ATV

Author: ATVLive

  • Aksident i rëndë në autostradën Suharekë – Duhël

    Aksident i rëndë në autostradën Suharekë – Duhël

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në autostradën Suharekë – Duhël.

    Në pamjet e siguruara nga ATV, shihet se në aksident janë përfshirë një kamion dhe një veturë e tipit Audi, e cila ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e përparme, ndërsa kamioni është përmbysur jashtë rrugës, duke goditur një shtyllë ndriçimi.

    Ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

    Në vendin e ngjarjes ka arritur edhe policia, e cila po heton shkaqet e aksidentit. /atvlive.tv

  • ​Flick: Do të luajmë ndaj Benficas për ta nderuar Carles Minarron

    ​Flick: Do të luajmë ndaj Benficas për ta nderuar Carles Minarron

    Barcelona do të nderojë jetën e mjekut të tyre të ndjerë të skuadrës, Carles Minarro Garcia, duke dhënë gjithçka për të fituar ndeshjen e 1/16 të Ligës së Kampionëve të së martës kundër Benfica-s, tha trajneri Hansi Flick gjatë një konference të shkurtër për shtyp të hënën.

    Pas një momenti heshtjeje, gjermani tha se dy ditët e fundit kishin qenë të vështira pasi ata vajtuan për vdekjen e Minarro, i cili vdiq papritur në hotelin e ekipit disa orë përpara ndeshjes së planifikuar të së shtunës në shtëpi me Osasuna, e cila u shty.

    Ai tha se lojtarët do të gjejnë motivim shtesë kundër Benfica-s, të cilën e udhëheqin 1-0 nga ndeshja e parë, për të nderuar një njeri që ishte i respektuar dhe i pëlqyer në dhomën e zhveshjes, përcjellë KP.

    “Unë mendoj se skuadra po e trajton mirë situatën. Ne jemi shumë të përqendruar në lojë dhe duam të luajmë për të. Në këtë situatë, është shumë e rëndësishme të fitojmë për të. Ne jemi gati për të,” tha Flick në një konferencë.

    “Duhet të ecim përpara, është puna jonë. Është një situatë e rëndësishme për klubin që të avancojë në garë dhe ne duam të bëjmë mirë për ta nderuar atë. Është një humbje e madhe. Ai ishte një person i madh dhe një mjek i madh. Ai ishte i pabesueshëm për ekipin dhe klubin, ai ishte një pjesë thelbësore e ekipit tonë që do t’i mungojë shumë”, shtoi ai.

    Pas një fitoreje të vështirë javën e kaluar në Benfica pas një kartoni të kuq për mbrojtësin Pau Cubarsi në fillim të ndeshjes, Flick tha se ishte i bindur që Barca mund të vazhdonte momentin dhe të avanconte tutje.

  • ​Kosova bëhet me dhomën e sigurt për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

    ​Kosova bëhet me dhomën e sigurt për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

    Në një dhomë me ngjyra që ngjan në ambient shtëpiak, tani e tutje do të dëgjohet zëri i grave e burrave që kërkojnë drejtësi. Nga kjo hapësirë, viktimat e dhunës seksuale të luftës do të dëshmojnë në gjykatë për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, por pa u ballafaquar drejtpërdrejt me dhunuesin. “Dhoma e sigurt” është funksionalizuar të hënën në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, raporton KosovaPress.

    Ditë historike për gratë e burrat që kërkojnë drejtësi e konsideron Feride Rushiti, e cila është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

    Ajo tregon se kjo tashmë është funksionale dhe ka qenë e domosdoshme.

    “Sot është një ditë historike për të mbijetuarit e dhunës seksuale, në veçanti për ata që ju kanë qasur kërkimit për drejtësi. Për faktin që më herët të mbijetuarit, qofshin gra apo vajza duhet të legjitimoheshin, duhet të hynin në një portë ku hynte edhe i akuzuari edhe viktima, edhe shumë herë edhe në prezencë të mediave për çka për shumicën e viktimave ka paraqitur edhe shqetësim edhe stigmatizim. Prandaj hapja e dhomës së sigurt, e përkrahur nga ambasada britanike, në bashkëpunim të ngushtë me Gjykatën Themelore në Prishtinë mendoj që është hap i rëndësishëm në qasjen sensitive në relacion me dhunimet seksuale që ne si organizatë e kërkojmë por e kërkojnë edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale”, tha Rushiti.

    Bashkë me viktimat e dhunës seksuale, siç tregon Rushiti për KosovaPress, do të jenë edhe përfaqësues të shërbimeve ligjore dhe psikosociale.

