ATV

Author: ATVLive

  • Presidenti Trump flet për fondet e USAID-it që iu ndan Kosovës, përmend ashkalitë e egjiptianët

    Presidenti Trump flet për fondet e USAID-it që iu ndan Kosovës, përmend ashkalitë e egjiptianët

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka folur për ndarjen e fondeve të USAID-it dhe përdorimin e tyre në mbarë botën, duke përmendur specifikisht Kosovën.

    Në një konferencë për media mbajtur në Florida, ai ka theksuar se dy milionë dollarë janë alokuar për zhvillimin e “modeleve të qëndrueshme të riciklimit” në Kosovë, me qëllim për të rritur kohezionin socio-ekonomik dhe për të përmirësuar kushte jetese për komunitetet e margjinalizuara.

    Trump shpjegoi se këto fonde janë të dedikuara për grupe të tilla si ashkali dhe egjiptianët në Kosovë, dhe qëllimi është të krijohet një ambient më i qëndrueshëm.

    ”…2 milionë dollarë për të zhvilluar modele të qëndrueshme të riciklimit për të rritur kohezionin socioekonomik në mesin e komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë si ashkali dhe egjiptian”.

  • Prokuroria kërkon pesë vjet burgim për Dodikun

    Prokuroria kërkon pesë vjet burgim për Dodikun

    Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, në seancën përfundimtare më 19 shkurt, kërkoi nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës që t’i shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe t’ia ndalojë atij veprimtarinë politike për dhjetë vjet.

    Të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Millosh Llukiqin, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska.

    Ata akuzohen për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në pesë vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike.

    Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat parashikojnë se vendimet e përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do të zbatohen në atë entitet.

    Mbrojtja e Dodikut dhe Llukiqit në fjalën përfundimtare deklaruan se vepra penale, për të cilën janë akuzuar, “nuk ka pasoja ligjore apo çfarëdo pasoje tjetër”, pasi përfaqësuesi i Lartë i ka anuluar të dyja ligjet dhe se për këtë arsye “nuk ka as vepër penale”.

    Ata kujtuan se Dodiku kishte nënshkruar dekretet për shpalljen e dy ligjeve, ndërsa Lukiq kishte urdhëruar publikimin e tyre, para se vendimet e përfaqësuesit të Lartë, me të cilat këto ligje u anuluan, të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të hynin në fuqi.

    Mbrojtja argumentoi gjithashtu se, nëse Dodiku dhe Llukiqi do të kishin refuzuar të nënshkruanin dhe publikonin dekretet, ata do të kishin shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës Sërpska dhe në atë rast do të përballeshin me dënim me burgim deri në 12 vjet.

    Në fjalën përfundimtare, procesin ata e cilësuan sërish si “politik” dhe “nën ndikimin e të huajve”, ndërsa Christian Schmidtin e quajtën “përfaqësues të lartë jolegjitim”, duke përsëritur tezat e vjetra se ai nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ashtu siç janë konfirmuar përfaqësuesit e mëparshëm.

    Këshilli gjyqësor mund të shpallë vendimin e shkallës së parë menjëherë pas fjalës përfundimtare ose brenda tri ditësh, ndërsa ligji lejon edhe mundësinë e shtyrjes së shpalljes së vendimit.

    Për këtë vendim, si Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, ashtu edhe mbrojtja, do të kenë të drejtën e ankesës.

    Përpara ndërtesës së Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës vërehet një prani e shtuar e forcave policore të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës. Aty janë mbledhur edhe përkrahësit e Dodikut.

    Derisa po pritet përfundimi i një gjyqi njëvjeçar, presionet ndaj Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës po rriten.

    Nga njëra anë, udhëheqësia e RS-së kërcënon me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës nëse Dodiku dënohet.

    Presion ushtrojnë edhe përfaqësuesit e autoriteteve të Serbisë fqinje, si dhe të Hungarisë.

    Kështu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Budapest më 17 shkurt se shpreson që “në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.

    Dy ditë para seancës së fundit, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, bashkë me të gjithë udhëheqësinë e RS-së, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Çfarë çoi në këtë gjyq?
    Në seancat e Asamblesë së RS-së në qershor të vitit 2023 u miratuan ligje jokushtetuese që parashikonin se aktet ligjore të përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat sipas Kushtetutës së këtij shteti janë përfundimtare dhe detyruese, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.

    Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy ligje entiteti më 1 korrik 2023 përmes kompetencave të tij të Bonit dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë vepër penale moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.

    Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet, me të cilat i shpalli këto ligje të vlefshme, dhe ato u botuan në Gazetën Zyrtare të RS-së. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.

  • Sekretarja e Frankofonisë uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

    Sekretarja e Frankofonisë uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, znj. Luise Mushikiwabo, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    Në mesazhin e saj, Sekretarja e Përgjithshme ka vlerësuar kontributin e Kosovës në komunitetin frankofon që nga anëtarësimi i saj në OIF në vitin 2014, duke theksuar se ky anëtarësim pasuron diversitetin kulturor dhe gjuhësor të organizatës.

    Ajo ka rikonfirmuar angazhimin e saj për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet OIF dhe institucioneve të Kosovës, pas Samitit të 19-të të Frankofonisë në Villers-Cotterêts.

    Sekretarja e Përgjithshme ka nënvizuar se vendimet e marra gjatë këtij samiti, me fokus te rinia, kreativiteti, inovacioni dhe ndërmarrësia, ofrojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e mirëqenies së popullatës frankofone.

    Në këtë frymë, znj. Mushikiwabo ka ritheksuar mbështetjen e OIF për përpjekjet e Kosovës në promovimin e gjuhës frënge, duke inkurajuar më tej kontributin specifik të vendit në kuadër të bashkëpunimit frankofon.

  • Lladrovci: Vlerësimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, është rruga për të tashmen dhe të ardhmen e ndritur

    Lladrovci: Vlerësimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, është rruga për të tashmen dhe të ardhmen e ndritur

    Presidentja Vjosa Osmani me rastin e dhënies së dekoratës “Urdhri Hero dhe Heroina e Kosovës”, për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Ramiz Lladrovci, e ka falënderuar duke theksuar se “vlerësimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, është rruga për të tashmen dhe të ardhmen e ndritur”.

    “Fehmiu dhe Xheva, jetuan dhe u sakrifikuan bashkë për lirinë e Kosovës, andaj, ata i takojnë Kosovës dhe kombit, të cilët me shembullin e tyre na dëshmuan vlerën e lirisë me përkushtimin e pashoq, duke mbetur trashëgimi për gjenerata”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë i Lladrovcit në rrjetin social:

    Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, nderoi veprën dhe sakrificën e heroit dhe heroinës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

    Në emër të Familjes Lladrovci, dekoratën e pranoi Kosovarja, me këtë rast, në motivacionin e Presidentes Osmani thuhet:

    Fehmi Lladrovci, i rënë në krye të betejës, kundër forcave serbe, mbetet një nga figurat heroike të luftës çlirimtare të Kosovës, bazuar në vendimin paraprak, i dorëzohet sot dekorata “Urdhri Hero i Kosovës”, post mortem, Fehmi Lladrovcit për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës.

    Xhevë Lladrovci, e rënë përkrah burrit të saj Fehmi Lladrovci mbetet ndër gardianet e përjetshme të lirisë së Republikës së Kosovës, bazuar mbi vendimin paraprak, i dorëzohet sot dekorata “Urdhri Heroinë e Kosovës”, post mortem Xhevë Lladrovci, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës.

    Familja Lladrovci dhe Krasniqi, me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndjehen të nderuara, nga Presidentja Osmani, me rastin e akordimit të urdhrit “Hero dhe Heroina e Kosovës” për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin.

    Fehmiu dhe Xheva, jetuan dhe u sakrifikuan bashkë për lirinë e Kosovës, andaj, ata i takojnë Kosovës dhe kombit, të cilët me shembullin e tyre na dëshmuan vlerën e lirisë me përkushtimin e pashoq, duke mbetur trashëgimi për gjenerata.

    Faleminderit Presidente Osmani!

    Vlerësimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, është rruga për të tashmen dhe të ardhmen e ndritur!

  • Berisha: Ftoj FBI-në të hetojë fondet e SHBA-së në Shqipëri

    Berisha: Ftoj FBI-në të hetojë fondet e SHBA-së në Shqipëri

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të mërkurë, ka kërkuar nga FBI që të hetojë mënyrën se si janë shpenzuar fondet amerikane në Shqipëri.

    “Në hierarkinë e shpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë dhe pasurimit të elitave të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës, Shqipëria është një rast flagrant. Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Blendi Çuçi dhe ish-bashkëjetuesja e kryeministrit Edi Rama, ka përfituar shuma të konsiderueshme përmes projekteve të USAID-it” deklaroi Berisha.

