ATV

Author: ATVLive

  • ​“Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, rrëfen e moshuara nga Izbica për vrasjen e burrit të saj

    ​“Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, rrëfen e moshuara nga Izbica për vrasjen e burrit të saj

    “Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, kështu rrëfen nënë Eminja e cila kujton mirë ditën e ftohtë të 28 marsit, kur pa për herë të fundit bashkëshortin e saj.

    E moshuara nga Izbica tregon për rezistencën para ushtrisë e policisë serbe që bashkëshorti i saj mos të ndahet nga kolona. Ajo po jeton me pamjet e tmerrshme dhe zërat që i përsëriten në kokë të kërcitjeve të armëve që nuk u ndalën për më shumë se 20 minuta.

    Për rreth 12 muaj, Emine Dajaku bashkë me fëmijët po strehoheshin kudo, pas djegies së shtëpisë. Ajo tregon për KosovaPress se si në Izbicë ranë në tytat e armikut, ku vet u plagos e burrin ia vranë.

    “Burri mu ka vra këtu në Izbicë, në opqinë jena ardh, se në ’98 na janë djegur shtëpia, tani një vit nëpër dynja duke ndejt. Burri tha duam të shkojmë në Izbicë, jena ardh. Burri ka qenë ulur në traktor na ka sjell mua, fëmijët e djalit, renë, fëmijët e mi, tha shkau shqip foli ‘qu shqiptare, çfarë po pret’. Jam quar unë, i thash çfarë të kesh punë me burrë unë jepi përgjegjësi se është i bërë operacion në kry. Tha ‘tash do ta bëjmë operacion në fyt’. Kom piskat ‘kuku’, e kam kap burrin për krahu, ma ka kërsit një shkelëm në shpinë, më ka hedhur fluturim në lloq (baltë), më ka humb vetëdija, kur u qova, piskatën rejat, çikat, u qova. Burri nuk është. Nuk ka shkuar dy minuta, kanë kërsit pushkët ‘grrr’, 20 minuta edhe më shumë pa ndalë”, rrëfen ajo për KosovaPress.

    Ajo thotë se nga ajo ditë nuk e ka parë më të gjallë bashkëshortin, e bashkë me fëmijë janë nisur për Shqipëri. Gruaja e të vrarit rrëfen se policia serbe kishte hedhur tri granate në drejtim të kolonës.

    “Unë jam plagosur, çika jem edhe djali i djalit. Edhe unë jam mbetur aty, çika 10 vjet më është ndarë e plaguar. Neve na kanë dërguar për Shqipëri, tri ditë e tri net duke piskatur fëmija pa hëngër e pa pi, fëmijët në shpinë deri në Shqipëri. Pak pa shkuar në Shqipëri, djali i djalit dy vjeç e kam kapur prej qafës, thash ta shoh a është i gjallë apo i vdekur, ish ngri”, shton ajo mes emocioneve.

    Një grusht eshtra, siç tregon ajo, gjetën nga trupi i bashkëshortit, pesë vjet pas përfundimit të luftës.

    “Nuk e kemi ditë, pesë vjet nuk e kanë gjet kufomën, duke i kërkuar. Derisa është shkuar djali i vogël në Prizren, dy herë kam shkuar edhe unë në Prizren me kërkua në bazë të rrobave, por pesë vjet. Deri në vitin 2005 i kemi gjetur një grusht eshtra”, përfundon Dajaku.

    Nënë Eminja lutet edhe për ish-luftëtarët e UÇK-së, që tash e tri vjet po mbahen në Hagë. Për të njëjtit thotë se po gjykohen padrejtësisht dhe se të njëjtit dikur i mbronin popullatën civile. /kp

  • Hoxha: Marshi s’është politik por mbështetje për krerët në Hagë, vendimet mund ta prekin të ardhmen e Kosovës

    Hoxha: Marshi s’është politik por mbështetje për krerët në Hagë, vendimet mund ta prekin të ardhmen e Kosovës

    Gjatë fundjavës në Prishtinë do të mbahet marshi për drejtësi në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë, organizuar nga platforma “Liria ka emër”. Në lidhje më këtë, ideatorja e kësaj platformë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se përgatitjet për këtë marsh kanë filluar dhe se ftesa për pjesëmarrje është e hapur për të gjithë.

