ATV

Author: ATVLive

  • Gjykata e Lartë në Beograd shtyn sancën ndaj Tefik Mustafës për herë të katërt

    Gjykata e Lartë në Beograd shtyn sancën ndaj Tefik Mustafës për herë të katërt

    Gjykata e Lartë në Beograd ka shtyrë për herë të katërt verdiktin për rastin e Tefik Mustafës, shtetasit të Kosovës që akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e tre policëve serbë më 19 qershor 1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    Procesi gjyqësor ka vijuar me seanca të tjera pas asaj të 30 janarit, por vendimi ka vazhduar të shtyhet në mënyrë të përsëritur. Sipas burimeve të ATV, verdikti përfundimtar pritet të shpallet më 28 shkurt 2025.

    Mustafa u arrestua nga autoritetet serbe më 1 qershor 2024 dhe iu caktua masa e paraburgimit për 30 ditë, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes.

    Ai akuzohet për “krime lufte kundër popullatës civile”, si bashkëkryes, bazuar në deklaratat e dëshmitarëve që e lidhin atë me zhdukjen e tre zyrtarëve policorë serbë pranë Llabjanit, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

    Arrestimi i tij është kundërshtuar nga autoritetet e Kosovës, të cilat e kanë cilësuar atë si arbitrar dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

    Ky nuk është rasti i parë i arrestimeve të shtetasve të Kosovës nga Serbia nën dyshimet për krime lufte.

    Në vitet e fundit, disa persona janë ndaluar dhe akuzuar për ngjarje që datojnë nga lufta e viteve 1998-99, ndërsa autoritetet kosovare i kanë konsideruar këto veprime si të motivuara politikisht. /atvlive.tv

  • Macron pas takimit me Trumpin: Armëpushimi në Ukrainë brenda pak javësh

    Macron pas takimit me Trumpin: Armëpushimi në Ukrainë brenda pak javësh

    Një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë mund të arrihet në javët e ardhshme. Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një interviste për Fox News në Uashington pas bisedimeve me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.

    Në përvjetorin e tretë të pushtimit rus, Macron u shpreh se çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë “nuk duhet të jetë një dorëzim i Ukrainës” dhe duhet të mbështetet nga garancitë e sigurisë. Sipas tij ardhja e Trump për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë ndryshoi rregullat e lojës, shkruan A2 CNN-in.

    Lideri francez tha se besonte që ishte e mundur të flitej për një armëpushim në luftë dhe fillimin e negociatave për një paqe të qëndrueshme brenda javësh.

    Macron tha se kishte folur me 30 liderë dhe aleatë të tjerë evropianë dhe shumë prej tyre ishin të gatshëm të ishin pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën.

    Ai tha se po punonte me kryeministrin britanik Sir Keir Starmer mbi një propozim për të dërguar trupa në rajon.

  • Vdes Bajram Qerkini, aktivisti i zëshëm për fatin e të pagjeturve

    Vdes Bajram Qerkini, aktivisti i zëshëm për fatin e të pagjeturve

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Bajram Qerkini, babai i palodhshëm e i zëshëm, vdiq të hënën, pa arritur ta mësojë fatin e të birit të tij të zhdukur në luftë, Reshatit.

    Në 26 vjetët e fundit, Qerkini nuk ishte aktiv vetëm për djalin e tij që nuk e pa nga 1999-ta. Duke e udhëhequr shoqatën “Zëri i Prindërve”, ai u dha jehonë thirrjeve të mijëra familjeve që nuk dinin gjë për fatin e më të dashurve të tyre.

    Këtë brengë e pati deri në fund të jetës, në mëngjesin e hershëm të së hënës.

    Si një person këmbëngulës për të kuptuar për fatin e të pagjeturve, do të mbahet mend edhe nga fqinjët.

    Ndërkaq, për bashkëpunëtoret, Qerkini do të mbetet zemra e një populli qe ende pret drejtësi.

    Qerkini vuante nga një sëmundje që e la në komë, në tre muajt e fundit të jetës.

    Trupi i Bajram Qerkinit do të varroset të martën, në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës.

  • Dy të akuzuarit për vrasjen e dy vëllezëve në Gjakovë: Jemi të pafajshëm

    Dy të akuzuarit për vrasjen e dy vëllezëve në Gjakovë: Jemi të pafajshëm

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për vrasjet qe akuzohen se i kryen para me shume se 1 viti i gjysmë, tek të hënën iu nisi gjykimi.

    Gjergj Gjokaj e Zef Adamaj po akuzohen për vrasje e dy vëllezërve Blerim e Haxhi Islamaj.

    Sipas aktakuzës të pandehurit kishin shtënë për disa herë me armë zjarri te cilën e kishin pa leje, në drejtim te viktimave, derisa njëri prej tyre ndodhej brenda veturës.

    Për vrasjen, i pandehuri Gjergj Gjokaj u deklarua i pafajshëm, derisa pjesërisht fajin e pranoi për armën pa leje.
    Ndërkaq për të dy akuzat, i pafajshëm u deklarua edhe Zef Ademaj.

    Gjatë seancës fillestare si rrallë herë pati mosmarrëveshje mes palës se dëmtuar dhe prokurores, për të cilën mbrojtja kërkoi të largohej nga rasti.

    Vrasja e dy vëllezërve ka ndodhur në qershor 2023 ne fshatin Madanaj te Gjakovës.

  • Hagë, dëshmitari Ismet Tara refuzon të flasë

    Hagë, dëshmitari Ismet Tara refuzon të flasë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Komandant Hoxha qe i qartë e i prerë në përgjigjet e tij, teksa po intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në dhomat e specializuara në Hagë.

    Qysh në fillim, ish-komandanti i UÇK-së Ismet Tara ua bëri me dije trupit gjykues se nuk do të përgjigjej në asnjë pyetje, pa u shfaqur një dokument dëshmi, e dhënë me 2019, për të cilën Tara thotë se u devijua qëllimshëm, dhe se e njollos UÇK-në.

    Përpjekjet e trupit gjykues ishin të shumta, por që Tarës nuk ia ndërruan mendjen.

    Madje as kërcënimet se mund ta gjobisin nëse nuk flet.

    “Nuk do të flas asgjë, edhe po të vritem, derisa të shfaqet dokumenti që kërkoj. Ky është një çështje e rëndësishme për mua dhe unë nuk mund të vazhdoj pa të”, deklaroi Tara.

    Tara mbeti vazhdimisht i vendosur në kërkesën e tij, duke theksuar se dokumenti i kërkuar ishte jetik për të vazhduar.

    Por mosbindja e Komandant Hoxhës, u kërkua të merret si shembull që nuk duhej përsëritur nga të tjerët.

    “Ne mbështesim kërkesën e kolegëve tanë dhe kërkojmë që trupi gjykues të marrë masën e mosbindjes ndaj dëshmitarit. Ky është një mesazh i rëndësishëm për të gjithë ata që mund të kenë dëshmi dhe të refuzojnë të flasin”, tha Nina Tavakoli, avokate e Hashim Thaçit.

    Dorëzim nga Komandat Hoxha nuk pati, por u dorëzua ZPS-ja e cila hoqi dorë nga intervistimi.

    Tara do të paraqitet edhe nesër në dhomat e specializuara në Hagë për ta vazhduar dëshminë e tij nga pyetjet e palëve mbrojtëse, veçse fillimisht u pajtuan që të flasë me një avokat, lidhur me dokumentin në fjalë.

  • Ndërtimet në Skenderaj, banorët ankohen për mosrespektim të distancës

    Ndërtimet në Skenderaj, banorët ankohen për mosrespektim të distancës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Gazmend Vojvoda nga Skenderaj thotë se këta 25 ari tokë nuk po mund t’i shfrytëzojë për asgjë.

    Sipas Vojvodës, fare pranë tokës se tij, në rrugën “Brahim Vojvoda”, ka filluar ndërtimi i tri komplekseve banesore, por kompania nuk po respekton planin e ndërtimit qe parasheh distancën prej pesë metrave.

    Për këtë dyshim familja Vojvoda u ankua në organet kompetente.

    Punimet më pas për një kohë u pezulluan, derisa kompania në fjalë ndryshoi planin, për çka ua kërkoi Prokuroria.
    “Ne e kemi ndryshuar planin dhe tash gjithçka është në rregull, jemi të pajisur me fletë poseduese, leje të ndërtimit dhe të gjitha aprovimet e kërkuara”, tha Shpëtim Mehmeti, pronar i kompanisë “ATN”.

    Edhe nga Drejtoria e Inspesionit në Skenderaj në një përgjigje për ATV-në, thanë se punimet po kryhen sipas rregullave.

    Për atë cka thanë kompania dhe drejtoria e inspeksionit kanë dyshime përsëri banorët.

    Megjithatë, punimet për ndërtimin e këtyre tri komplekseve banesore kishin filluar në dhjetor të vitit të kaluar.

  • Plagosen 4 vëllezër nga Klina, njeri në gjendje të rëndë, sipas nënës mosmarrëveshje për një lopë

    Plagosen 4 vëllezër nga Klina, njeri në gjendje të rëndë, sipas nënës mosmarrëveshje për një lopë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Katër vëllezër të familjes Bullagu, nga Jashanica e Klinës, u plagosën, mbrëmjen e së dielës.

    Një prej tyre është në gjendej të rëndë, dhe po trajtohet në kujdesin intensiv, ndërsa për tre të tjerët, nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë thanë se janë në gjendje stabile.

    Nëna e tyre, Hasibja, pretendon se krejt kjo ngjarje e ka në prapavijë një mosmarrëveshje për një lopë, para shtatë vjetëve me një familje tjetër nga i njëjti fshat.

    Për këtë rast, tashmë janë arrestuar dy persona.

    Përleshja të dielën ndodhi në afërsi të shtëpisë së tyre.

    Dy nga të plagosurit, sipas nënës së tyre, kanë ardhë në shtëpi për pushim, nga Italia, para disa ditëve.

  • Mbikalimet dhe nënkalimet e Prishtinës pa ashensor

    Mbikalimet dhe nënkalimet e Prishtinës pa ashensor

    Përgatiti: Egzona Mema

    Butoni nuk jep sinjal, e ashensori është jashtë funksionit.

    Kësisoj qasja e personave me nevoja të veçanta në këtë nënkalim të Prishtinës bëhet e pamundur.

    “Mbikalimet dhe në nënkalimet ne Prishtinë , është e pamundur të kalohen për arsye se janë jashtë funksionit, të cilat nuk i kanë paraparë të kalojnë personat me aftësi të kufizuar”, tha kryetari i Handikos, Afrim Maliqi.
    Situatë e njëjtë është edhe te mbikalimet, vetëm se aty përpos shkallëve nuk ka fare opsion tjetër kalimi.

    Pamundësia në qasje njëlloj, çoi një qytetar të ndërmarr një hap tjetër.

    “Kam ngritur padi në 2018 jam diskriminuar si qytetar i këtij vendi që nuk ka qasje të plotë në infrastrukture në Prishtinë. Në Gjykatën Themelore e kam fituar rastin, që kam pasur të drejtë por, nuk është aprovuar në tërësi kërkesa ime”, tha Faruk Ukaj, qytetar.

    Sipas njohësit të komunikacionit, Nol Deda, mundësimi i qasjes së kësaj kategorie duhet të jetë pjesë përbërëse e projekteve.

    “Gjatë prezantimit është obligative të prezantohet për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të ketë qasje”, tha Deda.

    Qasja e personave me aftësi të kufizuara rregullohet edhe me Udhëzimin Administrativ për Kushtet Teknike të Objekteve Ndërtimore.

    Ndërkaq nga Komuna e Prishtinës zgjodhën të mos flasin rreth asaj se kur pritet të funksionalizohen ashensorët dhe të ndërhyhet në projektet ekzistuese, për t’i bërë ato të shfrytëzueshme për personat me aftësi të kufizuara.

  • Presidenti Trump pret në Shtëpinë e Bardhë Presidentin francez Macron

    Presidenti Trump pret në Shtëpinë e Bardhë Presidentin francez Macron

    Presidenti Donald Trump do të presë për bisedime të hënën në Shtëpinë e Bardhë Presidentin francez Emmanuel Macron.

    Takimi vjen në një moment pasigurie të thellë mbi të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, ndërsa Presidenti Trump ka transformuar politikën e jashtme amerikane, duke lënë jashtë udhëheqësit evropianë nga përpjekjet për t’i dhënë fund shpejt luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

    Presidenti Trump po kërkon gjithashtu të marrë kontrollin e Groenlandës, Gazës dhe Kanalit të Panamasë – si dhe arritjen e një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e burimeve të mineraleve të rralla të këtij vendi.

    Pak më shumë se një muaj në mandatin e tij të dytë, politika e presidentit “Amerika e Para” ka hedhur hije të mëdha mbi atë që diplomatët veteranë amerikanë si dhe ish-zyrtarë të qeverisë, e kanë konsideruar rol qetësues të Amerikës në funksion të stabilitetin dhe vazhdimësisë globale.