    “25 vjet pas luftës me ardh, me dëshmu edhe me e nda rrëfimin tënd para një trupi gjykues është mjaft ritramatizues. Prandaj përmes kësaj dhome, me të cilën kemi gjetur mirëkuptim me Gjykatën Themelore edhe nga sot është funksionale, të mbijetuarit e dhunës seksuale do të kenë mundësi të hyjnë komplet pa u legjitimuar fare, e kanë një qasje shumë të lehtë nuk kanë fare nevojë që të hyjnë përmes qasjes zyrtare. Pastaj e kanë një ambient që është shtëpiak, me një televizor ku e kanë një video ku informohen për të drejtat e tyre dhe se si duket dhoma në gjykatore, për faktin që është një moment ritraumatizimi kur të hyjnë aty. Por edhe për ato gra e burra që nuk kanë fare dëshirë që të ballafaqohen me të akuzuarin, kanë mundësi që në formë elektronike nga kjo dhomë me dhënë intervistën”, tregon ajo për KosovaPress.

    Në ngjarjen e funksionalizmit të dhomës së sigurt ka marrë pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

    Kjo hapësirë mund të shfrytëzohet edhe për viktimat tjera të dhunës, qoftë të mitura por edhe persona të rritur.

    Edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama tha se hapja e kësaj dhome për dëshmi, ka rëndësi të madhe për avancimin e të drejtave të viktimave.

    “Sot, ne zyrtarisht e hapëm dhomën e dëshmisë apo ‘safe room’ që në fakt nuk është vetëm një çështje simbolike, një hapësirë fizike që është hapur për viktimat por ka një domethënie shumë të madhe për shkak të rëndësisë që ka në avancimin e mbrojtjes së të drejtave të viktimave që përfshin ruajtjen dhe privatësinë, qasjen psikologjike që jepet në hapësirë dhe dëshminë që mund të japin edhe në rastet kur viktimat janë të mbrojtura. Është parë e domosdoshme që nevojitet me qenë një hapësirë ku ato mund të vijnë paraprakisht, të përgatiten por edhe për të dëshmuar për shkak se procedurat gjyqësore janë gjithmonë të rënda edhe për dëshmitarët e tjerë, e sidomos në këto raste që janë më të veçanta”, tha ajo, transmeton KosovaPress.

    Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.

    Deri tani, vetëm Zoran Vukotiq është dënuar për dhunim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

  • ​Celine Dion paralajmëron qarkullimin e këngëve të paautorizuara me AI

    ​Celine Dion paralajmëron qarkullimin e këngëve të paautorizuara me AI

    Celine Dion ka paralajmëruar për këngë të krijuara nga inteligjenca artificiale (AI) që qarkullojnë në internet dhe platformat digjitale, duke theksuar se “ato janë të rreme dhe të paautorizuara”, raporton CNN.

    Përdorimi i AI në industrinë e muzikës po shkakton shqetësime, në prill 2024 mbi 200 artistë, përfshirë Billie Eilish, Katy Perry dhe Jon Bon Jovi, nënshkruan një letër të hapur duke kërkuar ndalimin e përdorimit të AI që cenon të drejtat e artistëve, përcjellë KP.

    Letra theksonte rreziqet si “deepfake” [imazhet e falsifikuara], klonimi i zërit dhe përdorimi i paautorizuar i veprave muzikore.

    Celine Dion, 56 vjeç, u rikthye pas një pauze për shkak të Sindromës së Personit të Ngurtë (SPS) – një sëmundje e rrallë neurologjike që shkakton spazma muskulore dhe ndjeshmëri të lartë ndaj stimujve, transmeton KosovaPress.

    Ajo u diagnostikua në dhjetor 2022 dhe ka ndjekur terapi intensive për vokalin dhe fizikun e saj.

    Në korrik 2024, ajo bëri një rikthim spektakolar në Lojërat Olimpike të Parisit, duke kënduar “Hymne à l’Amour” mbi Kullën Eiffel, gjatë ceremonisë hapëse.

  • Policia jep detaje për shpërthimin e një granate dore te Liqeni i Badocit

    Policia jep detaje për shpërthimin e një granate dore te Liqeni i Badocit

    Një granatë dore u shpërthye te Liqeni i Badocit nga ekipet e specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese të Policisë së Kosovës. Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i policisë në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    “Rreth orës 11:30 është pranuar informata se në afërsi te liqenit të Badocit është hasur një mjet i dyshimtë shpërthyese. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual. Në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët kanë kryer shpërthimin e kontrolluar dhe mjeti i dyshuar ka rezultuar të kenë qenë një granatë dore. Aktualisht policia po vijon punën e saj për trajtimin e rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha zëdhënësi Borovci.

