ATV

Author: ATVLive

  • Qeveria miraton linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës

    Qeveria miraton linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-udhëzimin Administrativ për Linjën Telefonike Emergjente për Viktimat e Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Baza Gjinore, raporton EO.

    Në prezantimin e këtij projekt-udhëzimi, kryeministri Albin Kurti tha se viktimat kanë nevojë për reagim të shpejtë dhe efikas të institucioneve të shtetit dhe tha se linja telefonike emergjente ofron “ndihmë të menjëhershme në situata emergjente dhe referim të shpejtë të shërbimet përkatëse, duke siguruar që viktimat të kenë qasje në shërbimet e nevojshme për mbrojtjen dhe fuqizimin e tyre”.

    Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë tha se me këtë projekt-udhëzim synojnë që të krijojnë një “linjë emergjente, të specializuar që ofron mbështetje të menjëhershme, të qasshme, të sigurt, konfidenciale për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.

    “Linja telefonike emergjente shërben si pikë kontakti ndërlidhëse në nivel qendror dhe ofron mundësinë që viktimat dhe qytetarët që rastet e ndërlidhura me dhunën në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën me bazë gjinore”, tha Haxhiu.

  • Rama: Nuk ka shanse marrëveshjeje me Serbinë për të ardhmen e Kosovës

    Rama: Nuk ka shanse marrëveshjeje me Serbinë për të ardhmen e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk ka shanse që të bien dakord me Serbinë se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, transmeton Anadolu.

    Në një intervistë për një televizion grek, Rama ka folur për disa çështje, përfshirë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, marrëdhëniet me Serbinë, luftën Rusi-Ukrainë, Bashkimin Evropian (BE) dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

    “Serbia është këtu, është në rajon dhe ka lidhje me vëllezërit tanë në Kosovë dhe është e rëndësishme për marrëdhënien tonë. Pas 68 vjetësh unë vizitova Beogradin. Ne e kemi këtë mosmarrëveshje. Nuk ka shans që ne të biem dakord se cila është e ardhmja e Kosovës, por nga ana tjetër kjo nuk duhet të jetë arsye për të bërë shumë gjëra të tjera”, tha Rama.

    Duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke, Rama tha se sfida është ta shohësh historinë me sytë e të ardhmes dhe jo të ardhmen me sytë e historisë.

    “Marrëdhëniet (Shqipëri-Greqi) tani janë mirë, gjithmonë mund të jenë shumë më mirë. Për një farë kohe ishin keq, për një çështje që ishte shumë shumë e rëndësishme për palën greke, ndërsa për ne ishte thjeshtë një mes shumë çështjesh, por jemi në rregull tani”, tha Rama, duke iu referuar çështjes së Alfred Belerit, i cili aktualisht është anëtar i Parlamentit Evropian si përfaqësues i Greqisë dhe që u dënua në Shqipëri për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

    Rama theksoi se përcaktimi i zonave detare me Greqinë është një çështje tjetër që duhet të zgjidhin.

    “Donim që të ecnim përpara me disa çështje të mbetura pezull. Për ne është shumë e rëndësishme t’i jepet fund ligjit absurd të luftës. Ligjërisht jemi në luftë. Jo nuk është shfuqizuar dhe duhet të shfuqizohet. Ajo çfarë ka ndodhur është se kemi nënshkruar një traktat miqësie, por ligji është në fuqi”, tha Rama.

    Kujtojmë se disa vite më parë Shqipëria dhe Greqia u dakorduan që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve.

    “Unë drejtoj një qeveri që në programin e vet që kur ishim në opozitë e ka shprehur qartë që politika jonë e jashtme, një prej shtyllave të saj është trekëndëshi i partneritetit strategjik me Italinë, Türkiyen dhe Greqinë. Greqia është partner strategjik, duam të jemi shumë pranë e të bëjmë shumë më tepër”, tha ndër të tjera Rama.