    Sipas saj ky marsh është pa ngjyrime politike, shoqërore apo religjioze dhe se ky do të jetë vetëm një marsh solidarizimi e mbështetje për ata që janë në Hagë dhe se pjesëmarrja e gjithsecilit është e domosdoshme pasi sipas saj vendimet që do të merren në Hagë mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës.

    Hoxha ka thënë se janë duke u marr me përgatitje dhe se i falënderon të gjithë përkrahësit që janë duke mundësuar që ky marsh të jetë me i lehtë për t’u organizuar.

    “Përgatitej veç ka nisur, këtë fillim jave jemi duke diskutuar se si ato do të distribuohen në nivel lokal sepse megjithatë ka plotë kategori shoqërore që shprehin dëshirën me ardhë por normalisht nuk kanë mundësi ose financiare ose të transportit me ardhë. Kjo është një pjesë e punës me të cilën është duke punuara një pjesë e ekipit. Në anën tjetër një falënderim special për gjithë përkrahësit qofshin edhe bizneset që në forma të ndryshme, për shembull dikush me ofrimin e shërbimeve të transportit, ose shërbimeve të tjera kanë mundësuar që ky marsh të jetë me i lehtë për tu organizuar”, tha ajo.

    Ajo tha se nuk i kanë dërguar ftesa zyrtare partive tjera politike që të marrin pjesë, pasi sipas saj ftesa ka qenë e hapur, por nëse do të duhet ajo tha se do të dërgojnë edhe shkresa zyrtare që ti ftojnë partit politike që të marrin pjesë.

    Hoxhaj theksoi se marshi nuk është politik, por është demonstrim i solidarizimi dhe mbështetjes për ata që janë në Hagë, pasi sipas saj vendimet që do të merren atje mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës dhe të ardhme e atyre që do të lindin në një kohë tjetër.

    “E treta që është po aq me rëndësi është që ne ftes zyrtare ose takim zyrtar me partitë politike nuk kemi pasur, ka qenë ftesë e hapur për të gjithë akterët dhe deri tani, është bashkangjitur edhe Partia Lëvizja për Bashkim. Dhe nëse këto ditë nuk ndodh unë besoj që do ta dërgojmë një shkresë formale, me qenë se nuk do të ishte dashur që të presim nga partitë politike, sidomos këto që janë pjesë e pushtetit dhe vendimmarrjes që të jenë pjesë e një marrshi të tillë. Sepse marshi nuk është politik, është demonstrim i solidarizimi dhe mbështetjes për ata që janë në Hagë, atje ku në fund fare nuk diskutohet vetëm e kaluara por vendimet që do të merren mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës por edhe atyre që do të lindin në një kohë tjetër”.

    “Mendoj pa ngjyrim partie, pa ngjyrim shoqëror dhe pa ngjyrim religjioz nuk ishte dashur që sot me mëndu se a duhet që të jemi pjesë e marshit apo jo. Atë ditë nuk do të demonstrojmë kundër as kujt, atë ditë do të marshojmë për të thirrur për një proces të drejt dhe fer, kjo është ajo ombrella që do të ishte dashur ti për bashkojë të gjithë pa dallim partie, ngjyre përcaktimi, përkatësie ose ideologjie. Kjo është ftesa jonë dhe ftesa është e hapur është publike për të gjithë akterët. Nismës i janë bashkuar tekë platforma “Liria ka Emër” plotë akterë, edhe të skenës kulturore edhe të skenës biznesore edhe të spektrit politik. Nëse është e domosdoshme që të ju dërgojmë një ftesë zyrtare edhe partive të tjera edhe atë besoj që do ta bëjmë”, tha ajo.

