ATV

Author: ATVLive

  • Pasojat e luftës Izrael-Iran, njohësit e sigurisë shohin rrezik të shtuar në Ballkan dhe Kosovë

    Pasojat e luftës Izrael-Iran, njohësit e sigurisë shohin rrezik të shtuar në Ballkan dhe Kosovë

    Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po shihet nga ekspertët e sigurisë si një rrezik i shtuar për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

    Në një kohë kur vëmendja e fuqive të mëdha ndërkombëtare është përqendruar në Lindjen e Mesme, ka shqetësime serioze se Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të avancuar agjendat e saj në veriun e Kosovës.

    Profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, në intervistë për Ekonomia Online, tha se përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe përfshirja e shteteve të tjera, përfshirë Iranin, mund të shkaktojë pasoja serioze në rajon.

    “Uroj që të mos përshkallëzohet më tepër dhe të mos implikohen edhe shtete të tjera. Në qoftë se implikohet ndonjë shtet tjetër i regjionit, atëherë sinqerisht është për t’u shqetësuar seriozisht, meqë bëhet fjalë për një zonë të ndjeshme dhe përfshirjet e shteteve problematike, siç është Irani dhe interferimet dhe ndikimi i kësaj lufte në pjesë të tjera të regjionit dhe më gjerë do të jetë evident”, tha ai.

    Çollaku tha se përqendrimi i SHBA-së dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme do të shkaktonte zbehje të vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e bërë më të ekspozuar Kosovën ndaj rreziqeve të mundshme nga Serbia.

    “Ballkani Perëndimor në veçanti është një zonë po ashtu e ndjeshme, ku zgjerimi i konfliktit atje domosdoshmërisht do të ketë ndikim, jo vetëm në aspektin ekonomik. Tashmë kanë filluar shenjat e para, por edhe në spektrin ushtarak dhe gjeopolitik për faktin që vëmendja e shtuar e SHBA-së të interesit madhor strategjik do të pakësojë vëmendjen dhe fokusin në këtë pjesë të Ballkanit… Prandaj, preokupimi i SHBA-së dhe miqve të tjerë, përkatësisht aleatëve të tjerë të SHBA-së me Izraelin dhe Lindjen e Mesme, me parandalimin e zgjerimit të konfliktit nga aspekti i implikimit të shteteve arabe dhe të tjera, të cilat mund të përfshihen kundër Izraelit, do të kishte për pasojë një përshkallëzim të situatës te ne dhe uroj që kjo të mos ndodhë”, tha Çollaku.

    Ai shtoi se Serbia mund ta shfrytëzojë një gjendje të tillë globale për të ndërmarrë një ofensivë të shpejtë ushtarake në veri të Kosovës.

    “Nëse zgjat lufta në Lindjen e Mesme, Serbia do ta ketë pak më lehtë dhe Vuçiq mund të ndodhë, megjithse paralajmërimet mund të jenë edhe luftë psikologjike dhe një propagandë e ashpër, që edhe mund të jetësohet në praktikë si një operacion po ashtu i fuqishëm dhe i shpejtë i Serbisë në veriun e Kosovës për të aneksuar veriun e Kosovës. Kosova nuk disponon as sistem raketor, as mjete të tjera mbrojtëse nga sulmet eventuale raketore që mund të vijnë nga Serbia”, tha ai.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala tha për Ekonomia Online se konfrontimi në rritje mes Iranit dhe Izraelit pritet të ketë ndikime serioze edhe në territorin evropian, përfshirë Ballkanin.

    “Tani fakti që lufta në Lindjen e Mesme është duke u formësuar në kuptimin e një konfrontimi të hapur mes shtetit të Izraelit dhe Iranit, do të kemi një ndryshim epokal politik në pjesën e Teheranit. Njëkohësisht impaktet janë të larta, sepse tanimë prapaskenat e Iranit mund të veprojnë, duke krijuar veprime terroriste në kontinentin evropian, ku edhe Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk mund të jenë imun”, tha ai.

    Shala tha se pretendimet e Serbisë për të shfrytëzuar situatat globale për qëllime të veta gjeostrategjike janë të lidhura me zhvillimet në Lindjen e Mesme.