    Rama tha se Evropa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit kur vjen fjala për mënyrën se si njerëzit mund të organizohen dhe se si përmes politikës mund të ndërtohet diçka e jashtëzakonshme.

    “Por kështu siç është, Evropa ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nëse nuk ndryshon situata mund të bëhet më e vështirë për Evropën”, shtoi ai.

    I pyetur se cili është qëndrimi i tij rreth bisedimeve SHBA-Rusi për luftën në Ukrainë, pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe BE-së, Rama tha se, “Mendoj se jetojmë në kohëra revolucionare. Ajo që po ndodh ka tiparet e një revolucioni. Ne duhet të jetojmë me të, të reagojmë ndaj kësaj, të mos ankohemi e të mos mendojmë se ‘status quo’-ja me të cilën jemi mësuar mund të na ndihmojë”.

  • Sëmundja misterioze vret më shumë se 50 njerëz, përhapja filloi pasi tre fëmijë konsumuan një lakuriq të ngordhur

    Sëmundja misterioze vret më shumë se 50 njerëz, përhapja filloi pasi tre fëmijë konsumuan një lakuriq të ngordhur

    Një sëmundje misterioze i’u ka marrë jetën më shumë se 50 njerëzve në Republikën Demokratike të Kongos vetëm disa orë pas fillimit të simptomave.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe mjekët në Kongo thanë se koha midis shfaqjes së simptomave dhe vdekjes ishte vetëm 48 orë në shumicën e rasteve. OBSH e përshkruan këtë përhapje si një “kërcënim të rëndësishëm për shëndetin publik”.

    Zyrtarët besojnë se përhapja filloi më 21 janar dhe 419 raste janë regjistruar që nga e hëna, duke përfshirë 53 vdekje.

    Sipas zyrës së OBSH-së në Afrikë, rastet e para filluan në qytetin Boloko pasi tre fëmijë thuhet se konsumuan një lakuriq të ngordhur.

    Ata vdiqën 48 orë pasi shfaqën simptoma të etheve hemorragjike, gjakderdhje, dhimbje koke, dhimbje kyçesh dhe simptoma të tjera.

    “Kjo është vërtet shqetësuese”, i tha Associated Press Serge Ngalebato, drejtor mjekësor i Spitalit Bikoro në DRC, duke iu referuar se sa shpejt humbën jetën viktimat.

    Lajmi vjen pasi mjekët paralajmëruan spastrimin e Qendrës së kontrollit të sëmundjeve të Presidentit Donald Trump dhe ndalimin e komunikimit me OBSH-në.

    Zyrtarët e OBSH-së paralajmëruan gjithashtu se numri i shpërthimeve nga sëmundjet që vijnë nga kafshët te njerëzit është rritur me më shumë se 60 % në Afrikë në dekadën e fundit.

    Zyrtarët nuk spekuluan se cila mund të jetë sëmundja misterioze.

    Megjithatë, pasi filloi përhapja e dytë e sëmundjes misterioze në qytetin e Bomate më 9 shkurt, zyrtarët dërguan mostra nga 13 raste për testim.

    Të gjitha mostrat kanë qenë negative për Ebolën dhe sëmundje të tjera hemorragjike si Marburg, megjithëse disa mostra ishin pozitive për malarien.

    Sëmundja ka një shkallë vdekjeprurëse prej 12.3 %, sipas zyrës së OBSH-së në Afrikë, e cila është rreth 10 herë më e lartë se kur Covid filloi të përhapet për herë të parë.

  • Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin e Trump për uljen e taksave

    Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin e Trump për uljen e taksave

    Dhoma e Përfaqësuesve miratoi mbrëmjen e së martës planin e Presidentit Trump për uljen e taksave dhe për kufirin, duke i dhënë një shtysë të madhe axhendës së administratës së re për vitin 2025.

    Të gjithë ligjvënësit demokratë votuan kundër, ndërsa një prej tyre abstenoi. Një ligjvënës republikan u shpreh kundër planit të presidentit në votimin 217-215.

