ATV

Author: ATVLive

  • ​Netanyahu: Pushtimi izraelit në jug të Sirisë do të jetë i përhershëm

    ​Netanyahu: Pushtimi izraelit në jug të Sirisë do të jetë i përhershëm

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar sërish se pushtimi izraelit në jug të Sirisë do të jetë i përhershëm.

    Duke folur përmes video-konferencës në një program të organizuar nga Komiteti i Veprimit Politik Amerikano-Izraelit (AIPAC) në Washington, Netanyahu tha se “Ushtria izraelite do të qëndrojë në majën e malit Hermon (Jabal al-Sheikh) në Siri”, transmeton Anadolu.

    Ai theksoi se do të vazhdojnë të qëndrojnë në “zonën tampon” ngjitur me rajonin ndërsa pretendon se nuk do të lejojnë praninë e ushtrisë siriane në jug të Damaskut.

    Më tej Netanyahu ka pretenduar se rajoni do të çmilitarizohet.

    – “Aleanca SHBA-Izrael nuk ka qenë kurrë më e fortë”

    Duke kujtuar takimin e tij me presidentin amerikan Donald Trump, Netanyahu tha se takimi në fjalë ishte takimi më i rëndësishëm që ai ka patur me një president të SHBA-së. “Aleanca SHBA-Izrael nuk ka qenë kurrë më e fortë”, tha ai.

    Netanyahu falënderoi presidentin amerikan Trump për sigurimin e shitjeve të reja të armëve ndaj Izraelit.

    Ai iu referua sulmeve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Netanyahu tha se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në kampet e refugjatëve palestinezë në rajon dhe dha mesazhin se sulmet do të jenë afatgjata.

    Lidhur me pushtimin izraelit në Siri, Netanyahu përdori deklaratën e njëjtë që dha gjatë një ceremonie diplomimi ushtarak ku ai mori pjesë më 23 shkurt.

    Populli sirian ka protestuar në pjesë të ndryshme të vendit kundër deklaratave të Netanyahut.

  • Gjykata e Bosnjës shpall sot vendimin për Dodikun

    Gjykata e Bosnjës shpall sot vendimin për Dodikun

    Gjykata e Bosnje-Hercegovinës do të shpallë të mërkurën, më 26 shkurt, aktgjykimin për presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, të cilët akuzohen për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

    Pas një procesi gjyqësor, që ka zgjatur më shumë se një vit, Gjykata e Bosnjës do të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës dhe mbrojtja do të kenë të drejtë ankese.

    Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

    Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

    Në fjalën përfundimtare, më 19 shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.

    Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se “të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj”, duke përsëritur pretendimet e vjetra se Schmidt nuk ka legjitimitet, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ka ndodhur me përfaqësuesit e mëparshëm të Lartë.

    Presione mbi Gjykatën dhe tubime mbështetëse

    Gjyqi ndaj Dodikut dhe Llukiqit filloi më 5 shkurt 2024 dhe është shoqëruar me akuza nga mbrojtja ndaj Gjykatës së Bosnjës, gjyqtarëve dhe prokurorëve për anshmëri, si dhe kërkesa për zhvendosjen e procesit gjyqësor në një gjykatë në Banjallukë.

    Çdo seancë është ndjekur nga dhjetëra mbështetës të Dodikut nga e gjithë Bosnja, të cilët pretendonin se kishin ardhur me vullnetin e tyre përpara ndërtesës së Gjykatës në Sarajevë.

    Ndërsa pritet vendimi i këtij gjyqi njëvjeçar, presionet mbi Gjykatën janë shtuar. Kështu, udhëheqësia e Republikës Sërpska ka kërcënuar me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, nëse Dodik dënohet.

    Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, në Banjallukë u mbajt një tubim mbështetjeje për institucionet e Republikës Sërpska, ndërsa një tubim tjetër është planifikuar për të mërkurën.

    Më 24 shkurt, Qeveria e Republikës Sërpska miratoi një dokument të titulluar “Informacion mbi rrëzimin e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës, masat dhe detyrat për mbrojtjen e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës”, të cilin e dërgoi në Kuvendin e këtij entiteti.