  • Shefi i ri i NATO’s mesazh ‘Republikës Srpska’ nga Bosnja: Nuk iu lëmë të krijoni vakum sigurie

    Shefi i ri i NATO’s mesazh ‘Republikës Srpska’ nga Bosnja: Nuk iu lëmë të krijoni vakum sigurie

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte zhvilloi një takim me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor.

    Ai në një konferencë për media, siç raporton mediumi boshnjak ‘Dnevni avaz’, deklaroi se çdo veprim që cënon Marrëveshjen e Dejtonit është i papranueshëm, përcjell Insajderi.

    “Ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë. Çdo aktivitet që cenon Marrëveshjen e Dejtonit, rendin kushtetues apo institucionet shtetërore është i papranueshëm. Retorika dhe veprimet inflamatore janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjës”, tha shefi i NATO-s.

    “Sigurisht që kam shqetësime edhe për situatën e sigurisë. Për të qenë të qartë, ky nuk është viti 1992 dhe nuk iu lëmë të krijohet një vakum sigurie. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i përkushtuar për të vazhduar mbështetjen e fortë. Si përmes EUFOR-it ashtu edhe përmes NATO-s. E di që EUFOR është plotësisht i përgatitur për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në BiH dhe pres me padurim mundësinë për të vizituar kampin Butmir sot.

    Ne nuk do të lejojmë që paqja e fituar me vështirësi të rrezikohet. NATO do të vazhdojë t’ju mbështesë në rrugën tuaj evropiane dhe euroatlantike teksa ju bëni përparim. Këtë po e bëjmë së bashku me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe Përfaqësuesin e Lartë”, tha Rutte.

  • Musk kërcënon Ukrainën: Nga NATO-ja edhe mund të dalim

    Musk kërcënon Ukrainën: Nga NATO-ja edhe mund të dalim

    “Pa Starlink-un, linja e frontit të Kievit do të bjerë,” shkroi Elon Musk në platformën X duke ngjallur menjëherë frikën se administrate amerikane mund ta shtojë akoma edhe më shumë presionin mbi Kievin pas ngrirjes së ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës.

    Më pas, duke folur për tërheqjen e mundshme të SHBA-së nga NATO, miliarderi shtoi: “Ne vërtet që duhet ta bëjmë këtë.

    Nuk ka kuptim që Amerika të paguajë për mbrojtjen e Europës”. Musku e pati një përgjigje edhe për ministrin e jashtëm polak Radosłaë Sikorski, i cili deklaroi se “nëse SpaceX dëshmohet të jetë një furnizues jo i besueshëm, ne do të detyrohemi të kërkojmë të tjerë”.

    Polonia paguan 50 milionë dollarë në vit për t`i siguruar Ukrainës shërbimin e Starlinkut. “Pusho more burrë, i vogël”, iu përgjigj Elon Musk.

    “Ju paguani vetëm një pjesë të vogël të kostos dhe nuk ka asgjë që mund të zëvendësojë Starlink”, shtoi ai. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ndërhyri në sherrin në distancë, duke u përpjekur të zbusë gjakrat: “Askush nuk kërcënoi se do të ndërpresë Starlinkun në Ukrainë”, tha ai në përgjigjen ndaj Sikorskit.

    “Dhe thuaj faleminderit sepse pa Starlinkun, Ukraina do ta kishte humbur luftën shumë kohë më parë dhe rusët tani do të ishin në kufirin me Poloninë”, shtoi shefi i diplomacisë amerikane.

    Në fillim të luftës, Musku kishte dërguar mijëra terminale të shërbimit të tij të komunikimit satelitor të internetit në Ukrainë për të zëvendësuar sistemet e shkatërruara nga Rusia pas pushtimit.

    Por më vonë, miliarderi ndryshoi qëndrimin në raport me këtë konflikt, dhe që nga vjeshta e vitit 2022, nisi ta kufizonte qasjen në sistemet e tij.

  • ​Gjendja aktuale me zjarret, Metaj: Po rrezikohet operacionaliteti i ekipeve

    ​Gjendja aktuale me zjarret, Metaj: Po rrezikohet operacionaliteti i ekipeve

    Për tri ditë në Kosovë janë shkaktuar mbi 290 raste të zjarreve, ndërkohë që aktualisht aktive janë në Kamenicë, Malishevë e Drenas, raporton KosovaPress.

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj deklaroi se gjendja aktuale “paraqet rrezik serioz dhe është jashtë normales”.

    Në këtë situatë, tha ai, rrezikohet edhe operacionaliteti i ekipeve në terren.

