ATV

Author: ATVLive

  • Taravari: 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipi dhe Shkupit

    Taravari: 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipi dhe Shkupit

    Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipi dhe Shkupit. Të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion, shkruan Alsat.

    Të gjithë pacientët janë shtruar në spitale dhe marrin trajtimin e duhur. Taravari nuk deshi të japë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve.

    Ai tha se për këtë do të njoftoje pasi ti vizitoje të gjitha spitalet në Shkup dhe Koçan e Shtip dhe bisedoj me mjeket që i trajtojnë.

  • 24 vjet nga fillimi i luftës në Maqedoni

    24 vjet nga fillimi i luftës në Maqedoni

    Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i luftës në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e cila pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë quhet Maqedonia e Veriut.

    Dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishin shqiptarët e Maqedonisë ata të cilët do të rrëmbenin armët, sërish nën siglën UÇK.

    Ishte themeluar një tjetër ushtri, e cila do tentonte që me grykën e pushkës ta ndryshonte fatin shqiptar në ish-republikën jugosllave, aty ku elementi maqedonas prej dekadash ishte bërë dominues, e që në kushtet e reja të pavarësisë, e kishte thelluar shtypjen e elementit shqiptar.

    Shqiptarët që gjeografikisht duhej të jetonin në këtë vend, fillimisht përmes aktit më të lartë të një shteti në vitin 1991 i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me kushtetutën e vitit 1974, raporton KosovaPress.

    Edhe pse kushtetuta e vitit 1991 u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë, rrjedha diskriminues shumëdimensional vazhdoi edhe më tutje.

    Po ashtu në këtë kohë Maqedoninë e përfshiu papunësia, varfëria e skajshme, korrupsioni, krimi ekonomik dhe krizat e njëpasnjëshme ekonomike, që kishin marrë përmasa të mëdha.
    Si rrjedhojë e lodhjes dhe mosbesimit që ndonjëherë mund të jetojnë bashkërisht shqiptarët dhe maqedonasit, Ushtria Çlirimtare Kombëtare vendosi që çështjen ta çojë deri në fund.

    Përmes zhurmës së kësaj lufte u sensibilizua dhe mobilizua edhe faktori ndërkombëtare (përskaj atij politik shqiptar), i cili përmes përpjekjeve të ngjeshura diplomatike ndërmjet faktorit politik në pushtet, krahut ushtarak dhe atij ndërkombëtar, arritën që kësaj lufte t’i japin fund, përfundimin e të cilës e rrumbullakuan në tavolinën e bisedimeve me negociata ndërmjet palëve të infiltruar në vorbullën e kësaj lufte.

    Bisedimet në nivel ekspertësh dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit – ku drejtpërdrejt u përfshinë edhe ndërmjetësuesit nga SHBA dhe Evropa – u mbajtën në Ohër më 2001, raporton KosovaPress.

    Dokumenti kornizë u nënshkrua më 13 gusht 2001 në Shkup nga presidenti i atëhershëm maqedonas, Boris Trajkovski si dhe liderët e partive kryesore politike: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri, në praninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë François Leotard dhe James Perdiue.
    Si pjesë e realizimit të marrëveshjes së Ohrit palët ranë dakord për formimin e Sekretariatit për Zbatimin e marrëveshjes kornizë të Ohrit në kuadër të qeverisë, i cili dikaster para tri vjetësh u shua, duke kaluar në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

  • Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së: Pamjet e shoqërimit të ish-presidentit Thaçi nga pjesëtarë të shumtë të EULEX-it, na lënduan

    Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së: Pamjet e shoqërimit të ish-presidentit Thaçi nga pjesëtarë të shumtë të EULEX-it, na lënduan

    Nënkryetari Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, e ka quajtur të pahijshme shoqërimin e ish-presidentit Thaçi me pjesëtarë të shumtë të EULEX-it.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Syla ka thënë se si bashkëluftëtarë janë lënduar me ato pamje, teksa kritika ka edhe për gjuhën e përdorur për luftëtarët e UÇK-së. Sipas tij, ky narracion është krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Realisht jo veç ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës por edhe shumë qytetarë tjerë nuk kanë pritë mirë ato pamje, atë dramë. Meqenëse zotëri Thaçi dhe të tjerët që sot gjykohen në Hagë dhe në drejtësi thuhet se ekziston prezumimi i pafajësisë, meqenëse se nuk ka një verdikt final për zotëri Thaçin dhe të tjerët, ajo sjellje e atyre policëve, truprojave tjerë në atë numër të madh e sjellje jo të pahijshme, na ka lëndua neve si bashkëluftëtarë, nuk kemi pasur dëshirë ta shohim presidentin tonë i cili ka shkuar vullnetarisht iu ka përgjigj ftesës së Hagës e me pa në atë gjendje. Ka qenë shqetësuese për neve, nuk e kemi pritur fare mirë dhe kjo vetëm sa na ka dëmtua atë plagën që ne e konsiderojmë si plagë trajtimin si veteranë dhe luftëtarë të lirisë që gjykohen në Hagë për krime të supozuara e njëkohësisht me u trajtua në atë formë, për ne ka qenë tepër dëshpëruese dhe fyese ajo çka ka ndodh në QKUK”, ka thënë Syla.

    Ai thotë se narracioni ka ardhur si pasojë e fyerjes së luftëtarit të lirisë dhe prijësve të UÇK-së.

    “Ky narracion ka ardhur prej njerëzve që sot janë në pushtet, konkretisht prej partisë e cila udhëheq me shtetin edhe sjellje e papranueshme që sot të fyhet luftëtari i lirisë, prijësit e UÇK-së prej qytetarëve të vendit tonë, për shkak se ajo gjithë sakrificë që është bërë përçka edhe ata po trajtohen në Hagë e që është liria që me i dhënë mundësinë secilit me u shpreh lirshëm, me jetu lirshëm e me i rrit fëmijët në liri e me ardhë deri tash në këtë moment me u fye ajo luftë dhe ajo sakrificë e këtyre njerëzve, është e papranueshme”, ka thënë Syla.

    Ai thekson se në mesin e atyre që fyhen ka dhe nga ata ish luftëtarë që kanë humbur gjymtyrët.

    “Është tepër dhimbshme, leje që fyhemi ne të gjallët, ne që jemi të shëndetshëm, por fatkeqësisht fyhen edhe ata që kanë humbur gjymtyrët e tyre, që i kanë lënë nëpër istikame e kanë derdh gjak. Ne nuk kemi koment, këta njerëz veç njerëz normal nuk janë që dinë të bëjnë aso komente, ata janë njerëz me gjasë nuk e kanë dashur asnjëherë lirinë e as nuk e kanë dashur vendin tonë, vetëm se kanë qenë të fshehur edhe tashmë me qasjen e këtij pushteti, këta veçse e kanë treguar vetveten e tyre dhe atë mllefin që këta e kanë pasur ndaj njerëzve që luftuan dhe dhanë gjithçka për vendin”, tha Syla për Ekonomia Online.

    Syla nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së protestave pasi sipas tij procesi në Hagë është degraduar.

    “Në fakt ne po presim konstituimin e Kuvendit për ta parë kastën e re politike a ka me lëvizë në atë drejtim që me kërkua ndonjëherë prej Gjykatës (Speciale) një llogaridhënie se çka po ndodh në Hagë, meqenëse ajo është e themeluar në Parlamentin tonë… nëse jo, nuk përjashtohen edhe protestat për shkak se është duke shkuar duke u degraduar ky proces, pra nuk përjashtohet mundësia ne me tregua një mbështetje gjithë popullorë, qoftë nevoja edhe me protesta”, tha ai.

  • Tragjedia në Koçan- Ministri i Brendshëm: Janë edhe mbi 100 të plagosur

    Tragjedia në Koçan- Ministri i Brendshëm: Janë edhe mbi 100 të plagosur

    Ministri i Brendshëm Pance Toshkovski, përmes një konferencë për media, ka konfirmuar vdekjen e 51 personave në diskotekën ku ra zjarri në orët e hreshme të mëngjesit të sotëm në Koçan derisa ka thënë se janë edhe mbi 100 persona të tjerë të plagosur, shkruan Alsat.

    Tashmë ekipet mjekësore janë mobilizuar në gjithë vendin për t’iu dhënë ndihmë të plagosurve në Koçan, ndërsa, nga videot e publikuara në rrjete sociale, shihet se zjarri ka nisur nga fishekëzjarret. /Alsat.mk

  • Zbulohet shkaku i zjarrit në diskotekën në RMV ku dyshohet se vdiqën rreth 50 persona, Prokuroria jep detaje

    Zbulohet shkaku i zjarrit në diskotekën në RMV ku dyshohet se vdiqën rreth 50 persona, Prokuroria jep detaje

    Zjarri që ka rënë në një diskotekë në Koçan, ku raportohet për shumë viktima e shumë të lënduar, mund të ketë ndodhuar si shkak i mjeteve piroteknike.

    Aktualisht, nuk ka detaje zyrtare se si ka ndodhë ngjarja, mirëpo, ajo që bëhet e ditur nga MPB, është se janë arrestuar disa persona që kanë pasur lidhje me organizimin e kësaj feste private.

    Përmes një komunikate për media, Prokuroria Publike e RMV-së, ka thënë se të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike Koçan janë në terren, shkruan Alsat.

    “Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe prokurorët themelorë publikë të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe Prokurorisë Publike të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë rrugës për në Koçan. Prokuroria e Koçanit do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e prokurorisë për veprime të menjëhershme”, thonë nga Prokuroria.

  • Tragjedi në Maqedoninë e Veriut: Të paktën 50 viktima nga një zjarr në klub nate

    Tragjedi në Maqedoninë e Veriut: Të paktën 50 viktima nga një zjarr në klub nate

    Një zjarr në një klub nate në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 50 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë orëve të vona të natës, shkruan Radio Evropa e Lire.

    Ende nuk dihet numri i saktë i të plagosurve, por disa prej tyre janë transportuar për trajtim mjekësor në spitalet e Shtipit dhe Shkupit.

    Të lënduarit nga zjarri i Koçanit mëngjesin e sotëm po transportohen me helikopter në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, ku deri më tani janë transportuar 27 të lënduar, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën, raporton Kanali 5.

    Deri më tani në Qendrën Klinike në Shkup janë transportuar 24 persona me djegie.

    Shkaqet e shpërthimit të zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

    Sipas mediave lokale, dyshohet se flakët mund të jenë përhapur nga mjetet piroteknike të përdorura gjatë një performance muzikore nga bendi maqedonas DNA. Në momentin e tragjedisë, klubi ishte i mbushur me njerëz.

    Zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të ofruar ndihmë dhe për të kontrolluar situatën.

    Ndërkohë, shumë qytetarë të shqetësuar janë mbledhur pranë ndërtesës në kërkim të informacionit për familjarët e tyre.

    “Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për REL.

    Autoritetet kanë njoftuar se do të dalin me më shumë detaje gjatë ditës.

  • Moti sot, parashihet rënie e temperaturave

    Moti sot, parashihet rënie e temperaturave

    Sot në Kosovë pritet të ketë ulje të lehta të temperaturave. Parashihen intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat në disa zona do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Erërat do të vazhdojnë të fryjnë nga jugperëndimi, ndërsa temperatura maksimale parashihet 21 gradë Celsius.

    Në Shqipëri sot pritet të mbajë mot me vranësira e intervale kohore me diell si dhe me zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë. Vende-vende mund të ketë ndonjë shtrëngatë të fuqishme me breshër.

    Intervale kohore me diell priten edhe në Maqedoninë Veriore, por parashihen zhvillime të disa stuhive të izoluara me vetëtima dhe bubullimë, ngjashëm sikur në Luginën e Preshevës. Temperaturat do të pësojnë ulje kryesisht të lehta në të gjitha viset tona.

    Të Hënën ndryshim drastik i motit, me vranësira të dendura, erëra veriore-verilindore, reshje e rrebeshe më të shpeshta dhe më të përhapura të shiut, lokalisht edhe me ndonjë bubullimë. Në disa zona mund të ketë reshje paska më intensive, ndërkaq në viset kodrinore-malore priten reshje shqote e bore. Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, të vazhdueshme, ku të martën pritet që reshje bore të ketë edhe në shumë zona të ulëta të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së veriut, megjithatë reshjet e borës nuk pritet të zgjasin shumë. Reshje bore të Martën priten edhe në shumë zona në veri, verilindje, lindje dhe juglindje të Shqipërisë.

    Po ashtu do të kemi depërtimin e ajrit mjaft të ftohtë dhe me kthjellimin e motit gjatë natës dhe mëngjesit të hershëm priten ngrica apo acar deri në – 6 gradë Celsius, madje në viset malore edhe më ftohtë.

    Pas të mërkurës stabilizim i motit, zbutje e acarit dhe rritje graduale e temperaturave./MeteoBallkan

  • Kusari: Me ndryshimet në Ligjin për KPM-në, ideja e pushtetit ka qenë qysh me e kapë politikisht këtë institucion

    Kusari: Me ndryshimet në Ligjin për KPM-në, ideja e pushtetit ka qenë qysh me e kapë politikisht këtë institucion

    Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndryshimet në Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) janë bërë me qëllim të kapjes politike të këtij institucioni nga pushteti. Sipas saj, këto ndërhyrje përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe rrezikojnë pluralizmin mediatik në vend.

    Ajo tha se procesi i hartimit të ligjit ishte problematik, pasi ekspertët dhe organizatat mediale nuk u përfshinë seriozisht, ndërsa sugjerimet e tyre u injoruan nga Qeveria.