    Në dokument thuhet, ndër të tjera, se Republika Sërpska do të ndërmarrë masa përmes mjeteve politike dhe ligjore “nëse dhuna ligjore ndaj Republikës Sërpska nuk ndalet dhe nëse nuk ka vullnet politik dhe mbështetje ndërkombëtare për ta kthyer Bosnjën në bazat e saj dhe për ta transformuar në një shtet ku respektohen ligjet dhe Kushtetuta e Dejtonit”.

    Mesazhet e EUFOR-it, NATO-s…

    Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, ambasadorët e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) u bënë thirrje politikanëve në Bosnje-Hercegovinë që të përmbahen nga presionet dhe kërcënimet politike, si dhe të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.

    Në një seancë të jashtëzakonshme në Sarajevë, Bordi Drejtues i PIC-it konfirmoi përkushtimin ndaj integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës, si një shtet unik dhe sovran, i përbërë nga dy entitete, dhe Distriktit Bërçko si një njësi administrative e veçantë, tha për gazetarët Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.

    Schmidt u dërgoi një mesazh qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës se bashkësia ndërkombëtare mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke theksuar se “për Bosnje-Hercegovinën nuk ka negociata, dhe se ajo do të vazhdojë të ecë përpara në rrugën evropiane”.

    Ai, gjithashtu, tha se e kupton shqetësimin e shumë qytetarëve për zhvillimet e fundit.

    “Jini të sigurt se bashkësia ndërkombëtare mbetet vigjilente dhe e kujdesshme. Marrëveshja e Dejtonit dhe institucionet shtetërore vazhdojnë të jenë të mbrojtura dhe duhet të respektohen”, tha Schmidt pas seancës së Bordit Drejtues të PIC-it, i cili përbëhet nga ambasadorë të vendeve perëndimore, të Organizatës së Konferencës Islamike dhe të Rusisë, e cila nuk merr më pjesë në punimet e këtij organi.

    Përndryshe, PIC siguron udhëzime politike për Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje-Hercegovinë.

    Takimi i ambasadorëve evropianë dhe qëndrimi i BE-së

    Njëkohësisht, të martën u mbajt një takim i ambasadorëve evropianë me kryesuesen e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës (BeH), Zhelka Cvijanoviq.

    Në këtë takim u theksua se veprimet që thellojnë ndarjet dhe rrisin tensionet janë të papranueshme për Bashkimin Evropian.

    Takimit i priu edhe Përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje, Luigi Soreca.

    Soreca shkroi në rrjetin social X se, ndër të tjera, u theksua që liderët politikë duhet të respektojnë rendin kushtetues të Bosnje-Hercegovinës, të punojnë për dialog dhe kompromis, si dhe të respektojnë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

    Përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje shtoi, gjithashtu, se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnje – Hercegovinës.

    “BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të vendit si një shtet unik dhe i bashkuar. BeH ka një mundësi historike për të hapur negociatat për anëtarësim në BE”, theksoi Soreca në rrjetin social X.

    Reagimet nga Serbia dhe Hungaria

    Gjykimi ndaj Dodikut dhe Llukiqit ka ngjallur reagime edhe nga përfaqësuesit e qeverive të Serbisë dhe Hungarisë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 17 shkurt në Budapest se shpreson që “në Bosnje nuk do të merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.

    Dy ditë para seancës së fundit, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, së bashku me të gjithë udhëheqësinë e Republikës Sërpska, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës.

    Si erdhi deri te procesi gjyqësor?

    Në seancat e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska, në qershor të 2023, u miratuan ligje jokushtetuese, sipas të cilave aktet juridike të Përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, të cilat janë përfundimtare dhe detyruese, sipas Kushtetutës së vendit, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.

    Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, shfuqizoi më 1 korrik 2023 kompetencat e Bonit, dy ligjet e entitetit dhe bëri ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, duke e bërë refuzimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë një vepër penale.

    Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet që shpallnin këto ligje të vlefshme, dhe ato u publikuan në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska. Prokuroria e Bosnjës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.

    Dodik më parë ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit, por u ka bërë thirrje qytetarëve – që për më shumë se një vit janë mbledhur para Gjykatës së Bosnjës për ta mbështetur – të marrin pjesë në mitingun e planifikuar të mërkurën në Banjallukë.

    Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, dhe pas paraqitjes së ankesave, Këshilli i Apelit i Gjykatës së Bonjës pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda rreth tre muajsh e gjysmë.

