ATV

Author: ATVLive

  • Sveçla takon ministrin Bozhinoviq në Zagreb

    Sveçla takon ministrin Bozhinoviq në Zagreb

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci, ku është pritur në takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq. Takimi u zhvillua në Zagreb.

    Dy ministrat diskutuan për situatën e sigurisë në të dy vendet dhe nevojën për thellim të bashkëpunimit në këtë fushë. Ata vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë si të shkëlqyera, me objektiva të përbashkëta për stabilitet dhe siguri afatgjate në rajon.

    Vizita e Sveçlës po zhvillohet në kuadër të Ministerialit të Forumit të Salzburgut, nën organizimin e Kroacisë. Në këtë forum, pritet të vazhdojnë diskutimet mbi sfidat dhe prioritetet rajonale të sigurisë, ku edhe Kosova po përfaqësohet në nivel ministror. /atvlive.tv

  • Shtyhet intervistimi i Zllatan Ellekut në Prokurorinë Speciale

    Shtyhet intervistimi i Zllatan Ellekut në Prokurorinë Speciale

    Intervistimi i paraparë për sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të tij, i cili është raportuar i sëmurë.

    Ndaj Ellekut dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj partie po zhvillohen hetime nën dyshimet për minimin e rendit kushtetues dhe përfshirje në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri të vendit gjatë dhjetorit 2022. Hetimet përfshijnë edhe deputetët Igor dhe Sllavko Simiq, si dhe dhjetëra pjesëtarë të komunitetit serb.

    Lista Serbe dhe autoritetet e Serbisë i kanë cilësuar këto hetime si “proces politik” dhe “persekutim ndaj popullit serb”. /atvlive.tv

  • Bislimi me kritika prokurorinë pas intevistimit

    Bislimi me kritika prokurorinë pas intevistimit

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka përfunduar intervistimin në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore nga Ministria e Bujqësisë. Ai ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

    Pas intervistimit, Bislimi ka reaguar në Facebook, duke kritikuar mënyrën e trajtimit nga Prokuroria. Ai tha se nuk u bë asnjë pyetje tipike për një dëshmitar dhe se informacionet e kërkuara mund të merreshin lehtësisht pa e ftuar fare në intervistë.

    Ai shprehu shqetësim për praninë e mediave në hyrje të Prokurorisë dhe e cilësoi të gjithë procesin si përpjekje për të prodhuar lajm, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë në narrativën e “skandaleve” publike.

    Hetimet janë nisur disa javë më parë, pas deklaratave publike të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, i cili kishte përmendur emrin e Bislimit si të përfshirë në kërkesat për funksionalizimin e fabrikës, pavarësisht kostos që do të kishte projekti. /atvlive.tv

  • Rizvanolli: Bizneset s’u përgatitën për liberalizim të energjisë as pas tetë vitesh, shtyrja e vendimit do të rrisë tarifat për qytetarët

    Rizvanolli: Bizneset s’u përgatitën për liberalizim të energjisë as pas tetë vitesh, shtyrja e vendimit do të rrisë tarifat për qytetarët

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se kërkesat e bizneseve për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë janë të pabazuara, pasi ato nuk janë përgatitur as pas tetë vitesh. Ajo theksoi se një shtyrje e mundshme do të rriste tarifat për konsumatorët e rregullt.

    Rizvanolli sqaroi se Ligji për liberalizimin e energjisë, i miratuar në vitin 2016, ka parashikuar hyrjen në fuqi të tij që nga viti 2016, por bizneset e mëdha janë furnizuar me tarifa të rregulluara për tetë vjet, pavarësisht ligjit.

    “Sa i përket liberalizimit të tregut po du me cek edhe një herë, që ZRRE-ja në mars të këtij viti ka tregu që nga një qershori do ta fillojë zbatimin e ligjit që e parasheh liberalizimin që nga viti 2016, e që është në përputhje me direktivat evropiane dhe kërkesë e Bashkimit Evropian. Sipas këtij ligji veç familjet dhe bizneset e vogla kanë të drejtë me u furnizu me tarifa të rregullume. Përkundër kësaj, për tetë vjet, dy 2016 – 2025, edhe bizneset e mëdha janë furnizu me tarifa të rregullume, përkundër asaj që kemi pasur një ligj në fuqi që ka thënë që këto nuk kanë të drejtë me u furnizu”, tha Rizvanolli.

