ATV

Author: ATVLive

  • Protesta në mbarë SHBA-në edhe kundër Musk – protestuesit brohorasin “Zelensky është hero”

    Protesta në mbarë SHBA-në edhe kundër Musk – protestuesit brohorasin “Zelensky është hero”

    Protestuesit janë mbledhur jashtë dyqaneve të Tesla në të gjithë SHBA-në për të protestuar ndaj miliarderit Elon Musk.

    Bëhet e ditur se protestat janë pjesë e një reagimi në rritje në Amerikën e Veriut dhe Evropë ndaj rolit të Musk në qeverinë e Donald Trump.

    Kritikët e Trump dhe Musk shpresojnë të dekurajojnë dhe ndalojnë blerjet e Tesla.

    “Ne mund t’i imponojmë dëme të drejtpërdrejta ekonomike Teslas duke e bojkotuar dhe duke u thënë të gjithëve të largohen”, tha Nathan Phillips, njëri nga protestuesit.

    Raportohet se Musk po bën thirrje që qeveria e SHBA-së t’i ulë shpenzimet federale dhe të reduktojë ndjeshëm fuqinë punëtore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Zyrtarët e departamentit që ai udhëheqë, DOGE, kanë fituar me shpejtësi akses në bazat e të dhënave të ndjeshme, kanë drejtuar mijëra shkurtime federale të vendeve të punës, kanë anuluar kontrata dhe kanë mbyllur seksione të qeverisë, duke përfshirë Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar.

    Kritikët thonë se veprimet e manjatit të teknologjisë kundërshtojnë fuqinë e Kongresit për të kontrolluar buxhetin e SHBA-së.

    Por kështu nuk mendojnë të gjithë.

    “Protestat nuk do ta pengojnë presidentin Trump dhe Elon Musk nga përmbushja e premtimit për të krijuar DOGE dhe për ta bërë qeverinë tonë federale më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj taksapaguesve amerikanë punëtorë në të gjithë vendin”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Fields.

    Ndryshe, më shumë se 50 protesta shpërthyen në të gjithë SHBA-në, me të tjera të planifikuar më vonë në mars.

    Disa pronarë të Teslas kanë raportuar gjithashtu se automjetet e tyre janë vandalizuar.

    Ndërsa çmimi i aksioneve të kompanisë ka rënë me gati një të tretën që kur Trump mori detyrën, megjithëse është ende më i lartë se një vit më parë.

    Pasuria aktuale neto e Musk është rreth 359 miliardë dollarë, sipas Forbes. /Telegrafi/

  • ​Koalicioni PDAK – LPB pretendon se Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar votat e diasporës

    ​Koalicioni PDAK – LPB pretendon se Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar votat e diasporës

    Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës-PDAK dhe Lëvizja për Bashkëveprim kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Partisë së Ashkalinjëve për Integrim. Për këtë të fundit ata predentojnë ka orkestruar votat e diasporës. Në konferencë për media koalicioni i PDAK-LPB i kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merret me këtë çështje.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjëve të Kosovës, Qazim Rrahmani tha se bëhet fjalë për 500 deri në 700 vota.

    “Pas datës 9 shkurt neve na kanë ardhur disa emaila, disa fakte, rivaliteti jonë politik- Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar vota të diasporës në grupe të organizuara, në grupe të caktuara ku kanë votuar një person për 50, 60 njerëz. Po ashtu, kanë marrë karta të identitetit, letërnjoftime, i kanë regjistruar vet si të tillë, i kanë marrë dëftesat e regjistrimit vet ato dhe po ashtu vet kanë votuar dhe vet i kanë paguar votat. Ne si koalicion PDAK dhe LPB jemi marrë qysh nga dita e marrjes së fakteve nga njerëzit, jemi marrë me këtë çështje dhe kemi dërguar lëndët tona, faktet tona në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Kemi dërguar ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme dhe rezultati i ngushtë i cili është mes PDAK LPB dhe PAI mund të bëjë deri në fund të rezultatit final, votat e diasporës mund ta ndryshojnë edhe vullnetin e qytetarëve ashkalinj”, deklaroi ai.

