ATV

Author: ATVLive

  • Rrëfimi i trishtë për gruan që u përball me vdekjen, si pasojë e një dashurie të pamundur

    Rrëfimi i trishtë për gruan që u përball me vdekjen, si pasojë e një dashurie të pamundur

    Shkrimtarja e njohur Nexhi Baushi, ishte mysafire në emisionin “Studio A” në ATV, ku foli për romanin e saj të fundit me titull “Orlina”.

    Në këtë roman, ajo hedhë në dritë pas shumë vitesh, historinë e trishtë të një vajze 16-vjeçare, e cila u vra mizorisht për shkak se ishte dashuruar në një djalë, ndërsa ishte e fejuar që në djep nga babai i saj.

    “Kur kam qenë fëmijë dhe shkoja në fshatin e një halle të babait tim, Steblevë. Atje mësova historinë e trishtë të një vajze 16-vjeçare, e cila u dashurua me një djalë, por ishte e fejuar që në djep nga i ati. Dhe kjo ishte si nismë për të vazhduar më tej për të shkruar këtë libër. Unë jam interesuar shumë për historikun, kam biseduar me të afërmit e kësaj vajze, kam biseduar edhe me motrën e saj, kështu që arrtita që ta shkruajë me shumë kënaqësi, por edhe me shumë dhimbje, sepse ajo është një vdekje e trishtë”, tregon autorja e librit Nexhi Baushi.

    Rrëfimin e saj të plotë për romanin “Orlina” mund ta dëgjoni në videon e më poshtme.

  • Ilire Zajmi, autore e 11-të librave me prozë e poezi

    Ilire Zajmi, autore e 11-të librave me prozë e poezi

    Fjalët e saj të para në letër i shkroi fshehurazi familjes e shoqërisë, duke mos e njohur akoma talentin e vërtetë që posedonte. Ilire Zajmi, tashmë poete e shkrimtare e 11-të librave me prozë e poezi, që e vogël u dallua në botën e letërsisë.

    “Kam filluar të shkruajë fshehurazi sepse nuk besoja shumë që jam e mirë dhe nesër do të bëhesha shkrimatare, dhe kështu që kam filluar të shkruaj qysh në shkollën fillore, I kam dërguar fshehurazi shkrimet për botim në revistat e atëhershme dhe pastaj aty doli poezi ime e parë që ia kam kushtuar mësuese sime”, tha ajo.

    Gjatë rrugëtimit të saj, poetja e sfidoi veten në zhanre të shumta të letërsisë, për të gjetur më vonë veten në dashuri me poezinë.

    Si nxënëse e shkollës së mesme, znj.Ilire realizoi ëndrrën e saj duke botuar librin e parë me poezi, “Këmbanat e mëngjesit”, shkruan atvlive.tv.

    Si njohëse e gjashtë gjuhëve, përveç gjuhës shqipe, znj.Zajmi shkruan e përkthen më së shumti në gjuhën angleze dhe italiane.

    Ndër librat e saj si: ” Amnesia”, “Era”,”Valsi i mesnates”, “Baladë e bardhë” e të tjerë, ajo veçon një prej tyre.

    “Është shumë problem sepse ka një numër të cilat I kam botuar deri më tani por mendoj që deri më tani nuk e kam shkruar librin tim mirëpo nëse do ta veçoja një libër atëherë do ta veçoja një libër që është “ Një trim për Bllacë”, libër ky që është botuar në gjuhën italiane në Itali në vitin 1999 dhe në këtë libër jam mundur të tregojë që të tregojë për luftën së çfarë ka ndodhur në Kosovë”, shtoi ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Lajçak ia tregon deputetit sllovak detajet e Marrëveshjes së Ohrit

    Lajçak ia tregon deputetit sllovak detajet e Marrëveshjes së Ohrit

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi sonte se ka pasur një takim me deputetin sllovak të Parlamentit Evropian, Vladimir Bilcik.

    Me anë të një cicërime në Twitter, diplomati sllovak tregoi se me Bilcikun kanë folur për zhvillimet e fundit në dialog.