    Miratimi vjen pas një serie të pazakontë manovrash nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, i cili anuloi votimin, ndërsa ligjvënësit u njoftuan se nuk do të kishte votime të tjera gjatë natës. Më pas ai ndryshoi kursin, duke e hedhur ë buxhetin për votim.

    Ndryshimi i rrjedhës së ngjarjeve erdhi pasi Johnson dhe republikani i dytë në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Scalise, shpenzuan orë të tëra duke bindur të pavendosurit që të mbështesin planin, një hap paraprak për zgjatjen e shkurtimit të taksave të vitit 2017, të miratuar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.

    Të dy udhëheqësit thanë se vetë Presidenti Trump kishte kontaktuar gjithashtu ligjvënësit ngurrues në lidhje me nevojën për të çuar përpara planin prej 4.5 trilion dollarësh të uljes së taksave, i cili gjithashtu përfshin financimin e përpjekjeve të dëbimit të imigrantëve që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, do të shtrëngonte sigurinë kufitare, heqjen e rregullave të tepërta në sektorin energjetik dhe mbulonte shpenzimet ushtarake.

    “Presidenti ka biseduar me një numër ligjvënësish. Ai i ka bërë të njohura qëllimet e tij dhe dëshiron që ata të votojnë dhe ta çojmë përpara”, tha Johnson./VOA

  • Trump publikon një video me inteligjencë artificiale se si mund të duket Gaza pas rindërtimit

    Trump publikon një video me inteligjencë artificiale se si mund të duket Gaza pas rindërtimit

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka postuar një video të krijuar nga inteligjenca artificiale në llogarinë e tij të mediave sociale Truth Social.

    Videoja e AI që ai postoi vizualizon peizazhin e Gazës aktualisht të shkatërruar nga lufta në një qytet modern dhe të transformuar në det, plot hotele, njerëz dhe rrokaqiej.

    Kjo pason idenë e fundit të Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje arabe për të kryer rindërtimin masiv të vendit të shkatërruar.

  • ​Nëntë vjet më parë Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës

    ​Nëntë vjet më parë Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është zgjidhur president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike, më 26 shkurt të vitit 2016.

    Ai ka fituar me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjidhja e tij është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, të cilat dy herë radhazi kanë ndërprerë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

    Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit kanë diskutuar kundër zgjidhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafën, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata kanë vënë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

    Deputetët e opozitës kanë shfaqur dyshimin se kandidati për president, Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.

    Derisa ishin duke u zhvilluar raundet e votimeve, jashtë parlamentit, Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që kanë hedhur shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

    Hashim Thaçi detyrën e presidentit e ka marrë më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.

    Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).

    Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri në dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës.

    Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambouillet në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999. Thaçi ka qenë lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

    Si kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresistë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

    Karriera politike e Hashim Thaçit ka filluar me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që ka synuar emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

    Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi është bërë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit ka mbyllur institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës ka filluar të vepronte jashtë sistemit institucional.

    Në vitin 1991, Thaçi është zgjidhur prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku ka dhënë kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar.

    Hashim Thaçi është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Nga viti 1997, Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai ka kryesuar delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare, të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas luftës, Hashim Thaçi ka qenë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.

    Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur janë mbajtur zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.

    Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ka qenë ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ka ndryshuar emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi është zgjidhur kryetar i saj, post, të cilin e ka mbajtur deri më 26 shkurt 2016.

    Thaçi ka qenë anëtar i Ekipit të Unitetit që ka përfaqësuar Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që ka negociuar statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007.

    Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi është zgjidhur kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës ka shpallur Kosovën shtet të pavarur.

    Thaçi ka qenë kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit, për t’u nisur menjëherë drejt Hagës, për shkak të aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale.

    Në konferencën e fundit si President, ai ka thënë se nuk do të lejonte të dilte si President i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Speciale./KP/

  • ​26 shkurti, ditëlindja e Adem Demaçit

    ​26 shkurti, ditëlindja e Adem Demaçit

    Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi sot do t’i mbushte 89 vjet. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

    Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

    Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

    Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

    Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

    Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

    Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

    Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve të nëntëdhjeta. Demaçi vdiq më 26 Korrik 2018.

