ATV

Author: ATVLive

  • Gashi: Urimi i pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia e Veriut ishte në kohën e duhur

    Gashi: Urimi i pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia e Veriut ishte në kohën e duhur

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se urimi zyrtar për pavarësinë e Kosovës ishte bërë sipas protokollit dhe në kohën e duhur.

    Sipas tij, dokumentet e publikuara nga Presidenca dëshmojnë se nuk ka pasur vonesa apo probleme me këtë urim.

    “Sa i përket këtij komunikimit dhe urimit zyrtar, mendoj se u dëshmua me dokumentacione që u publikuan nga Presidenca se gjithçka ka qenë në rregull, në kohë, në mënyrë protokollare”, tha Gashi.

    Ai tha se disa subjekte politike dhe mediatike po krijojnë zhurmë të panevojshme rreth kësaj çështjeje.

    “Mendoj se ndonjëherë subjekte të caktuara politike e jopolitike mediatike mundohen të bëjnë një zhurmë të panevojshme. Nuk është interes as i Maqedonisë së Veriut, as i Kosovës, as i shqiptarëve, as më pak që të ketë këso interferenca mes Maqedonisë dhe Kosovës, prandaj i trajtoj si tërësisht të panevojshme dhe të pasakta”, u shpreh Gashi.

    Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Albin Kurti temë në Kuvendin e Serbisë

    Albin Kurti temë në Kuvendin e Serbisë

    Qe një temë e mirë – dajak në Kuvend të Serbisë.

    Tash e di çka do thoni. Edhe gaz lotsjellës edhe dajak ka pasë edhe te ne, pse është kjo lajm? E po lajm mbase s’është ama shkas për krahasime, gjithsesi që po.

    Krahasime për çka? Qe njeri:

    E di, do thoni një Kryetare e Kuvendit të Serbisë folë palidhje. Palidhje folë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës boll.

    Sikur të ishte veç Kryetarja që folë palidhje, hajde ish duru. Ama mas Kryetares, Albin Kurti u bë tema kryesore në Kuvend të Serbisë. Qe njerëzit.

    Këta deputetë kryesisht po thonë që opozita e Serbisë i bën favore Kurtit, që Kurti e kontrollon opozitën atje dhe pak a shumë kush nuk është me Vuçiqin në Serbi, është me Kurtin.

    E, a po iu duket tash edhe juve disi e njofshme kjo lojë politike, ky shabllon i akuzave o je me Kurtin, o me Vuçiqin.

    Pra, sipas SNS-it opozita në Serbi është me Kurtin, e sipas Vetëvendosjes, opozita në Kosovë është me Vuçiqin!

    Pra, lojën po e kuptoni edhe vetë. Mirëpo, hajde të flasim pse Albin Kurti është kaq interesant në Kuvendin e Serbisë, e pse Vuçiqi është kaq interesant në Kuvendin e Kosovës.

    Serbia është gati në bllokadë shoqërore tash e 4 muaj pas një tragjedie, gjegjësisht rrëzimit të strehës së stacionit të trenit më Novi Sad që shkaktoi vdekjen e 15 njerëzve.

    Përveç vrasjes së 15 njerëzve, rrëzimi i strehës në Novi Sad rrëzoi edhe një aparat të tërë të korrupsionit në shtet, meqë qartazi u pa se projekti shumë milionësh i Qeverisë së Serbisë dhe disa kompanive kineze për renovimin e stacionit në Novi Sad është përcjellë me parregullsi, lëshimë në realizim të punëve dhe lëshime në mbikëqyrje.

    Pra, një zinxhir korruptiv shkaktoi vrasjen e 15 njerëzve dhe për studentët në Serbi kjo ishte pika nga e cila nuk ka kthim. Kjo ishte pika që dëshmoi që atje nuk funksionon shteti, meqë s’ka llogaridhënie dhe nuk ka sistem të drejtësisë.

    Pas kësaj tragjedie ka pasur një varg dorëheqjesh të disa akterëve jo vital të skenës politike në Serbi, por nuk ka gjykim, kurse një proces fer gjyqësor do të dëshmonte jo vetëm se kush është përgjegjës për tragjedinë, por edhe nëse ka lidhje direkte ndërmjet kreut politik dhe lëshimeve në këtë projekt dhe projekte tjera që vlejnë qindra miliona ose miliarda euro në total.

    Kuptohet, një nga mënyrat që të mos flitet për këtë tragjedi është që të flitet për Albin Kurtin dhe atë se si kussh e shan Vuçiqin, është me Kurtin dhe është kundër Serbisë.

