Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të pranuar deri në pesëdhjetë migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një periudhë njëvjeçare. Sipas zëdhënësit Përparim Kryeziu, zhvendosja do të jetë e përkohshme dhe do të bëhet në përputhje me kriteret e rendit publik dhe sundimit të ligjit në Kosovë, raporton ATV.
Gatishmëria e qeverisë në detyrë të Kosovës vjen pasi Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se vendet e Ballkanit janë përfshirë në kuadër të një strategjie për ndaljen e migrimit të paligjshëm. Administrata e presidentit Trump e cilëson këtë si një prioritet për sigurinë kombëtare dhe rendin publik. /atvlive.tv
Dy ditë pasi Gjykata e Lartë në Suboticë i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji, Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, me dyshimin për përfshirje në rastin “Banjska”, kanë reaguar edhe krerët e shtetit, raporton ATV.
Nga presidenca kanë njoftuar se Presidentja Vjosa Osmani ka kontaktuar menjëherë Zyrën Ndërlidhëse në Serbi dhe është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian, dhe se rasti po trajtohet me prioritet të lartë.
Ndërkohë edhe Ministria e punëve të Jashtme ka konfirmuar se përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët, Arianit Koci, do të udhëtojë në Suboticë për të vizituar Spahiun në qendrën e paraburgimit.
Në të njëjtën linjë, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku thekson se institucionet e Kosovës janë angazhuar që nga momenti i arrestimit për lirimin sa më të shpejtë të Spahiut.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se çështja po trajtohet nga Ministria e Jashtme dhe kërkoi që situata të tilla të mos përsëriten më.
Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare me Hungarinë, teksa po udhëtonte për në Gjermani me familjen. /atvlive.tv
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend. Vendimi është marrë pas analizës së propozimeve nga subjektet politike dhe në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se kjo datë u jep kohë të mjaftueshme institucioneve përgjegjëse që të përgatiten për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës dhe sipas standardeve më të larta.
Sipas Osmanit, data e caktuar mundëson organizimin teknik dhe logjistik të zgjedhjeve, përfshirë edhe procedurat e votimit brenda dhe jashtë vendit.
Ajo u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe shoqërisë civile që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë, për të garantuar një garë të drejtë dhe demokratike. /atvlive.tv
Në Los Anxhelos janë përshkallëzuar protestat, pas vendimit të Donald Trump për dislokimin 2 mijë trupave të Gardës Kombëtare, pa pëlqimin e guvernatorit të Kalifornisë. Vendimi i tij ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik dhe reagime të ashpra nga autoritetet lokale.
Protestuesit kanë bllokuar autostradën 101, ku kanë djegur disa makina vetëdrejtuese dhe janë përplasur me forcat e rendit. Policia ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe mjete shpërthyese për të shpërndarë turmën.
Guvernatori Gavin Newsom dhe kryetarja e bashkisë Karen Bass e kanë quajtur këtë ndërhyrje të Trumpit si një “shkelje të sovranitetit të shtetit të Kalofornisë” dhe kanë kërkuar tërheqjen e trupave. Ata paralajmëruan se vendimi i Trumpit rrezikon të ndezë tensione të mëtejshme.
Ndërkohë, Trump përmes një reagimi në platformën Truth Social, ka kërkuar arrestimin e protestuesve që mbulojnë fytyrat me maska.
Sipas autoriteteve, mbi 100 persona janë arrestuar, përfshirë edhe dhjetëra emigrantë që ndodheshin në zonat ku po zhvilloheshin protestat.
Protestat kanë hyrë në ditën e tretë dhe po krahasohen me trazirat e mëdha që ka përjetuar qyteti në të kaluarën. Ndërkohë, pritet që situata të mbetet e tensionuar edhe në ditët në vijim. /atvlive.tv
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për rastin “Banjska”, ku shtatorin vitit 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Në këtë seancë ka dëshmuar edhe polici i plagosur në sulm, Alban Rashiti, i cili ka rrëfyer momentet e përballjes me grupin e armatosur në veri të vendit.
Ndërkohë, përveç këtyre treve, në këtë rast janë të përfshirë mbi 40 të akuzuar të tjerë, shumica në arrati, për të cilët gjykata ka njoftuar se nuk mund të zhvillohet procesi në mungesë.
Sipas Prokurorisë, grupi i armatosur i udhëhequr nga Millan Radojiçiq, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. /atvlive.tv
Avokati Arianit Koci, gjatë protestës së sotme para Kuvendit, ka reaguar për arrestimin e një ish-pjesëtari të Njësisë Speciale nga autoritetet serbe. Ai kërkoi reagim urgjent nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Presidenten e vendit.
Koci deklaroi se ka qenë vetë në Serbi deri në orët e vona për të ndjekur zhvillimet e këtij rasti, ndërsa theksoi se po mungon çdo interesim zyrtar nga ana e autoriteteve kosovare.
Para nisjes së përpjekjes së 29-të për konstituimin e legjislaturës së re, avokati Arianit Koci ka protestuar sërish para ndërtesës së Kuvendit.
Ai ka kërkuar nga gazetarët që të mos u japin hapësirë deputetëve për deklarata, duke thënë se “s’kanë zgjidhur asgjë në 29 tentime”. Ai shtoi se “të mërkurën bëhet hera e 30-të”, ndërsa i bëri thirrje klasës politike të gjejë zgjidhje.
Në një moment, Koci u përplas verbalisht me deputetët Armend Zemaj dhe Xhevahire Izmaku, të cilëve u kërkoi të mos flasin para mediave pa veprime konkrete. /atvlive.tv
Ka dështuar edhe tentimi i 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u arrit numri i nevojshëm i deputetëve për të formuar Komisionin për votim të fshehtë.
Kryesuesi Avni Dehari u bëri thirrje subjekteve parlamentare të dorëzojnë propozimet për anëtarë të komisionit, por partitë ish-opozitare refuzuan të përfshihen në këtë proces.
Në sallë ishin të pranishëm 102 deputetë, por vetëm 53 votuan PRO, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Seanca u ndërpre, ndërsa përpjekja e 30-të për konstituimin e Kuvendit do të mbahet të mërkurën më 11 qershor.
Para se të nisë seanca e 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, qytetari Fatmir Muçolli ka qëndruar para hyrjes kryesore të objektit parlamentar me një thirrje publike. Ai mbante në duar një letër me mbishkrimin “Lutje që znj. Bogujevci të bëhet kryeparlamentare”, duke kërkuar që deputetët ta mbështesin atë për këtë pozitë.
Muçolli thotë se e ka përzgjedhur Bogujevcin për shkak të përvojës së saj personale dhe përfaqësimit dinjitoz të vlerave të UÇK-së dhe humanizmit në arenën ndërkombëtare.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar reflektim e solidaritet, shkruan KosovaPress.
Kreu i LDK-së ka theksuar rëndësinë e kësaj dite për paqen dhe dashurinë ndërnjerëzore.
“Me rastin e festës së Kurban Bajramit ju shpreh urimet më të përzemërta, për paqe, mirësi dhe gëzim në familjet tuaja. Kjo ditë e sakrificës, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit le të na shërbejë si reflektim e kujtesë për vlerat më të larta njerëzore, përkushtimin ndaj Krijuesit, dashurinë për njëri-tjetrin, dhe gatishmërinë për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Në këtë festë ju uroj shëndet, lumturi dhe begati; me besim që harmonia dhe mbarësia të jenë gjithnjë udhërrëfyes në shoqërinë tonë. Me fat, Kurban Bajramin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.