  • ​“Daily Express”: Shqipëria vendi magjepsës evropian më afër dhe më i lirë se Tajlanda

    ​“Daily Express”: Shqipëria vendi magjepsës evropian më afër dhe më i lirë se Tajlanda

    Ky vend i mrekullueshëm evropian është më afër dhe më i lirë se Tajlanda, por jo më pak i bukur, shkruan Vita Molyneux në të përditshmen britanike “Daily Express”.

    Nëse kërkoni bukurinë e Tajlandës, por me çmim të përballueshëm – dhe një fluturim më të shkurtër nga Britania e Madhe – ekziston një perlë e fshehur në Evropë, të cilën iu rekomandojmë ta vizitoni.

    “Shqipëria është një vend i bukur i vendosur në Evropën Juglindore, në Gadishullin Ballkanik”, tha Clare Tobin, CEO në kompaninë e udhëtimeve “Wild Frontiers”, shkruan ATSH.

    “Vendet e saj fqinje përfshijnë Greqinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Me peizazhin e saj mbresëlënës malor dhe bregdetin që të lë pa frymë, Shqipëria ka një bukuri të pacënuar – që tani është një gjë e rrallë në Evropë”, shtoi ajo.

    “Riviera Shqiptare është një opsion fantastik për ata që kërkojnë pushime parajsore – me plazhe me rërë të bardhë, dhe gjithashtu të përballueshme, aksesueshme dhe më pak të mbushura me turistë”, tha Claire.

    Për turistët që adhurojnë detin, Ksamili në Rivierën Shqiptare është një alternativë ideale – i ngjashëm me Tajlandën tropikale.

    E vendosur në afërsi të qytetit të Sarandës, shpesh është quajtur Karaibet Shqiptare falë plazheve me rërë të bardhë dhe ujërave bruz.

    “Ksamili është një fshat i vogël peshkimi për të cilin shumë turistë nuk kanë dëgjuar ende. Ai ofron atmosferën më të qetë për pushim relaksuese. Zona është e njohur për historinë e saj të pasur dhe plazhet e jashtëzakonshme, duke ofruar turizëm të nivelit të lartë për vizitorët që kërkojnë pushime të paharrueshme në Evropë”, tha Claire.

    Përveçse është e bukur dhe më e qetë se destinacionet e tjera më të famshme, Shqipëria është edhe shumë e përballueshme.

    “Një vakt me tre pjata për dy persona kushton rreth 42 paund. Një birrë kushton rreth 2 paund dhe një kafe rreth 1,30 paund”, shtoi ajo.

    “Udhëtimi në Shqipëri është relativisht i lirë, ashtu si edhe ekskursionet. Ka gjithashtu shumë aktivitete falas, qoftë eksplorimi i qyteteve lokale apo relaksimi në një nga plazhet e shumta të Shqipërisë. Kostoja ditore për person në Shqipëri shkon rreth 40 paund”, tha Claire.

    “Nëse dëshironi të eksploroni këtë vend mahnitës – mënyra më e lehtë për ta arritur atë është të fluturoni në qytetin fqinj të Korfuzit në Greqi, dhe më pas të merrni një traget për në qytetin e Sarandës. Fluturimi zgjat rreth tre orë nga Londra dhe udhëtimi me traget është 30 minuta”, tha ajo.

  • ​Muzeu Hebraik në Vlorë do të prezantoj një histori unike bashkëjetese

    ​Muzeu Hebraik në Vlorë do të prezantoj një histori unike bashkëjetese

    Muzeu Hebraik në Vlorë do të jetë institucioni më i ri i kujtesës, ku do të prezantohet një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve.

    Godina ku do jetë Muzeu Hebraik është një ndërtim i fundshekullit të XIX dhe ndodhet në Qendrën Historike të Vlorës.

    Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Orges Feimi tha në një intervistë për ATSH-në se “ky muze do të jetë një pol i ri kryesor kulturor në qytet”.