    “Çështja e pretendimeve të qarqeve të shtetit të Serbisë për të krijuar rikthimin e tyre në një etapë të ndryshimeve gjeopolitike në favorin e Serbisë, mendoj se çështja veriore dhe çështjet e tjera që cenojnë sigurinë kolektive të Ballkanit Perëndimor janë të varura në një zhvillim sekondar të atyre që janë duke ndodhur në Lindjen e Mesme”, tha ai.

    Sipas Shalës, pavarësisht nga tensionet, Irani pritet ta humbasë përballjen me Izraelin dhe ndikimet në Ballkan do të jenë më shumë të karakterit indirekt ekonomik dhe politik.

    “Por, assesi nuk mund të ketë ndonjë kuti të Pandorës, sepse është e konstatuar fakti që Irani do ta humbasë këtë konflikt me Izraelin dhe minimalisht do të mund të ndikojë ky konflikt në kontekstin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, tha për EO, Shala.

  • Izraeli e quan “moment vendimtar” ndërhyrjen e SHBA-së: Do ta ndryshojë historinë

    Izraeli e quan “moment vendimtar” ndërhyrjen e SHBA-së: Do ta ndryshojë historinë

    Liderët izraelitë e kanë falënderuar Presidentin amerikan Donald Trump pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i përshkruar ato si vendimtare dhe historike.

    Presidenti Isaac Herzog tha se sulmet janë një “moment vendimtar”.

    “Në faqet e historisë njerëzore, ky është një moment kur parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe sigurisë kanë triumfuar. Një moment vendimtar mes boshtit të terrorit dhe së keqes dhe boshtit të shpresës”, shkroi ai në një postim në X.

    “Kjo hap ndërmarrje e guximshme i shërben sigurisë dhe mbrojtjes së gjithë botës së lirë”, tha Herzog, duke shtuar se shpreson që kjo ta “përparojë lirimin urgjent të pengjeve tona që mbahen në robëri në Gaza”.

    Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz tha se sulmet e bënë aleancën SHBA-Izrael më të fortë.

    “Aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit është tani më e fortë se kurrë – për hir të paqes dhe sigurisë për të dyja kombet dhe për gjithë botën e lirë”, tha Katz.

    Katz e quajti vendimin e Trumpit për të kryer sulmet “historik” duke thënë se lejimi që Irani të sigurojë armë bërthamore do ta “rrezikonte Izraelin, vendet e rajonit dhe interesat e sigurisë kombëtare të vetë Shteteve të Bashkuara”.

    Ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një fjalim: “Urime President Trump, vendimi juaj i guximshëm për t’i goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë madhështore dhe të drejtë të Shteteve të Bashkuara do ta ndryshojë historinë”.

    “Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: ‘Paqe përmes forcës.’ Së pari vjen forca, pastaj vjen paqja. Dhe sonte, Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara vepruan me shumë forcë” shtoi Netanyahu.

  • “Lufta fillon tani”, paralajmëron Irani pasi SHBA goditi objektet e tij bërthamore

    “Lufta fillon tani”, paralajmëron Irani pasi SHBA goditi objektet e tij bërthamore

    “Lufta fillon tani”, tha Trupa e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dega kryesore e ushtrisë së Teheranit, pasi forcat amerikane goditën tre centrale bërthamore në Iran, sipas Çresidentit të SHBA-së Donald Trump.

    Trump tha se një “ngarkesë e plotë bombash u hodh” në centralet bërthamore Fordow, Natanz dhe Esfahan.

    “Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë”, tha Trump, duke shtuar se tani është “koha për paqe”.

    Duke iu drejtuar kombit në Shtëpinë e Bardhë pas sulmit, Trump tha se Irani “tani duhet të bëjë paqe” dhe se “nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha”.

    “Do të ketë ose paqe ose tragjedi për Iranin”, tha ai.

    “Mbani mend, kanë mbetur shumë objektiva. Sonte ishte më e vështira nga të gjitha deri më tani, dhe ndoshta më vdekjeprurësja.”

    “Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do të shkojmë në ato objektiva të tjera me precizion, shpejtësi dhe aftësi”, vazhdoi Trump.

    Nga ana tjetër, ligjvënësi më i lartë republikan amerikan Lindsey Graham tha se Trump “bëri vendimin e duhur”, shkruan euronews.

    “Regjimi i Teheranit e meritonte”, tha senatori i lartë amerikan nga Karolina e Jugut.

    “Bravo, president”, tha Graham.

    “Për bashkëqytetarët e mi: Ne kemi Forcën Ajrore më të mirë në botë. Më bën shumë krenar.”

