Kreytari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në takim sot ambasadorin italian në Kosovë, për të diskutuar mbi zgjedhjet e 9 shkurtit.
Krasniqi i tha ambasadorit se të gjitha partitë politike duhet të angazhohen për një Kosovë më të mirë.
“Sot prita në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu. Diskutuam për zgjedhjet demokratike të 9 shkurtit dhe rëndësinë e institucioneve të forta për të ardhmen e vendit. Pavarësisht pozicioneve politike, të gjitha partitë duhet të mbeten të përkushtuara për një Kosovë më të mirë dhe më të zhvilluar. Mirënjohës për miqësinë dhe mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.
Në seancën e sotme të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, u paraqit draft-raporti për situatën në Kosovë i raportuesit për Kosovën në PE, Riho Terras.
Në këtë komision, Terras i bëri thirrje Bashkimit Evropian që masat ndaj Kosovës t’i heq sa më parë që është e mundur.
Ai shtoi se këto masa janë të padrejta.
“Unë besoj, dhe e theksoj në raport, se Bashkimi Evropian duhet t’i heq masat ndaj Kosovës, të cilat gjithashtu janë të padrejta. Këto sanksione duhet të hiqen sa më shpejt që është e mundur”, tha Terras.
Ndër të tjera, Terras tha se shpreson që qeveria e re në Kosovë, të rinisë dialogun me Serbinë.
“Shpresojmë se qeveria e ardhshme do të rinisë dialogun me Beogradin në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet”, tha ai.
Zyra për media e Dhomave të Specializuara në Hagë ka konfirmuar se nuk mund të japin detaje për gjendjen shëndetësore të Hashim Thaçit.
Në një përgjigje me shkrim, ata kanë potencuar se kjo vjen si shkak i respektimit të privatësisë së tij.
“Ky është një detyrim ligjor për të mbrojtur të drejtat e tyre. Sipas Rregullores së Paraburgimit të DHSK-së, nxjerrja e të dhënave mjekësore të të paraburgosurve është e mundur vetëm me pëlqimin e tyre paraprak të bazuar në informacion, në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e të dhënave”, thuhet në përgjigje me shkrim.
Mirëpo, kjo zyrë ka theksuar se Thaçi po vazhdon aktivitetet ditore në objektin e paraburgimit.
“Megjithatë, do të shtoja se nuk ka qenë e pazakontë që të akuzuarit të mungojnë në seanca gjyqësore individuale kur nuk ndihen mirë ose kanë ankesa të vogla shëndetësore në ditën kur mbahet seanca. Gjithashtu, mund t’ju them se zoti Thaçi tani po merr pjesë në veprimtaritë e rregullta ditore në objektin e paraburgimit”, potencon zyra për media./rtk
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duan hapjen e pikës kufitare Miratoc – Llojanë që ndanë Serbinë me Maqedoninë e Veriut.
Të enjten, një delegacion i dërguar nga Beogradi do të jetë në Preshevë derisa do të diskutojë për këtë temë me akterët relevant.
I pranishëm në takim do të jetë edhe Sedat Ismaili, kryetar i Bashkësisë Lokale të Miratocit i cili do ta sqarojë nevojën e hapjes së kësaj pike kufitare.
“Janë ndërprerë raportet familjare, martesore, ekonomike jetësore gjithçka. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për shqiptarët”, tha Ismaili.
Madje banorët lokal kanë marrë iniciativë për pastrimin e rrugës së asfaltuar, që është në pjesën e territorit të Serbisë.
“Kam marrë iniciativë me qytetarët e bashkësisë lokale, për të pastruar…kishin filluar që të mbinin bimë edhe në asphalt”, tha Ismaili.
Edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi thotë se funksionalizimi i kësaj pike kufitare, ka rëndësi për shqiptarët e Luginës.
“Ka qenë kërkesë e kahershme e politikës në Luginë të Preshevës. Madje, është e sistemuar edhe në planin shtatë pikësh e te të gjitha dokumentet me të cilat operojnë politikat në luginë të Preshevës”, tha Mustafi.
Në vitin 2019, Serbia dhe Maqedonia e Veriut bënë ujdi për hapjen e këtij pikë-kalimi kufitar.
“Madje Shkupi ka qenë i gatshëm që ta hap nga ana e kufirit të tyre, megjithatë, si duket për shkak të vlerësimeve të sigurisë, Serbia edhe më tej po refuzon ta krijoj edhe një hapësirë të komunikimit të shqiptarëve nga andej kufirit e këndej”, tha Mustafi.