    “Ky muze i ri do të ndikojë edhe në rritjen e vizitueshmërisë së muzeumeve dhe vetë zonës historike të qytetit, ku ndodhen edhe dy muzeume të tjerë, Muzeu Historik dhe ai Etnografik. Në qytetin tonë ndodhet edhe Muzeu kombëtar i Pavarësisë që çdo vit tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj”, tha Feimi.

    Sipas tij, punimet për realizimin e muzeut pritet të fillojnë në fund të muajit shkurt ose në ditët e para të marsit.

    “Është ngritur kantieri i ndërtimit për zbatimin e punimeve, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore në raport me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe procedurave të ndjekura nga DRKK Vlorë si dhe është lidhur kontrata mes subjektit zbatues dhe Fondit Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit AADF. Fondi për realizimin e këtij projekti pritet të shkojë në 280 milionë lekë”, theksoi Feimi.

    Ky projekt ambicioz u hartua nga firma fituese nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects” nga Tel -Avivi i Izraelit.

    Feimi bën të ditur se “punimet kanë një afat prej 20 muajsh sipas grafikut të miratuar dhe pritet të realizohen brenda tij”.

    Ky muze do të rrëfejë një histori shekullore bashkëjetese mes shqiptarëve dhe popullsisë hebreje, por edhe do të kthehet në një qendër që gjeneron dialog mbi tolerancën dhe mirëkuptimin mes popujve.

    “Në këtë muze ajo që është më kryesorja për t’u përfshirë është bashkëjetesa e popullit hebre me popullin shqiptar, besa që kemi lidhur ndaj njëri-tjetrin në kohëra të vështira të këtij populli siç është periudha e Holokaustit, që do të jenë të prezantuara në muze nëpërmjet videopamjeve, fotografive të asaj kohe, objekteve që i disponojnë familjet. Muzealizimi është një proces që është marrë drejtpërdrejt AADF për Muzeun Hebraik”, tha Feimi.

    Feimi bën të ditur se “në sheshin ‘Besa’ që ndodhet para muzeut do të ketë një strukturë paralele në krah, që do të jetë hyrja për ne muze si dhe një instalacion të një tuneli prej xhami ku do të ekspozohen objekte muzeale”.

    Më ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, për sa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit.

  • Raportimet për mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova, MB i quan dezinformata

    Raportimet për mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova, MB i quan dezinformata

    Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se “as që bëhet fjalë” për largimin e trupave amerikane nga Kosova dhe se përmbajtja e artikullit të medias gjermane “Bild” është dezinformatë.

    “Ky lajm i qarkulluar nga disa faqe interneti dhe kanale televizive është dezinformatë e përhapur nga aktorë të jashtëm që synojnë destabilizimin e vendit dhe Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për mediumin “Anadolu”.

    Ministria e Mbrojtjes së Kosovës tha se për tërheqje të trupave amerikane nga Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) “as që bëhet fjalë”, pasi vendime të tilla për vendosjen ose tërheqjen nuk merren në baza të rastësishme.

    Ndërkaq, një zyrtar i NATO-s i cili foli për mediumin tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor me kontributin e tyre të rrënjosur thellë në KFOR dhe aktualisht mbështesin misionin me më shumë se 600 trupa.

    “Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, duke përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe nevojën që parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s të mbetet e fortë”, tha zyrtari, duke shtuar se SHBA pret që aleatët e saj të NATO-s të bëjnë dhe të investojnë më shumë për sigurinë e përbashkët.

    Ka qenë gazeta gjermane “Bild” që javën e kaluar, ka raportuar se institucionet e sigurisë evropiane janë të alarmuar për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Evropë. Kjo media e kishte përmendur në mënyrë specifike edhe Kosovën, duke thënë se Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova.

    Siç shkruante kjo gazetë, kjo do të çonte në një situatë ku aleatët evropianë do të ishin të vetëm në Ballkan “kundër mikut të Putinit Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”.