    Ai kërkoi që votat e diasporës për këtë parti të anulohen dhe rezultati të jetë nga vullneti i qytetarëve ashkalinj të Kosovës.

    “Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës me votat e sovranit, qytetarëve ashkalinj të Kosovës. Por, votat e diasporës të orkestruara mund ta ndryshojnë këtë rezultat. Andaj nga Prokuroria e Shtetit kërkojmë nga të gjitha organet e drejtësisë që të merren dhe të hetojnë këto fakte të cilat i kemi ofruar në prokurori dhe të merret drejtësia me këtë çështje. Përveç që kërkojmë hetim, kërkojmë edhe anulim të votave të diasporës të subjektit PAI për arsye se ka dëshmi, fakte dhe argumente të gjalla se janë të orkestruara”, shtoi ai.

    Edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkëveprim, Jeton Emini tha se historikisht në diasporë komuniteti ashkalinj nuk ka pasur shumë vota.

    “Dua të theksoj që kanë organizuar në mënyrë sistematike prej periudhës së regjistrimit të votuesve që ka filluar në gusht e deri në dhjetor, në mënyrë sistematike kanë shkuar në diasporë dhe kanë bërë tubime të tipit të koncerteve dhe ju kanë marrë letërnjoftimin pjesëmarrësve aty. Në këtë rast kanë bërë regjistrimin e votuesve në pajisjet e tyre, telefonat celular dhe pajisje të tjera përcjellëse, në një mënyrë janë bërë pronarë të dëftesës që është si akt themeltar për të ushtruar të drejtën e votës…E kemi deponuar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë si dhe në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal mbi bazën e asaj çka ne pretendojmë dhe çka dyshojmë sa i përket kundërshtarit politik”, deklaroi Emini.

    Sipas tij, diaspora mund të jetë vendimtare sa i përket ndryshimit të rezultatit final.

    “Kryetari i PAI, Etem Arifi kërkon nga qytetarët të rëndomtë, qytetarë të thjeshtë që nëpër rrjete sociale kërkon letërnjoftime në mënyrë që të bëjë regjistrimin e votuesve dhe kjo është edhe përmes videove. Dhe kjo mund të definohet qartë edhe nga hetuesit për shkak të vërtetësisë se çfarë ka ndodhur prej anës së PAI”, përfundoi ai.

    Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.

    Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%.

  • ​Sporti i xhudos me infrastrukturë të re edhe në tri qytete

    ​Sporti i xhudos me infrastrukturë të re edhe në tri qytete

    Infrastruktura e xhudos po përmirësohet në gjithë vendin. Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka njoftuar se është shpallur procedura për ndërtimin e doxhove në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.

    Këto investime të rëndësishme, sipac Çekut, janë pjesë e programit shtetëror “Kosova shtet i xhudos”, përcjellë KP.

    Ndërtimi i doxhove (palestrave të xhudos) në shtatë qendrat kryesore urbane të Kosovës është një nga synimet kryesore të programit.

  • ​Kupa e Kosovës/ Llapi e Drenica në gjysmëfinale

    ​Kupa e Kosovës/ Llapi e Drenica në gjysmëfinale

    Llapi ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll pasi ka eliminuar Malishevën me rezultat 100 në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.

    Golin e vetëm të kësaj ndeshje e realizoi Albin Tahiri në minutën e 45’ të ndeshjes, raporton KP.

    Edhe Drenica ka siguruar një vend në katërshen më të mirë të kësaj gare pasi e ka eliminuar Ferizajn. Heroi i skuadrës nga Skenderaj ishte Fofana i cili realizoi golin e fitores për Drenicën në minutën e 18’ të ndeshjes.