Rruga që lidh dy shtetet, u doli jashtë-funksioni gjatë viteve të 90-ta.
Në Rexhep Luci në Prishtinë, kontejnerët janë mbushur plotë, por nuk i ka pastruar askush. Ndërsa në lagjen Dardania, është krejt e kundërta. Këtu, kontejnerët janë të zbrazur, ndërsa mbeturinat janë hedhur nëpër park.
“Këto mbeturina të cilat i hudhin banorët, nuk e di arsyen se si e tek, kanë apo nuk kanë kontenjerë për hudhjen e tyre, por janë kaher këtu”, tha Emin Sylejmani, banor.
“Bërllogu është ndoshta 10 vjet ka, nuk është pastru, kurrë nuk pastrohet këtu”, tha Beshir Hoti, banor.
Për dëmtimin e parkut, komuna premton masa nga inspekcioni.
“Në një distancë prej më pak se 100 metra është lokacioni i kontejnerëve. Kjo pikë krijohet nga qytetarët e pandërgjegjshëm, e kemi pastruar disa herë por prapë po vazhdon të krijohet”, tha Dukagjin Gashi, nga Sektori i Menaxhimit të Mbeturinave në komunën e Prishtinës.
Ndërsa kompania Pastrimi thotë se nuk i takon ta pastrojë këtë zonë, derisa e mbledh bërllokun me rregull te kontejnerët. Por ka arsyetim pse nuk e bën këtë, te zona e njohur si kafet e vogla.
“Në Rrugën “Rexhep Luci”, ka punime në rrugë, dhe nga punimet është e pa mundur qasja e kamionit për largim të mbeturinave sepse rruga është e bllokuar. Operatori Ekonomik që po kryen punimet nuk është konsultuar me Kompaninë “Pastrimi”, për të bërë të mundshme ndonjë alternative për shërbim”, tha Arbnora Ademaj nga kompania “Pastrimi”.
Kjo gjendje po u pengon bizneseve përreth.
“Kemi ba edhe ankesa edhe në komunë edhe në vende tjera, por nuk ka zgjidhje. Është t’u na pengu shumë, sidomos edhe prej banorëve”, tha Blerim Haziri, pronar i biznesit.
Më 3 shkurt, Komuna e Prishtinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Veç para 15 marsit, punimet në shkollën “Dardania”, në Prizren shkuan t’i shohin ata që financuan mbi 5.2 milionë euro.
Shefi i Zyrës së BE-së, Avio Orav tha se shkolla është gati për t’u shfrytëzuar, por ka mbetur vetëm edhe inventari i shkollës.
“BE-ja është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, dhe do të vazhdojmë që të ju ndihmojmë… Shihet se shkolla është gati vetëm se duhet të bëhen lidhjet e duhura me energji elektrike, kështu që nxënësit mund të fillojnë së shpejti ta shfrytëzojnë objektin”, tha Orav.
Derisa shprehet falenderues për projektin, Shaqir Totaj thotë se përkrahja më e madhe mbeten BE-ja.
“Në të ardhmen do të kemi jo vetëm takime, por edhe aksione konkrete në drejtim të përkrahjes së BE-së. BE është donatori më i madh në Kosovë”, tha Totaj.
Për punën që u bë në këtë komunë, Avio Orav, ndau edhe fotografi në platformën online”X”.
Fushata zgjedhore u kushtoi goxha si shtrenjtë partive politike dhe vet kandidatëve për deputetë.
Mijëra euro u shpenzuan vetëm për sponsorisim të postimeve në rrjete sociale.
Në 3 muajt e fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës shpenzoi më së shumti para, plot 32.400 euro. I pari për nga shpenzimet qe edhe kreu i kësaj partie. Lumir abdixhiku fjatë kësaj kohe, shpenzoi mbi 37 mijë euro vetëm për sponsrizime në facebook.
Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu shpenzoi mbi 20 mijë euro vetëm në Facebook.
Partia Demokratike si subjekt shpenzoi vetëm 3.376 euro, megjithatë kreu i saj pagoi plot 17.100 euro për sponsorizime te posteve në rrjete sociale, ndërkaq kandidati për kryeministër nga po kjo parti Bedri Hamza, hargjoi edhe më shumë, afro 23 mijë euro.
Gati 14 mijë euro pagoi edhe Ramush Haradinaj, ani pse partia qe udhëheq nuk shpenzoi më shumë se 100 euro.
