ATV

Author: ATVLive

  • ​Rama: Në turizëm dhe ndërtim rrogat tek ne sa në Greqi

    ​Rama: Në turizëm dhe ndërtim rrogat tek ne sa në Greqi

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur sot se 57 % e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taksë, ndërsa 36% e tyre kanë nga 4 deri në 10 %”.

    Përmes një videomesazhi nga Partia Socialiste në rubrikën “Sy m’sy”, iu përgjigj sot disa komentuesve të cilët flasin për kostot e jetesës jashtë vendit, krahasuar me pagesat që merren.

    Së pari, kryeministri vuri në dukje se ka kohë që në Shqipëri nuk ka më rroga 250 mijë lekë të vjetra, ndërsa shtoi se “rroga është ajo që duket, po pas asaj ka dhe taksa”, raporton ATSH.

    Ndërsa vetëm rrogat mbi 1300 euro, sipas Kryeministrit e kanë taksën mbi 10%.

    Duke u ndalur te sektori i turizmit dhe ndërtimit, Rama solli në vëmendje se në këto sy sektorë në Shqipëri marrin sa në Greqi dhe paguajnë më pak taksë.

    “Ndërsa kur je jashtë qytetit tënd, fjetjen dhe ushqimin ta paguan kompania. Këto janë fakte. Me këto shpjegohet edhe kthimi i atyre që kanë filluar të vijnë të punojnë në turizëm për shembull apo atyre që investojnë në agroturizëm kursimet e tyre jashtë, por po, se u del ku e ku më mirë”, shtoi Rama.

    Rama iu përgjigj edhe një tjetër komentueseje, sipas së cilës njerëzit po ikin nga Shqipëria dhe jo nga Greqia diku tjetër.

    “Avash me kekun dhe byrekun se nuk janë më kohët që ishin, nuk është më njësoj bota, nuk është më njësoj Europa sot me atë që ishte deri dje dhe kostoja e jetesës në Europë është rritur aq shumë sa nuk ka më kursime si dikur. Këtë e dinë mirë të gjithë prandaj gjithësekush le t’i shohë me qetësi opsionet e veta dhe të vendosë qoftë për t’u kthyer plotësisht qoftë pjesërisht ca këtu ca atje, apo qoftë duke investuar këtu dhe duke ndenjtur atje”, tha Rama.

    Kryeministri theksoi se të gjitha janë të mundura dhe tek të gjitha këto gjen tek njerëzit që janë kthyer apo që i kanë kthyer sytë nga Shqipëria.

    “Jemi në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, për pak vite do të jemi anëtare të BE-së. Gjithçka do të ndryshojë, por kush vjen sot i jep vetes mundësinë që të fitojë më shumë përpara se me hyrjen në BE gjithça të bëhet njësoj si kudo tjetër”, shtoi ai.

  • Papa Françesku mbetet në gjendje kritike

    Papa Françesku mbetet në gjendje kritike

    Papa Françesku mbetet “në gjendje kritike” për jetën, me probleme në frymëmarrje dhe veshka, njoftoi të hënën Vatikani.

    “Nata shkoi mirë, Papa fjeti dhe tani po pushon”, thuhet në deklaratë.

    Papa u shtrua në Spitalin Gemelli të Romës më 14 shkurt, pasi kishte vështirësi në frymëmarrje për disa ditë.

    Fillimisht u trajtua për bronkit, përpara se të diagnostikohej me pneumoni në të dyja mushkëritë dhe me probleme në veshka.

    Vatikani nuk dha ndonjë prognozë, marrë parasysh, siç tha, “kompleksitetin e gjendjes klinike”.

    Një ditë më herët, Papa lëshoi një deklaratë, duke u kërkuar katolikëve që të luteshin për të, pasi ai nuk ishte në gjendje të udhëhiqte meshën e së dielës për të dytën javë rresht.

    Udhëheqësi i Kishës Katolike Romake është shtruar në spital disa herë gjatë mandatit të tij 12-vjeçar.