  • Publikohen detaje shtesë: Janë plagosur babai dhe vëllai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit nga Kosova

    Publikohen detaje shtesë: Janë plagosur babai dhe vëllai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit nga Kosova

    Të paktën tre persona mbetën të plagosur të mërkurën pasdite pranë gjykatës së Bielefeldit në Gjermani, ku po zhvillohej një seancë gjyqësore lidhur me vrasjen e boksierit kosovar Besar Nimani, e ndodhur në vitin 2024.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, menjëherë pas përfundimit të seancës, kur të shtënat u dëgjuan rreth 150 metra larg ndërtesës së gjykatës. Sipas mediave në Gjermani, janë shkrepur të paktën tre plumba.

    Mediat gjermane raportojnë se mes të plagosurve janë dy të afërm të të akuzuarit Huseyin Akkurt – babai dhe vëllai i tij. Njëri është goditur në këmbë, ndërsa tjetri ka pësuar plagë serioze në gjoks dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, raporton Radio Bilefeld.

    Autoritetet kanë konfirmuar se një nga personat e dyshuar për sulmin është arrestuar, ndërsa një tjetër ka arritur të izolohet në një zonë të afërt. Policia ka rrethuar disa pjesë të qytetit për të kapur të dyshuarin e dytë.

    Seanca gjyqësore e së mërkurës kishte nisur në orën 09:00, ku Huseyin Akkurt po përballet me akuzën për vrasjen e Besar Nimanit. Ai u arrestua në Bruksel në qershor të vitit 2024 dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me Aymand Dawoud Kirit, 33 vjeç, i cili është ende në arrati.

    Sipas hetimeve, dy të dyshuarit kishin qëlluar 16 herë në drejtim të boksierit, i cili humbi jetën në vendin e ngjarjes.

  • ​“E papërballueshme”, qytetarët ankohen për shtrenjtimin e mundshëm të rrymës

    ​“E papërballueshme”, qytetarët ankohen për shtrenjtimin e mundshëm të rrymës

    Paralajmërimin për rritjen e mundshme të çmimit të rrymës, qytetarët në Kosovë po e konsiderojnë si të padrejtë dhe të papërballueshëm. Ata ankohen se “xhepi” i tyre po rëndohet vazhdimisht me çmimet e larta. Kundër shtrenjtimit të rrymës shprehen edhe ekspert e njohës të energjisë elektrike.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) thotë se kompanitë energjetike KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike. KosovaPress mëson nga burimet e saj brenda ZRRE-së, se këto kompani kanë kërkuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

    Qytetari Vehbi Bahtiri e vlerëson si të tepërt paralajmërimin për rritje të çmimit të energjisë, pasi që sipas tij, buxheti i tyre është i vogël.

    “Çka po duan, po e bëjnë vetë, s’kemi çfarë të bëjmë ne…A po mendoni që është e tepër që të shtrenjtohet rryma prapë në Kosovë? Po, sigurisht është e tepërt sepse buxheti është i vogël i qytetarëve dhe për xhepin tonë është i shtrenjtë çdo gjë, jo vetëm rryma…01:23 Normalisht që dëmtohemi ne, por kjo nuk varet nga tregu i Kosovës. Nuk kemi asnjë prodhim ne, që mund t’i bëjmë konkurrencë bursave të Evropës që ne të mund të ndryshojmë ta bëjmë çmimin më të ulët. Kur importon nga jashtë, veç shtrenjtim ka”, tha Bahtiri.

    Edhe pensionisti Remzi Dobruna u shpreh se është e papranueshme mundësia për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike. Sipas tij, ky vendim mund të vije si pasojë e krijimit të monopoleve.

    “Kush na pyet neve, ne jemi pensionerë…Po dihet që e papranueshme totalisht. Sa i dëmton qytetarët shtrenjtimi i energjisë elektrike? Çfarë të bëjnë qytetarët, duhet të pajtohen, s’kanë kurrfarë force qytetarët t’i ndalin… Këta me pensione 120 euro si ta paguajnë?…Sipas juve pse po rritet çmimi i rrymës vazhdimisht në Kosovë? Sepse janë krijuar monopole në Kosovë, aty është problemi, çdo kund”, u shpreh Dobruna.