    Në Kosovë nuk ka mundur të rrëzohet streha e stacionit të trenit sepse nuk u ndërtuar e as renovuar asnjë stacion i trenit që nga koha e shokut Tito.

    Në Kosovë është nisur të rinovohet një urë në Badovc dhe ajo punë është kry për faqe të zezë. Derisa është kry, kane vdekë tre të rinj në aksident trafiku. Në Kosovë është nisur të ndërtohet një rrugë për Podujevë dhe nuk është kry kurrë. Aksident me fatalitet ka pasur edhe në atë rrugë.

    Kuptohet, në Kosovë nuk ka mendim kritik dhe potencial protestues si në Serbi për këto tragjedi dhe mundet Liburni me na kallëzu qysh shteti është i përkohshëm. E nëse është shteti i përkohshëm, punë e madhe që nuk shtrojmë rrugë.

    E tash, as për strehën në Novi Sad nuk i ka fajet Kurti, as për Urën në Badovc fajet nuk i ka Vuçiqi. Kosova dhe Serbia janë shumë telashë ndërmjet vete, por në raport me qytetarëtë e tyre, janë dy shtete jo-serioze, të korruptuara dhe primitive.

    A ka dallime? Ka diçka pak: ka raporte dhe dëshmi se në Serbi krimi mbërrin deri tek majat e shtetit dhe është krrim i formës dhe përmasave tmerruese. Ka raporte dhe dëshmi se në Serbi zgjedhjet janë vjedhë, ka raporte dhe dëshmi se Serbia mban në struktura partiake e shtetërore pjesëmarrës në krime të luftës dhe mohues të gjenocidit, ka raporte dhe dëshmi që mediat në Kosovë janë më të mira, ka raporte dhe dëshmi që shërbimet zyrtare dhe sekrete ruse kontrollojnë një pjesë të agjendës politike edhe ndoj dallim teatër aty – këtu!

    Mirëpo, derisa politikanët e dështuar në Kosovë fajësojnë Vuçiqin, e politikanët e dështuar në Serbi ta fajësojnë Kurtin, kemi me pasë show program edhe në kuvendet përkatëse, jo veç në programe televizive ku mshelen do mosdifqa dhe transmetohen live non-stop!

  • Shkonin të punonin në Gjermani e merrnin pushim pa pagesë, komuna del me vendim strikt

    Shkonin të punonin në Gjermani e merrnin pushim pa pagesë, komuna del me vendim strikt

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Përmes e-mail-it, punëtorët e arsimit në Klinë u njoftuan se gjatë këtij viti nuk u lejohet pushimi pa pagesë.

    Drejtori i Arsimit, Qemajl Sejdijaj, thotë se është vendosur kështu, sepse pushimet e gjata të mësimdhënësve po ndikojnë negativisht në mësim.

    “Nuk lejohet pushim pa pagesë për mësimdhënësit, për ata është marrë vendim sepse po na shkakton probleme, është marrë në të mirën e cilësisë në arsim, në të mirën e nxënësve”, tha Sejdijaj.

    Në komuna të ndryshme, kohëve të fundit ka pasur ankesa se mësimdhënësit po marrin pushime pa pagesë që të shkojnë të punojnë apo të migrojnë në vende të Evropës.

    Sejdijaj thotë se pushimi nuk lejohet për këtë, por mund të aprovohet vetëm me ndonjë arsye tjetër të fortë.
    Këtë vendim e mirëpriti drejtori i shkollës “Motrat Qiriazi”, Gani Ahmetxhekaj.

    “Qëllimi i këtij njoftimi ka qenë se procedurat e rekrutimit për vende të reja të punës zgjasin me 2-3 muaj, dhe ka qenë problem kur një mësimdhënës ka kërku pushim pa pagesë për me shku me punu në botën e jashtme”, tha Ahmetxhekaj.

    Por opozita është kundër, pasi vendimin e konsideron shkelje ligjore.

    Sipas ligjit, kur një punëtor kërkon të drejtën e pushimit vjetor pa pagesë, kjo i mundëson atij largimin për një vit pa e rrezikuar vendin e punës.

  • Kjo është furra me pronar katolik që bashkëpunon me BIK-un për të dhënë bukë falas për nevojtarët gjatë Ramazanit

    Kjo është furra me pronar katolik që bashkëpunon me BIK-un për të dhënë bukë falas për nevojtarët gjatë Ramazanit

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Në muajin e shenjtë të Ramazanit, bukë falas për nevojtarët po dhurojnë edhe ata që nuk i takojnë fesë islame.

    Hoxha Blerim Musliu thotë se ky bashkëpunim tash e shtatë vite është një mesazh i fuqishëm për qytetarët e Klinës.