    Në të njëjtin spital, ai ka pasur trajtim për bronkit edhe në mars të vitit 2023.

    Nga Argjentina, Papa Françesku është latino-amerikani i parë dhe jezuiti i parë që drejton Kishën Katolike Romake.

  • Fillon samiti i Kievit për trevjetorin e luftës, marrin pjesë udhëheqës botërorë

    Fillon samiti i Kievit për trevjetorin e luftës, marrin pjesë udhëheqës botërorë

    Disa udhëheqës botërorë arritën të hënën në Kiev për një samit me rastin e trevjetorit të fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e nisi samitin me një fjalim hapës, i përcjellë nga 15 udhëheqës botërorë. Shtete të tjera do të bëhen pjesë e samitit përmes video-lidhjes, raporton televizioni BBC.

    Në mesin e udhëheqësve që kanë shkuar në Kiev janë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, si dhe udhëheqës nga Danimarka, Finlanda, Estonia, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia e Suedia.

    Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt 2022, kur presidenti rus, Vladimir Putin, dha urdhër që dhjetëra mijëra trupa ruse ta sulmonin vendin fqinj.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka premtuar se do t’i japë fund shpejt kësaj lufte dhe po u bën presion palëve që të arrijnë marrëveshje armëpushimi.

  • Vdekja e Bajram Qerkinit, Abdixhiku i shpreh ngushëllime familjes

    Vdekja e Bajram Qerkinit, Abdixhiku i shpreh ngushëllime familjes

    Për vdekjen e Bajram Qerkinit, ka ngushëlluar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Nëpërmjet një postimi në Facebook, Abdixhiku thotë se humbja e bacës Bajram thellohet edhe më shumë, kur ai u nda nga kjo jetë pa mësuar për fajtin e djalit të tij dhe shumë të zhdukurve të tjerë.

    “Por trashëgimia e tij për drejtësi dhe lufta e palodhur për të gjithë të zhdukurit, do të mbeten në histori për breza të tërë. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës!”, përfundon postimi.

  • “Trepça” largon punëtorin për dëme financiare mbi 27 mijë euro

    “Trepça” largon punëtorin për dëme financiare mbi 27 mijë euro

    Ndërmarrja “Trepça” ka larguar nga puna një punëtor që dyshohet se ka shkaktuar dëme financiare prej mbi 27 mijë euro.

    Sipas njoftimit të kompanisë, sot komisioni disiplinor ka vendosur masën e “ndërprerjes së marrëdhënies së punës” për punëtorin në fjalë.

    Njoftimi i plotë:

    Me datën 24.02.2025 Komisioni Disiplinor ka mbajtur shqyrtimin publik lidhur me rastin e z.Sh.S. Pas mbajtjes së shqyrtimit publik Komisioni Disiplinor ka vërtetuar se i njëjti ka kryer shkelje të rendë të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5, 1.13 dhe 1.52 i Rregullores nr.prot: 2906 dt. 30.07.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A, për shkak se i njëjti i ka shkaktuar dëm financiar Ndërmarrjes Trepça Sh.A., mbi 27,472.00 euro, dhe i njëjti ka qenë recidivist i shkeljeve të rënda të detyrave të punës dhe në disa raste të tjera e gjithë kjo e bazuar në raportin 983 nga komisionet përkatëse.
    Andaj, Komisioni disiplinor ka sjellur vendim me nr.prot: 1198 të dt. 24.02.2025 dhe ka shqiptuar masën disiplinore ndërprerja e marrëdhënies së punës për z.Sh.S.

  • ​Itali, shpërthen sërish vullkani Etna

    ​Itali, shpërthen sërish vullkani Etna

    Vullkani Etna në Itali sërish ka filluar të nxjerrë llavë.

    Sipas informacionit që AA ka siguruar nga burimet lokale, rrjedha e llavës e cila nisi një çarje në skajin jugor të kraterit Bocca Nuova në një lartësi prej rreth 3.300 metra më 8 shkurt, mbrëmjen e kaluar ka shpërthyer sërish, raporton Anadolu.

