ATV

Author: ATVLive

  • ​Policia e Kosovës niset në drejtim të jugut

    ​Policia e Kosovës niset në drejtim të jugut

    Pas diskutimeve që kanë zgjatur rreth 5 minuta në mes majorit të policisë dhe kolonelit të KFOR-it amerikan, pjesëtarët e Policisë së Kosovës së bashku me autoblindat e tyre janë tërhequr në drejtim të jugut të Mitrovicës.

    Një numër më i vogël i protestuesve po vazhdon të qëndrojë te udhëkryqi afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.

    Gjithashtu një numër simbolik i policëve vazhdojnë të qëndrojnë aty.

    KosovaPress ka raportuar se qindra serbë u tubuan afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.

    “Llune”, “tradhti”, Vuçiq peder”, janë brohoritjet e tyre.

    Njësitet e ndryshme të Policisë së Kosovës, me automjetet e tyre, ishin pozicionuar në udhëkryqin e lagjes së boshnjakëve, përkatësisht rreth 300 metra larg protestuesve.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se sot Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic- Llune.

  • 125 shqiptaro-amerikanë i drejtohen Sekretarit Blinken, kërkojnë më shumë mbështetje për Kosovën

    125 shqiptaro-amerikanë i drejtohen Sekretarit Blinken, kërkojnë më shumë mbështetje për Kosovën

    125 shqiptaro-amerikanë i janë drejtuar me një letër sekretarit të SHBA-së, Anthony Blinken, përmes të cilës kanë kërkuar më shumë mbështetje për Kosovën.

    Kjo është bërë e ditur nga një prej autorëve të letrës, Drilon Gashi.

    Ai në një postim në Twitter ka shkruar se nënshkruesit e letrës janë nga 25 shtete, ndërkaq, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gashi ka treguar se cilat janë tri pikat kryesore të kësaj letre.

    “Janë tre pika kryesore. E para është që gjithsesi në këto momente të ndjeshme sigurie në pjesën veriore duhet të ketë më shumë mbështetje për Kosovën në shtrirjen e sovranitetit dhe në jetësimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale atje. Njëkohësisht kishte një thirrje që në përgjithësi të ketë ndryshim në qasjen aktuale të politikës së Shteteve të Bashkuara të Ballkanit dhe të ketë më shumë mbështetje për shtetet sikurse Kosova dhe shtetet tjera që janë më demokratike, më përkrahëse të politikave të jashtme dhe të mos bëhet që tentimi për ta përafruar Serbinë të ketë pasoja për miqtë e tjerë të SHBA-së në rajon, e në veçanti për Kosovën. Në fund, letra bën thirrje që të ketë një zgjidhje të menjëhershme për gjendjen e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, kjo thirrje është për SHBA-në dhe Qeverinë e Kosovës për kërkesën që bashkarisht të dalin nga situata aktuale”, tha ai.

  • Flutura Kusari për sulmin ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan: Sa e frikshme!

    Flutura Kusari për sulmin ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan: Sa e frikshme!

    Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, përmes një statusi në profilin e saj në facebook, ka reaguar pas sulmit që iu bë ekipit të ATV-së sot në komunën e Zveçanit.

    “Sulmet ndaj gazetareve vazhdojne. Sa e frikshme. Uroj te mos lendohet asnje gazetare tjeter”, ka shkruar Kusari.

    Kujtojmë se në Zveçan është sulmuar me gurë ekipi i ATV-së, i përbërë nga gazetari Fatlum Jashari, kameramani Blend Thaçi, si dhe shoferi, Enis Sherifi, përderisa po përcillnin zhvillimet e fundit në këtë komunë.

    Protestuesit kanë goditur me gurë e gjësende të forta gazetarin, kameramanin e shoferin e ATV-së, ndërsa kanë demoluar edhe veturën.

    E gjithë ngjarja ka ndodhur derisa në Mitrovicë të Veriut, Policia ka nisur aksionin për arrestimin e Milun Milenkoviq.

    Kolegu Fatlum Jashari, nëpërmjet telefoni ka informuar se ekipi e ATV-së, i cili ishte në terren në Zveçan, është sulmuar menjëherë pasi protestuesit serb lokal kanë kuptuar se në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një serb.

