ATV

Author: ATVLive

  • Rama uron Kurtin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Rama uron Kurtin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar urime nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    “Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës”, thuhet ndër të tjera në letër urimin e kryeministrit Rama.

    Në urimin e tij drejtuar kryeministrit Kurti, e përmes tij të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, kryeministri Rama thekson vullnetin e tij dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim të gjithanshëm, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

  • Vazhdon edhe sot numërimi i votave për deputetë

    Vazhdon edhe sot numërimi i votave për deputetë

    Ende po vazhdon numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, raporton Ekonomia Online.

    Votat e kandidatëve për deputetë janë numëruar në rreth 80 për qind të vendvotimeve.

    Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk kanë dhënë një datë të saktë se kur mund të përfundojë ky proces, por besojnë se do të përmbyllet brenda pak ditësh.

    Ndërkohë, merret vesh se numri i zarfeve të votave me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, ndërkaq numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597.

  • Thaçi mungon edhe në konferencën për ecurinë e çështjes, ZPS-ja thotë se s’do thërrasin dëshmitarë pas 4 prillit

    Thaçi mungon edhe në konferencën për ecurinë e çështjes, ZPS-ja thotë se s’do thërrasin dëshmitarë pas 4 prillit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se pas 4 prillit 2025 nuk do të thërrasë asnjë dëshmitar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Kjo u bë e ditur të mërkurën nga prokurori Matt Halling në konferencën për ecurinë e çështjes në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jogojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, tha Halling.

    Ndërsa, prokurori James Pace njoftoi se për javën tjetër i kanë dy dëshmitarë për të dëshmuar dhe ata janë W4745 dhe W2766.

    Ai tha se për muajin mars e kanë një dëshmitar që do ta thërrasin. Kurse, shtoi se do të japin përditësime për dëshmitarët të tjerë që janë planifikuar për mars sapo të kenë përditësimet ata vetë.

    “I vetmi dëshmitar i konfirmuar për bllokun e marsit është dëshmitari 04403”, tha ai, duke shtuar se planifikojnë të thërrasin edhe dëshmitarë të tjerë por që nuk i kanë konfirmuar ende për shkak të problemeve me sigurimin e tyre, bashkëpunimin me shtetet e treta, e tjera.

    Një kërkesë sipas Rregullës 153 që parasheh pranimin e dëshmive të dëshmitarëve me shkrim, prokurori tha se do ta dorëzojnë brenda kësaj jave ku përfshihen katër dëshmitarë, dy prej të cilëve i ka kundërshtuar mbrojtja.

    Pace tha se kanë mbetur vetëm 20 dëshmitarë që disa prej tyre do të kërkohet që të trajtohen sipas Rregullës 153, 155 etj.

    Tre të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes, ndërsa Thaçi nuk është i pranishëm fare ashtu si edhe dje për arsye shëndetësore.

    Fillimisht, Rexhep Selimi u kyç në seancë duke njoftuar se ka probleme me përkthimin në gjuhën shqipe.

    “Më falni që po ndërhyj, por nuk kemi përkthim shqip”, tha Selimi.

    Si rrjedhojë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha se do ta zgjidhin këtë çështje, gjë e cila edhe ndodhi.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Gjykata konfirmon se ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale që ta urdhërojë Kurtin të paraqitet për intervesitim

    Gjykata konfirmon se ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale që ta urdhërojë Kurtin të paraqitet për intervesitim

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatën Themelore kërkesën që kryeministri Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

    Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila pohoi se janë në shqyrtim të kërkesës.

    “Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, konfirmoi Gashi.

    Kryeministri Kurti është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria që të japë versionin e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore për të cilin të dyshuar janë afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

    Prokuroria kishte ftuar tri herë me radhë kryeministrin Albin Kurti për intevstim, por i njëjti nuk është përgjigjur thirrjeve të prokurorisë.

    Kurti kishte deklaruar se prokurorët duhet të shkojnë dhe ta intervistojnë atë në zyrën e kryeministrit, duke deklaruar se këtë praktikë e kanë bërë edhe më herët prokurorët.

  • Dy të mitur arrestohen për therje me thikë në Obiliq

    Dy të mitur arrestohen për therje me thikë në Obiliq

    Në Obiliq janë arrestuar dy të mitur, pasi dyshohet se kanë therur me thikë një të mitur tjetër.

    Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt, njoftojnë nga policia.

  • AI është gati të deshifrojë mendimet e kafshës suaj

    AI është gati të deshifrojë mendimet e kafshës suaj

    Shumë pronarë të kafshëve shtëpiake shpesh pyesin veten se çfarë mund të jenë duke thënë macet dhe qentë e tyre. Me kalimin e kohës, njerëzit fillojnë të kuptojnë kuptimin pas çdo tundjeje të bishtit, çdo miau dhe çdo lehjeje, por ideja për të ditur saktësisht se çfarë komunikojnë kafshët e tyre ka qenë gjithmonë një dëshirë e përbashkët.

    Së fundmi, shkencëtarët po përdorin inteligjencën artificiale (AI) për të deshifruar gjuhën e kafshëve, një fushë që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje.

    Sipas një raporti të The Guardian, Daniel Mills, profesor i mjekësisë së sjelljes veterinare në Universitetin e Lincolnit, ka theksuar se AI mund të ndihmojë në interpretimin të komunikimit të kafshëve, duke ofruar njohuri të reja mbi qëllimet dhe emocionet e tyre. Kjo teknologji mund të sjellë përfitime të rëndësishme në mirëqenien e kafshëve dhe në marrëdhëniet e tyre me njerëzit.