    “Është një projekt, po themi në fillim nuk kemi mendu që do të jetë kaq i fuqishëm, dhe i pranum mirë nga njerëzit. Por, ka vazhdu të jep një jehonë shumë të mirë, një mesazh shumë të mirë”, tha Musliu.

    Ai vlerëson lartë bamirësisë e qytetarëve të besimit katolik të këtij qyteti.

    “Besimtarët e besimit katolik, kur në muajin e ramazanit ata e shfaqin bamirësinë e tyre, afërsinë e tyre me simbolika të caktuara të cilat ngërthejnë në veti mesazhe të mëdha”, tha Musliu.

    Ai thotë se numri i familjeve në nevojë në këtë komunë vazhdon të jetë i lartë.

    “Fatkeqësisht, nevoja është shumë e madhe, i kam edhe listat, ato e kalojnë qindrat, situata është shqetësuese bëjmë apel që të”, shtoi Musliu.

    Musliu thotë se harmonia fetare në Kosovë është ajo që ndihmon në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme.

  • Ujë Rugove reagon ndaj raportimeve për cilësinë e ujit të eksportuar në Maqedoninë e Veriut

    Ujë Rugove reagon ndaj raportimeve për cilësinë e ujit të eksportuar në Maqedoninë e Veriut

    Pas raportimeve të një agjencie lajmesh nga Maqedonia e Veriut mbi cilësinë e ujit të eksportuar nga Ujë Rugove, kompania ka dalë me një reagim zyrtar për të sqaruar situatën.

    Në komunikatën për media, Ujë Rugove thekson se të gjitha produktet e saj i nënshtrohen kontrolleve rigoroze laboratorike dhe se analiza e përsëritur ka konfirmuar cilësinë dhe sigurinë e ujit.

    Kompania fton mediat dhe opinionin publik të bazohen në të dhëna shkencore dhe të shmangin keqinterpretimet mbi këtë çështje.

    Reagimi i plote:

    Në lidhje me raportimin e bërë nga një agjenci e lajmeve në Maqedoninë e Veriut mbi cilësinë e ujit tonë të eksportuar, dëshirojmë të sqarojmë dhe të japim një pasqyrë të plotë të situatës.

    Ujë Rugove eksporton produktet e saj në Maqedoninë e Veriut përmes distributorit të autorizuar, Dauti Komerc. Para hyrjes në këtë treg, ne kemi kaluar një proces rigoroz licencimi dyvjeçar, duke përmbushur të gjitha kërkesat burokratike dhe standardet e vendosura nga shteti i Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, jemi në vitin e tretë të operimit në këtë treg pa asnjë problem dhe me një standard të lartë cilësie.

    Më datë 12 shkurt, gjatë një analize të bërë nga eksporti i një sasie të ujit në shishe plastike 1.5l në Maqedoninë e Veriut, është konstatuar se cilësia e ujit nuk i ka kaluar testet. Lidhur me mostrën e analizuar, dëshirojmë të sqarojmë se:

    • Mostra në fjalë ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar para se produkti të hidhej në treg
    • Sipas legjislacionit në fuqi, pas një analize fillestare, ne kërkuam që e njëjta mostër të testohej përsëri nga autoritetet përkatëse maqedonase. Rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor. Bashkangjitur e gjeni analizën e suksesshme te Institutit maqedonas të certifikuar Food Lab që e vërteton këtë.

    Uji Rugove i nënshtrohet kontrolleve të përditshme nga laboratori ynë i brendshëm, disa herë brenda ditës – në mëngjes, gjatë ditës dhe në mbrëmje. Përveç kësaj, produktet tona certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë maksimale.

    Gjithashtu, Ujë Rugove eksporton produktet e tij në disa tregje ndërkombëtare, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Gjermaninë, Zvicrën, Arabinë Saudite, Austrinë, Anglinë, Amerikën, si dhe bazat ushtarake të NATO-s në Evropën Juglindore. Çdo eksport i yni i nënshtrohet analizave strikte te AUVK (Agjensioi i Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës) si dhe analizave të shteteve respektive, ku çdo herë i ka kaluar me sukses të gjitha testimet.

    Për këtë arsye, çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit tonë është i pabazuar dhe i pavërtetë. Jemi të përkushtuar të ofrojmë vetëm produkte të sigurta dhe cilësore për konsumatorët tanë, kudo ku operojmë dhe për këtë sigurojmë qytetarët që asnjë shishe e ujit nuk hidhet në treg pa i kaluar të gjitha testimet laboratorike.