    Sipas tij, këto fonde janë përdorur për të ndikuar në kapjen e sistemit të drejtësisë nga qeveria.

    “Delina Fico dhe këshilltarët e saj ligjorë, përmes kompanisë së saj, kanë afruar shërbime për Gjykatën e Lartë dhe sistemin e drejtësisë, duke përfituar në mënyrë të paligjshme rreth dhjetë milionë euro nga fondet e USAID-it. Madje, paga e saj është dy herë më e lartë se ajo e ambasadorit të SHBA në Shqipëri,” shtoi Berisha, raporton euronews.al

    Ai i bëri thirrje FBI-së që të kryejë një hetim të thelluar për të zbardhur sipas tij shpërdorimet e fondeve në nivelet më të larta qeveritare.

    “E kuptoj se censura ndaj këtyre abuzimeve është e fortë, por unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë, të cilat janë keqpërdorur në mënyrë të tmerrshme. Përgjegjës për këtë janë Edi Rama dhe Blendi Çuçi,” tha ai.

    Duke kritikuar atë që e quajti kontroll politik mbi drejtësinë, Berisha u shpreh se “një prokurori e pavarur do të kishte nisur hetimet menjëherë mbi këto raste”.

    Ai premtoi gjithashtu një auditim të plotë të fondeve me ndihmën e ekspertëve shqiptarë dhe amerikanë, duke garantuar se do të kërkohet mbajtja e përgjegjësisë ligjore.

  • Parlamenti Evropian i kërkon BE-së heqjen e masave për Kosovën

    Parlamenti Evropian i kërkon BE-së heqjen e masave për Kosovën

    Në draft-raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën kërkohet heqja e masave të Bashkimit Evropian të vendosura në qershor të viti 2023.

    “Ftojmë për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përshtatjen me politikat e BE-së” thuhet në draft.

    Në draft gjithashtu vlerësohet përkushtimi i Kosovës për integrim në BE. Nënvizohet se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga një zonë gri është në interes edhe të Kosovës edhe të BE-së.

    Në këtë draft raport mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian dhe ftohen vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë pa vonesa të reja.

    Gjithashtu kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për tiu bashkuar programit të Partneritetit për paqe të NATO-s.

    Në raport shprehet mbështetje edhe për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe përshëndetje dhe emërimi i Peter Sorensenit në postin e të dërguarit të posaçëm për dialog.

    Sa i përket sundimit të ligjit c nënvizohet përparimi domethënës në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe lirive, luftës kundër krimit të organizuar dhe funksionimit të ekonomisë së tregut. Mirëpo shprehet shqetësim për gjendjen, siç thuhet jo të kënaqshme sa I përket korrupsionit.

    Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa I përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve. Në këtë rrafsh shprehet shqetësim i veçantë për shkak të kritikave që bëhen nga ana e zyrtarëve të qeverisë ndaj vendimeve në rastet individuale.

    Në raport nënvizohet edhe shqetësimi për shkak të situatës së sigurisë. Dënohen sulmet në Bansjkë dhe Iber Lepenc dhe kërkohet që kryesit e të gjitha këtyre veprave të dhunshme të nxirren para drejtësisë. Në veçanti shprehet keqardhje pse Serbia nuk ka nxjerr para drejtësisë autorët e sulmeve në Basnjëk, përfshirë Milan Radoiçiqin.

    Autor i draftit është Riho terras, raportues për Kosovën në Parlamentin evropian.

    Ky dokument do prezantohet në komitetin për politikë të jashtme të parlamentit të enjten më 20 shkurt. Pas amanadamentimit të draftit, i njejti duhet të miratohet në këtë komitet ndërsa në fillim të verës votohet në seancë planerë kur merr versionin e Rezolutës së Parlamentit evropian./RTK

  • Letër urimi nga Mickoski për Kurtin në 17-vjetorin e Pavarësisë

    Letër urimi nga Mickoski për Kurtin në 17-vjetorin e Pavarësisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër urimi nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, raporton EO.

    “Ky rast më mundëson të ritheksoj angazhimin tim të sinqertë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona”, thuhet në urimin e kryeministrit Mickoski.

    Duke i dëshiruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj progres, mirëqenie dhe prosperitet, kryeministri Mickoski është shprehur i bindur se me përpjekje të përbashkëta do të vazhdojmë të forcojmë lidhjet në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe do të përmirësojmë bashkëpunimin tonë në kuadër të nismave rajonale dhe shumëpalëshe.

