ATV

Author: ATVLive

  • Gazetari Fatlum Jashari tregon situatë në Leposaviq – ‘’Ka pasur edhe të shtëna’’

    Gazetari Fatlum Jashari tregon situatë në Leposaviq – ‘’Ka pasur edhe të shtëna’’

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT, gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, tha se Policia e Kosovës para 40 minutave ka marrë nën kontroll objektin e komunës së Leposaviqit, pas një ndërhyrje me gaz lotsjellës dhe shok-bomba.

    “Ka pasur zhvillime dramatike në komunën e Leposaviqit. Policia e Kosovës tashmë ka rreth 40 minuta që ka marrë nën kontrollë objektin e komunës në Leposaviq pas një ndërhyrje me gaz lotsjellës dhe shok-bomba. Paraprakisht ka pasur gjuajtje me gurë nga qytetarë të përzierë me strukturat ilegale, sepse nuk do të ishte një rezistencë të tillë po të ishin vetëm qytetarë. Kemi pasur gjuajtje të organizuar me girë në drejtim të policisë por edhe në drejtim të ne gazetarëve që e kemi përcjellë këtu ngjarjen”, tha gazetari Jashari.

    Ai tregoi se kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ndodhet në objektin e komunës, dhe po sa ka hyrë aty, ka vendosur edhe flamurin e Kosovës.

    “Kryetari Lulzim Hetemi është brenda objektit të komunës. Ka rreth ndoshta 30 minuta që kryetari ka hyrë brenda dhe po vazhdon të qëndrojë atje brenda. Atje lart në objekt dallohet edhe flamuri i Kosovës që është vendosur menjëherë nga kryetari i ri i komunës, Lulzim Hetemi”, tregoi gazetari Jashari.
    Ai raportoi se para policia të shpërndante protestuesin, pos gjuajtjeve me gurë, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri nga drejtime të ndryshme. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Gazetari i ATV-së jep detajet e fundit pranë objektit të komunës së Zveçanit

    Gazetari i ATV-së jep detajet e fundit pranë objektit të komunës së Zveçanit

    Në Zveçan tani situata është e qetë.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT, gazetari i ATV-së, Arton Hamiti, nga vendi i ngjarjes tregon se Policia e Kosovës tashmë është e vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit, si dhe kryetari i ri, Ilir Peci, vazhdon të qendrojë në objekt.

    “Situata tani është e qetë, por kësisoji nuk ka qenë para 2 ose 3 orëve, kur kemi ardhur edhe ne këtu në Zveçan. Aktualisht jam duke u lajmëruar para objektit të Komunës së Zveçanit dhe siç po shihet në pamjet, njësitet e Policisë së Kosovës janë në objektin e Komunës. Nga informacionet që kemi, kryetari Ilir Peci, vazhdon të jetë në objekt”, tregon gazetari Hamiti, i cili raportoi para objektit të Komunës së Zveçanit. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Dhuna në veri duhet të ndërpritet menjëherë

    Hovenier: Dhuna në veri duhet të ndërpritet menjëherë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se dhuna në veri të vendit duhet të ndërpritet menjëherë.

    Hovenier ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës ku një grup qytetarësh kanë bërë përpjekje të pengojnë kryetarët e zgjedhur që të futën në objektet e Komunës.

    “Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve të Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalet menjëherë” ka shkruar ai.

    Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.

    Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur në para ndërtesave komunale në veri të vendit.

    Policia ka deklaruar se përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Siç ka njoftuar Policia, protestuesit në Zveçan kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë.

    Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, por ceremonia është zhvilluar në ndërtesa të tjerë publike.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

    Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

  • ​Pesë policë të lënduar nga incidentet në veri të Kosovës

    ​Pesë policë të lënduar nga incidentet në veri të Kosovës

    Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

    Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit.

    Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Policia ka konfirmuar se protestuesit në Zveçan kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë.

    “Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore”, ka njoftuar Policia.