    Sipas ministres, bizneset kanë kërkuar vazhdimisht shtyrje me arsyetimin se nuk janë gati, por asnjëherë nuk janë përgatitur. Një shtyrje tjetër do të rriste tarifat për të gjithë qytetarët dhe bizneset e vogla.

    “Secilën herë kur është shty, kërkesa e bizneseve ka qenë e njëjtë, na jepni edhe pak kohë, sepse nuk jemi gati. Tregu nuk është gati, do të përgatitemi. Tash në momentin që po flasim, duhet me pasë të qartë që nëse një shtyrje e tillë kishte ndodhë… Në të kundërtën ishte dashtë që me u rritë tarifat për konsumatorë të tjerë. Për me qartësu pak… sipas ZRRE-së, rritja kish me qenë diku 21 për qind për të gjitha familjet edhe bizneset, nëse këto kompani nuk kishin dalë në treg, siç duhet, siç është dashtë me dalë para shtatë viteve, ta kemi të qartë”, u shpreh Rizvanolli.

    Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rizvanolli: Prodhimi i energjisë me gaz, deri në 20 herë më shtrenjtë se me thëngjill

    Rizvanolli: Prodhimi i energjisë me gaz, deri në 20 herë më shtrenjtë se me thëngjill

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për ndryshimet në koston e prodhimit të energjisë elektrike nga burime të ndryshme në Kosovë, duke theksuar se prodhimi me gaz është shumë më i kushtueshëm.

    Ajo shpjegoi se rehabilitimi i dy termocentraleve ekzistuese me thëngjill, Kosova B dhe Kosova A, do të sjellë një rritje të moderuar të kostove të prodhimit nga KEK-u.

    “Së pari, është rehabilitimi i Kosovës B që po ndodh aktualisht, dhe pritet të rrisë koston e prodhimit nga KEK-u për dy euro. Së dyti, është Kosova A, rehabilitimi i të cilës pritet të rrisë koston për 10 euro. Domethënë, nga 29 në 39,” tha Rizvanolli.

    Ministrja nënvizoi se projekti i mëparshëm për prodhimin e energjisë me gaz, edhe në rastin më të mirë, do të kushtonte dy herë më shumë sesa prodhimi aktual me thëngjill, ndërsa gjatë periudhave krizash çmimet do të rriteshin deri në 20 herë më shumë.

    “Prodhimi me gaz që është propozuar në të kaluarën, në rastin më të mirë të mundshëm, që sot nuk është aspak real, do të ishte dyfishi i këtyre dyjave; në rastin mesatar do të ishte trefishi; ndërsa gjatë krizës do të ishte gati dhjetëfish, dhe ka pasur momente gjatë krizës kur ka qenë njëzetfish më i lartë sesa çmimi i prodhimit prej thëngjillit,” u shpreh Rizvanolli.

    Ajo shtoi se thëngjilli është një burim energjie që Kosova e kontrollon vetë, duke siguruar pavarësi nga çmimet dhe linjat ndërkombëtare, gjë që nuk vlen për gazin.

    “Kjo t’ua shtojë faktin që thëngjillin e kemi tonin, e kontrollojmë vetë dhe nuk jemi të varur as prej linjave ndërkombëtare, as prej çmimeve në tregjet ndërkombëtare,” tha ministrja.

    Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • “Është kushëri i rendit të gjashtë”, Rizvanolli mohon që anëtari i bordit të ZRRE-së është nip i Besnik Bislimit

    “Është kushëri i rendit të gjashtë”, Rizvanolli mohon që anëtari i bordit të ZRRE-së është nip i Besnik Bislimit

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, ka mohuar se një anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) është nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, siç është spekuluar.

    Rizvanolli sqaroi se anëtari i bordit, ka kërkuar një demantim dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediave që kanë përhapur këtë informacion.

    “Nuk është Nipi i Besnik Bislimit. Ka kërku Gëzimi që është anëtar i Bordit prej dhjetorit, ka kërku me demantu, nuk du me komentu nivel të tillë të spekulimit nën petkun e gazetarisë. Meqë përmende Gëzimin që i referohen shpesh si nipi i zëvendëskryeministrit, ai ka kërku një demant dhe ka bo paralajmërim për padi ndaj njërit prej mediumeve ose më shumë që e kanë thënë këtë”, tha Rizvanolli.

    Ajo shtoi se sipas Ligjit për familjen në Kosovë, anëtari i bordit i bie të jetë “kushëri i rendit të gjashtë” me Bislimin, duke theksuar se nuk ka lidhje të ngushtë familjare.

    “Sipas Ligjit për familjen në Kosovë, i bie kushëri rendit të gjashtë të linjës anësore, në mos gabofsha ishte ai definicioni, po si do që të jetë nuk është nip, ndërsa për këtë tjetrin që po thua me Hekuranin që ka ndonjë lidhje, kjo është hera e parë që po e ndëgjoj, për këtë nuk e pasna ditë çka po flitet, prandaj nuk kam arritë me pyet ministrin, mirëpo besoj që sikur të kish qenë e vërtetë e kisha ditë”, u shpreh Rizvanolli.

    Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Ministrat arabë dënojnë sulmet ndaj Iranit

    Ministrat arabë dënojnë sulmet ndaj Iranit

    Ministrat e Jashtëm të 20 vendeve arabe dhe myslimane kanë dënuar sulmet izraelite ndaj Iranit dhe kanë kërkuar uljen e tensioneve, përmes një deklarate të përbashkët të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve të Egjiptit, MENA.

    Deklarata u firmos nga përfaqësues të shteteve si Egjipti, Turqia, Arabia Saudite, Iraku, Katari dhe shtete të tjera, të cilët theksuan nevojën për respektimin e sovranitetit të shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë.

    Ministrat nënvizuan rëndësinë e krijimit të një Lindjeje të Mesme të lirë nga armët bërthamore dhe i bënë thirrje të gjitha shteteve të aderojnë në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ndërsa theksuan se konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake. /atvlive.tv

  • Trump kërkon evakuim të banorëve në Teheran

    Trump kërkon evakuim të banorëve në Teheran

    Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje për evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Teheranit, për shkak të sulmeve ajrore të Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane.

    Përmes një postimi në rrjetin Truth Social, Trump shkroi: “Irani është dashur ta nënshkruajë ‘marrëveshjen’. U thashë ta nënshkruanin. Sa turp dhe sa humbje e jetës së njerëzve. Thënë thjesht: Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. E kam thënë vazhdimisht. Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!”.

    Ai reagoi pasi u raportua se Izraeli ka shënjestruar disa qendra të programit bërthamor të Iranit, përfshirë objektin për pasurimin e uraniumit në Fordou, rreth 200 kilometra në jug të Teheranit. Ky objekt i vendosur thellë nën tokë, ende nuk është dëmtuar nga sulmet ajrore.

    Sipas ekspertëve ushtarakë amerikanë, për ta shkatërruar këtë qendër, do të nevojitej një bombë amerikane që depërton në bunkerë, e cila mund të transportohet vetëm nga bombarduesi strategjik B-2.

    Trump paralajmëroi për rrezikun që paraqet situata dhe kërkoi masa urgjente për mbrojtjen e civilëve në kryeqytetin iranian. /atvlive.tv

  • Arrestohet shtetasi i huaj në Fushë Kosovë, i gjinden narkotikë, bimë të dyshuara dhe fishekë

    Arrestohet shtetasi i huaj në Fushë Kosovë, i gjinden narkotikë, bimë të dyshuara dhe fishekë

    Një shtetas i huaj është arrestuar në Fushë Kosovë ditën e djeshme rreth orës 14:30, pasi gjatë kontrollit nga njësitë policore, i janë gjetur substanca të dyshuara narkotike dhe sende të ndaluara.

    Tek i dyshuari janë sekuestruar 26.5 gramë marihuanë, katër bimë të dyshuara si kanabis sativa të mbjella në vazo, një peshore digjitale për matjen e substancave narkotike dhe tre fishekë.

    Pas inicimit të rastit dhe në konsultim me prokurorin e çështjes, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij kanë nisur procedurat përkatëse hetimore. /atvlive.tv

  • Dy të arrestuar në Obiliq, sulmuan fizikisht një person pas një mosmarrëveshjeje

    Dy të arrestuar në Obiliq, sulmuan fizikisht një person pas një mosmarrëveshjeje

    Dy persona janë arrestuar në Obiliq ditën e djeshme, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje kanë sulmuar fizikisht një mashkull. Rasti ka ndodhur rreth orës 20:00, ndërsa Policia ka ndërhyrë menjëherë pas thirrjes së marrë për incidentin.

    Sipas njoftimit të Policisë, viktima ka pësuar lëndime dhe ka marrë trajtim mjekësor. Identiteti i përfshirëve nuk është bërë i ditur, ndërsa rrethanat që kanë çuar në përleshje ende po hetohen.

    Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u trajtuar nga hetuesia për veprën penale të sulmit fizik. /atvlive.tv