    Në informacionin e ndarë me mediat nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), thuhet se përveç rrjedhjes së llavës në vullkan, kishte edhe një aktivitet të dobët të nxjerrjes së hirit.

    Raportet tjera mediatike thanë se udhëtimi ajror nuk është ndikuar negativisht nga aktiviteti vullkanik në Etna dhe se Aeroporti Ndërkombëtar i Catanias “Vincenzo Bellini”, pranë vullkanit, është gjithashtu i hapur për trafikun ajror.

    Aktivitetet vullkanike në Etna janë vërejtur që nga 8 shkurti.

    Në muajt e verës së vitit 2024 në vullkanin Etna në ishullin e Siçilisë i cili është vullkani më i lartë aktiv në Evropën kontinentale u shënuan aktivitete vullkanike të tilla si shpërthime të fuqishme të hirit dhe llavës.

  • ​Gjatë karnavalit të Venecias mbahet protestë në mbështetje të Ukrainës

    ​Gjatë karnavalit të Venecias mbahet protestë në mbështetje të Ukrainës

    Në kuadër të karnavalit të Venecias në urën “Ponte degli Scalzi” në Venecia të Italisë u mbajt një protestë në mbështetje të Ukrainës.

    Në protestë tërhoqën vëmendjen kostumet shumëngjyrëshe të karnavalit, raporton Anadolu.

    Gjithashtu në pamje vërehen flamujt e Ukrainës të varur mbi urë, njerëzit që marshojnë me flamuj ukrainas në duar si dhe ata që ecin nëpër rrugica me kostume historike.

    Sot shënohet tre vjetori nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë.

    Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe presidenti rus Vladimir Putin priste të pushtonte të gjithë vendin brenda pak ditësh, por ajo që ndodhi në vend të kësaj ishin tri vjet luftime intensive falë qëndresës së armatosur ukrainase me ndihma që vinin nga aleatët perëndimorë.

  • ​Asamblistët e opozitës nuk mund të hyjnë në Kuvendin e Novi Sadit, policia i largoi të gjithë nga hyrja

    ​Asamblistët e opozitës nuk mund të hyjnë në Kuvendin e Novi Sadit, policia i largoi të gjithë nga hyrja

    Asamblistët e opozitës në Kuvendin e Novi Sadit u penguan të hyjnë në ndërtesë dhe të marrin pjesë në seancën në të cilën do të zgjidhet kryetari i ri i komunës. Qytetarët hodhën vezë ndaj punonjësve të policisë, ndërsa asamblistët tentuan të çajnë kordonin para hyrjes. Një numër i madh i policëve, të cilët kishin qenë brenda që në mëngjes herët, dolën nga ndërtesa e Kuvendit dhe pastruan pllatonë para Kuvendit të Novi Sadit.

    Siç është paralajmëruar edhe më herët, seanca për zgjedhjen e kryetarit të Novi Sadit është caktuar për në orën 10:00.

    Policia me pajisje për thyerjen e demonstratave, me mburoja dhe helmeta dhe qen policie, mbërriti me autobus dhe makina të shumta policie, raporton N1.

    Që herët në mëngjes, rreth orës 6:30, në ndërtesën e Kuvendit kanë nisur të mbërrijnë efektivë të policisë. Sipas videove të postuara në rrjetin social “X” nga gazetari Zarko Bogosavljeviq, policët ishin të veshur me pajisje të plota në hyrje të parlamentit të qytetit.

    Rreth orës shtatë, makinat e policisë kanë mbërritur para Kuvendit të Novi Sadit. Menjëherë pas kësaj, një grup tjetër oficerësh policie mbërriti në ndërtesën e parlamentit të Novi Sadit. Vetëm 15 minuta më vonë, siç njoftoi gazetari Bogosavljeviq në llogarinë e tij X, mbërritën edhe shumë makina tjera policie.