    Në një konferencë për media më 10 mars, Metaj tha se ditëve të fundit është vërejtur shtim i ndjeshëm i rasteve të zjarreve në nivel vendi, përcjellë KosovaPress.

    “Kjo gjendje e cila është tani, paraqet rrezik serioz për qytetarët, mjedisin, pronën dhe sigurinë publike. Në ditët e fundit është vërejtur një shtim i ndjeshëm i rasteve të zjarreve në nivel të vendit. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe të kërkim shpëtimit janë angazhuar me gjitha kapacitetet për të shuar vatrat e zjarreve si dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre. Nga statistikat, nga raportet që kemi marrë nga njësitë e zjarrfikësve, si dhe nga qendrat operative 111, numrat janë si në vijim: vetëm javën e parë të marsit i kemi pasur 57 raste të zjarreve, ndërsa vetëm nga 7 deri më datën 10, që do të thotë vikendin që e lamë pas kanë qenë 294 raste të zjarreve. Prej tyre, 75 kanë qenë malore, 156 fushore dhe 63 zjarre tjera”, u shpreh ai.

    Ai tregoi se zjarret aktive janë në Drenas, Kamenicë e Malishevë. Po ashtu, Metaj tha se dyshohet se rastet e zjarreve po shkaktohen nga dora e njeriut.

    “Zjarret aktive momentale dhe më serioze janë në Drenas – në fshatin Dobroshec, në Kamenicë – në fshatin Firiqevë dhe në Malishevë – në fshatin Drenoc. Nëse flasim për shkaqet e zjarreve, shkaqet kryesisht janë dora e njeriut, vijnë nga faktori njeri. Ne si agjenci kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme, kemi ngritur gjendjen e gatishmërisë në nivel vendi dhe nga sot fillojmë më patrullimet e rregullta të zjarrfikësve në gjitha komunat. Gjithashtu jemi në koordinim, kam pasur edhe takim me zëvendësdrejtorin e Policisë, ku jemi dakorduar që të rritet numri i patrullimeve në nivel vendi por edhe hetimi i këtyre rasteve në mënyrë që kryerësit të sillen para ligjit për veprat e tyre. Kjo situatë çfarë është tani është jashtë normales”, shtoi ai.

    Këto raste, Metaj shtoi se vejnë në rrezik operacionalitetin e ekipeve.

    “Numri aktual i zjarrfikësve në nivel vendi është 739, pavarësisht që një komunë mund të ketë numër më të vogël të zjarrfikësve, nëse është e nevojshme ata kërkojnë ndihmë në qendrën operative 112 dhe ne i angazhojmë njësitet e zjarrfikësve në rajonet përkatëse, nëse është e nevojshme edhe në nivel vendi. Kështu që është sfidë sa i përket kujdestarisë, mirëpo sa i përket operimit në nivel vendi tregon që kemi kapacitete të mjaftueshme nëse shkojmë në situatë normale. Por këto situata që jemi sot, këto vënë në rrezik edhe operacionalitetin sepse janë të shpërndara në gjithë vendi. 293 raste për tri ditë, është numër i paimagjinueshëm, është enorm”, përfundoi ai.

    KosovaPress raportoi të dielën për zjarr në komunën e Deçanit, në vendin e quajtur ‘Çeli’.

    Nga zjarri ishte përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent tha të dielën më 9 mars, se zjarri në malet e Deçanit është nën kontroll dhe se ekipet po punojë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

    Ndërkaq, të hënën Policia e Kosovës në Ferizaj Tha se gjatë javës së kaluar janë raportuar disa incidente zjarri në këtë rajon, duke përfshirë Ferizajn, Kaçanikun, Shtërpcën, Shtimen dhe Hanin e Elezit.

    “Aktualisht, në rajonin e Ferizajt nuk ka asnjë vatër aktive apo lokalitet të përfshirë nga zjarret., megjithatë, policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e hapësirave fushore dhe pyjeve, pasi pasojat mund të jenë të rënda dhe të pakthyeshme”, tha Policia në një njoftim për media.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjithë personat që kryejnë zjarrëvënie të qëllimshme ose për shkak të pakujdesisë do të ndiqen penalisht./kp

  • ​Padi ndaj Komunës së Prishtinës për shkelje të ligjit në rregulloren e parkingjeve

    ​Padi ndaj Komunës së Prishtinës për shkelje të ligjit në rregulloren e parkingjeve

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka dorëzuar padi për shfuqizimin e rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës.

    Në një konferencë për media, koordinatori i qendrës për çështje gjyqësore, Liridon Salihu ka deklaruar se presin nga Gjykata Supreme që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e rregullores së Prishtina Parkingut.