    Pjesë e diskutimeve ishin edhe detajet e marrëveshjes së fundit e që u arrit në Ohër të Maqedonisë Veriore, të shtunën e kaluar.

    “Ne folëm për zhvillimet e fundit në Dialog dhe detajet e marrëveshjes së fundit, si dhe për punën e Parlamentit Evropian”, shkroi Lajçak.

  • Szunyog: Pakicat kanë rol vendimtar në integrimin e Kosovës në BE

    Szunyog: Pakicat kanë rol vendimtar në integrimin e Kosovës në BE

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, ka thënë se përfaqësuesit e komuniteteve pakicë janë pjesë e rëndësishme e strukturës politike në Kosovë.

    Ai tha se pakicat luajnë rol vendimtar përfaqësues në demokracinë e Kosovës.

    Szunyog, u takua të hënën me përfaqësues të pakicave për të diskutuar rolin dhe mbështetjen e tyre në implementimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Përfaqësuesit e komuniteteve pakicë janë pjesë e rëndësishme e strukturës politike të Kosovës dhe luajnë një rol vendimtar përfaqësues në demokracinë e Kosovës. Kontributi i tyre në arritjen e progresit në rrugën e integrimit të Kosovës në BE është i domosdoshëm”, tha ai.

  • 24 vjet nga masakra e Izbicës, Osmani e Kurti bëjnë sot homazhe

    24 vjet nga masakra e Izbicës, Osmani e Kurti bëjnë sot homazhe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e Kryeministri Albin Kurti, sot do të bëjnë homazhe në Izbicë të Skenderajt, në 24-vjetorin e masakrës së Izbicës, ku forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

    ZKM ka njoftuar se në Izbicë do të shkojë në orën 09:30, ndërsa në Podujevë në orën 11:00.

    “1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bën homazhe te Memoriali në Izbicë, Skenderaj. VENDI: Memoriali në Izbicë, Skenderaj, KOHA: 09:30/ 2.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bën homazhe te varrezat e Familjes Bogujevci dhe Duriqi, në Podujevë. VENDI: Varrezat e Familjes Bogujevci dhe Duriqi, Podujevë, KOHA: 11:00”, thuhet në komunikatë.

    Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

  • Von Cramon: Deklaratat e Vuçiqit u pritën shumë keq në BE

    Von Cramon: Deklaratat e Vuçiqit u pritën shumë keq në BE

    Deputetja e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian (PE) Viola von Cramon ka thënë se deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, para marrëveshjes evropiane për Kosovën, ishin shumë të lavdërueshme, sepse kanë hapur rrugën për arritjen e marrëveshjes.

    “Megjithatë, retorika pas gjithë kësaj dhe talljet me “dhimbje të padurueshme në dorën e djathtë“ u prit shumë keq, si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të Bashkimit Evropian (BE), ka deklaruar Von Cramon për gazetën serbe “Nova”, duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, transmeton Paparaci.

    Von Kramon, e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE, ka deklaruar se nuk i takon Serbisë të vendosë nëse Kosova mund të hyjë në OKB.

    Ajo ka shtuar se e kupton që deklarata të tilla janë për publikun e brendshëm, por se nuk është në dorën e Serbisë, sepse pranimi në OKB varet nga vendimi i Këshillit të Sigurimit.

  • Abdixhiku: Dorëheqja e Haxhiut, domosdoshmëri

    Abdixhiku: Dorëheqja e Haxhiut, domosdoshmëri

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet të japë dorëheqje, si akt moral pas rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial.

    Në një shkrim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se “Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë”.

    “Nga logjika e ‘vajit në tepsi’, tek sulmet ndaj rendit juridik. Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik”, ka shkruar Abdixhiku. “Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?”

    Sipas Abdixhikut, pushteti aktual “kaq di”.

    “Përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë”, ka vazhduar ai.

    Të premten, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për KPK-në duke thënë se ai shkel disa nene të Kushtetutës. Vendimi është pranuar nga Ministria e Drejtësisë, që megjithatë ka shprehur “vërejtje për disa pika të vendimit”.