  • ​BMW vonon prodhimin e Mini elektrike, shkak i pasigurisë

    ​BMW vonon prodhimin e Mini elektrike, shkak i pasigurisë

    BMW ka konfirmuar se ka vonuar rihyrjen e prodhimit të automjeteve elektrike në fabrikën Mini në Oxford për shkak të pasigurisë në industrinë automobilistike.

    Kompania ka vendosur të pezullojë përmirësimin e fabrikës së saj në Cowley, një investim prej 600 milionë paund, dhe të refuzojë një grant prej 60 milionë paund nga qeveria, por ka mbetur në dialog me të.

    Kjo ka ndodhur për shkak të shqetësimeve mbi objektivat e prodhimit të automjeteve elektrike. Prodhuesit e automjeteve kanë argumentuar se numri i automjeteve elektrike që pritet të shiten në këtë vit dhe vitet e ardhshme është tepër i lartë.

    Prodhimi i dy modeleve elektrike Mini ishte planifikuar të fillonte në 2026, ndërsa BMW ka theksuar se ndihma e qeverisë për kalimin në automjete elektrike është e nevojshme. Departamenti për Transportin ka deklaruar se po konsultohet për afatin e ri të 2030 dhe po investon mbi 2.3 miliardë paund për mbështetje.

  • Ku mbesin votat e partive që nuk e kaluan pragun?

    Ku mbesin votat e partive që nuk e kaluan pragun?

    Njëzet e katër subjekte, koalicione apo kandidatë të pavarur, që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, nuk e kaluan pragun zgjedhor prej 5 për qind.

    Në mesin e tyre janë katër që përfaqësojnë komunitetin shumicë shqiptar dhe në total- sipas rezultateve preliminare – këto numërojnë gati 21 mijë vota, apo 2 për qind. Por, çka ndodh me këto vota?

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet e tyre por votat nuk shpërndahen apo nuk i shkojnë ndonjë partie tjetër që ka marrë më shumë se 5 për qind.

    Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës ndahen në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme që i ka fituar secili subjekt politik, në mesin e subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin shumicë të cilat kanë fituar së paku pesë për qind nga numri i përgjithshëm i votave të vlefshme në zgjedhjet për Kuvend dhe subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë.

    Në Kuvendin e Kosovës, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet jo shumicë – 10 për serbët dhe të tjerat për pakicat jo serbe.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë për KosovaPress se ky institucion i certifikon rezultatet e secilit subjekt politik apo kandidatë që ka marr pjesë në zgjedhje, edhe kur nuk e kalojnë pragun, derisa shton se ligji përcakton se në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet për secilin subjekt politik dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Pra, KQZ certifikon rezultatet e subjekteve politike, ku përfshihet numri dhe përqindja e votave të fituara edhe në rastin kur ato nuk e kalojnë pragun e paraparë prej 5%. Sipas ligjit, në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë Elezi.

    Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor nuk kanë asnjë rëndësi në përcaktimin e ulëseve të reja në Kuvend.

    “Votat e subjekteve që nuk e kanë kaluar pragun nuk shpërndahen tek subjektet tjera që kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës sepse në momentin kur ti e kalon pragun prej 5%, me automatizëm ty të ndahet formula e ndarjes në parlament. Dikush i ka 5.5%, i merr 7 ulëse, dikush 25% i merr ndoshta 30 deputetë. Kjo ndarja e 100 vendeve bëhet për subjektet që e kanë kaluar pragun zgjedhor, jo për ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë ai. Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu kujton se më herët ishte praktikë që votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5% të shpërndahen te partitë që kanë arritur të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

    “Ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor, partitë pra, apo kandidatët e pavarur ose subjektet politike….me ligjin paraprak para këtij plotësim-ndryshimi janë rivendosur dhe janë dhënë dhuratë sipas sistemit të rotacionit prej partisë më të madhe, të dytës, të tretës partive politike që kanë marr mandate. Por është deklaruar se tani më ato vota nuk mund të llogariten”, thotë Baraliu.

    Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.
    Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%./KP