    Në komunikatë thuhet se njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme siç është gazi lotsjellës, për të shpërndarë turmën si dhe për t’u mundësuar kryetarëve hyrjen në objekte.

    “Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë”, ka bërë të ditur Policia.

    Tutje, është bërë e ditur lidhur me veprimet e deritanishme Policia ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me organet e drejtësisë, të cilët rastin e kanë cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

  • Kurti nga Vushtrria: Për zhvillimet në veri përgjigjemi në Prishtinë

    Kurti nga Vushtrria: Për zhvillimet në veri përgjigjemi në Prishtinë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Vushtrri.

    Ai nuk ka dashur të flasë për zhvillimet në veri.

    Shefi i qeverisë, tha shkurt për RTK-në, se për këtë çështje do të përgjigjet në Prishtinë.

    Nuk dihet nëse pritet ndonjë konferencë për media në Prishtinë, por megjithatë kjo ishte deklarata për situatën aktuale në veri.

  • Kurti priti Osmanin: Të lumtur që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen me bashkëpunim

    Kurti priti Osmanin: Të lumtur që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen me bashkëpunim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së.

    Duke e quajtur këtë vizitë si një nder të veçantë dhe krenari, kryeministri Kurti tha se janë shumë të lumtur të konstatojnë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen edhe me bashkëpunim, i cili po rritet, duke pasur parasysh që ministri Osmani siç tha kryeministri, ishte sot në cilësinë Kryesuesit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

    ‘’Ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtave të njeriut dhe sigurisë që janë vlerat themelore që po ashtu i ndajmë së bashku’’, deklaroi Kurti, duke falënderuar ministrin Osmani për kontributin që OSBE-ja e ka dhënë për demokratizimin në Kosovë dhe për Sigurinë e vendit tonë.

    Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, e njoftoi Osmanin për të arriturat gjatë mandatit qeverisës në progresin ekonomik dhe demokratik, duke potencuar se në këto dy vjet qeverisjeje buxhetit i janë shtuar 740 milionë euro, ndërkaq ekonomisë 2.1 miliardë euro.

    Në mesin e sukseseve, kryeministri vuri në pah edhe konsolidimin e financave të cilat e kanë ulur deficitin buxhetor dhe po ashtu edhe uljen e deficitit tregtar nga 1 me 9 në 1 me 6.

    Kryeministri foli edhe për pjesëmarrjen në ushtrimet ushtarake ‘’Defender Europe 23’’ që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke potencuar se kjo është hera e dytë që jemi pjesëmarrës, dhe në të dy herët kemi qenë vend mikpritës. ‘’Këtë vit Kosova renditet e katërta për personelin ushtarak të angazhuar në këtë ushtrim nga 25 vende pjesëmarrëse’’, u shpreh ai.

    Ndërkaq, ministri Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së, falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe tha se është vërtet i kënaqur që kishte mundësinë që në kapacitetin e kryesuesit të OSBE-së sot të vizitojë Kosovën.

    Teksa e uroi për arritjet impresive, e përgëzoi Kosovën në demokratizimin dhe integrimin gjinor. Në takimin e sotëm u theksua po ashtu edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, derisa sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, Osmani dha mbështetje.

    “Njëkohësisht, shprehu falënderimin për bashkëpunimin e ngushtë që kanë pas në këto 20 vitet e fundit nëpërmjet institucionit të OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës, që kanë krijuar aq shembuj të mirë të këtij bashkëpunimi e që drejtpërdrejtë kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë në qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive.”, u bë e ditur në komunikatë.

    Si ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani uroi Kosovën për kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë është misioni më i madh i kësaj organizate. Ka gjithsej 5 qendra rajonale me staf prej 490 personave, prej të cilëve 2/3 janë staf lokal.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot u prit në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe nga presidentja Vjosa Osmani.

    Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së. Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në terren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit./KP

  • FC Prishtina rrezikon garat evropiane, pas Drilon Cenajt edhe Oto John e padit klubin në FIFA

    FC Prishtina rrezikon garat evropiane, pas Drilon Cenajt edhe Oto John e padit klubin në FIFA

    Klubi FC Prishtina vazhdon të mbetet I pa licencuar nga Federata e futbollit të Kosovës.

    Mos licencimi i klubit më të madh në vend vjen pas problemeve të shumta të brendshme që ka ky klub.

    Dy ish lojtarë të Prishtinës, Drilon Cenaj dhe Oto John kanë deklaruar për ATV, që FC Prishtina ende nuk ua ka shlyer borxhin që u ka.

    “Jo ende nuk më është bërë asnjë pagesë’ Te them të drejtën u çudita kur e pash që Prishtina I ka shlyer borxhet. Nuk me kontaktuar askush deri tani”, tha Cenaj.

    Përndryshe, Cenaj ka paditur kryeqytetasit në FIFA, me ç’rast edhe e ka fituar rastin dhe kështu klubit FC Prishtina I është bllokuar mundësia edhe për transferime. Kur jemi te Cenaj, 25 vjeçarit FC Prishtina ia ka borxh rreth 30 mijë euro.

    Po ashtu Otoh John, futbollisti i cili po aktivizohet te Dukagjini, e ka mohuar që Prishtina ia ka shlyer borxhin.

    ‘Ne gjiro llogarinë time nuk ka dal asnjë cent unë iu kam drejtuar edhe FFK-së e po ashtu edhe FIFA-së për këtë çështje’ tha shkurt nigeriani.

    Kujtojmë që përveç këtyre dy futbollistëve, siç merr vesh ATV, FC Prishtina nuk e ka zgjedhur problemin e borxhit as me futbollistin Leonit Abazi.

    Përndryshe përveç Prishtinës edhe Ferizaj dhe Drenica janë tri klubet e vetme të cilat nuk u licencuan për garat evropiane nga Komisioni për Licencim i FFK-së. /atvlive.tv

  • 4 policë të lënduar në veriun e Kosovës

    4 policë të lënduar në veriun e Kosovës

    Sipas raportimeve të fundit janë lënduar katër policisë të Kosovës në veri.

    Policia e Kosovës ka hyrë në komunën e Zveçanit dhe të Leposaviqit, duke thyer turmat e mbledhura para këtyre komunave, pas lëshimit të sirenave nëpër qytete.

    Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa nëpër rrugët e veriut janë parë policë me armë të gjata. Siç raportohet nga Zveçani, deri tash, janë katër policë të lënduar.

    Express ka raportuar më herët se Policia ka arritur ta fusë kryetarin e ri të Zveçanit në objektin e komunës, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe vetë kryetari.

  • Media serbe: Simboli i FSK-së në helmetat e policëve në veri të Kosovës

    Media serbe: Simboli i FSK-së në helmetat e policëve në veri të Kosovës

    Mediat lokale në veri të Mitrovicës Veriore kanë raportuar se në një nga helmetat e policëve të Kosovës është vërejtur simboli i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Në mesin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës që sot rrethuan ndërtesën e komunës së Zveçanit dhe më pas hynë në komunë duke përdorur gaz lotsjellës, kishte edhe disa të cilët kishin shenja të FSK-së në helmetat e tyre”, pretendojnë mediat lokale serbe në veri.

    Siç shkruajnë Kosovo-Online, Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojnë në veri të Kosovës pa miratimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

  • Izmir Zeqiri futet në Komunën e Zubin Potokut, pas asistimit të Policisë së Kosovës

    Izmir Zeqiri futet në Komunën e Zubin Potokut, pas asistimit të Policisë së Kosovës

    Pas atij të Komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës, ka hyrë në objektin e Komunës së Zubin Potokut.

    Njëjtë siç ndodhi në Komunën e Zveçanit, Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut.

    Pasi qytetarët e shumtë serbë u shpërndan kryetari i sapozgjedhur i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, është parë duke u futur në ndërtesën e Komunës.