    Vetë Haxhiu ka thënë se s’do të dorëhiqet, pas akuzave e kërkesave të LDK-së.

  • Kurti: Serbisë t’i bëhet trysni për njohjen e Kosovës

    Kurti: Serbisë t’i bëhet trysni për njohjen e Kosovës

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë BE dhe ShBA duhet të shtojnë presionin ndaj Serbisë për njohje ndaj Kosovës.

    Ai ka thënë se Beogradi e ka dëshmuar se gjuhën e presionin e njeh më së miri.

    Kurti ka thënë se Serbia nuk është shtet demokratik.

    “Besoj që është e domosdoshme të bëhet më shumë trysni në Beograd, sepse e ka dëshmuar që këtë gjuhë e kupton më së mirë. Serbia nuk është shtet demokratik, atje pushteti bënë shumë trysni mbi popullin e vet, atje nuk pranojë pluralizëm nuk respektohen të drejtat e njeriut, nuk sundon ligji mbi politikën por politika mbi ligjin. Andaj vetëm një përpjekje e përbashkët me trysni shtesë edhe nga ana e Brukselit dhe Washingtonit, por do thosha sidomos nga Berlini, Parisi e Roma do të mund të sillte rezultate. Është e domosdoshme kjo”, ka thënë Kurti, përcjell teve1.info.

    Kurti ka folur edhe për dakordimin për marrëveshjen me Serbinë, duke e akuzuar këtë të fundi se nuk ishte konstruktive.

    Ai ka përsëritur qëndrimin se Serbia nuk ishte e gatshme të nënshkruaj marrëveshjen në Bruksel më 27 shkurt e 18 mars.

    “Qysh dje po të varet prej meje, por është e qartë se pala e cila nuk është konstruktive, pala e cila është agresive, ajo e cila nuk distancohet as nga e kaluara pra Millosheviçi, as nga e tashmja problematike për kontinentin tonë, pra Kremlini e Putini është Beogradi zyrtar. Ne si shtet demokratik dhe i pavarur jemi të bindur që jemi edhe më demokratik edhe të pavarur se sesa Serbia. Ajo është një regjim hibrid, autokraci praktikisht dhe në anën tjetër nuk është e pavarur nga federata ruse. Kjo bën që ta kemi fqinjësinë e vështirë, ndërkohë që kemi dëshirë të kemi fqinjësi të mirë, por për këtë do të ndihmojë shumë zbatimi i kësaj marrëveshje që e kemi dakorduar në Bruksel dhe në Ohër e cila nënkupton njohje defakto të ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti në Top Channel.

    Kryeministri ka dënuar sulmin në drejtim të objektit të Top Channell ku roja i objektit mbeti i vrarë.

  • ​IPK-ja po heton zyrtarë të lartë policorë për përfshirje në vepra penale

    ​IPK-ja po heton zyrtarë të lartë policorë për përfshirje në vepra penale

    Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar 257 punonjës policorë gjatë vitit 2022, derisa ka arrestuar 108 prej tyre në dyshimet për përfshirje në veprimtari penale.

    Kryeshefi i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj, në raportimin në Komisionin Parlamentar për Siguri të martën, tha se vitin e kaluar kanë pranuar rreth 1700 ankesa, ku 66 për qind prej tyre i kanë adresuar për hetim disiplinor në Polici, kurse 34 për qind për hetim penal.

    “Gjatë vitit 2022 kemi administruar 1697 ankesa të pranuara në mënyra të ndryshme nga ana e qytetarëve. 34 për qind prej tyre i kemi orientuar për hetim penal në departamentin e hetimeve në kuadër të Inspektoratit të Kosovës, pjesën e mbetur prej 66 për qind i kemi orientuar për hetim disiplinor apo administrativ në divizionin e hetimeve të brendshme në kuadër të Policisë së Kosovës. Në fushën e parandalimit dhe hetimit të veprimtarisë penale kemi pasur angazhim të shtuar duke shënuar rezultate të larta që nga themelimi i IPK-së. Kemi hetuar 257 punonjës policorë, kemi arrestuar 108 punonjës policorë dhe qytetarë në dyshimet për përfshirje të veprimtarive penale. Kemi rekomanduar suspendimin e 164 punonjësve policorë”, tha Hodaj.

    Përkitazi me këtë, Hodaj tha se edhe aktualisht janë duke hetuar zyrtarë policorë të niveleve të ndryshme për përfshirje në vepra kriminale.

    “Kemi shumë raste në hetim, sigurisht për rezultatet dhe epilogun e tyre njoftoheni në momentin e duhur. Ka të gjitha niveleve, ne kemi arrestuar dhe të kaluarën. Tash ka të niveleve të ndryshme, ka informacione për të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale”, shtoi ai.

    Në anën tjetër, nga deputetët opozitarë u ngritën shqetësime për rekrutimin në njësitin e specializuar Mbrojtja e Afërt.

    Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, tha se është shqetësuese nëse disa kandidatë kalojnë tw gjitha kriteret dhe në prag të certifikimit ata diskualifikohen.

    Ai pyeti kryeshefin e IPK-së se a ka pasur ndikim politika në këtë rast.

    “Kam pasur ankesa dhe e di si është shkuar puna në konkursin e fundit të mbrojtjes së afërt me disa policë. Në ditën e fundit kur kanë pasur me u certifikuar ka ndodhur një problem aty, është prishur ceremonia dhe ata pasi kanë kaluar gjitha kriteret me u pranu, si duket dikush ka ndikuar që ata mos të kalojnë. A ka ndikuar politika në këtë rast”, tha pyeti.

    Në lidhje me këtë rast reagoi edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili tha se moscertifikimi i zyrtarëve policorë për arsye banale në mbrojtjen e afërt është humbje e madhe për Policinë e Kosovës.

    “Është humbje e madhe dhe shpenzim i madh kur një operatorë qoftë në FIT apo Mbrojtjen e Afërt i kryen të gjitha fazat e trajnimit dhe në fund nuk certifikohet për ndonjë arsye banale”, theksoi ai.

    Mirëpo, kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se në këtë rast s’ka pasur ndikim politik, përkundrazi janë zbatuar kriteret e rekomanduara për rekrutim.

    Ai tha se IPK-ja ka rekomanduar që zyrtarët që rekrutohen për njësitin Mbrojta e Afërt të kenë edhe certifikatën e sigurisë të lëshuar nga AKI-ja, ku bëhet verifikimi i hollësishëm i të kaluarës.

    Në bazë të kësaj ai tha se kanë mundur të diskualifikohen disa prej kandidatëve.

    “Nuk kemi pasur informacione që ka pasur ndikim, përkundrazi unë e thash se rekomandimi ynë për të rritur dhe zbatuar kriteret e verifikimit mund të ketë qenë një nga arsyet që këta zyrtarë janë diskualifikuar. Të njëjtën kohë ne kemi zhvilluar një inspektim që nuk lidhet me këtë rast, ne në atë kohë kemi dhënë rekomandime… Janë dy lloje të verifikimit që bëhen. Është nëse zyrtari që rekrutohet ka të kaluar të shkeljeve penale, disiplinore, por ajo që ne kemi rekomandu është që zyrtarët e njësitit të Mbrojta së Afërt me qenë se kanë qasje në informacione, në agjendë të presidentes, kryeministrit dhe niveleve të larta, ata duhet të verifikohen dhe të kenë lejen e sigurisë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI)”, theksoi ai.

    Krahas këtyre, Hodaj nënvizoi se prioritet i tyre është luftimi i korrupsionit në Policinë e Kosovës dhe ruajtja dhe fuqizimi i integritetit./kp/

  • Moshizmi një formë e (pa) njohur e diskriminimit, si pasojë e konfliktit të gjeneratave

    Moshizmi një formë e (pa) njohur e diskriminimit, si pasojë e konfliktit të gjeneratave

    Fjala “Ageism” sipas një përkufizimi nga fjalori i Oxfordit, thuhet se është paragjykim ose diskriminim për shkak të moshës së një personi.

