Gazetari Mentor Buzhala, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se projekti i Sheshit Xhorxh Bush në Prishtinë paraqet shkelje të Ligjit të Buxhetit, pasi shuma e planifikuar fillimisht nuk përputhet me atë që është ndarë në fund.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës kishte planifikuar vetëm 500 mijë euro për këtë projekt, por më pas shuma u rrit në 18.4 milionë euro, gjë që sipas tij bie ndesh me Ligjin e Buxhetit.
“Komuna e Prishtinës e ka hapur tenderin për ndërtimin e Sheshit Xhorxh Bush, me buxhet të planifikuar prej vetëm 500 mijë euro. Ndërkohë, në njoftimin për kontratë është shënuar shuma prej 18.4 milionë euro. Kjo është shkelje”, tha Buzhala.
Ai tha se në buxhetin e vitit 2025 janë planifikuar vetëm 6.45 milionë euro për këtë projekt, duke ngritur dyshime se ku janë siguruar pjesa tjetër e mjeteve.
“Një pyetje për zotin Rama: Ku ke me i marrë edhe 12 milionë të tjera? Kjo është shkelje e Ligjit të Buxhetit. Auditori i Përgjithshëm çdo vit thekson se kur komuna merr para nga një kod tjetër buxhetor, është shkelje”, u shpreh Buzhala.
Deklaratën e plotë të Mentor Buzhalës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Profesori i arkitekturës, Bujar Demjaha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se projektet urbanistike në Prishtinë duhet të respektojnë planet rregulluese dhe kriteret ligjore.
Sipas tij, zona ku po planifikohet projekti i sheshit Xhorxh Bush, ka dokumentacion urbanistik, por është e rëndësishme që çdo ndërtim të pajiset me lejet e nevojshme.
“Kjo pikë që u përmend, domethënë edhe Gjergj Bushi, edhe pjesa tjetër, i ka planet rregulluese. Qendra dy trajton pikërisht këtë Gjosh Bushin dhe në aspektin urbanistik është i pajisur me dokumentacion për me lëshu leje. Në të gjitha rastet duhet të kalohet edhe të pajiset me leje”, tha Demjaha.
Ai tha se përveç lejeve komunale, disa institucione shtetërore si Ministria e Kulturës mund të kenë kritere shtesë për projekte të caktuara.
“Përpos kësaj, u përmendën edhe disa kritere të tjera për institucione të ndryshme shtetërore. Disa objekte si Rektorati, Radio Prishtina, Hotel Grandi dhe ndoshta edhe Katedralja mund të kenë kërkesa të veçanta. Këto vendime shkojnë kah Ministria e Kulturës, e cila natyrisht është e pavarur në këtë proces”, u shpreh Demjaha.
Deklaratën e plotë të Bujar Demjahës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Komuna e Prishtinës po planifikon një projekt në pronë që nuk i përket asaj, duke mos respektuar procedurat ligjore dhe duke rrezikuar që çështja të përfundojë në gjykatë.
Sipas tij, përveç mungesës së lejeve të nevojshme, një pjesë e punimeve janë planifikuar në prona që nuk janë në pronësi të komunës.
“Hiq këtë pjesën e lejes që po mungon ose pëlqimi nga organet kompetente të Ministrisë së Kulturës, aty janë planifikuara punë edhe në prona të cilat, pronësia e të cilave nuk është e komunës. Do të thotë, komuna po don me bo një projekt në tokë të huaj”, tha Sveçla.
Ai tha se disa prej këtyre pronave janë në menaxhim të AKP-së dhe Radio Kosovës, ndërsa disa lokale private afër shkollës “Faik Konica” pritet të rrënohen pa pëlqimin e pronarëve.
“Një pjesë e atyre pronave janë të Radio Kosovës dhe menaxhohen nga AKP-ja. Nga informatat që i kemi dhe nga kontaktet që kemi arritur t’i vëmë, Radio Kosova e as AKP-ja nuk janë pyetur fare për këtë projekt. Po ashtu, sipas disa vendimeve gjyqësore, aty afër shkollës ‘Faik Konica’ janë disa lokale që janë pronësi private, dhe me projektin aktual të sheshit Xhorxh Bush, parashihet që edhe ato lokale të rrënohen. Neve na kanë kontaktuar tashmë disa prej pronarëve aty dhe na kanë njoftuar që fare nuk janë kontaktuar nga komuna”, u shpreh Sveçla.