    Udhëheqësi më i lartë demokrat Hakeem Jeffries tha se Trump e ka “mashtruar vendin”, megjithatë.

    “Donald Trump premtoi të sillte paqe në Lindjen e Mesme. Ai nuk e ka përmbushur këtë premtim. Rreziku i luftës tani është rritur në mënyrë dramatike dhe unë lutem për sigurinë e trupave tona në rajon që janë vënë në rrezik”, tha Jeffrey në një deklaratë.

    Ndryshe, SHBA ka midis 40,000 dhe 50,000 trupa të stacionuara në rajon, të cilat pritet të vihen në gatishmëri të lartë pas sulmeve.

    IRGC u përgjigj duke thënë se kjo ka përshkallëzuar më tej atë që ka qenë një shkëmbim sulmesh me raketa dhe dronë nga Irani dhe Izraeli që nga e premtja e kaluar, duke u përshkallëzuar tani përtej konfliktit në një luftë të plotë në Lindjen e Mesme.

    Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se e ka ngritur gjendjen e saj të gatishmërisë edhe më tej, duke anuluar të gjitha “aktivitetet edukative, tubimet dhe vendet e punës, përveç sektorëve thelbësorë”.

    Raportohet se vendimi i Trumpit për të përfshirë drejtpërdrejt SHBA-në vjen pas më shumë se një jave sulmesh nga Izraeli ndaj Iranit që synonin të zhduknin sistematikisht mbrojtjen ajrore të vendit dhe aftësitë ushtarake sulmuese, duke dëmtuar njëkohësisht objektet e tij të pasurimit bërthamor.

  • NATO thotë se po e vëzhgojnë nga afër situatën në Lindjen e Mesme

    NATO thotë se po e vëzhgojnë nga afër situatën në Lindjen e Mesme

    Një zyrtar i NATO-s i tha Reuters të dielën se Aleanca po e ndjek nga afër situatën pas sulmeve të SHBA-së në tre centralet kryesore bërthamore të Iranit.

    I pyetur në lidhje me reagimin e Aleancës ndaj sulmeve dhe çdo ndikim të mundshëm në misionin këshillimor jo-luftarak dhe të ndërtimit të kapaciteteve të NATO-s në Irakun fqinj.

    “Sigurisht që po e ndjekim situatën nga afër,” tha zyrtari, shkruan SkyNeWs.

  • SHBA godet objektet bërthamore të Iranit, Trump: Sulmi tjetër do të jetë më shkatërrues!

    SHBA godet objektet bërthamore të Iranit, Trump: Sulmi tjetër do të jetë më shkatërrues!

    Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump e ka paralajmëruar Iranin se tani duhet të “bëjë paqe” ose të përballet me sulme të ardhshme të SHBA-së.

    Pasi njoftoi sulmet shumë të suksesshme të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane në Fordoë, Natanz dhe Isfahan, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump iu drejtua kombit.

    Fjalimi i plotë:

    Pak kohë më parë, ushtria amerikane kreu sulme masive me precizion të lartë në tre objektet kryesore bërthamore të regjimit iranian: Fordoë, Natanz dhe Isfahan.

    Të gjithë i kanë dëgjuar këto emra për vite me radhë, ndërsa ata ndërtonin këtë ndërmarrje tmerrësisht shkatërruese. Objektivi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të pasurimit bërthamor të Iranit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që përbënte shteti numër një në botë, sponsori i terrorizmit.

    Sonte, mund t’i raportoj botës se sulmet ishin një sukses spektakolar ushtarak. Objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit janë shkatërruar plotësisht. Irani, dhunuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe.

    Nëse nuk e bëjnë këtë, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta.

    Për 40 vjet, Irani ka thënë: “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit”.

    Ata kanë vrarë njerëzit tanë, duke ua hedhur në erë krahët, duke ua hedhur në erë këmbët me bomba buzë rrugës – kjo ishte specialiteti i tyre.

    Ne humbëm mbi një mijë njerëz dhe qindra mijëra të tjerë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën kanë vdekur si pasojë e drejtpërdrejtë e urrejtjes së tyre, në veçanti, shumë prej tyre u vranë nga gjenerali i tyre, Qassem Soleimani .

    E vendosa prej kohësh që nuk do ta lejoja këtë të ndodhte.

    Nuk do të vazhdojë.

    Dua të falënderoj dhe përgëzoj Kryeministrin Bibi Netanyahu.

    Ne punuam si një ekip si ndoshta asnjë ekip nuk ka punuar më parë, dhe kemi bërë një rrugë të gjatë për të zhdukur këtë kërcënim të tmerrshëm për Izraelin.

    Dua të falënderoj ushtrinë izraelite për punën e mrekullueshme që ka bërë dhe, më e rëndësishmja, dua të përgëzoj patriotët e mëdhenj amerikanë që drejtuan ato makina madhështore sonte, dhe të gjithë ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për një operacion të ngjashëm me të cilin bota nuk e ka parë prej shumë, shumë dekadash.

    Shpresojmë që nuk do të kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë cilësi. Shpresoj që të jetë kështu. Dua gjithashtu të përgëzoj kryetarin e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjeneralin Dan “Razin” Caine – gjeneral spektakolar – dhe të gjitha mendjet e shkëlqyera ushtarake të përfshira në këtë sulm.

    Me të gjitha këto që u thanë, kjo nuk mund të vazhdojë.

    Do të ketë ose paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin shumë më të madhe se ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit.

    Mbani mend, kanë mbetur shumë objektiva. Kjo e sotmja ishte më e vështira nga të gjitha deri më tani, dhe ndoshta më vdekjeprurësja, por nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i ndjekim ato objektiva të tjera me precizion, shpejtësi dhe aftësi. Shumica e tyre mund të eliminohen brenda pak minutash.

    Nuk ka ushtri në botë që mund ta kishte bërë atë që bëmë ne sonte, as afër. Nuk ka pasur kurrë një ushtri që mund të bënte atë që ndodhi pak kohë më parë.

    Nesër, Gjenerali Caine, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, do të mbajnë një konferencë për shtyp në orën 8 të mëngjesit (12:00 GMT) në Pentagon, dhe dua t’i falënderoj të gjithë, dhe në veçanti Zotin.

    Dua vetëm të them: “Ne të duam ty, Zot, dhe e duam ushtrinë tonë të shkëlqyer. Mbrojini ata.” Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme. Zoti e bekoftë Izraelin dhe Zoti e bekoftë Amerikën.

    Faleminderit shumë. Faleminderit.

  • Frostea – Shija e Verës që të Ndjek në çdo Ngjarje!

    Frostea – Shija e Verës që të Ndjek në çdo Ngjarje!

    Brendi ynë i dashur Frostea Ice Tea po vazhdon të fitojë zemrat e konsumatorëve në mbarë Kosovën!

    Pas suksesit të padiskutueshëm të shijeve të para, Frostea ka dëgjuar kërkesat tuaja dhe sjell një risi tjetër për këtë verë – shijen e re Forest Fruits- Fruta mali!

    Kjo shije e shumëpritur, e cila është kërkuar vazhdimisht nga konsumatorët tanë, tani është realitet dhe vjen si një freski unike që kombinon ëmbëlsinë natyrale të frutave të pyllit me freskinë karakteristike të Ice Tea-së.

    Përse Frostea Forest Fruits?

    • Sepse është freskuese dhe e lehtë për t’u konsumuar në çdo kohë.
    • Sepse është perfekte për ngjarjet verore, shoqërimet me miq, koncertet, festivalet apo pushimet në natyrë.
    Frostea është më shumë se një Ice Tea – është një përvojë që të shoqëron kudo.

    Qoftë në qytet apo në mal, në një party apo në një udhëtim, Frostea është aty për t’ju dhënë një ndjesi freskie dhe kënaqësie që zgjat. Me një përbërje të balancuar dhe një dizajn modern të ambalazhit, Frostea përfaqëson gjithçka që ka nevojë një brez i ri – shije, stil dhe freski.

    Frostea – Fresko Stilin Tënd!

  • Në Prishtinë Inaugurohet Teatri i Poezisë

    Në Prishtinë Inaugurohet Teatri i Poezisë

    Dje, më 18 qershor 2025, në orën 19:30, në “Shtëpinë e Poezisë” në rrugën “Ferat Dragaj”, Bregu i Diellit, Prishtinë, është bërë inaugurimi i “Teatrit të Poezisë”, teatri i parë në Ballkan i dedikuar ekskluzivisht performancës së poezisë si formë teatrore. Kjo ngjarje ka shënuar një moment historik për jetën kulturore dhe letrare në Kosovë dhe rajon.

    Themelimi i këtij teatri përbën një risi të padiskutueshme në kontekstin kulturor të Evropës Juglindore.
    Ndërsa në vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekzistojnë nisma të njohura si Cambridge Poets’ Theatre apo “Poetry Tent” në Glastonbury Festival, në Ballkan deri më tani nuk ka pasur një institucion të përhershëm të këtij karakteri.

    Ky teatër është themeluar nga poeti i njohur kosovar Lulzim Tafa, një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe njeri nder poetet me te njohur dhe me te përkthyer te letërsisë shqipe ne bote, si dhe fitues i shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare.

    Në ceremoninë e inaugurimit të Teatrit të Poezisë, krahas figurave të njohura të letërsisë, artit dhe kulturës nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ky teatër që po promovohet sot do t’i shtojë Kryeqytetit rëndësinë kulturore, duke e bërë një atraksion dhe mundësi të jashtëzakonshme në nxitjen e diplomacisë kulturore për qytetin e Prishtinës, ngase në këtë skenë, me vargjet e tyre, do të vijnë poetë eminentë nga mbarë bota.

    Të pranishmit përjetuan një mbrëmje të pasur me interpretim poetik dhe prezantim të këtij koncepti të ri artistik, i cili për herë të parë i jep poezisë një skenë të përhershme dhe të dedikuar.

    Teatri i Poezisë tashmë është pozicionuar si një pikë e re kulturore e Prishtinës dhe Kosovës, duke u shtuar atraksioneve që e bëjnë kryeqytetin një destinacion gjithnjë e më tërheqës për artdashësit vendorë dhe të huaj.

    I krijuar për të promovuar poezinë në formën e saj më të mirë dhe më të ndjeshme, ky teatër përfaqëson një ndërthurje bashkëkohore mes fjalës së shkruar dhe artit të performimit, duke hapur një epokë të re për interpretimin poetik në hapësirën shqiptare dhe ballkanike.

  • Dita e gjashtë e konfliktit Izrael-Iran

    Dita e gjashtë e konfliktit Izrael-Iran

    Për të gjashtën ditë me radhë, Izraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet ndaj njëri-tjetrit, disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi Republikës Islamike “dorëzim pa kushte”.

    Aeroplanët ushtarakë izraelitë goditën kryeqytetin iranian pak para agimit të mërkurën, pasi ushtria lëshoi paralajmërime që civilët të largoheshin nga një qark i Teheranit.

    Më pas, ushtria izraelite tha se ka goditur objekte për prodhimin e armëve dhe një qendër që përdoret për të prodhuar centrifuga në Teheran.

    Centrifugat janë makina që përdoren për pasurimin e uraniumit, i cili, nëse arrin nivel të lartë të pastërtisë, mund të përdoret për armë bërthamore.

    Edhe Republika Islamike gjithashtu tha se ka lëshuar dronë drejt Izraelit, dy prej të cilëve janë rrëzuar mbi zonën e Detit të Vdekur. /atvlive.tv

  • Sonte nis dezinsektimi hapësinor në Prishtinë

    Sonte nis dezinsektimi hapësinor në Prishtinë

    Në Prishtinë nis sonte procesi i dezinsektimit hapësinor, që synon zhdukjen e insekteve si mizat dhe mushkonjat, të cilat mund të përhapin sëmundje ngjitëse. Procesi do të zgjasë në gjashtë faza, me nga gjashtë ditë secila, dhe përfshin një perimetër prej rreth 7 mijë hektarë në kryeqytet.

    Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, tha se dezinsektimi do të zhvillohet kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes për të shmangur kontaktin me qytetarët. Ai theksoi se kushtet klimatike kanë qenë të favorshme për nisjen e këtij procesi, duke përfshirë mungesën e reshjeve gjatë qershorit. /atvlive.tv

  • Izmaku: Limaj promovoi qasje bashkëpunuese për kapërcimin e ngërçit politik

    Izmaku: Limaj promovoi qasje bashkëpunuese për kapërcimin e ngërçit politik

    Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, në emisionin “Compass” në ATV tha se lideri i saj, Fatmir Limaj, ka treguar guxim duke propozuar dialog si zgjidhje për bllokadën institucionale.

    Sipas saj, Limaj ka qenë ndër të parët që ka kërkuar bashkëpunim ndërpartiak për të dalë nga situata aktuale politike, duke vënë interesin shtetëror mbi atë partiak. /atvlive.tv