    Globalisht, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo i dyti njeri është ageist (moshist) person me paragjykime kundër njerëzve të moshuar. Në Evropë, të rinjtë raportohet se janë më moshist, krahasuar me vendet e tjera.

    Për të diskutuar për këtë temë e cila është një formë sistematike e shtypjes sikurse pabarazitë e tjera (seksizmi, racizmi etj), por ndryshe nga to, nuk është trajtuar thuajse fare në Kosovë, të hënën në emisionin “LIBERO” ishin të ftuar: Afrim Kasolli – Publicist dhe Sociolog, Flaka Ymeri – Sociologe dhe Agon Rexhepi  – Aktivist për të drejtat e njeriut.

    Sociologu Kasolli përmendi disa nga paragjykimet që ndodhin për shkak të moshës, derisa potencoi se duhet gjetur një formë e komunikimit ndërmjet brezave.

    “…Paragjykimet në moshën e shtyer zakonisht ekzistojnë (me mendësinë) se ju ka humbur elani për punë, nuk kanë kapacitetet e duhura për ta kryer punën deri në fund, apo paragjykimet për moshën e re se nuk janë të pjekur për ta realizuar punën deri në fund. Mendoj se kjo qasje është gabim dhe duhet gjetur një formë e komunikimit ndërmjet brezave…”, deklaroi Kasolli.

    Ndërkohë, Ymeri theksoi se të moshuarit diskriminohen më shumë për sa i takon aspektit kulturor, ndërsa të rinjtë në aspektin e perspektivës të punës dhe qasjes.

    “…Edhe unë jam paragjykuar, për shumë vite… Më kërkohej përvoja e punës, ndërkohë që nuk më ofronin mundësi për të punuar…”, tha ajo.

    Aktivisti për të drejtat e njeriut, Rexhepi tregoi disa nga paragjykimet që sipas tij i hasin kryesisht të rinjtë, derisa rrëfeu edhe një nga rastet kur ishte paragjykuar.

    “…Më kanë thënë “Je shumë i ri për me ditë ti”… Më është dashur pak kohë derisa i kam mësuar prindërit e mi se edhe unë i di disa gjëra (përkundër moshës), sepse në kulturën tonë nuk është që i pyesin shumë të rinjtë… Qasja e tillë “Rri se nuk e din ti” mendoj se ndikon edhe në vetëbesim…”, potencoi ai.

    Si ta minimizojmë ose eliminojmë këtë formë të diskriminimit?

    Sipas Kasollit, që të luftohen të gjitha llojet e diskriminimit (specifikisht në vendet e punës), është e rëndësishme që kriteri i meritokracisë dhe profesionalizmit të shndërrohet në kriter vendimtar në rekrutimin e vendeve të punës.

    Ndërsa sipas Rexhepit, hapi i parë për t’i hequr diskriminimet e tilla është që të flasim për këto çështje (përfshirë masmediat).

    Sikurse Rexhepi mendon edhe Ymeri për sa i takon diskutimit, veçse ajo potencoi se edukimi fillon që nga familja, pastaj edhe shkollat…

    Vlen të theksohet se sipas OBSH-së, tri strategjitë që ndihmojnë në reduktimin ose eliminimin e diskriminimit dhe pabarazisë në bazë të moshës janë politika dhe ligji, aktivitetet arsimore edukative dhe ndërhyrjet ndër breza.

    Aktivitetet edukative mund të zvogëlojnë paragjykimet nëpërmjet ofrimit të informacione dhe shembujve kundër stereotipeve.

    Ndërhyrjet ndër breza mund t’i bashkojnë njerëzit (e grup moshave të ndryshme), në mënyrë që t’i reduktojnë paragjykimet dhe stereotipet ndër grupore.

    Politika dhe ligji mund të trajtojnë pabarazinë në bazë të moshës dhe t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, kudo.

    Për të marrë më shumë informacione rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm: