ATV

Author: ATVLive

  • Situata në Veri, kështu e shohin analistët nga Prishtina

    Situata në Veri, kështu e shohin analistët nga Prishtina

    Situata e krijuar sot në Veri ka nxitur plot reagime në rrjetet sociale. Nga Prishtina, jo pak gazetarë janë deklaruar përmes statuseve të tyre për situatën e atjeshme. Dikush e sheh si vendosje të sovranitetit, e dikush si “fillim i vendosjes së autonomisë për Veriun”.

    Sikur për çdo gjë tjetër, edhe situata e sotshme në Veri të Kosovës është çështje interpretimesh në Prishtinë.

    Lajmi është se kryetarët e zgjedhur të komunave të veriut kanë provuar të futen në objektet e tyre, ndërkohë që serbët lokalë i kanë penguar ata. Dhe, në përleshje me policinë, janë djegur disa vetura – mes tyre edhe një veturë e policisë, si dhe janë vendosur disa pengesa në Zveçan, kurse të tjerat duket se po përgatiten të vendosen.

    Dhe, analistët janë të ndarë në leximin e kësaj situate.

    Rron Gjinovci e sheh si vendosje sovraniteti.

    “Nuk mujnë bandat me diktu jetën institucionale të Republikës”, shkruan ai.

    Gjinovci tutje i përgjigjet edhe Vucicit, i cili urdhëroi Ushtrinë që t’i afrohet kufirit me Kosovën.

    “Vuçiçi e paska urdhnu ushtrinë serbe me kanë në gjendje gatishmërie. Poget ju ka bo marak me i provu dronat e Kosovës”.

    Ndryshe e sheh Mentor Shala, ish-Drejtor i RTK’së.

    “Ky është çmimi i zgjedhjeve të fundit në veri! Autonomia e veriut është rezultati final”, thotë ai.

    “Kjo është shfaqja teatrale e Kurtit, Vuçiqit e Lajçakut! Mos u çuditni nëse këto ditë serbët në këtë pjesë e shpallin Republikë, e kompromisi është Autonomia e pjesës veriore!”, vazhdoi ai.

    Ngjashëm e komentoi edhe Artan Behrami, gazetar.

    “Ndezja e veriut (pavarësisht arsyes, fajtorit) në çdo rrethanë përfundon fatkeqësisht në protektorat ndërkombëtar të kësaj pjese të Kosovës”, shkroi Behrami në Facebook.

  • ​Peci: Jam në objektin e Komunës së Zveçanit, brenda zyrës së kryetarit

    ​Peci: Jam në objektin e Komunës së Zveçanit, brenda zyrës së kryetarit

    Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, i ka thënë KosovaPress-it se ndodhet në objektin e Komunës.

    Sipas tij, aty situata është e qetë ndërsa brenda, ka thënë ai, ndodhet edhe Policia e Kosovës.

    “Jam brenda objektit në zyrën e kryetarit të Komunës, Janë disa pakënaqësi jashtë por brenda objektit çdo gjë është nën kontroll. Edhe brenda objektit janë Policia, janë duke i larguar disa shenja, disa flamuj, disa shkrime”, ka thënë ai përmes telefonit.

    Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.

    Para objekteve komunale në veri të vendit janë mbledhur qytetarë, ndërsa janë dëgjuar edhe sirena alarmi.

    Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.

    Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, por ceremonia është zhvilluar në ndërtesa të tjerë publike.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

    Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

  • ​“Kala Festival”, mbi 3 mijë vizitorë të huaj në bregdetin e Dhërmiut

    ​“Kala Festival”, mbi 3 mijë vizitorë të huaj në bregdetin e Dhërmiut

    Bregdeti i Dhërmiut do të presë nga 31 maji deri më 6 qershor “Kala Festival”, ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë do të shijojnë aventurën verore mes riteve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron riviera shqiptare.

    Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale një video promovuese të këtij festivali, i cili është kthyer në traditë vitet e fundit.

    “Në Dhërmi po bëhet gati të fillojë një tjetër festë ndërkombëtare si Kala Festival, që sjell mbi 3000 vizitorë nga Britania dhe shumë të tjerë nga gjithë Evropa për të festuar në bregdetin tonë prej 31 majit deri më 6 qershor”, tha Kumbaro.

    “Kala Festival”, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

    Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare.

  • ​Haxhiu: Jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi

    ​Haxhiu: Jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë të përkushtuar për realizimin e reformave në drejtësi. Sipas saj, vetëm në këtë formë fuqizohet sistemi i drejtësisë dhe kthehet besimi i qytetarëve në këto institucione.

    Megjithatë, ajo shtoi se kjo është sfiduese, por është rruga e vetme që Kosova të bëhet shtet i së drejtës.

    “Si ministri e Drejtësisë ne jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi, pasi vetëm kështu mund të fuqizojmë sistemin tonë të drejtësisë dhe vetëm kështu mund të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Është punë sfiduese, këtë e ndjerë gjatë këtyre dy viteve, por është rruga e vetme që kemi përpara që Kosova të jetë shtet i së drejtës”, theksoi ajo, transmeton KP.

    Këto komente Haxhiu i bëri të premten, gjatë shpërndarjes së certifikatave për kandidatët që kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës.

    Ajo pati edhe një porosi për të gjithë kandidatët, që detyrën e tyre në të ardhmen të ushtrojnë me përkushtim dhe profesionalizëm.

    “Certifikimi i sotëm hap mundësi të reja në veçanti, në atë të ushtrimit të pozitave publike, pesha e së cilit do të përkthehet në kontributin tuaj të çmueshëm në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës dhe legjislacionit të sistemit tonë të drejtësisë. Çfarëdo përzgjedhje që do të bëni, shpresoj që të njëjtin do të ushtroni me përkushtim dhe profesionalizimin e tuaj maksimal”, shtoi Haxhiu.

    Ndërkaq, shtoi se kandidatët që kanë kaluar provimin e jurisprudencës do të jenë vlerë e shtuar e shoqërisë në Kosovë.

  • Përfundon gara për Laura Fazliun në Grand Prix Austria

    Përfundon gara për Laura Fazliun në Grand Prix Austria

    Qysh në luftën e parë, Laura Fazliu nuk arriti të vazhdonte tutje në Grand Prix Upper që po mbahet në Austri.

    Në kuadër të kategorisë deri në 63 kilogramë, Laura Fazliu është mposhtur në raundin e dytë nga xhudistja japoneze, Momo Tatsukawa, raporton KosovaPress.

    Fazliu raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin u njoftua me eliminim nga kjo garë.

  • Newcastle në Ligën e Kampionëve, Howe refuzon revolucionin në skuadër

    Newcastle në Ligën e Kampionëve, Howe refuzon revolucionin në skuadër

    Skuadra e Newcastle United ka siguruar Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

    Tani, trajneri i Newcastle, Eddie Howe ka refuzuar se skuadra do të ketë një revolucion gjatë kësaj vere, ndërsa ka theksuar lojtarët që dëshiron t’i mbajë në klub, raporton KosovaPress.

    “Unë dua ta mbaj Martin Dubravkan, Matt Ritchien, Paul Dummettin në skuadër”, tha Howe.

    Trajneri i Newcastle e refuzoi revolucionin në skuadër duke thënë: “Unë nuk e shoh këtë gjë për ndoshta 95% të skuadrës. Ndoshta një ose dy lojtarë do të largohen”.

    Me vetëm një ndeshje të mbetur deri në fund të sezoni aktual, Newcastle United zë vendin e katërt në tabelë në kuotën e 66 pikëve.

  • ​Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet sapo të ikë LVV nga pushteti

    ​Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet sapo të ikë LVV nga pushteti

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë e Kosovë, duke thënë se jo vetëm që nuk bëri projekte të reja por bllokoi edhe ato ekzistuese.

    Haradinaj ka shkruar në Facebook se sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake.

    “Kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj një të tretën e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër meje, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt. Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese. Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake. Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto dy vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo. Sot, Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulta, paga minimale më e ulta në kontinent, ndërkohë që tatimi në pronë është rritur dy e trefish, energjia është rritur të paktën dy herë e të mos flasim për rritjen e çmimeve të artikujve elementarë, apo të inflacionit i cili ka qenë më i larti në këto 20 vjet. Sikur të mos u mjaftonte kjo, qeveritarët e rinj u janë turrur edhe mjeteve vetanake të komunave dhe dojnë me i marrë edhe ato! Ose kanë fytyrë e deklarojnë se do të ketë harrnime e zgjerime dhe prapë lidhen të Autostrada e Dukagjinit dhe thojnë se ajo nuk do të ndërtohet. E unë e kam një porosi për ta. Po, autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo ju të ikni nga pushteti. Shpresoj shumë shpejt”, ka shkruar ai.

  • Toney vuri bast që ekipi i tij të humbet 13 herë, zbulohen arsyet e suspendimit

    Toney vuri bast që ekipi i tij të humbet 13 herë, zbulohen arsyet e suspendimit

    Sulmuesi i Bretnfordit, Ivan Toney është suspenduar nga të gjitha aktivitetet që e përfshijnë futbollin për tetë muajt e ardhshëm.

    Federata e Futbollit të Anglisë (FA) ka zbuluar se Ivan Toney u diagnostikua si një i varur nga bixhozi, i cili vuri bast që skuadra e tij të humbet plot 13 herë, raporton KosovaPress.

    Toney është suspenduar nga të gjitha aktivitet e futbollit për tetë muajt e ardhshëm pasi që e pranoi se ishte fajtor për më shumë se 200 akuza për baste.

    Pas konfirmimit të suspendimit të tij, FA ka publikuar arsyet prapa këtij dënimi në të cilat ata vunë në dukje se sulmuesi anglez nuk u paraqit në asnjë nga ndeshjet që ai vendosi një bast kundër ekipit të tij, duke përfshirë 11 sosh kur luante për Newcastle United.

    “Kishte 13 baste për humbjen e skuadrës së zotit Toney në shtatë ndeshje të ndryshme mes 22 gushtit të vitit 2017 dhe 3 marsit të vitit 2018. Toney nuk luajti në asnjërën prej atyre ndeshjeve ku ai vendosi bast kundër klubit të tij, pasi që nuk ishte në skuadrën e ndeshjes’, shkruhej në komunikatën e FA.

    “Nga 13 baste, 11 sosh ishin kundër Newcastle gjatë kohës sa Toney ishte në huazim te një tjetër klub. Dy të tjera ishin në lidhje me ndeshjen mes Wigan dhe Aston Villas, gjatë kohës kur lojtari ishte pjesë e Wiganit por jo edhe e skuadrës”, shkruhej më tej në komunikatën e FA.

    Fillimisht, FA dëshironte ta dënonte me 15 muaj suspendim Ivan Toneyn, por vendosi që ta ulë suspendimin pasi që Toney u deklarua fajtor dhe më herët ishte diagnostikuar me varësi në bixhoz.

  • ​Sulmuan një person dhe i grabitën të holla, aktakuzë ndaj të dyshuarit

    ​Sulmuan një person dhe i grabitën të holla, aktakuzë ndaj të dyshuarit

    Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Sh.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitje.

    Sipas GJykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 20 shtator 2022 në një rrugë në Ferizaj, në bashku me të pandehurin K.B. dhe A.Z., me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të personit tjetër, e që vetës t`i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshëm, kanë kryer grabitje në dëme të dëmtuarit A.S.

    “Derisa ishin duke lëvizur me veturën e tyre, në momentin që e takojnë të dëmtuarin e detyrojnë të hyjë në veturë, duke sulmuar fizikisht gjatë rrugës, pastaj vazhdojnë tek vendi i panjohure në pyll, ku me të arritur aty e kishin zbritur dhe e kishin sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore, duke përdorë forcë arrijnë që t`ia marrin portofolin, në të cilën kishte shumën e të hollave rreth 327 euro dhe të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohure. Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

  • ​IKD: Qeveria në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses për pensionet kontributdhënëse

    ​IKD: Qeveria në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses për pensionet kontributdhënëse

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se Qeveria në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur për Projektligjin për Skemat Pensionale. Sipas IKD-së, në këtë mënyrë rrezikohen të drejtat e mijëra pensionistëve

    IKD ka shkruar se Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që jo më larg se data 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.

    “Në të njëjtën kohë, këto dispozita do të shfuqizohen me 15 korrik 2023. Në rastin kur Qeveria nuk respekton këtë datë, do të jenë qytetarët ata që do të pësojnë më së shumti. Ata do të detyrohen të paguajnë avokatë për të ngritur padi në Gjykatat Themelore për të gëzuar të drejtën e pensionit kontributdhënës sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për shkak se do të gjenerohen shpenzime procedurale, kjo situatë mund të dëmtojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

    Sipas IKD-së, Qeveria po tregohet e papërgjegjshme duke mos zbatuar kërkesat e plota që dalin nga aktgjykimi.

    “Por, Qeveria ka planifikuar që projektligjin që synon të adresojë kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në Qeveri, ta miratoj me 30 korrik 2023. Afati i përcaktuar nga Qeveria është në kundërshtim me kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në sistemin kushtetues të Kosovës, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me normën kushtetuese. Kështu, ky veprim i Qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet nga IKD.

    IKD ka shkruar se veprimet e nevojshme për adresimin e kërkesave në bazë të aktgjykimit nënkuptojnë hyrjen në fuqi të projektligjit të ri për skemat pensionale me 15 korrik 2023 dhe jo miratimin e projektligjit në Qeveri me 15 ditë vonesë.

    Instituti ka theksuar se Kuvendi i Kosovës shkon në pushim në fund të muajit korrik dhe fillimi i punës së Kuvendit nis të hënën e dytë të muajit shtator, që sipas tyre, miratimi final i projektligjit do të bëhet me vonesë prej disa muajve.

    “IKD shpreh shqetësimin e thellë për papërgjegjshmërinë e Qeverisë së Kosovës në lidhje me mos zbatimin e kërkesave të plota që dalin nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19. Vonesat në miratimin e këtij projektligji nga Qeveria shkelin të drejtat e mijëra pensionistëve të Kosovës dhe paraqesin mos zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

    IKD kërkon që me rastin e miratimit të projektligjit në Qeveri, të respektohen standardet minimale të pjesëmarrjes së publikut në konsultime publike me qytetarë dhe grupeve të interesit dhe më pas një projektligj i tillë të miratohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që ky ligj të hyj në fuqi jo më vonë se data 15 korrik 2023.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit për skemat pensionale, sepse është përfunduar që në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të viti 1999, nuk e kanë gëzuar pensionin kontributdhënës, por vetëm atë të moshës.