    Ky është procesi i parë gjyqësor në Bosnje-Hercegovinë për veprën penale të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. /REL

  • Raportohet se SHBA dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e marrëveshjes për minerale

    Raportohet se SHBA dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e marrëveshjes për minerale

    Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e një marrëveshjeje për minerale, e cila konsiderohet kyçe në kuadër të përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, kanë raportuar mediat të martën vonë.

    Burime të afërta me zhvillimet kanë thënë se në të nuk përmenden garanci të sigurisë, apo zotime për dërgim të mëtutjeshëm të armëve, mirëpo që Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të jetë “e lirë, sovrane dhe e sigurt”.

    Megjithatë, dërgesat tjera të armëve janë ende duke u negociuar mes Uashingtonit dhe Kievit.

    Trump u ka thënë gazetarëve se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dëshiron të shkojë të premten në Uashington për të nënshkruar “një marrëveshje shumë të madhe”.

    Ai e ka bërë këtë deklaratë një javë pas shkëmbimit të deklaratave të ashpra mes dy liderëve.

    Presidenti amerikan, i cili e konsideron marrëveshjen si shpagim të ndihmës ushtarake të Uashingtonit për Kievin – në vlerë të miliarda dollarëve – ka thënë se në Ukrainë do të duhet të ketë forca paqeruajtëse, nëse arrihet marrëveshja për paqen.

    Moska, e cila ka nisur luftën në Ukrainë, tre vjet më parë, ka refuzuar idenë e angazhimit të forcave të NATO-s.

    Disa shtete evropiane kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë. Trump ka thënë të hënën se Moska do të pranonte prezencën e paqeruajtësve, mirëpo Kremlini e ka hedhur poshtë këtë deklaratë të martën.

    Përpjekjet e shpejta të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Moskën, i kanë rritur shqetësimet për mundësinë e koncesioneve amerikane ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, që më pas do të mund të minonin sigurinë në Ukrainë dhe Evropë, dhe të ndryshonin situatën gjeopolitike.

    Javën e kaluar, Trump e ka quajtur Zelenskyn “diktator” që ka nevojë të bëjë marrëveshje të shpejtë për paqe, apo rrezikon të humbë shtetin.

    Lideri ukrainas, në anën tjetër, ka thënë se presidenti amerikan jeton në një “hapësirë dezinformatash”.

    Kthim mbrapa i parave të “taksapaguesve amerikanë”

    Marrëveshja mund t’i ofrojë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës.

    “Ajo çfarë po bëjmë tani është se po themi, shikoni, duam që kjo të arrihet”, ka thënë Trump.

    “Taksapaguesi amerikan do t’i kthejë paratë e veta”.

    Zelensky ka refuzuar të nënshkruajë një draft paraprak të marrëveshjes për minerale, pasi Uashingtoni ka kërkuar qasje në minerale në vlerë të 500 miliardë dollarëve.

    Kievi ka protestuar, duke thënë se ka pranuar ndihmë më të vogël ushtarake nga Uashingtoni, dhe që në të nuk përmenden garancitë e sigurisë për të cilat ka nevojë Ukraina.

    Sipas marrëveshjes së re, bazuar në raportimet për media, SHBA-ja dhe Ukraina do të themelojnë një Fond Investimi për Rindërtim, për të mbedhur dhe investuar të hyrat nga mineralet ukrainase.

    Ukraina do të kontribuojë në 50 për qind të të hyrave, minus shpenzimet operative, dhe kjo do të vazhdojë derisa kontributet të arrijnë shumën e 500 miliardë dollarëve.

    Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, do të bëjnë zotime financiare për zhvillim “të një Ukraine stabile dhe ekonomikisht prosperuese”.

    I pyetur se çfarë do të marrë Ukraina në kthim nga marrëveshja për minerale, Trump është cituar të ketë thënë se 350 miliardë dollarë veçse i janë dërguar nga SHBA-ja, ndërsa parashihen edhe “shumë pajisje tjera ushtarake dhe e drejta për të luftuar”.

    Sipas të dhënave ukrainase, ky shtet ka depozita të 22 prej 34 mineraleve të identifikuara nga Bashkimi Evropian si kritike.

    Aty përfshihen materiale industriale dhe ndërtimore, metale të çmuara dhe me ngjyra dhe disa elemente të rralla të tokës.

  • Ejupi: Në kohën kur ka kriza energjetike në gjithë rajonin, qeveria jonë po ecën me hapa të breshkës

    Ejupi: Në kohën kur ka kriza energjetike në gjithë rajonin, qeveria jonë po ecën me hapa të breshkës

    Drejtori ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qeveria e Kosovës po ecën shumë ngadalë në zbatimin e strategjisë energjetike, pavarësisht krizës që ka përfshirë rajonin dhe Evropën.

    Sipas Ejupit, strategjia energjetike 2022-2032 parashikon ndërtimin e 1400 megavatëve kapacitet nga burimet e ripërtëritshme deri në vitin 2031, por deri tani progresi është shumë i ngadaltë.

    “Strategjia 2022-2032 parashikon deri në vitin 2031 të kemi kapacitete të energjisë së ripërtëritshme ose alternative diku prej 1400 megavatëve. Sot jemi në vitin 2025 dhe ende jemi në pritje të vetëm 100-150 megavatëve nga panelet solare”, tha Ejupi.

    Ai tha se qeveria duhet të veprojë më shpejt, pasi mungesa e kapaciteteve të reja mund ta përkeqësojë situatën energjetike në të ardhmen.

    “Nëse e zbatojmë strategjinë ashtu siç është miratuar, me këta hapa të breshkës me të cilët po ecën qeveria, do të jetë shumë vonë. Kur ka krizë energjetike në gjithë rajonin ose Evropën, qoftë për shkak të luftës në Ukrainë apo thatësisë së verës 2021, atëherë duhet të veprojmë më shpejt”, u shpreh Ejupi.

    Deklaratën e plotë të Burim Ejupit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Jashari: Gati çdo vit do të ketë rritje të çmimit të energjisë

    Jashari: Gati çdo vit do të ketë rritje të çmimit të energjisë

    Gazetari Fatlum Jashari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se derisa Kosova nuk i shton kapacitetet prodhuese të energjisë, rritja e tarifave do të vazhdojë pothuajse çdo vit.

    Sipas Jasharit, rritja e konsumit të energjisë, për shkak të ndërtimeve të reja dhe nevojave sezonale, po ndodh ndërsa kapaciteti prodhues ka mbetur i njëjtë për dekada.

    “Një konsumator mesatar duhet ta kuptojë se problemi qëndron te mungesa e prodhimit. Derisa nuk i shtojmë kapacitetet prodhuese, jo vetëm këtë vit, por çdo vit do të kemi ose pritet të kemi rritje të tarifave të energjisë elektrike”, tha Jashari.

    Ai tha se numri i konsumatorëve të rinj po rritet vazhdimisht, ndërkohë që prodhimi nga dy termocentralet kryesore të vendit ka mbetur i njëjtë për 30-40 vjet, madje duke shënuar rënie.

    “Fakti se po shkojmë gjithmonë e më shumë drejt rritjes mesatare të konsumit vjetor, qoftë edhe ditor, tregon se kemi nevojë për kapacitete të reja. Ndërkohë, kapaciteti prodhues i dy termocentraleve që përbëjnë burimin kryesor të energjisë elektrike në Kosovë ka mbetur ai që ka qenë para 20-30 a 40 vjetëve, madje ka shkuar duke rënë”, u shpreh Jashari.

    Deklaratën e plotë të Fatlum Jasharit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahmani: Kam qenë i vetmi deputet i VV-së që nuk ia kam votuar Qeverisë strategjinë për energji

    Rrahmani: Kam qenë i vetmi deputet i VV-së që nuk ia kam votuar Qeverisë strategjinë për energji

    Eman Rrahmani nga Koalicioni për Familjen, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka qenë i vetmi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që nuk e ka votuar strategjinë për energji të Qeverisë Kurti, për shkak të mospërfshirjes së ndërtimit të një termocentrali të ri.

    Sipas Rrahmanit, Vetëvendosja kishte premtuar ndërtimin e një termocentrali të ri, por ky projekt nuk ishte përfshirë në strategjinë për energji, prandaj ai e kishte kundërshtuar.

    “Jam i vetmi deputet që nuk ia kam votuar strategjinë për energji Qeverisë Kurti. Arsyeja ka qenë publike, sepse në Kuvend kam thënë se ne si Vetëvendosje kemi premtuar ndërtimin e një termocentrali të ri, por në strategjinë për energji ju nuk e keni përfshirë këtë projekt. Për këtë arsye, unë nuk e votoj strategjinë për energji,” tha Rrahmani.

    Ai shtoi se rritja e çmimeve të energjisë është e lidhur me rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila është e detyruar të miratojë rritjen e çmimeve kur operatorët argumentojnë rritjen e kostove.

    “Këto rritje të çmimeve tani, bazuar në rregulloren e ZRRE-së, janë të detyrueshme. Në momentin që operatorët e dëshmojnë rritjen e kostos së energjisë, ZRRE është e obliguar ta pranojë dhe ta rrisë çmimin,” u shpreh Rrahmani.

    Deklaratën e plotë të Eman Rrahmanitnë CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahmani: Të gjithë e dinë që jemi larguar për çështje parimore, madje as VV nuk na ka akuzuar për tradhti

    Rrahmani: Të gjithë e dinë që jemi larguar për çështje parimore, madje as VV nuk na ka akuzuar për tradhti

    Eman Rrahmani nga Koalicioni për Familjen, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se largimi i tij dhe i Visar Krasniqit nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë për arsye parimore dhe ideologjike, dhe se këtë e ka pranuar edhe vetë Vetëvendosja.

    Sipas Rrahmanit, ndryshe nga raste të tjera ku ka pasur akuza për tradhti apo korrupsion, ata nuk janë akuzuar nga asnjë organizim politik për interesa të caktuara.

    “Gjatë gjithë periudhës dhe fushatës, besoj që kemi arritur të fitojmë një luftë që të tjerët nuk kanë arritur me Vetëvendosjen. Është pranuar edhe nga ata se ne jemi larguar për çështje parimore dhe ideologjike, për të cilat nuk pajtohemi. Përderisa për të tjerët ka pasur akuza për tradhti, korrupsion dhe gjëra të tjera, ndaj meje dhe Visarit nuk ka pasur asnjë akuzë se jemi larguar për interesa të caktuara, por thjesht për bindje”, tha Rrahmani.

    Ai shtoi se kjo situatë u ka lehtësuar angazhimin e tyre politik, pasi gjatë fushatës kanë pasur një qasje të hapur në komunitet, me qytetarë që edhe pse nuk i votuan, e vlerësuan përfaqësimin e tyre.

    “Kjo na ndihmon, pasi që edhe ata vetë po e thonë të vërtetën se ne jemi larguar për çështje ideologjike. Nuk pajtohemi me drejtimin që ka marrë Vetëvendosja dhe subjektet tjera në përgjithësi. E kam parë që gjatë fushatës i kemi pasur dyert e hapura në çdo shtëpi. Madje, shpesh na kanë thënë: ‘Nuk jemi me ju, por kemi dëshirë t’ju shohim pjesë të Kuvendit, sepse është shumë e rëndësishme të shtyhet përpara kjo agjendë që po e proklamoni dhe po angazhoheni për të’”, u shpreh Rrahmani.

    Deklaratën e plotë të Eman Rrahmanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahmani tregon pse nuk u largua më herët nga VV-ja, por e çoi mandatin deri në fund

    Rrahmani tregon pse nuk u largua më herët nga VV-ja, por e çoi mandatin deri në fund

    Eman Rrahmani nga Koalicioni për Familjen, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qëndrimi i tij në Lëvizjen Vetëvendosje deri në përfundim të mandatit ishte një obligim moral ndaj votuesve që e kishin zgjedhur.

    Sipas Rrhamanit, ai kishte vendosur që në fund të mandatit të marrë një vendim për të ardhmen e tij politike, pas dështimit të Kodit Civil në Kuvend.

    “Unë e kam ndjerë obligim moral përpara votuesve që më kanë votuar duke qenë pjesë e Vetëvendosjes. Për këtë arsye, qëndrova për katër vite deri në përfundim të mandatit. Që nga momenti kur nuk kaloi Kodi Civil në Kuvend, kam deklaruar se në fund të mandatit do të marr vendim për angazhimin tim politik dhe për të ardhmen”, tha Rrahmani.

    Ai tha se votuesit e tij e kishin zgjedhur si pjesë e listës së VV-së, dhe për këtë arsye, e konsideronte të drejtë përmbushjen e mandatit të tij në atë subjekt politik.

