogu, por përmendeshin raportet trans-atlantike. Çështja është se këto raporte transatlantike janë në pikën e tyre më të vështirë”, tha ajo.

    Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur Marrëveshjen Bazë në Bruksel dhe aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023, por që zbatimi i saj ende nuk ka filluar./kp

  • ​Në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit dëgjohet mbrojtja e dy të akuzuarve

    ​Në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit dëgjohet mbrojtja e dy të akuzuarve

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është dëgjuar mbrojtja e dy vëllezërve, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021.

    Në vazhdimin e mbrojtjes, i akuzuari, Jeton Vllasaliu tha se ishte rrugës me veturë me tani të ndjerin Rexhepi, kur ishin ndaluar nga katër persona. Sipas tij, dy persona të maskuar e kishin larguar nga vetura ku ndodhej edhe Bedri Rexhepi dhe në momentin që e kanë liruar i kishin thënë që “tani e tutje ai e dinë çka bënë me trupin e të ndjerit”.

    Ai deklaroi se pasi kishte tentuar t’ia jap ndihmën e parë iu dukë më e rrugës që ta varros trupin e Bedri Rexhepit.

    I pyetur nga avokati i tij se a kishte parë apo dëgjuar diçka, i akuzuari deklaroi se asgjë nuk ka parë e as nuk ka dëgjuar.

    “Në momentin që më kanë liruar m’i kanë thënë dy fjalë ‘shiko çka po bon me të ndjerin Bedriun se këtu e këtej ke punë ti me të’ dhe unë jam afruar dhe e kam parë në tokë jam mundu me ia dhënë ndihmën e parë aq sa kam ditur dhe aq sa kam mundur, por e kam parë që është e kot. Dhe atë ditë kam qenë shumë i stresuar dhe i ngarkuar nuk kam ditë tjetër çka me bë me të më është dukur me e rrugës për me varros diku vetë dhe atë e kam bërë”, tha ai.

    I akuzuari Jeton Vllasaliu më pas tregoi se si e varrosi të ndjerin në fshatin e tij.

    “E mora rrugën me kerr të të ndjerit dhe filluam të shkojmë në fshatin tim, ku e mora një kaci dhe një kazme dhe e mbështolla trupin e të ndjerit dhe po me atë makinë e dërgova mua m’u duk vend më i sigurt për me ta varrosur të ndjerin”, tha ai.

    Jeton Vllasaliu, i pyetur nga avokati i tij Ndrec Dodaj, se çka bëri me veturën e të ndjerit, i akuzuari tha se e kishte lënë në drejtim të Graçanicës, saktësisht në arat e Janjevës dhe më pas kishte vazhduar këmbë nëpër fshatin Shushicës dhe më pastaj e kishte telefonuar vëllain e tij Nexhatin i cili e kishte marrë në hyrje të Graçanicës dhe e kishte dërguar në shtëpi.

    I akuzuari Jeton Vllasaliu tregoi se në zyrën e Prokurorit, kishte biseduar me vëllain e tij Nexhatin se e kishte varrosur të ndjerin, por që saktësisht nuk po i kujtohet vendi.

    “Pas që mua nuk më kujtohej saktë vendi ku e kam çuar pasi që ka qenë natë, mbrëmje, terr kemi diskutuar me Nexhatin në zyrën e Prokurorit se më humbi vendi, nuk munda ta gjej pasi që nga pas lufta atë vend, veç nuk kam ecur më dhe nuk isha i qartë se ku mund të jetë vendi”, theksoi ai.

    Pas përfundimit të pyetjeve nga avokati mbrojtës, Ndrec Dodaj i akuzuari, Jeton Vllasaliu deklaroi se tani e tutje do të mbrohet në heshtje. Vllasaliu iu shprehu ngushëllime edhe familjarëve të të ndjerit, të cilët ishin prezentë në gjykatore.

    “Iu shprehu ngushëllimet familjes dhe po përfundoj me kaq, po filloj po mbrohem në heshtje”, tha ai.

    Më pas, seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë së Nexhat Vllasaliu, i cili deklaroi se nuk e ka njohur asnjëherë të ndjerin, dhe as sot nuk e di të vërtetën për rastin.

    “Më kanë arrestuar s’di edhe të tregoj detaje pse më kanë arrestuar, më akuzojnë për vrasjen e tash të ndjerit, Bedri Rexhepit, më vjen keq që nuk është në mes tonë që kurrë në jetë nuk e kam ditur as kush, as çka është, as që ekziston. Kurrë në jetë me bindje shumë të plotë betohem në kokën e tre fëmijëve të mi, asnjë mos e gjetsha në shtëpi, sot më ardhtë lajmi se janë të gjithë të vdekur, nëse veç dikush mund të thotë se Nexhati e njeh apo e ka njohur, apo ka pi kafe”, tha ai.

    Ai tha se ishte në shtëpi duke vendosur llamba ndriçuese në momentin kur e kishte telefonuar vëllai i tij, Jeton Vllasaliu për ta marrë në rrethinë të Graçanicës.

    Nexhat Vllasaliu tha se për rastin e kuptoi nga avokati, të cilin e kishte angazhuar për ta mbrojtur, vëllain e tij, Jetonin ditën e nesërme pasi ishte njoftuar nga Policia se vëllai i tij është arrestuar.

    Në gjykatore, i akuzuari foli edhe rreth një skice të cilën e kishte bërë Jeton Vllasaliu siç tha ai në Prokurori, si dhe tregoi edhe momente të komunikimit që kishin pas në ditën kur kishin shkuar në vendin ku dyshohej se ishte varrosur Bedri Rexhepi.

    “Piraj: Cila ka qenë kërkesa jote kur keni dal në vendin e ngjarjes gjatë komunikimit ….01’02’11 Vllasaliu: Jemi ulur në xhip, jemi përshëndetur, i thash përgjues kemi, e di, por nuk është problem, t’u kisha lutur gjeje, tha po jam i interesuar me gjet, por tha po më humb pak, edhe kemi vazhduar nëpër mal disa herë poshtë-lart, poshtë-lart, unë jam sjell pak keq me Jetonin”, tha ai.

    Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tregoi edhe momentin kur e kishte thirrur hoxha i Drenasit Osman Musliu të cilin e kishte angazhuar familja Rexhepi, dhe ishin takuar ku edhe kishte shprehur gatishmërinë për t’iu ndihmuar për zbardhjen e fatit të Bedri Rexhepit.

    I akuzuari Nexhat Vllasaliu gjatë seancës iu përgjigj edhe pyetjeve të prokurorit të rastit, Armend Hamiti.

    Prokurori, Hamiti pyeti të akuzuarin se pse asnjëherë nuk i kishte treguar Prokurorisë se e kishte marrë me veturë vëllain e tij, Jetonin në ditën kritike në Graçanicë.

    Më pas, i akuzuari tha se nuk është pyetur asnjëherë për këtë çështje nga Prokuroria.

    Seanca e sotme gjyqësore për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi pas pauzës vazhdoi me pyetjet e mbrojtësit të palës së dëmtuar, Besnik Berisha karshi të akuzuarit, Nexhat Vllasaliu.

    I pyetur nga avokati i palës së dëmtuar se a ka thënë të pavërteta për rastin, i akuzuari, Nexhat Vllasaliu deklaroi se atë që e ka ditur e ka thënë.

    “Berisha: Në Polici dhe Prokurori keni dhënë disa deklarata, si personi që po deklaron në vazhdimësi se nuk keni lidhje me këtë rast po prezumoj se ju e keni thënë në vazhdimësi të vërtetën apo keni thënë edhe të pavërteta…Vllasaliu: Atë që e kam ditur e kam thënë…Berisha: Ka mundësi që keni ditur edhe më shumë e nuk e keni thënë se keni dashur me mbrojtur familjen tuaj siç keni thënë edhe më parë….Vllasaliu: Jo”, theksoi ai.

    Avokati Berisha e ballafaqoi të akuzuarin Nexhat Vllasaliu me deklaratat e tij të dhëna në Polici dhe Prokurori.

    “Berisha: Në pyetjen se kur je takuar dhe sa herë je takuar me vëllain tuaj, Jeton Vllasaliu, më datën 08.04.2021, ju jeni përgjigjur më kujtohet se jemi takuar një herë në mbrëmje rreth orës 20:00, me sa më kujtohet unë jam kanë në tarracë duke pirë duhan, Jetoni ka ardhur vetëm dhe ka qenë në këmbë, veturën e tij Ford Fiesta e ka pasur në oborr, aty kemi biseduar shkurt 2 apo 3 minuta sa jena vetë çka bëre, a u lodhe? Dhe tani i ka shkuar në shtëpinë e vet dhe unë kam hyrë brenda në shtëpinë tim. Pyetja është, se a është e vërteta kjo që keni deklaruar si dëshmitar apo sot si i akuzuar para gjykatës… Vllasaliu: Po më kujtohet kjo më kanë pyetur kur ka ardhur jetoni te shtëpia, çka keni biseduar me Jetonin, këto çka i lexove ti nuk po më kujtohen… Berisha: Kjo nuk ka qenë pyetja e hetuesve, por pyetja ka qenë kur je takuar dhe sa herë je takuar me Jetonin atë ditë”, tha i akuzuari.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”.

    Avokati mbrojtës i palës së dëmtuar, Besnik Berisha nuk e përfundoi marrjen në pyetje të të akutuarit, Nexhat Vllasaliu pasi seanca u ndërpre për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi.

    Seanca e radhës për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi u caktua të mbahet më 19 mars, me fillim nga ora 13:30. /kp

  • Zgjedhjet në Gjermani, emigracioni dhe kostoja e jetesës shqetësim për votuesit

    Zgjedhjet në Gjermani, emigracioni dhe kostoja e jetesës shqetësim për votuesit

    Gjermania pritet të mbajë zgjedhjet të dielën, ndërsa shqetësimet kryesore të votuesve, janë emigracioni dhe kostoja e jetesës. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, kandidati kryesor për të qenë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë ka akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhje.

    Hartmut Kuether u rrit në ish-Gjermaninë Lindore dhe ndërtoi një biznes të suksesshëm në zdrukthëtari pas ribashkimit të Gjermanisë. Për dekada me radhë, ai votoi për Kristian Demokratët e qendrës së djathtë.

    Vota e tij ndryshoi në vitin 2015, kur kancelarja e atëhershme Angela Merkel lejoi hyrjen në vend të mbi 1 milion emigrantëve. Zoti Kuether tani është anëtar i partisë që kundërshton emigracionin, Alternativa për Gjermaninë ose ndryshe AfD-së.

    “Problemi ishin njerëzit me ngjyrë, të cilët nuk ishin të mirë, të sjellshëm, që nuk ishin ashtu siç doja unë. Duhet treguar pak konsideratë dhe ata nuk e bëjnë fare këtë”, thotë ai.

    Partia Alternativa për Gjermaninë po përfiton nga zhgënjimi i votuesve lidhur me emigracionin. Në anketimet përpara zgjedhjeve të së dielës, ajo renditet e dyta, me 21 për qind të mbështetjes.

    “Unë mbështes ndalimin e emigracionit të paligjshëm”, u shpreh bashkëkryetarja e partisë Alternativa për Gjermaninë.

    Ndërkohë, një seri sulmesh terroriste në Gjermani, i fundit në Mynih të premten, ka intensifikuar më tej debatin mbi emigracionin.

    AfD-ja ka fituar mbështetjen e biznesmenit miliarder Elon Musk, aleat i rëndësishëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Por retorika e kësaj force politike ka nxitur reagime tek shumë gjermanë. AfD-ja po mbikqyret nga shërbimet e brendshme të zbulimit nën dyshimet se është organizatë ekstremiste. Protesta kundër së djathtës së skajshme janë mbajtur në Berlin dhe në qytete të tjera të Gjermanisë.

    “Më duket absolutisht shqetësuese që racizmi dhe komunikimi i krahut të djathtë po shndërrohen në një normë”, tha protestuesja Antje Marta.

    Emigracioni po mbizotëron fushatën zgjedhore, thotë analistja Sarah Wagner.

    “Kjo është çështja kryesore që po vërejnë votuesit dhe që do të ndikojë votën e tyre. Ka të ngjarë që çështja e dytë më me rëndësi është gjendja e ekonomisë. Njerëzit po përballen me një krizë të kostos së jetesës më tepër se sa në zgjedhjet e fundit në 2021”, thotë analistja Wagner.

    Trysnitë ekonomike çuan në rënien e qeverisë së koalicionit tre-partiak në nëntor.

    Kancelari aktual Olaf Scholz, i Social Demokratëve, dëshiron të rrisë huamarrjen si mekanizëm ndaj deficitit buxhetor, si dhe për të ndihmuar financimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    Friedrich Merz, udhëheqësi i Kristian Demokratëve, të cilët kryesojnë anketimet me 29 për qind, thotë se vendi nuk duhet të marrë më shumë hua.

    “Ekonomia e Republikës Federale të Gjermanisë tani po renditet pas shteteve të tjera të Bashkimit Europian. Jemi të fundit”, thotë ai.

    Zoti Merz ka të ngjarë të mos sigurojë shumicën qeverisëse, por ka përjashtuar mundësinë e krijimit të koalicionit me AfD-në e së djathtës së skajshme.

    Një gjë e tillë nxiti kritikat e Nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara JD Vance, i cili u tha përfaqësuesve në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të premten, se “zëri i njerëzve ka rëndësi”.

    Udhëheqësi i Kristian Demokratëve Merz e akuzoi zotin Vance për ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani. /VOA

  • Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin për burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës

    Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin për burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës

    Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë që dënoi Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasjen mizore ndaj Marigona Osmanit.

    Me 15 vjet burgim është dënuar Arbër Sejdiu.

    Kështu duke bërë të ditur që ka hedhur poshtë ankesat nga prokurora e mbrojtësit.

    “Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, me nr. 2021:186679, të datës 26.09.2024“.

    “Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, sipas aktgjykimit me nr.2021:186679, të datës 26.09.2024, të akuzuarin D.K., e ka shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK, me dënim me burgim të përjetshëm, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 24.08.2021, e tutje, ndërsa të akuzuarin A.S., për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 33 të KPRK, duke e gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vite, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 22.08.2021, e tutje por, jo më gjatë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim“, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

  • Besian Mustafa: Kryetari Abdixhiku ka marrë mbi 85% të votave të partisë

    Besian Mustafa: Kryetari Abdixhiku ka marrë mbi 85% të votave të partisë

    Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se Lumir Abdixhiku ka marrë mbi 85 për qind të votave të partisë.

    Mustafa ka shtuar se “votuesi i LDK-së është shprehur qartë e prerë për këtë çështje”.

    “Kryetari i LDK-së ka marrë mbi 85% të votave të partisë, rezultat i paparë deri më tani nga cilido bartës liste”, ka shkruar Mustafa.