    “Kur është bërë Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, kemi kërkuar përfshirjen e ekspertëve, kemi dorëzuar komente dhe kemi kërkuar një grup punues të specializuar. Por disa ditë para Vitit të Ri, kryeministri e aprovoi ligjin pa ndryshime. Ky ligj është tepër problematik”, tha Kusari.

    Sipas saj, ndryshimet në ligj synojnë kontrollin e KPM-së, duke rritur numrin e anëtarëve të bordit dhe duke krijuar mekanizma për shkarkimin e kryetarit të institucionit sipas dëshirës së pushtetit.

    “Krejt ideja e ndryshimit të ligjit më të rëndësishëm për mediat ka qenë qysh me e kapë politikisht këtë institucion. Janë shtuar njëmbëdhjetë anëtarë në vend të shtatë, është ndryshuar mandati, dhe tani shkarkimi bëhet nëse një deputet deklaron se i ka humbur besimi. Kjo është shkelje e Kushtetutës, e cila garanton lirinë e medias dhe pluralizmin”, u shpreh Kusari.

    Deklaratën e plotë të Flutura Kusarit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari: KPM dhe RTK janë jofunksionale, Vetëvendosja ka dështuar t’i emërojë bordet

    Kusari: KPM dhe RTK janë jofunksionale, Vetëvendosja ka dështuar t’i emërojë bordet

    Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se institucionet kryesore për lirinë e medias, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) dhe Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), janë jofunksionale për shkak të mungesës së bordeve. Ajo akuzoi Vetëvendosjen për dështim në përmbushjen e afateve ligjore për emërimin e anëtarëve të tyre.

    Sipas saj, mungesa e bordeve ka bërë që KPM-ja të mos ketë aftësi ligjore për të marrë vendime, ndërsa RTK-ja po funksionon pa mbikëqyrje të duhur.

    “Të dy institucionet janë jofunksionale sa u përket bordeve. KPM-ja është pa bord, RTK-ja është pa bord. Kjo për shkak se Vetëvendosja ka dështuar t’i njohë afatet ligjore dhe t’i emërojë njerëzit, ndonëse ka pasur kandidatë”, tha Kusari.

    Ajo tha se pushteti ka ushtruar presion politik mbi KPM-në, duke minuar pavarësinë e saj, veçanërisht në fund të mandatit të kryetarit të saj, Jeton Mehmeti.

    “Vetëvendosja ia ka dalë në mënyrë efektive ta vë nën kontroll politik Komisionin e Pavarur për Media, duke ushtruar presion politik me sukses. Kjo u shpërfaq sidomos në ditët e fundit të mandatit të kryetarit të KPM-së, Jeton Mehmeti, një profesionist i shkëlqyer, më i miri që kemi pasur ndonjëherë në krye të KPM-së”, u shpreh Kusari.

    Deklaratën e plotë të Flutura Kusarit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari: Kemi qenë shembull i lirisë së medias në rajon, nuk besoj që jemi më

    Kusari: Kemi qenë shembull i lirisë së medias në rajon, nuk besoj që jemi më

    Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka qenë dikur një model i lirisë së medias në rajon, por kjo nuk është më e vërtetë. Sipas saj, në katër vitet e fundit ka pasur një përkeqësim të dukshëm të kësaj lirie, kryesisht për shkak të sulmeve të drejtpërdrejta nga pushteti.

    Ajo tha se deklaratat e fundit nga eksponentë të pushtetit, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe Sami Kurteshin, janë sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve dhe përfaqësojnë një kërcënim për lirinë e medias.

    “Na kemi qenë shembull në rajon, kampion i lirisë së shprehjes dhe i lirisë së medias, por nuk besoj që jemi më. Kjo për shkak se në katër vitet e fundit kemi pasur përkeqësim të lirisë së medias, e cila ka ardhur kryesisht nga sulmet e drejtpërdrejta të pushtetit dhe jo vetëm”, tha Kusari.

    Ajo tha se kur figura të larta politike diskreditojnë gazetarët, kjo përkthehet në kërcënim real për ta dhe krijon një klimë frike në raport me profesionin e gazetarisë.

    “Kemi deklarata nga Sami Kurteshi i VV-së që gazetarët janë media të vrasësve me pagesë, ose deklarata nga kryeministri që i cilëson mediat si portale të oligarkëve dhe u bën thirrje qytetarëve të mos ju besojnë mediave. Kjo është një thirrje direkte për dhunë ndaj gazetarëve dhe një përpjekje për dehumanizimin e tyre”, u shpreh Kusari.

    Deklaratën e plotë të Flutura Kusarit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: