ATV

Author: ATVLive

  • Ashton: Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje

    Ashton: Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje

    Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë zgjidhje për mospajtimet që kanë.

    Ajo ka potencuar se ardhmja e Kosovës dhe Serbisë varet pjesërisht nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me Bashkimin Evropian.

    “Secila palë e di se e ardhmja e tyre varet pjesërisht nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me Bashkimin Evropian dhe pjesërisht nga marrëdhëniet që i krijojnë brenda rajonit të tyre. Dhe, kjo nënkupton gjetjen e një rruge për të krijuar një të ardhme që ofron paqe, siguri dhe sukses ekonomik për të dyja palët. Nuk ka qenë kurrë e lehtë – Marrëveshja e Brukselit ka qenë vetëm fillimi – mirëpo u bëj thirrje të dyja palëve që të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje.”, ka thënë Ashton në një intervistë për Rel.

    Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme ka folur edhe për pjesën e vështirë për t’i afruar palët deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit.

    Ajo, ndër të tjera, ka thënë se sfidë ka qenë njohja e së kaluarës, humbjet dhe dhimbjet e shumë personave.

    “Imagjinojeni këtë skenë: Dy kryeministra, në moshë të njëjtë, nga rajoni i njëjtë, që nuk janë takuar kurrë, dhe të cilët bartin shpresat dhe aspiratat e popujve të tyre, të përziera me historinë dhe traumën e së kaluarës. Ka qenë gjë e guximshme vetëm pjesëmarrja në dhomë të njëjtë. Sfidë ka qenë njohja e së kaluarës, humbjet dhe dhimbjet e shumë personave, si dhe krijimi i një vizioni, për të siguruar që të rinjtë në Kosovë dhe Serbi, mund të shikojnë përpara drejt së ardhmes në BE.”, ka thënë ajo.

    Ashton ka folur edhe për ndikimin rus dhe atë kinez në rajon. Ajo është shprehur se gjithmonë kanë qenë të vetëdijshëm për ndikimin e Rusisë dhe angazhimin në Ballkanin Perëndimor.

    “Ngjarjet në Ukrainë, e kanë vënë më shumë në pah këtë fakt.”, ka shtuar ajo.

  • ​Osmani thekson shkeljet e Serbisë në marrëveshjet e Brukselit

    ​Osmani thekson shkeljet e Serbisë në marrëveshjet e Brukselit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që aktualisht është në krye të OSBE-së. Në këtë takim, presidentja ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë sa i përket marrëveshjeve të Brukselit.

    E para e shtetit ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka bërë të ditur Presidenca, përmes një komunikate për media.

    Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin e Kosovës me OSBE-në ku presidentja është informuar për prioritetet e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e këtij misioni.

    “Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndëkombëtarisht”, ka njoftuar Presidenca.

    Ndërsa në temën e raporteve bilaterale me Maqedoninë së Veriut, presidentja ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre.

  • Akil Gjakova mposhtet në repesazh të Grand Prix Austria

    Akil Gjakova mposhtet në repesazh të Grand Prix Austria

    Nuk do të ketë medalje për Akil Gjakovën në Grand Prix Upper që po mbahet në Austri.

    Në kuadër të kategorisë deri në 73 kilogramë, Akil Gjakova është mposhtur në raundin e parë të repesazhit nga xhudisti i Moldavisë, Petru Pelivan, raporton KosovaPress.

    Gjakova përfundon garën në këtë Grand Prix me tre fitore dhe dy humbje.

  • Kuka lufton për medaljen e bronztë në Grand Prix Austria

    Kuka lufton për medaljen e bronztë në Grand Prix Austria

    Xhudistja jonë, Loriana Kuka do të luftojë për medaljen e bronztë në Grand Prix Upper që po mbahet në Austri.

    Në kuadër të kategorisë deri në 70 kilogramë, Kuka ka siguruar raundin final të repesazhit, pasi që në raundin e parë e mposhti xhudisten suedeze, Anna Bernholm, raporton KosovaPress.

    Tani, në luftën për të bronztën, Kuka do të përballet me xhudisten nga Holanda, Hilde Jager.

  • Situata në veri, Musliu: Ndërkombëtarët të kontrollojnë situatën, ne të kryejmë detyrat

    Situata në veri, Musliu: Ndërkombëtarët të kontrollojnë situatën, ne të kryejmë detyrat

    Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka reaguar pas situatës së krijuar sot në Zveçan, ku janë djegur vetura të Policisë.

    Ai ka theksuar se është përgjegjësi e Perëndimit, Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që ta kontrollojë situatën.

    Ai ka shkruar se është përgjegjësi e vendit që t’i kryejë detyrat sipas ligjit.

    “Popujt që kanë liderë si këta (Putin, Millosh e Vuçiq), janë përgjegjës për dëmet që ua shkaktojnë popujve të tjerë – paqes e demokracisë. Dhe, meqë paqja në Evropë po rrezikohet nga një njeri si Putini, i cili tashmë e ka ndezur një luftë, Perëndimi e ka të obligueshme ta sigurojë atë edhe te ne. Nuk na kanë lejuar që të ecim me hapa të lirë, duke na “mbikëqyrur”, duke na këshilluar se si duhet të sillemi me proksit e Putinit dhe na kanë kushtëzuar në shtetndërtim! Është përgjegjësi e Perëndimit, Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që ta kontrollojë situatën!. Është përgjegjësi e jona që t’i kryejmë, sipas ligjit, detyrat tona, pa na kapur as euforia e as paniku!”, ka shkruar Musliu në Facebook.

    Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.

    Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.

    Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës./KosovaPress

  • ​Kryetari i ri Zveçanit gjendet në objektin e komunës

    ​Kryetari i ri Zveçanit gjendet në objektin e komunës

    Kryetari i ri i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci gjendet në vendin e tij të punës në Komunën e Zveçanit, ku po ruhet nga Policia e Kosovës.

    Policia ka vendosur një perimetrit të sigurisë në një distancë prej 150 metrave për rreth komunës, ku askush nuk po lejohet të ofrohet.

    Siç raporton ekipi i KosovaPress-it, shihen dhjetëra protestues serbë por edhe zyrtarët e policisë.

    Aktualisht gjithçka është qetë, ndërkohë më herët kishte të shtëna me armë dhe serbët dëgjoheshin duke thënë vrite, vrite. Aty ka reaguar policia duke shpërndarë protestuesit serbë me gaz-gotësjellës dhe shok-bombë.

    Serbët me molotov kanë djegur veturat e policisë, por shihet edhe një veturë tjetër e demoluar.

    Ata pas një alarmi të sotëm të strukturave ilegale kanë dal para objekteve në Zveçan, Zubim Potok dhe Leposaviq për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet e komunave. Madje, kanë bllokuar me zhavorr dhe kamion rrugët në hyrje dalje të Leposaviqit.

  • ​Bllokohen rrugët në hyrje-dalje të Leposaviqit

    ​Bllokohen rrugët në hyrje-dalje të Leposaviqit

    Disa kamionë janë të parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviqit.

    Strukturat ilegale kanë lëshuar alarm në orën 12:00. I cili është ndërprerë pas 30 minutave. KosovaPress mëson se dhjetëra serbë janë mbledhur edhe para kësaj komune për të kundërshtuar ardhjen e kryetarit të ri në objektin e komunës.

    Situata më e tensionuar është në Zveçan, ku serbët kanë djegur disa vetura të policisë. Kurse, Policia ka ndërhyrë me gaz-lotësjellës, pasi serbët tentonin të hynë në objektin e komunës.

  • “Një nga festivalet më të mira në Evropë” – regjisori dhe aktorët nga Maqedonia e Veriut vlerësojnë lartë PITF, ndërsa sjellin shfaqjen “Lungs” në natën e pestë

    “Një nga festivalet më të mira në Evropë” – regjisori dhe aktorët nga Maqedonia e Veriut vlerësojnë lartë PITF, ndërsa sjellin shfaqjen “Lungs” në natën e pestë

    Sonte mbahet nata e pestë e PITF me shfaqjen “Lungs” e regjisorit Dimche Nikolovski nga Teatri i Dramës nga Maqedonia e Veriut e cila do zbres në skenën e Teatrit Kamertal nga ora 20:00.

    Kjo shfaqje do të përcjell katër shfaqjet e ditëve paraprake të PITF, ndërsa regjisori Nikolovski dhe aktorët Dimitrija Doksevski e Jasmina Vasileva patën fjalë të mëdha për organizimin duke e vlerësuar si “një nga festivalet më të mira të teatrit në Evropë”.

    Ata shtuan se mezi presin të dalin në skenë dhe janë tejet të lumtur që do të performojnë para audiencës kosovare. Sa u përket pritshmërive thanë se kjo varet nga aktorët se sa do të jenë të ndërlidhur me publikun por dëshira e tyre ishte që të fitojnë çmimin kryesor të festivalit.

    Pas shfaqjes afterparty do të filloj në ora 21:00 ku të pranishmit do argëtohen me DJ Shendi.

  • Në momentin kur u lëshua alarmi, në veri u bllokuan edhe sinjalet e telefonit

    Në momentin kur u lëshua alarmi, në veri u bllokuan edhe sinjalet e telefonit

    Sekretari shtetëror në ministrinë e mbrojtjes serbe, Nemanja Staroviq, ka thënë se “njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë shkuar tek ndërtesat komunale në veri të Kosovës me qëllim të vendosjes së kryetarëve të rinj të zgjedhur për qind të votave në zgjedhjet e 23 prillit”.

    “Sinjalet e telefonave mobilë janë fikur në pjesë të rajonit, sirenat tingëllojnë ndërsa qytetarët e shqetësuar mblidhen për të mbrojtur në “mënyrë paqësore” të drejtat e tyre themelore njerëzore dhe politike”, ka shkruar Staroviq në Twitter

  • Tensionet në veri, Serbia ngre gatishmërinë luftarake

    Tensionet në veri, Serbia ngre gatishmërinë luftarake

    Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.

    Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

    Autoritetet e Kosovës fajësuan “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë për përshkallzimin e situatës.

    “Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, shkroi në Twitter Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani.

    I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

    Ky vendim u mor për shkak të situatës në Kosovë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Radio-Televizioni i Serbisë raportoi se ushtria serbe ka marrë urdhër që “të lëvizë urgjentisht” drejt kufirit me Kosovën.

    REL-i nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.

    Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarët në terren, Policia e Kosovës ka hyrë tashmë në objektin e Komunës së Zveçanit.

    Në Zubin Potok, situata aktualisht është e qetë, konfirmoi për REL-in ish-këshilltari i Kuvendit Komunal atje, Millija Bishevac.

    Ngjashëm raportohet edhe për situatën në Leposaviq.

    Kryetarët e tri komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.

    Ndonëse thanë se, së shpejti, do të nisin punën nga objektet komunale, nuk ishte e qartë se kur do të ndërmerrej një hap i tillë.

    Në të katër komunat me shumicë serbe në veri u dëgjuan fillimisht sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

    Radio Evropa e Lirë mësoi se disa kamionë janë të parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviqit, ndërsa mbi Zveçan u pa edhe një helikopter i misionit të NATO-s, KFOR.

    Ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, tha se kryetarët e rinj të komunave në veri duhet ta kryejnë punën “nga zyrat e komunave bashkë me shërbyesit civilë”.

    “Ata janë zotuar se do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. E, si institucione qendrore, e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve. Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha më 18 maj se nuk duhet përdorur forcën për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

    Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë – bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Ceremonitë e betimit u mbajtën në objekte publike, sepse në objektet e komunave ka organe të përkohshme komunale, të cilat punojnë në sistemin e Serbisë.

    Vetëm në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj.

    Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Kjo parti e kundërshtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

    Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.