    Një studim i fundit i publikuar në revistën Science Direct ka analizuar kompleksitetin e shprehjeve të fytyrës te macet, duke zbuluar se ato shfaqin 276 shprehje të ndryshme gjatë ndërveprimeve me njëra-tjetrën. Studiuesja Brittany Florkiewicz, profesoreshë e psikologjisë në Kolegjin Lyon, vëren se macet ndryshojnë mënyrën e komunikimit kur ndërveprojnë me njerëzit krahasuar me ndërveprimet me macet e tjera. Ky kompleksitet paraqet sfida në të kuptuarit e emocioneve të tyre, por përdorimi i AI-së mund të ndihmojë në interpretimin më të saktë të këtyre sinjaleve.

    Studiuesit, duke përfshirë ekipin e Mills, po përdorin teknologjinë AI për të analizuar shprehjet e fytyrës te macet, qentë dhe kuajt përmes analizës së një sasie të madhe videosh të disponueshme në internet. Kjo metodë jo vetëm që synon të ndihmojë në kuptimin e komunikimit të kafshëve shtëpiake, por gjithashtu mund të përdoret për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve në sektorë të ndryshëm, si p.sh. monitorimi i shëndetit të lopëve gjatë procesit të mjeljes për të identifikuar shenjat e dhimbjes.

    Aplikimet e AI-së në kuptimin e komunikimit të kafshëve shkojnë përtej sferës së kafshëve shtëpiake. Teknologjia mund të ndihmojë në përpjekjet për ruajtjen e specieve të rrezikuara dhe të ofrojë njohuri të reja mbi biologjinë dhe psikologjinë e tyre. Studiues të ndryshëm po përdorin AI për të analizuar vokalizimet e kafshëve të egra si zebrat, rinocerontët e bardhë dhe papagajtë për të studiuar modelet e tyre të komunikimit. Kjo analizë mund të ndihmojë gjithashtu në eksplorimin e origjinës së aftësive të komunikimit të njeriut dhe lidhjeve të tij me kafshët e tjera.

  • Policia shqiptoi 1926 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia shqiptoi 1926 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1926 gjoba në trafik, raporton Ekonomia Online.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 26 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 52 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 11 persona, ndërkaq 8 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • BE vendos paketën e 16-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    BE vendos paketën e 16-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    Vendet e Bashkimit Evropian vendosin paketën e 16-të të sanksioneve kundër Rusisë, disa ditë para përvjetorit të tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, njoftoi presidenca polake.

    Paketa e re e masave ndëshkuese u ra dakord nga ambasadorët e BE dhe do të miratohet zyrtarisht kur ministrat e Jashtëm të takohen të hënën, në përvjetorin e tretë të pushtimit.

    Masat e reja ndëshkuese synojnë kapitenët dhe pronarët e anijeve të të ashtuquajturës flotë në hije të anijeve ruse me pronësi të paqartë, disa prej të cilave as nuk janë të siguruara.

    Këto anije përdoren për të anashkaluar kufirin perëndimor të çmimit për eksportet e naftës ruse në vendet e treta ose për të transportuar grurë të vjedhur nga Ukraina.

    Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se anijet po përdoren për të sabotuar kabllot e telekomunikacionit në Balltik dhe Detin e Veriut.

  • Vdes në QKUK personi që u gjet pa vetëdije në vendin e punës

    Vdes në QKUK personi që u gjet pa vetëdije në vendin e punës

    Një person raportohet se ishte gjetur pa vetëdije në vendin e punës në Graçanicë, kurse vdiq pasi u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 20:38 dhe është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

    “Raportohet se në vendin e punës është gjetur pa vetëdije viktima mashkull kosovar, i cili është dërguar në QKUK, ku më vonë ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Rozeta Hajdari, Gazmir Raci, Enver Dugolli e Ardian Gola as në 50 më të votuarit në Vetëvendosje

    Rozeta Hajdari, Gazmir Raci, Enver Dugolli e Ardian Gola as në 50 më të votuarit në Vetëvendosje

    Janë publikuar edhe listat e kandidatëve të Vetëvendosjes për deputetë, dhe votat që ata kanë marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Megjithatë, përderisa Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci e Agim Bahitir kanë siguruar numër të madh votash, dikush tjetër në VV ka pësuar dështim spektakolar.

    Është ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila nuk figuron as në 50 më të votuarit në VV.

    Në atë listë nuk shihet as analisti Gazmir Raci, i zëshëm në mbrojtjen e kuazave të partisë në pushtet.

    Me votat aktuale, në Kuvend nuk do të jetë as Enver Dugolli, i zëshëm me akuza ndaj opozitës e mediave.

    Kurse, në 50-shen e më të votuarve të VV-së nuk është as profesori Ardian Gola.

    Albin Kurti është më i votuari me 222 mijë vota. Pas tij vjen Glauk Konjufca me 170 mijë vota. Faton Peci ka marrë vota si i treti me 84 mijë sosh.

    Pas Pecit, vjen Hekuran Murati me 80 mijë, Albulena Haxhiu me 76 mijë, Xhelal Sveçla me 72 mijë e Donika Gërvalla me 68 mijë.

    Ulëse ka siguruar edhe Avni Dehari që është votuar 58 mijë herë, si dhe Mimoza Kusari-Lila që ka marrë mbi 50 mijë vota.

    Në mesin e emrave të tjerë që kanë marrë shumë vota janë edhe Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Saranda Bogujevci.

    Këngëtarja Edona Llalloshi ka marrë mbi 26 mijë vota, Mefail Bajqinovci 24 mijë të tjera.

    Kuvendit pritet t’i shtohet edhe zëri i fuqishëm i Agim Bahtirit që është votuar nga 12 mijë qytetarë.

    Në anën tjetër, ulëse pritet të sigurojë edhe Bylbyl Sokoli pasi ka marrë mbi 12 mijë vota.