Deklaratën e plotë të Gëzim Sveçlës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Qe një temë e mirë – në 96% të familjeve në Kosovë, gatimin e bëjnë gratë. Kuptohet, këtë mesatare e prishim për 8 mars, për atë na duket që situata është më ndryshe, por nuk ish!
E kur sërish vjen marsi, sërish e kallim – malin. Këqyrë, kur një popull primitiv i kall pyjet e veta çdo vit kjo nuk do të duhej të ishte lajm. Për atë edhe nuk po e trajtojmë si lajm, veç po themi që shkatërrimi i pyjeve është kah e shkatërron shëndetin tonë në një zinxhir shumë interesant.
Kjo e dhëna me përqindje të grave që gatuajnë, s kish qenë aq drastike, sikur të mos i shtoheshin edhe dy të dhëna të tjera, së fundmi të përpunuara nga Instituti Atlas. Gjysma e këtyne grave, i kalojnë 3 orë çdo ditë pranë një stufe me dru, e përveç shtëpive që përdorin drutë për gatim dhe për ngrohje, një e dhënë tjetër drastike është se 90% e shkollave në Kosovë ngrohen me drunj, 9 prej 10 shkollave me drunj.
Pra, përveç mësuesve të këqinj, infrasatrukturës së keqe, edhe ajrin në shkolla e kemi shumë të keq, manej prapë po çuditeni pse fëmijët po kthehen prej shkolle më tupa se që kanë shku atje.
Sipas Inventarizimi Nacional i Pyjeve Kosova i ka 481 mijë hektrë pyje, ose mbi 45% e territorit të vend është territory pyjor.
Mirëpo, përjashto pandeminë, cdo vit në Kosovë janë pre ndërmjet 10 dhe mijë metra kub dru jaashtëligjshëm!
Pse nuk e dimë krejt saktë? Qe njeri:
Dmth secili produksion i dasmaxhive t’i çon dronat hava edhe kur vjen nusja, edhe kur vjen shoqja e ngushtë e nuses, ama Agjencia e Pyjeve s’ka dronë me matë shkatërrimin e pyjeve!
Hajde që dronë nuk paskemi. A ka njerëz?
Pra, dronë nuk ka. Njerëz nuk ka. A ka së paku dënime për këta që shkatërrojnë pyje kurdo që kape?
Qe njeri prapë:
Qe një rast i mirë – një tip i Gjilanit është zënë që i ka pre 33 metra kub drunj, 33 metra. Dëmi 4,500 Euro, dënimi 400 Euro.
Tash keni me thanë me pre malin është një gjë, me e kallë malin është tjetër. Edhe për kjëtë punë ka pak statistika, por janë drastike.
Brenda 9 muajve më 2024, rreth 700 hektarë pyje janë shkatërruar nga degia!
Pas pandemisë, brenda një vit mesatarisht Policia raporton për 250 – 350 raste të vjedhjes së pyjeve – gati një në ditë, mirëpo, veç 5-6 raste në vit të shkatërrimit të pyjeve.
Termocentralet si ndotës të mëdhenj, shkallën e sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes, dukshëm më të lartë se mesatarja e BE-së, ajrin ndoshta veç Maqedonia e Veriut e ka më të keq, veturat e vjetra, ngrohim e gatuajmë me dru edhe përmbi krejt këtë i shkatërrojmë pyjet ku të mundemi!
Krejt këta janë faktorë që janë kah na vrasin të gjithëve ngadalë.
Kjo bën që sa herë ka shi, të ketë vërshime, kur ka vërshime shkatërrohen shtëpitë e pronat, mandej e konstatojmë që shtëpitë e pronat i kemi pa leje – nejse kjo na qet në tjetër temë të mirë.
Në thelb shkollat e keqija, spitalet e këqija, gjykatat e këqija janë kah e lejojnë edhe keqësimin e ambientit. Kjo ka me na e keqësu’ jetën aq shumë, që s’ka kuti as n Vushtrri, as n Wiesbaden, që na e kompenson!