    “Kur votuesi e ka votuar emrin tim, e ka votuar edhe në listën e Vetëvendosjes. Edhe pse tani del që vota për mua personalisht është përafërsisht e njëjtë me atë që kam marrë si deputet i VV-së, obligimi moral ishte që të përmbyllja detyrimet që kisha marrë si pjesë e një subjekti politik”, u shpreh Rrahmani.

    Deklaratën e plotë të Eman Rrahmanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahmani: Jam i kënaqur me rezultatin, do ta formojmë një parti konservative

    Rrahmani: Jam i kënaqur me rezultatin, do ta formojmë një parti konservative

    Eman Rrahmani nga Koalicioni për Familjen, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rezultati i zgjedhjeve është një bazë e mirë për të vazhduar me krijimin e një partie politike konservative në Kosovë.

    Sipas Rrahmanit, fushata dy mujore ka treguar se ekziston potencial për një parti të tillë dhe beson se kjo ide do të mirëpritet nga qytetarët.

    “E rëndësishme është se besoj që është një rezultat i kënaqshëm për të vazhduar një projekt të ri politik në Kosovë. Në bazë të aktivitetit dhe fushatës dy mujore që kemi pasur, është dëshmuar se ekziston një potencial për krijimin e një partie konservative në vend, të cilën besoj se do ta mirëpresin qytetarët”, tha Rrahmani.

    Ai tha se, ndonëse koha për përgatitje ka qenë e shkurtër, rezultati pasqyron angazhimin e bërë gjatë kësaj periudhe.

    “Ka qenë kohë e shkurtër, ku për sukses në zgjedhje duhen strukturë, njerëz dhe angazhim. Por unë për vete jam i kënaqur edhe me këtë rezultat, sepse është vlerësim i punës që kemi bërë gjatë dy muajve të angazhimit në këtë projekt,” u shpreh Rrahmani.

    Deklaratën e plotë të Eman Rrahmanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kush i ka fajet për çmime të rrymës

    Kush i ka fajet për çmime të rrymës

    Qe një temë e mirë – rryma elektrike! Zyra e Rregullatorit për Energji ka konfirmuar se ka kërkesa që nga një prilli sërish të shtrenjtohet energjia elektrike, edhe pse nuk i kanë konfirmuar, më herët nga mediat është përmendur rritja për 35% e të hyrave maksimale të lejuara për këto kompani, që i bie që për pak a shumë atë përqindje shtrenjtohet edhe rryma për neve si konsumatorë.

    Këqyre, rryma elektrike, edhe në një vend të varfën e të lodhte si ky i yni është biznis qindra milionësh edhe në vitet e fundit qindra miliona Euro rrymë është importuar në Kosovë, është harxhuar dhe nuk është paguar në veri të Kosovës, dhe kuptohet është harxhuar dhe paguar nga ne të tjerët.

    Tash, qindra miliona Euro dallavere, hajni e transfere, unë normal që nuk mund ti vërtetoj brenda këtyre minutave, por çka mund të bëj, është të tentoj ti zbërtheje disa nga elementet kryesoreje.

    E para – qe një diagram i pahijshëm që kallëzon qysh ky treg miliardësh funksionon. Pra, Zyra e Rregullatorit për Energji është autoritet publik që ndër të tjera bën licencimin e ndërmarrjeve energjetike, rregullimin e çmimeve të monopoleve natyrore, lehtësimin e konkurrencës dhe zbulimin e abuzimit në treg si dhe autorizimin për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Nejse kështu së paku shkruan në letër.

    Pra ZRRE është rregullator, kurse biznisi I rrymës elektrike funksionin kështu:

    Prodhuesit – që në rastin e Kosovës në pjesën dërrmuese është KEK-u, manej importi edhe pak krejt diçka burimet e ripërtritshme, prej KEK-ut o cilitdo prodhues, rryma kalon nëpërmjet një rrjeti të transmisionit, e pronar I rrjetit të transmisionit është KOSTT-it. KOSTT-i është i licencuar po ashtu nga ZRRE-ja dhe është përgjegjës për mbajtjen e një sërë rregullash për treg që rregullojnë pjesëmarrjen në treg, përgjegjësinë e balancimit, çmimin e disbalancit dhe barazimit përfundimtar të disbalanceve. OT nuk bën tregti me energji.
    KOSTTi- është ndërmarrje publike.