  • Panik në Durrës pas rasteve me meningit akut – 80% mungesa në shkolla

    Panik në Durrës pas rasteve me meningit akut – 80% mungesa në shkolla

    Pavarësisht përhapjes së virozave dhe rastit të meningitit akut, që ka rritur ndjeshëm pasigurinë e prindërve për shëndetin e fëmijëve, shkollat në Durrës nuk janë dezinfektuar, ndryshe nga kopshtet dhe çerdhet.

    Mungesat në institucionet arsimore parauniversitare janë rritur ndjeshëm, veçanërisht në shkollat “Kushtrimi i Lirisë’ “Eftali Koçi”, që e bëjnë mësimin në të njëjtën godinë, ku mungesat ditët e fundit arrijnë deri në 80% në klasa, pas konfirmimit të rastit me meningit akut.

    Megjithatë, mësimi vijon edhe në klasa me vetëm një nxënës, vendim që ka shkaktuar reagime nga prindërit dhe mësuesit.

    Drejtoresha e Qendrës Ekonomike të Arsimit në Durrës, Lindita Muhedini, sqaron se dezinfektimi është kryer vetëm në çerdhet dhe kopshtet me fjetje, për shkak të mungesave të shumta, ndërsa për shkollat nuk ka pasur një kërkesë zyrtare nga autoritetet arsimore.

    Mungesa e një koordinimi mes institucioneve arsimore dhe autoriteteve shëndetësore mbetet shqetësim për prindërit, që kërkojnë masa për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve në moshën shkollore. /TCH

  • Hamza merr besimin e vetëm 66 për qind të votuesve të PDK-së

    Hamza merr besimin e vetëm 66 për qind të votuesve të PDK-së

    Nga rezultatet preliminare të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 184 mijë e 499 vota ose 22.05 për qind të votave nga zgjedhjet parlamentare të mbajtuara më 9 shkurt.

    Ndërsa, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka marrë brenda listës në partinë e tij 122 mijë e 326 vota nga ato që janë numëruar deri më tani sipas raportimeve në media.

    Krahas këtyre votave të numëruara deri tani që ka marrë PDK më 9 shkurt, del se 66 për qind të tyre i ka fituar Hamza nga votat e përgjithshme në PDK, raporton KosovaPress.

    Në zgjedhjet 2021, PDK ka pasur 148 mijë e 285 vota, apo 17.09 për qind.

    Deri më tani nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.

    Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

    Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

    Grafika:

  • Franca njeh zyrtarisht rolin e imamit si profesion

    Franca njeh zyrtarisht rolin e imamit si profesion

    Qeveria franceze njohu zyrtarisht sot rolin e imamit si profesion, duke e shtuar atë në listën e profesioneve nga Agjencia Franceze e Punësimit, raporton Anadolu.

    Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau e bëri njoftimin gjatë seancës përmbyllëse të takimit të dytë të Forumit Francez të Islamit (FORIF), duke theksuar rëndësinë e njohjes.

    Retailleau tha se dialogu midis shtetit dhe përfaqësuesve fetarë myslimanë duhet të bazohet në besim dhe përgjegjësi.

    Ai theksoi se muslimanët refuzojnë shtrembërimin e besimit të tyre nga ideologjitë ekstremiste.

    Ndërsa pohoi se shteti nuk duhet të ndërhyjë në institucionet fetare, Retailleau vuri në dukje se mund të ofrojë mbështetje.

    Në kuadër të nismës, roli i imamit është përfshirë zyrtarisht në listën zyrtare të profesioneve të njohura në Francë.

    Ai e përshkroi masën si një hap historik, duke shënuar njohjen e parë të tillë në vend.

    Gjithashtu, ai njoftoi krijimin e një përshkrimi zyrtar të punës dhe kontratave të punës për imamët, duke ofruar një kuadër të strukturuar për punën e tyre.

    Retailleau trajtoi gjithashtu shqetësimet për islamofobinë në Francë, duke zbuluar se vitin e kaluar u regjistruan 173 sulme antimuslimane.

    Ai pranoi, megjithatë, se numri aktual ka të ngjarë të jetë më i lartë për shkak të mosraportimit nga viktimat.

    Për të luftuar krimet, qeveria do të prezantojë një platformë të re ankesash kushtuar raportimit të incidenteve islamofobike.

    Klerikët muslimanë që punojnë në spitale dhe ushtri do të njihen tashmë zyrtarisht si pjesë e shërbimit publik, duke siguruar që rolet e tyre të njihen zyrtarisht brenda institucioneve shtetërore.