ATV

Author: ATVLive

  • Këmbësori goditet nga një veturë në Prishtinë, rasti po hetohet si tentim vrasje

    Këmbësori goditet nga një veturë në Prishtinë, rasti po hetohet si tentim vrasje

    Një këmbësor është goditur nga një veturë të dielën në Prishtinë rreth orës 19:40, ndërsa rasti është raportuar si tentim vrasje. Viktima, shtetas kosovar, ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur derisa viktima ishte duke ecur në këmbë pran një rruge, kur është goditur nga një veturë në rrethana që ende po sqarohen. Identiteti i personit që drejtonte veturën nuk është bërë i ditur.

    Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si tentim vrasje dhe hetimet janë duke vazhduar nga njësitet kompetente për të ndriçuar motivin dhe përgjegjësinë penale.

  • Një grua gjendet pa ndjenja në Prishtinë, ndërron jetë gjatë trajtimit në QKUK

    Një grua gjendet pa ndjenja në Prishtinë, ndërron jetë gjatë trajtimit në QKUK

    Një grua është gjetur e shtrirë në tokë në një lagje të Prishtinës më 16 qershor, ndërsa rasti është raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, të cilët e kanë transportuar viktimën për trajtim të menjëhershëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, gruaja ka ndërruar jetë gjatë trajtimit. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së saj. /atvlive.tv

  • Zhijovin Nesiq dënohet me 15 vjet burg për dhunim gjatë luftës në Kosovë

    Zhijovin Nesiq dënohet me 15 vjet burg për dhunim gjatë luftës në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burg Zhijovin Nesiqin, i akuzuar për dhunim gjatë luftës në Kosovë. Seanca gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së lëndës.

    Përfaqësuesja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, ka deklaruar se ky vendim është mirëpritur nga viktima si dhe nga organizata që ajo përfaqëson. Sipas saj, viktima e ka pritur me emocione të forta shpalljen e dënimit dhe e ka cilësuar vendimin si një hap drejt drejtësisë.

    Haliti ka shtuar se ky është vetëm fillimi i një rruge për të siguruar drejtësi për të gjitha të mbijetuarat e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës, teksa disa raste të tjera tashmë janë në proces gjyqësor. /atvlive.tv

  • Vazhdohet mandati i EULEX-it në Kosovë

    Vazhdohet mandati i EULEX-it në Kosovë

    Zyra e Presidencës ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka konfirmuar vazhdimin e mandatit teknik të misionit të EULEX-it në Kosovë, përmes një shkëmbimi letrash me Presidenten Vjosa Osmani. Ky mandat nuk përfshin më kompetenca ekzekutive, por fokusohet në monitorim, mentorim dhe këshilldhënie institucionale.

    Në letrën drejtuar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Eevropian, Kaja Kallas, presidentja Osmani ka kërkuar që EULEX t’i dorëzojë autoriteteve vendore të gjitha dokumentet që ka në dispozicion nga periudha kur kishte mandat ekzekutiv. Ajo ka theksuar nevojën për transparencë dhe bashkëpunim të plotë institucional.

    Po ashtu, Osmani ka kërkuar që të gjitha aktivitetet e EULEX-it në Kosovë të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /atvlive.tv

  • Defekt në rrjetin elektrik të spitalit në Mitrovicë

    Defekt në rrjetin elektrik të spitalit në Mitrovicë

    Një defekt i përkohshëm në trafon elektrike brenda hapësirave të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është regjistruar sot rreth orës 10:30. Sipas komunikatës zyrtare, defekti nuk ishte në përgjegjësi të spitalit.

    Përmes ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve teknike të spitalit dhe KEDS-it, furnizimi me energji elektrike është rikthyer pa pasoja. Fillimisht ndalimi i energjisë ka ardhur nga rrjeti i qytetit, ndërsa më pas është identifikuar edhe defekti në trafon brenda spitalit.

    Spitali ka bërë të ditur se situata është menaxhuar me profesionalizëm dhe nuk ka pasur asnjë kërcënim për sigurinë apo shëndetin e pacientëve dhe se të gjitha shërbimet spitalore janë duke funksionuar normalisht. /atvlive.tv

  • Presidentja Osmani pritet me nderime ushtarake në Budapest

    Presidentja Osmani pritet me nderime ushtarake në Budapest

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po e zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari.

    Ajo në Budapest u prit nga homologu i saj Tamas Sulyok.Shefja e shtetit të Kosovës, atje u prit me nderimet ushtarake.Osmani këtë vizitë e cilësoi në dobi të qytetarëve dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë.

    “Faleminderit për pritjen me nderime ushtarake në Budapest, President Sulyok! Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë”, deklaroi ajo.

  • BQK nis hapat për anëtarësim në SEPA dhe modernizim të sistemit të pagesave

    BQK nis hapat për anëtarësim në SEPA dhe modernizim të sistemit të pagesave

    Këshilli Kombëtar i Pagesave, i organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës, mbajti takimin e parë për vitin 2025.