    Jashari ka treguar se është dashtë ndërhyrja e KFOR-it dhe EULEX-it për t’i ofruar siguri ekipit të ATV-së dhe largim të sigurt të tyre nga vendi i ngjarjes./atvlive.tv

  • Tre policë të lënduar gjatë aksionit në Mitrovicë të Veriut

    Tre policë të lënduar gjatë aksionit në Mitrovicë të Veriut

    Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, transmeton REL.

    Foto: REL
  • Vuçiq kërkon largimin e kryetarëve veriorë dhe formimin e Asociacionit

    Vuçiq kërkon largimin e kryetarëve veriorë dhe formimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se situata në Kosovë po komplikohet dhe se është i “shqetësuar” për këtë.

    Ai shtoi se Serbia është e gatshme për kompromise, por se Kosova duhet të largojë kryetarët e rinj në veri dhe të fillojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    “Jemi gati për kompromise, vetëm ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat komunale, le të japin dorëheqje. Jemi gati për kompromise, por edhe të fillojmë formimin e AKS-së”, tha Vuçiq Tv Hepa.

    Ai ka raportuar se ka pasur diskutime të vështira për Kosovën.

    “Me Miroslav Lajçak (emisari i BE-së), me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së, mbrëmë vonë kam pasur një bisedë jo të lehtë. Situata po ndërlikohet dhe më shqetëson shumë”, ka theksuar Vuçiq.

    Ai raportoi se ushtria serbe ka kaluar nga niveli më i lartë në një nivel pak më të ulët të gatishmërisë luftarake. “Por ne kemi ende mjaft ushtarë për të ndihmuar popullin tonë”, nënvizoi ai.

    Ai tha se nuk përjashton mundësinë që dikush të dëshirojë konflikte, duke shtuar se kjo dëshirë ekziston në tre apo katër vende. “Unë nuk mendoj se duhet të them se cilat vende janë”, shtoi ai.

    Vuçiq theksoi se kishte biseda shumë të vështira në Kishinev të Moldavisë, veçanërisht me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

    “Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Unë thashë në një moment që nuk mendoj se është e drejtë dhe as për ta nuk ishte e lehtë. Ne kemi për t’i kuptuar ata, ata nuk duan luftë, konflikt. E jona është të mbrojmë paqen, interesat e popullit tonë, që populli ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të bisedosh as me serbët e Kosovës”, shpjegoi ai.

    Vuçiq tha se duhet të kujdeset për interesat e qytetarëve në mbarë Serbinë. Ai gjithashtu theksoi se të gjithë në botë janë duke pritur për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe se korriku dhe gushti do të jenë shumë të rëndësishëm për Serbinë, veçanërisht nëse vjen Jim O’Brien, duke thënë se ai është një njeri që i kupton gjërat dhe di të dëgjojë.

    “Nuk ka mashtrim me të dhe nuk është i informuar vetëm nga sektori i OJQ-ve, por ai sheh gjithçka dhe kupton gjithçka. Ai është jashtëzakonisht inteligjent, si Christopher Hill”, tha Vuçiq.

    Ai ka përsëritur se është “shumë i shqetësuar” për Kosovën, sepse nesër do të prezantohen raportet e kryediplomatit evropian Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajçak e të tjerë dhe se do të ketë propozime për masa të ndryshme.

  • ​Mbledhja e dy qeverive në Gjakovë, zbardhet agjenda

    ​Mbledhja e dy qeverive në Gjakovë, zbardhet agjenda

    E mërkura e 14 qershorit do të bëjë bashkë qeveritë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa ky do të jetë takimi i parë i kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama pas propozimit të këtij të fundit të një drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Sipas agjendës, takimet do të nisin në ora 11:00, kur edhe pritet të mbërrijë delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë në vend.

    Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë – Shqipëri do të bëhet në ora 11:30 në Bibliotekën e qytetit, në Gjakovë.

    Për në ora 12:40 është paraparë fotoja e përbashkët.

    Në ora 12:45 në Teatrin e qytetit “Hadi Shehu” do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve ndërqeveritare.

    Ndërsa konferenca e përbashkët për media e kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama do të mbahet në ora 13:15, po në këtë teatër.

    Në kuadër të agjendës përfshihen edhe homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës, në ora 13:45.

    Në ora 14:00 dreka zyrtare, tek restaurant “Hani i Haraçisë”, ndërsa në ora 16:00, takimi me kryetarët e komunave të zonave kufitare.

  • Konfirmohet: Belgjika do ta hapë ambasadën e saj në Kosovë

    Konfirmohet: Belgjika do ta hapë ambasadën e saj në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, ka takuar kolegen e saj kosovare Donika Gërvalla-Scharz, të cilën e ka njoftuar për vendimin e Belgjikës për hapjen e ambasadës në Prishtinë.

    Lahbib në profilin e saj në Facebook ka theksuar se ndër të tjera është folur për situatën në veri të Kosovës dhe ka theksuar se të gjitha palët duhet të marrin masa për uljen e tensioneve.

    “E njoftova kolegen time kosovare Donika Gërvalla për vendimin tonë për hapjen e ambasadës në Prishtinë. Diskutuam edhe për dhunën e fundit në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të marrin masa për uljen e tensioneve”, shkroi ajo.

  • Hoti lajmërohet nga Izraeli: Potenciali i bashkëpunimit është shumë i madh

    Hoti lajmërohet nga Izraeli: Potenciali i bashkëpunimit është shumë i madh

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se bashkë me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, gjendet në një vizitë zyrtare në Izrael.

    Ai tha se në ditën e parë të kësaj vizite, kanë takuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal dhe qendra hulumtuese të fushës së sigurisë.

    “Kosova ka shumë miq në Izrael. Bashkëpunimi jonë me Izraelin ka rëndësi strategjike”, shkroi Hoti në Facebook.

  • Sot mbahet takimi i parë i grupit punues të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të Kosovës

    Sot mbahet takimi i parë i grupit punues të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të Kosovës

    Në Qeverinë e Kosovës sot do të mbahet takimi i përbashkët i Grupit Punues ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Këshillit të Evropës.

    Takimi është planifikuar të mbahet në ora 13:00 në ndërtesën e Qeverisë, njoftoi MPJD-ja.

    “Të martën në Qeverinë e Kosovës do të mbahet takimi i përbashkët i Grupit Punues ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.

    Takimin do ta hapin zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe Claus Neukirch, nga Këshilli i Evropës.

  • Blinken: Një kundërsulm i suksesshëm ukrainas do ta detyrojë Putinin të negociojë

    Blinken: Një kundërsulm i suksesshëm ukrainas do ta detyrojë Putinin të negociojë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se shpreson që një ofensivë e suksesshme nga Ukraina do ta detyrojë presidentin rus, Vladimir Putin, të pajtohej për bisedime për përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës.

    Duke folur gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij italian, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “të bindura se ata do të vazhdojnë të kenë sukses” pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, la të kuptohet se kundërofensiva ukrainase po zhvillohet.

    “Suksesi në kundërofensivë do të bënte dy gjëra: do të forconte pozicionin e saj [Ukrainës] në çdo tavolinë negociuese që do të mund të organizohej dhe mund të ketë efektin që në fakt të detyrojë Putinin që më në fund të përqendrohet në negociata për t’i dhënë fund luftës që ai nisi”, tha Blinken.

    “Në këtë kuptim, mund ta sjellë më afër paqen, jo ta largojë arritjen e saj”, tha Blinken gjatë konferencës për media me kryediplomatin italian, Antonio Tajani.

    Blinken tha se ofensiva ka treguar nevojën për të “maksimizuar mbështetjen tonë për Ukrainën tani, në mënyrë që ajo të mund të ketë sukses në fushëbetejë”.

    Rusia publikisht ka mbështetur organizimin e negociatave, me Kinën si ndërmjetësuese.

    Shtetet e Bashkuara janë shprehur skeptike për përpjekje të tilla, duke thënë se Rusia nuk është serioze për negociata dhe vetëm i intereson vetëm të shfajësojë veten për pushtimin.

    Paqja duhet të jetë “e drejtë dhe e qëndrueshme”, tha Blinken.

    Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Ukraina pretendoi se pas nisjes së kundërofensivës, më 12 qershor kishte arritur të çlironte katër vendbanime në rajonin lindor të Donjeckut./REL