    Ismet Rexhepi pret nga ZRRE-ja që të merr vendim duke u mbështetur në gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

    “Shpresoj që ZRRE-ja do të bie në vendim i cili do të mbështete në ecuritë reale ekonomike dhe në çështjen e kostos të prodhimit të energjisë”, tha Rexhepi.

    Lidhur me këtë paralajmërim, një qytetare komenton duke thënë se “krejt Kosova është në hauz”

    “Kosova është krejt në hauz, asgjë nuk është ka shkon (mirë)…E kanë kap krejt shtetin në dorë, rrymën, gjyqësinë, më të këqijat i bëjnë”, u shpreh ajo.

    Ndërkaq, njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa në një prononcim për KosovaPress tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike po bëhet për çdo vit, porse sistemi elektroenergjetik nuk po përmirësohet.

    Sipas tij, përveç shtrenjtimit të rrymës, qytetarët po përballen edhe me mos furnizim të rregullt me energji elektrike.

    “Problemi është ose pyetja është se a do të duhej ne të kujdesemi më shumë nëse në 2025-ën edhe pse rriten tarifat a do të kemi furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike…Rritja e çmimit të energjisë elektrike po bëhet për çdo vit, mirëpo sistemi elektroenergjetik nuk po përmirësohet, qëndrueshmëria e tij. Kemi divergjencë ndërmjet cilësisë të furnizimit dhe çmimeve. Prandaj, me të drejtë do të duhej që ne të kujdesemi më shumë për furnizim të qëndrueshme edhe nëse kemi çmime më të larta. Atëherë, të paktën të shpërblehemi me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike…Në këtë rast do të duhej ndoshta qeveria që të merrte masa përmirësuese për t’ia lehtësuar barrën konsumatorëve të cilët janë në kufirin e varfërisë energjetike”, tha Haxhimusa.

    Eksperti i energjisë elektrike, njëherësh edhe biznesmen, Hamdi Malushaj tha për KosovaPress se rritja e çmimit të rrymës do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ngritjen e çmimeve të prodhimeve vendore.

    “Ne e kemi këtë problemin e energjisë gjithmonë, të pa merituar si problem. Kosova e ka këtë problem të shkaktuar nga politika dhe nga profiterët në treg. Por, nuk është e sigurt asnjë veprim i ZRRE-së…Ne jemi në pozitën që me jetua duhet dhe patjetër që barra, shporta gjithçka në bazë të familjes dhe bizneseve, është një barrë shtesë. Sa do të jetë ajo kur bëhet energjia problem i bizneseve për të pasur ose jo llogari për të punuar, ajo po dihet se ndikon edhe drejtpërdrejt tek qytetarit në koston e produkteve…Në raftin e qytetarëve prodhimet vendore do t’i kenë ngritje çmimesh që humb edhe në konkurrencën me prodhuesit e jashtëm”, tha Malushaj.

    Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim nga ZRRE-ja thonë se janë në fazën e vlerësimit të aplikimeve nga kompanitë energjetike të cilat kanë kërkuar shqyrtim të tarifave.

    “KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, detajet e këtyre aplikimeve janë publikuar në faqen elektronike te ZRRE-së…ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve. Pas përfundimit të këtij procesi, do të hartohet një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm për konsultim publik për një periudhë dyjavore. Pas shqyrtimit të komenteve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vendim përfundimtar, i cili do të dërgohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm. Në përputhje me këtë proces, vendimi përfundimtar pritet të merret deri në fund të muajit mars”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Ndërkaq, nga KESCO nuk dhanë detaje rreth kërkesës së tyre duke thënë se “skema tarifore dhe çmimet e energjisë elektrike, janë të përcaktuara nga ZRRE-ja”.

    Të nejjten përgjigje e kanë dhënë edhe nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), kur janë pyetur rreth kësaj çështje./kp

  • Salih Mustafa përfundimisht dënohet me 15 vjet burgim nga Specialja

    Salih Mustafa përfundimisht dënohet me 15 vjet burgim nga Specialja

    Gjykata Supreme ia ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ish-komandantit të njësitit BIA, Salih Mustafës.