    Guvernatori Ahmet Ismaili tha se përgatitjet për anëtarësim në Zonën SEPA janë ndër prioritetet kryesore të BQK-së, duke theksuar se kjo do të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset.

    Ai njoftoi se po ndërtohet infrastrukturë moderne për pagesa të menjëhershme dhe qasje në platforma si Apple Pay dhe PayPal.

    Ndërsa, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, theksoi se digjitalizimi i pagesave jo vetëm që ul kostot për përdoruesit, por ndihmon edhe në luftimin e ekonomisë informale. /atvlive.tv

  • Protestë në Prishtinë, qytetarët kërkojnë zgjidhje për ngërçin politik

    Protestë në Prishtinë, qytetarët kërkojnë zgjidhje për ngërçin politik

    Shoqata qytetare “Roja e Kohës” ka organizuar sot një protestë paqësore në qendër të Prishtinës, për të kundërshtuar bllokadën institucionale që, sipas tyre, po pengon funksionimin e shtetit. Protesta u mbajt para Kuvendit të Kosovës.

    Protestuesit mbajtën pankarta me mesazhe si: “Bllokadë politike, jo shtet”, “Kosova nuk mund të presë më” dhe “Populli ka votuar, jo për të bllokuar”. Ata shprehën pakënaqësinë ndaj bllokadës së vazhdueshme institucionale, e cila sipas tyre ka paralizuar vendimmarrjen shtetërore dhe ka thelluar krizën politike në vend.

    Me thirrje për reflektim dhe përgjegjësi, organizatorët kërkuan nga liderët institucionalë të marrin masa urgjente për tejkalimin e krizës politike dhe për rikthimin e funksionalitetit në institucionet e vendit. /atvlive.tv

  • Shkodra Elektronike përformon për herë të parë në Kosovë pas suksesit në Eurovision

    Shkodra Elektronike përformon për herë të parë në Kosovë pas suksesit në Eurovision

    Pas përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në Eurovision 2025 me këngën “Zjerm”, Shkodra Elektronike do të ngjitet për herë të parë në një skenë në Kosovë, në një koncert që pritet me padurim nga publiku vendas.

    E përbërë nga dy artistë shqiptarë të rritur në Itali — producenti dhe kantautori Kolë Laca dhe kantautorja Beatriçe Gjergji — kjo dyshe ka krijuar një stil unik që ata e quajnë “Pop Post-Imigrant.”

    Muzika e tyre është një përplasje e bukur mes këngëve tradicionale të Shkodrës dhe tingujve elektronikë modernë, duke krijuar një përvojë të thellë shpirtërore për publikun, sidomos për ata që jetojnë larg vendlindjes.

    Koncerti do të mbahet më 16 qershor 2025, e hënë, nga ora 20:00 deri në 22:00, në ambientet e AMC Hall, Obiliq — një ngjarje që premton emocion dhe energji të papërmbajtshme nga një produksion i plotë prej 10 personazh nga Italia duke përfshirë edhe Korin Polifonik.

    E për herë të parë në një studio televizive në Kosovë, Shkodra Elektronike vjen në emisionin e pasdites ne ATV “Studio A” me Blerona Zeqiri, të martën nga ora 17:15, ku do të flasin për rrugëtimin e tyre muzikor, emocionet pas Eurovisionit dhe pritshmëritë nga performanca e tyre në Kosovë.

  • Përurohet pllaka përkujtimore në vendin ku për herë të parë u hap zyra informative e SHBA-së

    Përurohet pllaka përkujtimore në vendin ku për herë të parë u hap zyra informative e SHBA-së

    Në vendin ku 29 vjet më parë u hap zyra e Parë Informative e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, sot u përurua një pllakë përkujtimore.

    Në këtë hapësirë që dikur mblidhte rrëfime dhimbjeje dhe kërkesa për ndihmë, sot operon kompania e sigurimeve PRISIG një ndërmarrje që përmes përurimit të kësaj pllake, vendosi të ndërthurë të kaluarën me të ardhmen.

    “Ky flamur ngritët sërish si simbol i miqësisë së përhershme, lirisë dhe përkushtimit,” tha CEO i PRISIG, Besart Blakaj.

    “Me këtë pllakë ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por edhe afirmojmë vlerat që vazhdojnë të na lidhin – respektin, bashkëpunimin dhe përkushtimin për një Kosovë të lirë.” tha mes tjerash ai.

    Në ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili me fjalët e tij solli një reflektim të thellë:

    “Ishte një shenjë jete, një sinjal se në përpjekjen tonë ne nuk ishim vetëm. Kur hapësira e lirisë na ishte ngushtuar, këtu na u ndez një dritë shprese – e para dritare nga e cila bota nisi të na shihte me sytë tanë.”

    Pas fjalimeve, u zbulua pllakë përkujtimore nga Lulzim Tafa, kryetari i Kuvendit të Aksionarëve të PRISIG – një gjurmë fizike që do të qëndrojë aty sa të jetë historia.