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila ka investuar rishtaz në renovimin e objektit të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë, sot ka organizuar aktivitetin me nxënës të klasave të treta të shkollës me fokus në ruajtjen e ambientit, raporton KosovaPress.
Ambasadori i zyrës së BE në Kosovë, Aivo Orav është shprehur se BE-ja është këtu që ta ndihmoj të ardhmen e vendit.
“Jam shumë i lumtur që kjo shkollë është renovuar me ndihmën e BE-së. Unë nuk e kam parë shkollën para dy viteve, por ju e keni parë dhe besoj që ndryshimi që ka ndodhur është jashtëzakonisht i madh. Bashkimi Evropian është këtu që t’iu ndihmoj juve, dhe për një mjedis më të mirë në përgjithësi. Dhe tani në këtë shkollë të riparuar, ju keni obligime të shumta. Për Bashkimin Evropian mjedisi është shumë i rëndësishëm”, tha Orav.
Zyra e BE-së ka investuar me 1.68 milionë euro në renovimin e shkollës “Dardania”, një nga shkollat më të mëdha në Prishtinë. Përveq kësaj shkolle, BE si donatori më i madh në Kosovë, është duke investuar në renovimin e gjashtë shkollave me mbi 6 milionë Euro në qytete të ndryshme të Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Forumit Investiv të 6 Odave të Ballkanit Perëndimor, Lulzim Rafuna, zhvilloi një takim të me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic, për të diskutuar bashkëpunimin mbi agjendat rajonale të përbashkëta brenda Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili synon të nxisë zhvillimin ekonomik në rajon, përcjell KP.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit, të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet “WB6 CIF” dhe “RCC” për të avancuar integrimin rajonal, lehtësuar tregtinë dhe zgjeruar mundësitë e bizneseve të Ballkanit Perëndimor në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
“Gjithashtu, u diskutuan iniciativa për përmirësimin e klimës së investimeve dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, thuhet në njoftim, përcjell KosovaPress.
Po ashtu thuhet se duke pasur parasysh rolin që “WB6 CIF” dhe “RCC” luajnë në avancimin e agjendave rajonale në fushat e tyre përkatëse, Rafuna dhe Kapetanovic u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin në rezultate konkrete brenda CRM, të cilat do të kenë një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike dhe integrimin e rajonit në Tregun e Përbashkët të BE-së.
Seancat gjyqësore në Kosovë nuk po zhvillohen për shkak të numri të pamjaftueshëm të prokurorëve. Dhe këto mungesa lidhen direkt me mungesën e buxhetit që është ndarë në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Këto ishin shqetësimet që u paraqiten në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi tha se në mungesë të prokurorëve seancat gjyqësore nuk po mbahen.
Ai kërkoi që KPK të insistoj tek Qeveria e Kosovës për të ndarë mjete buxhetore për plotësuar numrin e kuadrove të nevojshëm për sistemin prokurorial, raporton KosovaPress.
“Në lëndët primare që i ka prokurori i shtetit aty ku ka aktvendim për fillim të hetimeve efikasiteti është 95 % që në krahasim me vitin 2023 që ishte 89 % dhe vitin 2022 që ishte më i ulët tregon një rritje të efikasitetit edhe përkundër vështirësisë që e kanë përcjell sistemin prokurorial… Në këtë javë ne kemi pas problemet e para që i kam paralajmëruar edhe më herë gjykata edhe pse kanë gjyqtarë më shumë…Seancat gjyqësore nuk po munden me u mbajt për shkak se nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve jo më larg se këtë javë ka pas problem Gjykata Themelore e Pejës sepse nuk ka pas prokurorë që mund të shkojnë në seanca… kemi ardhur në një situatë kur buxheti i Kosovës ndahet për numër të gjyqtarëve të cilët nuk mund t’i mbajnë seancat sepse nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve”, theksoi ai.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë mjete buxhetore as për pozitat që janë të parapara me ligj.
Ai shtoi se në mungesë të buxhetit po paguhen shuma marramendëse për qirat e objekteve ku janë të vendosura Këshilli Prokurorial i Kosovës por edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe Prizrenit.
“Qeveria nuk ka ndarë mjete buxhetore as për pozita të cilat me ligje janë të parashikuara. Janë me vite që neve nuk kemi referenta të ndërmjetësimit edhe pse ligji për ndërmjetësim ka paraparë këto pozita, janë me vite kur nuk janë plotësuar pozitat për bashkëpunëtor profesional edhe pse ligji i KPK parasheh që secili prokurorë me pas një bashkëpunëtor profesional. Pra, mungesa e këtyre mjeteve buxhetore e vështirëson në masë të madhe punën e gjithë sistemit, mungesa e mjeteve për ndërtimin e objekteve për blerjen e objekteve sot e keni Mitrovicën, Prizrenin që për shkaqe burokratike nuk realizohet kërkesa për tu gjetur vendi dhe për tu ndërtuar objekti. Ne paguajmë shuma marramendëse për qira edhe objekti në të cilin jemi neve këtu sot është objekt me qira dhe nuk e dimë kur a do të jemi nesër apo pasnesër në këtë zyrë dhe ku të shkojmë.. Kur neve jemi në këso situata si pritet nga ne efikasitet më i madh kur kushtet tona të punës nuk janë të tilla që na e lehtësojnë dhe mundësojnë një efikasitet të tillë”, tha ai.
Sa i takon raport vjetor të punës së KPK-së për vitin 2024, drejtori i Sekretariatit, Sami Istrefi u shpreh se meqenëse KPK nuk i është aprovuar kërkesa për buxhet shtesë kjo ka shkaktuar vështirësi në punën e prokurorit të shtetit.
Ai njoftoi se gjatë vitit 2024 KPK ka realizuar 96.17 % të buxhetit.
“Gjatë vitit 2024 bazuar në ligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2024 Këshillit i janë ndarë buxhet prej 17 milionë e 265 mijë e 867 euro edhe pse kërkesa jonë ka qenë 19 milionë e 760 mijë e 377 euro dhe kjo kërkesë nuk është aprovuar nga ministria e Financave dhe Transfereve për t’i mbuluar disa pozita ligjore që kemi në sistemin prokurorial të Kosovës ku ka ndikuar direkt në realizimin e aktiviteteve të sistemit prokurorial. Si kërkesë themelore ndaj qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së Financave ka qenë edhe lejimi i mjeteve për ndërtimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës kur dihet se Prokuroria Themelore dhe e Apelit ballafaqohen me kushte të vështira të punës së prokurorit të shtetit ashtu edhe administratë”, theksoi Istrefi.
Mungesa e buxhetit, sulmet nga institucionet tjera karshi KPK-së, mos dekretimi i kryeprokurorit të shtetit ishin disa nga sfidat me të cilat u përballë sistemi prokurorial i Kosovës gjatë vitit 2024.
“Mos plotësimi i përbërjes së Këshillit me dy anëtarë, sulmet nga institucionet tjera me qëllim të dëmtimit të besimit të publikut në sistemin prokurorial të Kosovës, mungesa e bashkëpunimit me institucionet tjera për realizimin e takimeve nga deklarata e përbashkët e zotimeve, dorëheqja prokurorëve të komunitetit serb, dorëheqja e anëtarëve të KPK nga radhët e Odës së Avokatëve të Kosovës, buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluara të gjitha obligimet e krijuara. Mos dekretimi i kryeprokurorit të shtetit që mbetet tash e sa kohë”, theksoi Istrefi.
Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi u shpreh se gjatë vitit 2024 Prokurori i Shtetit ka pas në punë mbi 150 mijë kallëzime penale, prej tyre mbi 50 mijë janë pranuar në punë gjatë vitit të kaluar, ndërsa pjesa tjetër është e trashëguar ndër vite.
“Prokurori i shtetit gjatë vitit 2024 ka pas në punë gjithsej 150 mijë e 204 kallëzime penale nga regjistri PP kryes të njohur, nga regjistri PPM kryes të mitur, PPN lëndë të ndryshme, PJN ndihmë juridike ndërkombëtare BPP kryes të panjohur. Nga ky numër i lëndëve 99 mijë e 523 ose 66.26% janë të trashëguara ose si lëndë të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku kjo përqindje 50. 681 ose 33.74% janë pranuar në punë gjatë vitit 2024. Gjatë këtij vitit nga ky numër i lëndëve 45 mijë e 481 ose 30.28% e lëndëve në punë janë zgjedhur apo proceduar në organet kompetente. 104 mijë e 173 ose 69.72% e të gjitha këtyre lëndëve janë në proces të trajtimit nga ana e prokurorit të shtetit. Në vitin 2024 janë bartur gjithsej 99 mijë e 523 lëndë, kallëzime penale”, tha ai.
Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje të KPK u miratua edhe plani i punës i Sekretariatit të KPK për vitin 2024 teksa u theksua se me ligjin për buxhet nuk është aprovuar asnjë pozitë shtesë.
Gjatë paraqitjes së planit të punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës u theksua rekrutimi i 24 prokurorëve, derisa u tha se për 4 vende të rezervuara për komunitetin serb nuk ka pas interesim.
Sa i takon planit Strategjik dhe Plani i Veprimit i Sistemit Prokurorial për vitet 2025-2027 i cili ishte në rend dite në mbledhjen e sotme, për shkak të disa rekomandimeve nga partnerët ndërkombëtarë konkretisht Zyra e Bashkimit Evropian ky plan është shtyrë. /KP
Pas raportimit të mediave serbe se një grup që ka marrë pjesë në organizimin e Banjskës ka mbërritur në Beograd ka reaguar eksperti i çështjeve të sigurisë Avni Islami.
Islami tha se Aleksandar Vuçiq po ndjek një manual të njohur autokratik duke krijuar krizë për të shuar revoltën, raporton KP.
“Me ardhjen e terroristëve të Banjskës në Serbi dhe shfaqjen e paramilitarëve famëkeq pranë Presidencës, ai po inskenon një klimë frike për të justifikuar masa represive ndaj protestuesve më 15 mars. Asgjë nuk është rastësi – kjo është një strategji e pastër e mbijetesës politike përmes kaosit dhe shantazhit”, ka shkruar Ismali në rrjetin social Facebook.
Serbia sipas tij nuk është duke u destabilizuar nga qytetarët e saj, por nga ai që ka kapur pushtetin dhe po përdor grupet kriminale si mburojë politike.
Vesna Malishiq, kryeredaktore e Radarit në Serbi tha se gazetarët e së përjavshmes kishin marrë informacione se një grup që ka marrë pjesë në organizimin e Banjskës ka mbërritur në Beograd.
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen e kthimit të “play-off”-it të Ligës së Kombeve, ndërmjet Islandës dhe Kosovës, e cila zhvillohet më 23 mars në “Estadio Nueva Condomina” në Murcia të Spanjës, njofton KosovaPress.
Tifozët dardanë që dëshirojnë të ndjekin nga afër këtë përballje, duhet të blejnë biletat vetëm në sektorët e caktuar nga Federata e Futbollit e Islandës (sektorët 3 dhe 4), derisa çmimi është 30 euro.
“FFK fton të gjithë tifozët e Kosovës, të cilët kanë mundësi që të jenë pjesë e kësaj ndeshje dhe të mbështesin ekipin dardan drejt objektivit për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se në kuadër të hetimeve ndaj të pandehurit G.G. për veprën penale të mashtrimit, të mërkurën ka realizuar dy kontrolle në Gjakovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Gjatë aksionit, bëhet me dije se autoritetet kanë sekuestruar 55 mijë euro para të gatshme dhe kanë iniciuar një rast të ri për veprën penale të “Shpëlarjes së parave”, raporton KosovaPress.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale ‘Mashtrimi’ nga neni 323 pargrafi 4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., me datë 12.03.2025 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar dy (2) kontrolle në Komunën e Gjakovës, me ç’rast ka sekuestruar edhe pesëdhjetë e pesë (55) mijë euro para të gatshme dhe njëkohësisht ka iniciuar rast në lidhje me veprën penale ‘Shpërlarja e parave’ nga neni 56 i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se rasti vazhdon të mbetet nën hetime dhe ndodhet në fazën finale.
Ndryshe, ditë më parë prokuroria kishte bërë të ditur se ka sekuestruar 166 parcela të cilat gjenden në komunën e Novobërdës dhe Graçanicës, si dhe dy banesa në Prishtinë në vlerë mbi 1 milionë euro për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë përfituar me vepër penale.
Rasti sipas njoftimit kishte të bënte ndaj të dyshuarit G.G.