    Pavarësisht nga disa probleme, fuqia ushtarake, ekonomike dhe morale e Shteteve të Bashkuara ka dominuar epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë me rënien e ish-Bashkimit Sovjetik. Disa druhen se e gjitha kjo mund të humbasë nëse Presidenti Trump zbaton agjendën e tij dhe Shtetet e Bashkuara braktisin parimet sipas të cilave u themeluan Kombet e Bashkuara dhe shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë.

    “I vetmi përfundim që mund të nxirrni është se 80 vjet politikë për t’u ngritur kundër agresorëve sapo është hedhur në erë pa asnjë lloj diskutimi apo reflektimi”, tha Ian Kelly, ish-ambasador i SHBA-ve në Gjeorgji gjatë administratës Obama dhe administratës së parë të zotit Trump, aktualisht profesor në Universitetin Northwestern.

    “Jam i shkurajuar për shumë arsye. Një nga arsyet për të cilat u inkurajova në fillim, në një farë mënyre, ishin deklaratat e përsëritura për ‘paqe përmes forcës’”, shtoi zoti Kelly. “Por kjo nuk është paqe përmes forcës – kjo është paqe përmes dorëzimit“, tha ai.

    Presidenti Trump pret zotin Macron të hënën, në trevjetorin e luftës në Ukrainë.

    Të enjten ai do të takohet me një tjetër udhëheqës kyç evropian, Kryeministrin britanik Keir Starmer.

    Vizitat e tyre vijnë pasi Presidenti Trump tronditi Evropën me kritika të përsëritura ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për dështimin për të negociuar për përfundimin e luftës si dhe kundërshtimin për të nënshkruar një marrëveshje që i jep SHBA-ve qasje tek mineralet e rralla të Ukrainës, të cilat mund të përdoren në industrinë amerikane të hapësirës, mjekësi e teknologji.

    Udhëheqësit evropianë u tronditën gjithashtu edhe nga vendimi i Presidenti Trump për të dërguar ndihmës të lartë për bisedime paraprake me zyrtarë rusë në Arabinë Saudite, pa praninë e zyrtarëve ukrainas, apo atyre evropianë.

    Në lidhje me marrëveshjen për mineralet, zoti Zelenskyy fillimisht tha se ajo nuk parashikonte garanci sigurie për Ukrainën.

    Të dielën në rrjetin social X zoti Zelenskyy shrkuante se “po bëjmë përparim të madh”, por vuri në dukje se “Ukraina po kërkon një marrëveshje të mirë ekonomike, që do të jetë pjesë e një sistemi real garancish sigurie për vendin”.

    Zyrtarët e administratës Trump thonë se presin të arrijnë një marrëveshje këtë javë që do të krijonte një lidhje më të ngushtë mes ekonomisë amerikane dhe Ukrainës – gjëja e fundit që Rusia dëshiron.

  • KQZ refuzon afër 5 mijë pako me fletvotime, Elezi: Numërimi i votave me postë fillon brenda disa ditësh

    KQZ refuzon afër 5 mijë pako me fletvotime, Elezi: Numërimi i votave me postë fillon brenda disa ditësh

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar vlerësimin e pakove me fletvotime nga jashtë vendit.

    Zëdhënësi Valmir Elezi tha në një konferencë për media se janë refuzuar afro 5 mijë pako me fletvotime për shkak të parregullsive të evidentuara.

    “Të dielën në mbrëmje ka përfunduar vlerësimi i pakove të supozuara me fletvotime nga votime jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës. Ne zakonisht i referohemi si ‘pako të supozuara me fletvotime’ pasi në këtë fazë nuk hapen zarfet të cilat pra supozohen se përmbajnë fletvotime. Kjo do të bëhet gjatë procesit të numërimit. Sipas të dhënave preliminare, procesi i vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletvotime nga jashtë Kosovës i janë nënshkruar rreth 69 mijë pako, prej të cilave janë aprocuar rreth 63 mijë, ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900”, tha ai.

    “Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa postare, është se ato janë dërguar nga persona të cilët janë anuluar gjatë procesit të regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se një herë apo personat të cilët kanë dërguar pako, kanë dërguar më shumë se një fletvotim dhe arsye të tjera”, shtoi Elezi.

    Momentalisht, ai tha se KQZ-ja po e bën “skanimin e listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht”.

    Procesi i numërimit të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës do të fillojë brenda disa ditësh, tha zëdhësi.