    Pas analizimit të rregullores, GLPS ka arsyetuar se disa dispozita bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe janë të mangëta në përmbajtje.

    “Qendra për raste gjyqësore strategjike, platformë e grupit për studime juridike dhe politike sot ka dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kosovës padinë kundër Komunës se Prishtinës. Me këtë padi kemi kërkuar nga Gjykata Supreme që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e rregullores së Prishtina Parkingut. Kjo rregullore e cila ka hyrë në fuqi me datën 22 janar 2024, ndërsa me 5 prill, 2024 GLPS pas analizimit të këtij akti nënligjor ka vlerësuar se ka dispozita të tilla që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi, e po ashtu rregullorja është e mangët sa i përket përmbajtjes së saj. Te gjitha këto pretendime tona i kemi nisur përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës që t’i adresojnë këto dhe të hynë në procedurën e plotësim ndryshimit të rregullores. Duke qenë se as komuna e as kryetari, Përparim Rama nuk patën vullnet të hynë në procedurën e plotësim ndryshimit të rregullores dhe t’i evitojnë të gjitha këto mangësi që ka rregullorja, sot po dorëzojmë padinë në Gjykatën Supreme”, tha ai.

    GLPS ka kërkuar që Gjykata Supreme të shfuqizojë tërësisht rregulloren dhe më pas të shohim nëse Komuna do të reflektojë për të bërë ndryshimet e nevojshme.

    “Në këtë padi i kemi dy pjesë që ne ja kemi ofruar Gjykatës Supreme. E para është se me këtë padi kemi arsyetuar nëntë nene të rregullores te cilat bien në kundërshtim me diku rreth gjashtë ligje të cilat i kemi në fuqi. Përveç këtyre neneve kemi ofruar edhe disa argumente shtesë, se edhe vet miratimi i kësaj rregullore nuk i ka ndjekur procedurat e duhura, dhe përmbajtja është e mangët. Janë nenet të cilat i japin kompetencë Prishtina Parkingut qe të vendosë bllokadat ndaj veturave të cilat vendosen të parkohen në parkingje dhe nuk e kryen pagesën, po ashtu edhe çështja e konfiskimit të këtyre veturave e cila parashihet me rregulloren në fjalë. I është dhënë po ashtu kompetencë Prishtina Parkingut që të menaxhojë edhe me hapësirat të cilat nuk janë të destinuara për parkingjet. Një shkelej tjetër është se rregullorja më fjalë nuk ka dhënë siguri të plotë sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale që aplikojnë për leje Prishtina Parking…Kemi kërkuar Gjykatës të shfuqizojë në tërësi këtë rregullore më pas të shohim nëse komuna reflekton”, shtoi ai.

    Salihu po ashtu nënvizoi se para se të hynte në fuqi kjo rregullore Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të bëjë rishikimin e rregullores, mirëpo siç tha ai, komuna kishte mbetur e heshtur dhe nuk e kishte marrë parasysh.

    Ai tha se padisë ia kanë bashkangjitur edhe raportin e fundit që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit, raport ky që vë në theks se hartim i kësaj rregullore nuk është bërë sipas një analize të bazuar.

  • ​Vdes nga sëmundja e rrallë Princi Frederik i Luksemburgut

    ​Vdes nga sëmundja e rrallë Princi Frederik i Luksemburgut

    Princi Frederik i Luksemburgut, djali më i vogël i Princit Robert të Luksemburgut dhe Princeshës Julie të Nassau-t, ka ndërruar jetë në moshën 22-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rrallë gjenetike POLG, raporton CNN.

    Ai u nda nga jeta më 1 mars në Paris, njoftoi familja përmes një deklarate në faqen e Fondacionit POLG, të cilin Frederik e themeloi në 2022.

    POLG është një çrregullim mitokondrial që shkakton mosfunksionim progresiv të organeve. Frederik u diagnostikua në moshën 14-vjeçare. Sëmundja është e vështirë për t’u identifikuar dhe aktualisht nuk ka trajtim apo kurë, raporton KP.

    Frederik vdiq një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Sëmundjeve të Rralla, që ndërgjegjëson për rreth 300 milionë të prekur në mbarë botën.

    Megjithatë sëmundjen, ai punoi për të rritur ndërgjegjësimin dhe mori pjesë në prova mjekësore për të ndihmuar në gjetjen e trajtimeve. Familja e tij theksoi se ai nuk donte të përkufizohej nga sëmundja e tij, por ishte i përkushtuar ndaj kauzës për të ndihmuar të tjerët.