    Ajo tha se me këtë marsh nuk e kanë për qellim që të ndikojnë në proces por që me këtë do të tregojnë një dashamirësi dhe një mbështetje morale për krerët që janë duke u gjykuar në Hagë.

    “Unë nuk jam dikush që mund të kalkuloj, sepse ndonjëherë përkrahja që e marrim në media ose në media sociale mundet mos me u përputh më prezencën fizike, por që unë e shohë si një moment kyç atë ditë ne nuk do të mund as ta ndikojmë procesin, as nuk dëshirojmë që ta ndikojmë procesin, atë ditë mundemi vetëm me tregu një dashamirësi dhe një mbështetje morale për ata që janë atje që nuk i ka harruar Kosova, që Kosova i mbështet në krejt sfidën që po i kalojnë dhe nëse koritemi, koritemi ne me vetën dhe koritemi me Kosovën edhe me ata atje”, tha ajo për EO.

    Marshi do të mbahet të dielën, më 2 prill, në Prishtinë në ora 14:00 . Marshi do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

  • Kosova kërkon fitoren e parë në kualifikime, sonte përballet me Andorrën në “Fadil Vokrri”

    Kosova kërkon fitoren e parë në kualifikime, sonte përballet me Andorrën në “Fadil Vokrri”

    Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvilloj ndeshjen e dytë në kualifikimet për Kampionatin Evropian, Euro 2024.

    Dardanët e kanë nisur me barazim këtë kampanjë kualifikuese pasi kanë marrë barazim ndaj Izraelit në ndeshjen e parë në udhëtim.

    E sot të besuarit e Alain Giresse do të përballen me Andorrën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:45.

    Vetëm fitorja vlen në këtë duel, pasi dihet që Andorra është kundërshtari më i lehtë në letër në Grupin I dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë gabimi në këtë sfidë.

    Kjo është hera e parë që dy ekipet përfaqësuese takohen mes vete pasi kurrë më parë nuk ishin përballur as në kualifikime e as në ndeshje miqësore.

    Dardanët po kërkojnë të shkruajnë historinë pasi synimi mbetet i qartë kualifikimi në ‘Euro 2024’, derisa Andorra si në çdo ndeshje futet për të tentuar befasinë e madhe.

    Alain Giresse ka të gjithë futbollistët në dispozicion për këtë duel, derisa te mysafirët mungesa e vetme është ajo e Marc Rebes që u ndeshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Rumanisë. /Telegrafi/

  • Përfitimet e QKUK-së nga laurat digjitale, për një muaj mbi 30 mijë euro të hyra

    Përfitimet e QKUK-së nga laurat digjitale, për një muaj mbi 30 mijë euro të hyra

    Afro 30 mijë euro në muaj përfiton Qendra Klinike Universitare e Kosovës vetëm nga laura digjitale që gjendet në hyrje të këtij institucioni.

    Ndërsa, gjithë vitin e kaluar QKUK-ja ka përfituar mbi 360 mijë euro të hyra, ka bërë të ditur Shefi i sektorit për Buxhet dhe Financa në QKUK, Sherif Bytyqi.

    “QKUK ka realizuar te hyra nga laurat gjatë vitit 2022 në shumë prej 360.199.00€. Të hyrat gjatë një muaji ka përfituar si shuma të barabarta shembull në muajin Gusht 2022 në shumën prej 29.613.00€. Kategoritë që lirohen kryesisht janë ato të diagnozave dhe ato të lirimeve si veteranët, përfituesit e ndihmave sociale, kerret zyrtare si policia ndihma e shpejt e të tjerë”, tha Bytyqi.

    Megjithatë, qytetarët të cilët frekuentojnë këtë qendër për trajtime mjekësore, e për ndonjë vizitë te familjarët e tyre të hospitalizuar, thonë se ka raste kur nuk iu ofrohet kuponi fiskal nga punëtorët përgjegjës.

    Ndryshe, në muajin gusht të vitit 2020, SHSKUK-ja kishte hequr përkohësisht tarifat për hyrje me vetura në QKUK, për shkak të pandemisë COVID-19. /atvlive.tv

  • Federata e Padelit të Kosovës me aktivitete të shumta

    Federata e Padelit të Kosovës me aktivitete të shumta

    Padeli është një sport jo fort i popullarizuar dhe për ta shpjeguar më lehtë do të mund ta përshkruanim si një hibrid ndërmjet badmintonit, skuashit dhe tenisit.

    Ky sport është prezent edhe në vendin tash e pothuajse dy vite, si dhe ka të themeluar edhe Federatën e Padelit e Kosovës qysh ne gusht të vitit 2021.

    Gjatë ditës së djeshme, në qendrën “Prishtina Padel” janë zhvilluar aktivitete të shumta para fillimit të turneut “Be All Padel”.

    Sekretari i Federatës së Padelit të Kosovës, Isuf Kikaj, tha për ATV-në tha se përkundër që në vendin tonë shumë pak dinë për këtë sport, interesimi për të ka qenë shumë i madh.

    “T’u e marrë parasysh që për një kohë të shkurtër që prej themelimit të Federatës, prej që e kemi sjellë këtë sport në vendin tonë e deri më sot, nuk kanë kalu ende dy vite, masivizimi dhe rritja e këtij lloj sporti është bërë jashtëzakonisht shumë. Kësaj i ka ndihmu edhe ndërtimi i qendrës së padelit këtu në Prishtinë me tri fusha në ambient të brendshëm, dhe përveç aktiviteteve të cilat njerëzit i bëjnë, mund të luajnë edhe për qejf, ndërsa shumë shpejt do të vijmë edhe me disa risi të tjera në promovimin e sportit edhe tek gjinia femërore, por edhe tek të rinjtë përmes hapjes së shkollës”, tha Kikaj.

    Në këtë intervistë ai foli edhe për organizimin e turneve si dhe planeve që po bën Federata e Padelit të Kosovës në zhvillimin e këtij sporti. /atvlive.tv

  • “Statuja e Skënderbeut do vendoset në Zvicër”, skulptori zbulon kush e porositi

    “Statuja e Skënderbeut do vendoset në Zvicër”, skulptori zbulon kush e porositi

    Skulptori Gëzim Muriqi ka sjellë veprën e tij më të fundit, ai ka bërë një skulpturë gjigande të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.

    Sipas skulptorit, kjo vepër ka qenë kërkesa e një kosovari i cili jeton prej vitesh në Zvicër dhe e donte këtë skulpturë si shenjë falenderimi për shtetin zvicerian.

    “Kjo është një kërkesë e një bashkëkombësi tonë i cili jeton në Zvicër. Është iniciativë individuale e tij. Bëhet fjalë për zotin Veli Berisha, një shqiptar nga Kosova, i cili idenë kryesore e ka për të falenderuar shtetasin zvcerian për të gjitha ato që ata i kanë bërë për komunitetin tonë.

    Duke qenë se figura e Nënë Terezës është konsumuar më shumë, atëherë ai ka menduar të gjejë një shenjë falenderimi e cila do jetë unifikuese, ai përveçse është heroi jonë kombëtar është edhe hero i evropianëve. Kështu që do vendoset në Zvicër, ende është duke u biseduar lokacioni, nuk është përcaktuar por besoj se brenda këtij viti do të promovohet”,-tha për Euronews Albania skulptori Gëzim Muriqi.

  • ​Këto ndeshje zhvillohen sot në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024

    ​Këto ndeshje zhvillohen sot në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024

    Dita e pestë e kualifikueseve për në Kampionatin Evropian Euro 2024 sjellë sot edhe tetë ndeshje të tjera mjaftë interesante.