Ndër kandidatët që shpenzuan më së shumti, është edhe Krenar Xhaferi i LDK-së me 6.500 euro.
Para të majme pagoi edhe bashkë partiaku Alban Zogaj, plot 3.556.
Hiq më lehtë nuk e lanë as kandidatët e partive tjera.
Derisa Bekim Haxhiu i PDK-së harxhoi afro 5 mijë euro, nga 4 mijë, shpenzuan edhe Egzon Kelmendi, Enver Hoxhaj, e Betim Gjoshi.
Në ndërkohë, janë mbi 50 kandidatë për deputetë, që në periudhën 3 mujore, kaluan shifrën e 1 mijë eurove për sponsorizime në rrejte sociale.
E kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk shpenzoi asnjë cent për sponsorisim sipas të dhënave nga platforma Facebook.
Pas datës katër prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, nuk do të ftojë asnjë dëshmitar, në gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu konfirmoi të mërkurën prokurori i specializuar, Matt Halling, gjatë konferencës që e mbajti në lidhje me ecurinë e këtij procesi.
“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jogojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, deklaroi Halling.
Ndërkaq, derisa njoftoi se seancat e të enjtes dhe të premtes janë anuluar, Prokurori James Pace, tregoi se për javën e ardhshme janë paraprë të dëshmojnë dy dëshmitarë.
“Për javën tjetër do të kemi dy dëshmtarë, për mars kemi një dëshmitar dhe t’u japim përditësime për dëshmitarë të tjerë që janë planifikuar për mars, sapo ta kemi këtë përditësim”, deklaroi Pace.
Derisa tre të akuzuarit, Veseli, Krasniqi e Selimi ishin prezent nëpërmjet video-lidhjes, Hashim Thaci mungoi njëjtë si të martën për arsye shëndetësore.
Për gjendjen shëndetësore të Thaçit ka kërkuar raport të detajuar Organizata e Veteranëve të Luftës.
“Kërkojmë nga Gjykata Speciale që të japë një raport të qartë dhe zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtarëve tanë që po mbahen padrejtësisht në paraburgim që mbi katër vite”, thuhet kë kërkesën e OVL-UÇK-së.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua në tetor të vitit 2020.
Ata ngarkohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
83% e vendvotimeve apo më shumë se 2,100 vendvotime nga 2,533 sa janë në total janë numëruar deri në mesditën e së mërkurës në Qendrat Komunale të Numërimit.
Këtë e ka konfirmuar për ATV-në, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Por vonesat në numërimin e votave të kandidatëve për deputet po i shohin me shqetësim në Instituti Demokratik i Kosovës.
“Fatkeqësisht që nga përmbyllja e ditës së votimit dhe procesit të votimit pra në ora 19:00 të gjitha hapat tjerë janë karakterizuar me hapa me vonesa të cilat e kanë cenuar besimin në lidhje direkte në rezultatet e zgjedhjeve në përgjithësi”, tha Eugen Cakolli nga KDI.
Sipas Cakollit KQZ-ja nuk ka qenë në nivel të duhur të përgatitjes.
“Për vet faktin që gati edhe një javë pas përmbylljes së ditës së votimit tek atëherë ka filluar procesi i numërimit në të gjitha qendrat komunale dhe ndër arsyet që janë përmend janë mungesa e sviqave për ta lidhur një televizor me një kamerë ka qenë aq sa apsurde aq edhe përshkruese e një niveli të mos përgjegjësisë nga ana e stafit të KQZ”, tha Cakolli.
Cakolli shtoi se për të gjitha parregullsitë gjatë procesit zgjedhor duhet të këtë llogaridhënie brenda KQZ-së.
Vetë Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqi, javën e kaluar kishte thënë se procesi i numërimit i të gjitha votave për kandidatë për deputetë, do të mund të zgjasë deri në dy javë.
Legjislatura e re e Kuvendit pritet të ketë goxha ndryshime në përbërje.
Në ulëset e sallës plenare bazuar në konfirmime që ATV mori nga partitë politike dhe njoftime nga vet kandidatët për deputetë Kuvendi pritet të ketë shumë emra të rinj.
Pas rreth 80 për qind të votave të numëruara, partia e dytë më e votuar sipas rezultateve të deritanishme, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 mandate.
Risi do të ketë edhe në listën e partisë cila pritet t’i ketë 20 ulëse në përbërjen e re të Kuvendin.
E koalicioni AAK-Nisma do t’i ndajë 8 ulëset që i fitoi në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ende po vazhdon në disa Qendra Komunale të numërimit.