    Ku ia nisë të bëhet interesante është që shpërndarja, ose distribucioni bëhet nga KEDS-I, që është ndërmarrje private, me pronarë turq dhe është i licencuar nga ZRRE për të menaxhuar shpërndarjen fizike të energjisë tek konsumatorët dhe gjithashtu është përgjegjës edhe për blerjen e humbjeve në shpërndarje.

    KEDS-i dhe KOSTTI dhe KESCO që është përgjegjës për furnizim, pronë e të njëjtëve pronarë turq, kërkojnë nga ZRRE aprovim të tarifave për energji elektrike në bazë të dëshirave të tyre, kurse ZRRE miraton diçka të quhet të hyrat maksimale.

    Në vitin 2024 të hyrat maksimale, që ua ka miratuar ZRRE kanë qenë rreth 400 milionë Euro, prej të cilave 120 Milionë Euro kanë qenë të hyra të lejuar maksimale.

    Pra kur ZREE thotë se kompanitë kanë kërkuar rritje të të hyrave, fjala është për këto kompani.

    Deri këtu ishte proceudrë – hajde tash të flasim ku nisin telashet!

    Vetëvendosja pohon se kur KEDS-i e ka blerë distribucionin për 26 milionë Euro, ka qenë kontrate skandaloze, me elemente kriminale dhe shumë e dëmshme, më shtrenjtë se 26 milionë kanë kushtu veç pjesët rezerve dhe pronat etj etj. Kuptohet, shefa e grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka qenë e përfshirë në këtë proces, ajo edhe të tjerët nuk janë dënuar, kështu që krim nuk ka pasë. A ka pasë dëme? Sa t duash!

    Që një fore – një hidrocentral që është shitë në kuadër të këtij çmimi, ama jo si hidrocentral, por si listë e pjesëve për hidrocentral.

    Kjo i bjen si dikush me ta dorëzu një listë me 2 studio, 20 kamera, 10 mikrofona, dy mikseta, 30 reflektorë, 2 skenografi mobile, 6 zyre, 2 kilometra kabllo, 20 kompjutera, 3 antena, 6 serverë, ama mos me t kallëzu që kjo është televizion.

    Të gjithë të akuzuarit kanë thënë që nuk e kemi ditë, askush nuk ka shku në burg, hidrocentrali u fal, pini maca ujë!

    Përveç privatizimit të distribucionit edhe dy tema janë interesante – e para importi!

    Katër vitet e fundit Kosova ka importuar mbi 700 milionë Euro rrymë elektrike, zyrtarisht importi është i domosdoshëm kur KEK-u prodhon më pak sesa që konsumatorët harxhojnë dhe kur ka shumë import atëherë vitin e ardhshëm ka tarifa më të shtrenjta.

    Sipas opozitës në këto 700 milionë Euro import ka parregullsi të shumta, fjala është për mafi energjetike ku është i përfshirë direkt Ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, i icli është tregtar i rrymës.

    Sipas Vetëvendosjes, punë e madhe sa milionë është importi ama ka dallim se prej kujt kanë importu këta, e prej kujt ata. Qe njeri:

    Për më tepër, për më tepër edhe fondi për të ripërtritshme është skemë:

    Eh kjo na sjellë te tema tjetër qindra milionëshe – rryma në veri. Edhe pse Armend Muja i çmontoi shifrat në press conferencë, i pyetur se sa i kushton buxhetit të Kosovës rryma në veri në kohën e Qeverisë Kurti…

    Përgjigjen, kuptohet me pak ditë vonesë ma ka dhën Hykmete Bajrami

    E fundit, rryma sivjet do të shtrenjtohet dhe sipas të gjitha gjasave do të shtrenjtohet çdo vit së paku 6-7 vitet e ardhshme, sepse Kosova, e këtu faj kanë krejt partitë, por Vetëvendosja më së shumti, nuk është në gjendje të ndërtojë termocentral të ri, ka refuzuar mundësinë e ndërtimit me gaz, është vonuar me remonte dhe nuk ka as plan as ide qysh me i rritë kapacitetet prodhuese.

    Derisa nuk prodhojmë, krejt ai rrjet i importit dhe distribucionit që e përmenda ka me vazhdu me qarkullu qindra miliona Euro nga xhepi i secilit prej juve si konsumator!