    Shqipëria e nis këtë kampanjë me udhëtimin në Varshav atje ku do të ballafaqohet me Poloninë në kuadër të grupit E, raporton KosovaPress.

    Njëra nga kombëtaret më të forta dhe që synon të shkojë deri në fund të këtij kompeticioni, Franca do ta zhvillojë sfidën e dytë ku do të ndeshjet me Irlandën në kuadër të grupit B, derisa tashmë ka tre pikë pas fitores ndaj Holandës.

    Në grupin F, Suedia do të ndeshet me Azerbajgjanin, dy skuadra që kanë pësuar disfatë në ndeshjet e parë dhe synojnë të marrin tre pikë për të mbajtur kështu hapin me skuadrat lideri që janë Austria dhe Belgjika në këtë grup.

    Këto janë ndeshjet e ditës së sotme të cilat startojnë nga ora 20:45:

    Austria-Estonia

    Hungaria-Bullgaria

    Irlanda-Franca

    Moldavia-Republika e Çekisë

    Mali i Zi-Serbia

    Holanda-Gjibraltari

    Polonia-Serbi

    Suedia-Azerbajgjani

  • Ramazani, shtatzënia dhe gjidhënia

    Ramazani, shtatzënia dhe gjidhënia

    Kur jeni shtatzënë është shumë me rëndësi që të kujdeseni për veten tuaj. Por, nëse keni bërë plan që të agjëroni muajin e shenjtë të Ramazanit, mund të keni shumë pyetje në kokën tuaj se a mund të ndikojë agjërimi tek ju dhe tek bebja juaj

    Dr. Memli Morina, mr. sci
    gjinekolog – obstetër
    tel. 045 725 725

    Në këtë shkrim do të gjejnë përgjigje edhe ato shtatzëna të cilat sapo kanë filluar shtatzëninë, ato që i janë afruar terminit të lindjes dhe gratë me fëmijë.

    Mund të jeni e punësuar dhe njëkohësit agjëroni, ose nuk ndiheni shumë mirë që t’i bashkoheni familjes dhe miqve në agjërim. Ndoshta, para pak kohësh keni pasur abort dhe tash keni frikë se mund të ndikojë negativisht nëse nuk hani dhe pini për orë të tëra. Ndoshta, jeni bërë nënë dhe nuk jeni e sigurt se a mund të agjëroni derisa e keni fëmijën në gji.

    Nëse vendosni që të agjëroni, në këtë shkrim do t’i gjeni të gjitha këshillat për materiet ushqyese për të cilat bebja ka nevojë. Me këtë shkrim jemi përpjekur t’ju ndihmojmë që agjërimi i Ramazanit të jetë i shëndetshëm krahas të qenët i shenjtë.

    Sapo keni mbetur shtatzënë. A duhet të agjëroni?

    Feja Islame thotë se ju duhet të agjëroni nëse ndjeheni e fortë dhe shëndetshme për të bërë një gjë të tillë. Pasi që jeni shtatzënë, ju jeni e liruar nga detyrimi që të agjëroni. Mos e injoroni këtë lejim nëse e shihni se agjërimi mund t’ju dëmtojë juve ose beben tuaj. Gjendjet në të cilat rekomandohet mosagjërimi janë:

    – Vjellja
    – Shtypja e lartë e gjakut
    – Nëse keni binjakë
    Në fillim të shtatzënisë mund të vuani nga:

    – Plogështia
    – Kapsllëku
    – Kokëdhimbja
    – Marramendja

    Këto mund të theksohen akoma më shumë nëse nuk hani ose pini për periudha të gjata kohore.

    Ndryshimi i rutinës së përditshme, mungesa e ushqimit dhe ujit si dhe ngrënia e pirja në kohë të ndryshme nga zakonisht mund të shkaktojë tek ju stres. Në një studim u gjet se gratë shtatzëna të cilat agjërojnë kanë vlerën e kortizolit (hormon i stresit) më të larta se gratë të cilat nuk agjëronin.

    Pa marrë parasysh se a agjëroni apo jo, ju mund të keni marramendje, pengesa në të pamur ose dhimbje të këmbëve. Nëse keni ndonjërën nga këto ankesa konsultohuni me mjekun.

    Nëse keni dyshime për atë se a duhet të agjëroni apo jo bisedoni me një predikuese të fesë, me burrin tuaj, me nënën, motrën ose me ndonjë shoqe.

  • Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë në të gjithë botën nisin agjërimin

    Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë në të gjithë botën nisin agjërimin

    Rreth një e katërta e popullsisë së botës do të nisin një ditë ndryshe më 23 mars, pasi lindja e diellit do t’i gjejë duke agjëruar.

    Besimtarët myslimanë do të nisin muajin e Ramazanit, simbolin e sakrificës, muaji më i shenjtë i kalendarit islamik.

    Për një muaj, çdo ditë ata nuk do të konsumojnë ushqime ose pije, duke nisur që nga lindja e diellit e deri në perëndimin e tij.

    Libri i shenjtë Kurani, e përcakton agjërimin një nga pesë shtyllat kryesore islame, simbol i sakrificës.

    Tradita ka nisur që në shekullin e nëntë dhe përkujton muajin kur profeti Muhamed ishte mbyllur në një shpellë, në veri të Mekës, për ripërtëritje shpirtërore.

    Njerëzit në mbarë botën nisin ritin, i cili vijon për 30 ditë me radhë. Në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit vjen Fitër Bajrami, festë simbolike e fesë islame.

    Pjesa më e madhen e qytetarëve që agjërojnë ndodhen në Egjipt, Arabinë Saudite, Liban, Jordani, Kuvajt, Katar, Algjeri, Tunizi, Jemen, Siri, Irak, Iran, Turqi, Kosovë, Shqipëri e shumë shtete të tjera.

    Ata e mirëpresin muajin e ramazanit në mënyra të ndryshme, ku palestinezët blejnë dekorime për Ramazan, Bosnja hedh fishekzjarre, Pakistan nis shitjen në masë të hurmave arabe, pakistanezët përgatitin tregjet, e shumë të tjerë vizitojnë xhamitë e vendet e shenjta.

    Ndryshe nga vendet e tjera, nisja e muajit të shenjtë të Ramazanit do ta gjejë një pjesë të popullit turk në çadra.

    Tërmeti shkatërrimtar i cili shkaktoi shifra shumë të larta viktimash, la miliona persona në Turqi në mjerim. Ata humbën të afërmit dhe shtëpitë, pak javë para muajit të shenjtë.

    Krahasuar me vitin e kaluar syfyret dhe iftaret e tyre do të jenë në çadra, shumë pranë vendit ku dikur jetonin të lumtur.

  • Granit Xhaka shkëlqen në Serbi, Zvicra e mposhti Bjellorusinë 5:0

    Granit Xhaka shkëlqen në Serbi, Zvicra e mposhti Bjellorusinë 5:0

    Zvicra e ka nisur me fitore ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

    Të përzgjedhurit e Murat Yakin shënuan fitore ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e parë të tyre në Grupin I, shkruan Express.

    Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin “Karadorde” të Novi Sadit, teksa u mbyll me rezultatin 0:5.

    Granit Xhaka ishte i vetmi shqiptar që u paraqit sonte, pasi Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri mungojnë shkaku i lëndimeve.

    Mesfushori i Arsenalit la gjurmë në këtë ndeshje me një gol dhe asistim. Ai shënoi gol të bukur në minutën e 62-të, teksa asistoi pas tre minutave te goli i Zeki Amdouni.

    Kapiteni i “Helvetikëve” në këtë ndeshje luajti për 66 minuta.

    Tre golat tjerë u shënuan nga Renato Steffen, në minutat 4’, 17’ dhe 29’.

    Zvicra tani me tre pikë prin në grup, teksa ndeshjen e radhës e luan kundër Izraelit, më 28 mars.