    “Calit” i mbetet në fuqi dënimi me burgim prej 15 vjetësh, i dhënë nga Apeli, në shtator të vitit 2024.

    “Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz i cili kërkohet që një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses”, thuhet në arsyetim.

  • Dënimi i Dodikut, Vuçiqi thërret mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë

    Dënimi i Dodikut, Vuçiqi thërret mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thirrur mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

    Kjo vjen pas dënimit të Milorad Dodik, presidentit të Republikës Srpska.

    Sipas “REL” mbledhja do të fillojë në orën 17:00.

    Dodik është shpallur fajtor dhe është dënuar me një vit burg dhe gjashtë vite ndalim nga ushtrimi i detyrës.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Mladen Lukiq, është liruar nga akuzat.

    Dodik dhe Lukiq akuzohen se nuk kanë implementuar vendimet e përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

  • Parashqevi Simaku, rikthimi i një ikone në objektivin e Fadil Berishës

    Parashqevi Simaku, rikthimi i një ikone në objektivin e Fadil Berishës

    Parashqevi Simaku, një nga ikonat më të dashura të muzikës shqiptare, vjen në një set të ri fotografik të realizuar nga mjeshtri i fotografisë, Fadil Berisha.

    Në këto imazhe mahnitëse, Parashqevi Simaku shfaqet elegante dhe plot shkëlqim, duke sjellë kujtimet e viteve të arta të karrierës së saj.

    Parashqevi Simaku, një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, arriti kulmin e suksesit në vitet ’80 dhe ’90, duke u bërë një ikonë e padiskutueshme. Megjithatë, në fillim të viteve ’90, ajo mori një vendim të papritur dhe u largua nga Shqipëria për të nisur një jetë të re në Shtetet e Bashkuara. Për dekada me radhë, ajo u distancua nga skena dhe jeta publike, duke lënë pas një boshllëk të madh në muzikën shqiptare.

    Në dhjetor të vitit 2024, një video e publikuar nga gazetari Blendi Fevziu tronditi opinionin publik, duke e shfaqur këngëtaren në kushte të vështira në një stacion treni në New York. Pamjet prekëse shkaktuan një reagim të menjëhershëm nga shqiptarët anembanë botës, të cilët u mobilizuan për ta ndihmuar.

    Pas kësaj ngjarjeje, falë mbështetjes nga komuniteti shqiptar dhe ndihmës së biznesmenit Elton Ilirjani, Parashqevi Simaku filloi të rikthehej në vëmendje dhe të rifitonte dinjitetin e saj. /atvlive.tv

  • Qeveria miraton themelimin e Komisionit për Narkotikë

    Qeveria miraton themelimin e Komisionit për Narkotikë

    Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës është miratuar propozimi për themelimin e Komisionit për Narkotikë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se ky komision do të bëjë koordinimin e ministrive, autoriteteve të tjera kompetente në zbatimin e strategjisë së vendit për kontroll të narkotikëve dhe evitimin e keqpërdorimit të narkotikëve në Kosovë.

    Ministri Arben Vitia ka thënë se Komisioni për Narkotikë përveç detyrave të përcaktuar me ligjin për barna narkotike, substanca psikotrope…, ka rol kyç për koordinimin e aktiviteteve të ministrive dhe subjekteve të tjera të kyçura në zbatimin e strategjisë për kontroll të narkotikëve dhe votimin e keqpërdorimit të narkotikëve në Kosovë.

    “Ky komision do të ndërmarrë veprime parandaluese të cilat kanë për qellim informimin publik për pasojat e keqpërdorimit të narkotikëve, propozon hartimin e politikave dhe mekanizmave të tjerë të veprimit për të cilat do të ndikojë në adresimin e problematikave të keqpërdorimit të narkotikëve në nivel vendi”, tha Vitia.