    Ftojmë të gjitha mediet të bazohen në të dhënat dhe analizat e plota shkencore dhe të shmangin keqinformimin.

  • Zelensky e pranon gabimin, shpreh vullnetin për përmirësim me Trump dhe është i gatshëm për negociata të paqes

    Zelensky e pranon gabimin, shpreh vullnetin për përmirësim me Trump dhe është i gatshëm për negociata të paqes

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me drejtimin që mori takimi i tij i fundit me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në bisedime paqeje me Rusinë.

    “Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi ashtu siç pritej. Është për të ardhur keq që ndodhi kështu. Është koha për t’i vënë gjërat në vijë. Ne dëshirojmë që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jetë konstruktiv.” – tha ai.

    Në një deklaratë të postuar në rrjetin social “X”, Zelenskyy përsëriti përkushtimin e Ukrainës për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, duke thënë se “askush nuk e dëshiron paqen më shumë se ukrainasit.”

    “Asnjë nga ne nuk dëshiron një luftë të pafundme. Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të afruar paqen e qëndrueshme. Askush nuk e dëshiron paqen më shumë se ukrainasit.” – tha ai.

    Zelenskyy propozoi hapat fillestarë drejt de-përshkallëzimit, duke përfshirë një shkëmbim të të burgosurve dhe një ndalim të ndërsjellë të sulmeve me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike, si dhe një armëpushim në Detin e Zi.

    Ai i bëri thirrje Rusisë të përgjigjet në mënyrë reciproke për të lehtësuar negociatat e mëtejshme.

    “Unë dhe ekipi im jemi të gatshëm të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe që zgjat.

    Jemi të gatshëm të veprojmë shpejt për t’i dhënë fund luftës, dhe hapat e parë mund të jenë lirimi i të burgosurve dhe një armëpushim në qiell — ndalimi i raketave, dronëve me rreze të gjatë veprimi, bombave mbi infrastrukturën energjetike dhe civile — si dhe një armëpushim në det menjëherë, nëse edhe Rusia do të bëjë të njëjtën gjë. Më pas, duam të ecim shumë shpejt përmes të gjitha fazave të tjera dhe të punojmë me SHBA-në për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe të fuqishme.” – tha më tej Zelensky.

    Gjithashtu, Zelenskyy riafirmoi gatishmërinë e Ukrainës për të nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mineraleve dhe sigurisë me ShBA-në, duke e cilësuar atë si një hap drejt një stabiliteti dhe mbrojtjeje më të madhe.

    “Sa i përket marrëveshjes mbi mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë në çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm. E shohim këtë marrëveshje si një hap drejt sigurisë më të madhe dhe garancive të forta të sigurisë, dhe shpresoj sinqerisht që ajo të funksionojë në mënyrë efektive.” – tha lideri ukrainas.

    Deklaratat e Zelenskyyt vijnë pas takimit tensionuar me administratën Trump në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

    Lideri ukrainas shprehu mirënjohje për mbështetjen amerikane, duke kujtuar se vendimi i Trump për të furnizuar Ukrainën me raketa Javelin gjatë presidencës së tij ndihmoi në mbrojtjen e vendit.

    “Ne e vlerësojmë vërtet sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Dhe e kujtojmë momentin kur gjërat ndryshuan, kur Presidenti Trump i dha Ukrainës raketat Javelin. Jemi mirënjohës për këtë.”

  • Presidentja e Meksikës i dënon taksat e ShBA-së, zotohet për hakmarrje

    Presidentja e Meksikës i dënon taksat e ShBA-së, zotohet për hakmarrje

    Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha të martën se nuk ka justifikim për taksat prej 25 për qind të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj importeve meksikane dhe se qeveria e saj do të kundërpërgjigjet me taksa e me masa të tjera.

    “Nuk ka arsye, shpjegim apo justifikim për ta mbështetur këtë vendim që do t’i prekë popujt tanë dhe kombet tona… Askush nuk fiton me këtë vendim” – presidentja meksikane në konferencën e rregullt për gazetarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Të hënën, Trumpi deklaroi se Meksika, bashkë me Kanadanë e Kinën, kishin dështuar që të bënin mjaftueshëm për ta luftuar hyrjen e fentanilit dhe përbërësve të tij në territorin e Shteteve të Bashkuara.

    Sidoqoftë, homologia e tij tha se Meksika kishte bashkëpunuar me fqinjin verior për emigrantët, sigurinë dhe luftën kundër trafikimit të drogës.

    “Në këto 30 ditë, veprime vendimtare u morën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të fentanilit, si dhe pati takime dypalëshe për sigurinë dhe tregtinë” – tha zonja Sheinbaum.

    Më tej, ajo tha se do të japë hollësi rreth kundërpërgjigjes së Meksikës, përfshirë taksat hakmarrëse, në një organizim që do të mbahet të dielën në sheshin ikonik “Zocalo” të kryeqytetit Mexico City.

    Vlera e pesosit meksikan u dobësua të martën në mëngjes, duke u treguar për rreth 1 për qind më ulët në raport me dollarin./Nacionale

  • Haxhiu i reagon KPK e ZKPSH e quajtën Kurtin “Kryeministër në detyrë”

    Haxhiu i reagon KPK e ZKPSH e quajtën Kurtin “Kryeministër në detyrë”

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar menjëherë ndaj një komunikate të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit përmes të cilës është mbështetur Prokuroria Speciale në realizimin e detyrave të saj sipas ligjit.

    “Inkurajojmë dhe mbështesim Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj për të fuqizuar rendin dhe ligjin në vendin tone”, thuhej në komunikatën e sotme të KPK dhe ZKPSH, pasi Kurti s’përfilli as urdhërin e Gjykatës për të dëshmuar para Prokurorisë rreth skandalit me rezervat e shtetit.

    Ndonëse ministre e Drejtësisë, Haxhiu në gjithë komunikatën e këtyre dy institucioneve , ka zgjedhur të merret vetëm me faktin që në atë komunikatë i janë referuar Kurtit si “kryeministër në detyrë” vetëm një herë, pa e përmendur fare faktin që në katër herë të tjera i janë referuar si “kryeministër”.

    “Le t’i tregojë dikush KPK-së dhe ZKPSH-së, që Kryeministri, Albin Kurti nuk është kryeministër në detyrë dhe se sot është data 4 mars dhe jo 4 shkurt.Fakti që i referohen si kryeministër në detyrë flet shumë “, ka shkruar Haxhiu.

  • KQZ-ja pret që numërimi i votave të përfundojë të mërkurën

    KQZ-ja pret që numërimi i votave të përfundojë të mërkurën

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka ka thënë se pret që të mërkurën (5 mars) të përfundojë numërimi edhe i votave të fundit, atyre me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara, raporton EO.

    Elezi është shprehur po ashtu se sot ka nisur numërimi i votave me kusht.

    “Në QNR është në përfundim e sipër procesi i numërimit nga votimi jashtë vendit, respektivisht votimi përmes postës. Pra gjatë ditës së sotme do të përmbyllim procesin e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës dhe gjithashtu në QNR ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe pastaj edhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ky proces do të bëhet sot dhe presim të përfundojë nesër”, tha ai.

    “Sot pritet të përfundojë procesi i votave me postë. Pastaj sot ka nisur edhe procesi i votave me kusht, e pastaj do të nis numërimi i votave të personave me nevojave të veçanta”, ka thënë Elezi.

    Deri tash janë kryer numërimet nga vendvotimet dhe ato në përfaqësi diplomatike. Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 42 për qind apo 48 ulëse në Kuvend.

    Gjithashtu Elezi, ka njoftuar se sot gjatë ditës KQZ ka pranuar një vendim nga PZAP për të llogaritur si të vlefshme disa fletëvotime, të cilat gjatë procesit të numërimit në QNR ishin konsideruar si të pavlefshme.

    “Mund t’iu informoj se më herët gjatë ditës së sotme PZAP ka marr një vendim për të llogaritur të vlefshme disa fletëvotime të cilat gjatë procesit të numërimit në QNR janë llogaritur të pa vlefshme. Si KQZ me qenë se në këtë vendim të PZAP ka këshill juridike, sipas së cilës palët mund të parashtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve si KQZ do të presim që të kaloj ky afat dhe pastaj do të vendosim për zbatimin e PZAP nëse nuk ka ankesë në gjykatën supreme”, tha Elezi.

  • ​Kamberi: Bërnabiq po insiston të mbahet seanca në salla e mbushur me lotësjellës

    ​Kamberi: Bërnabiq po insiston të mbahet seanca në salla e mbushur me lotësjellës

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka postuar videon ku opozita me gaz lotësjellës dhe vezë po tenton të pengojë mbajtjen e seancës plenare. Ndërkohë, kryetarja e parlamentit serb Ana Brnabiq po insiston në vazhdim nën sallën e mbushur me gaz lotësjellës.

    Një incident ndodhi sot në Kuvendin e Serbisë, kur deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan mjete piroteknike në sallë.

    Deri te kjo erdhi pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.

    Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”, përcjellë KosovaPress.

    Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshihen edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.

    Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.