ATV

Author: ATVLive

  • Situata në veri: Vuçiq paralajmëron takim me përfaqësuesit e QUINT-it

    Situata në veri: Vuçiq paralajmëron takim me përfaqësuesit e QUINT-it

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër do të takohet me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, me të cilët u tha se do të bisedojë për situatën në veri të Kosovës.

    Sipas Presidencës serbe, ai do të takohet me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, duke filluar nga ora 09:00 e mëngjesit.

    Ambasadorët e QUINT-it sot në mëngjes kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa gjatë ditës ka pasur tensione të reja në veri të Mitrovicës, ku policia e Kosovës ka arrestuar serbin Milun Milenkoviq, i njohur me nofkën Llune.

    Llune dyshohet se ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

    E drejtori i zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq ka thënë se Vuçiq ka biseduar disa herë sot me emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak, por edhe me zyrtarë të shumtë ndërkombëtarë “për të bërë presion ndaj Kurtit”.

    Petkoviq ka bërë të ditur se nesër në Beograd vjen edhe komandanti i KFOR-it, me të cilin sipas tij, do të bisedojnë Vuçiq dhe gjenerali serb, Milan Mojsiloviq.

  • Rexha: Sulmi ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan është barbar që duhet dënuar

    Rexha: Sulmi ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan është barbar që duhet dënuar

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin STUDIO A në ATV, tha se sulmi ndaj ekipës së ATV-së në Zveçan është sulm barbar që duhet dënuar.

    “Ky është një sulm barbar. Gjithë këta gurë, gjithë këta njerëz me maska që i janë afruar ekipit të ATV-së është absolutisht tmerruese. Asnjë gazetar, asnjë ekip tjetër
    gazetarësh që shkon për të raportuar, nuk duhet të kalojë nëpër një situatë të tillë”, tha Rexha.

    Ai tha se sulmi është shqetësues dhe se gëzohet që nuk ka rezultuar me lëndime më të rënda të ekipiet të ATV.

    “Është shumë shqetësuese. Në vazhdën e sulmeve, ky është sulmi i 23-të që ka ndodhur në vetëm dy javë në veriun e Kosovës dhe nga ajo që kam biseduar pak minuta më herët me kolegun gazetar Fatlum Jashari, me të vërtetë ka qenë një sulm shumë i rëndë dhe jemi me fat që s’ka rezultuar me lëndime më të mëdha të ekipit. Tani në Zveçan ka një kohë që nuk ka pasur të tilla sulme, në fakt java e kaluar ka qenë më e qetë, por siç e kemi marrë vesh nga Fatlumi, gjithçka ka ndodhur në kohën që në veriun e Mitrovicës po arrestohej një serb i kërkuar nga Policia e Kosovës. Sulmi absolutisht është i dënueshëm, është shumë i rëndë dhe ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje organeve të rendit që të sigurojnë gazetarët që punojnë në terren”, tha Rexha.

    Kujtojmë se sot rreth orës 13:30, protestuesit kanë goditur me gurë e gjësende të forta gazetarin, kameramanin e shoferin e ATV-së, ku kanë demoluar edhe veturën sot në Zveçan.

    E gjithë ngjarja ka ndodhur derisa në Mitrovicën e Veriut, Policia e Kosovës ka nisur arrestimin e Milun Milenkovic.

    Gazetari Fatlum Jashari, nëpërmjet telefonit ka informuar se ekipi i ATV-së, e cila ishte në terren në Zveçan është sulmuar menjëherë pasi protestuesit serbë kanë kuptuar se në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një serb.

    Jashari ka treguar se është dashur ndërhyrja e KFOR-it dhe EULEX-it për t’i ofruar siguri ekipit të ATV-së dhe largim të sigurt të tyre nga vendi i ngjarjes.

    Kujtojmë se pjesë e ekipit të ATV-së që u sulmuan në Zveçan ishin gazetari Fatlum Jashari, kameramani Blend Thaçi, si dhe shoferi, Enis Sherifi, përderisa po përcillnin zhvillimet e fundit në këtë komunë. /atvlive.tv

  • ​Ligji dhe strategjia e re konsiderohen jetike për të ardhmen e sportit

    ​Ligji dhe strategjia e re konsiderohen jetike për të ardhmen e sportit

    Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport kanë mbajtur sot tryezën për sport, e katërta me radhë, ku është paraqitur drafti fillestar i Projektligjit për Sport si dhe drafti final i Strategjisë për Sport.

    Me propozimet e shumta nga përfaqësues të federatave sportive këto dy koncept dokumente po cilësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen e sportit dhe zhvillimin e tij në Kosovë.

    I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili deklaroi se sporti në Kosovë po ecën me hapa të mëdhenj përpara, por që nevojitet edhe shumë punë për t’u bërë.

    “Tashmë është dëshmuar disa herë që sa herë që talentëve tanë iu jepet mundësia ata bëhen edhe më të mirët në botë. Çfarë të gjithë ne e kemi obligim dhe duhet të krijojmë mundësi për të rinjtë tanë, mundësinë për të qenë të shëndetshëm përmes aktivitetit sportiv, mundësinë për ta zhvilluar maksimalisht talentin në sport, mundësinë për t’u angazhuar në sport çoftë si mjek, administrator apo trajner sepse ne e dimë që nevojitet jo vetëm një infrastrukturë fizike e materiale, por edhe një mbështetje e madhe njerëzore për secilin sportist”, tha Kurti.

    Madje ai tha se edhe vet po e përdor sportin si mënyrë për ta hequr stresin nga punët e përditshme si udhëheqës i Qeverisë së Kosovës.

    “Një ndër mënyrat se si po pushoj në mbrëmje është që po shkoj në ngjarjet sportive. Edhe t’iu them të drejtën po ia bëj një lloj shqyrtimi vetvetes pse kur po dal prej një ndeshje kur s’po luaj vetë, po dalë shumë i çlodhur. Shpjegimi i vetëm që kam është se në sport, për dallim nga politika ka rregulla, e mua më ka marr malli për rregulla. Në politikë nuk ka shumë rregulla… Aty kur i bie arbitri filikaqes edhe thotë që topi është jashtë vijës, është shumë e qartë, është jashtë vijës, pra nuk ka dilema”, tha Kurti

    Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi tha për KosovaPress se kjo tryezë është tejet e rëndësishme dhe se në ligjin e ri do të përfshihen sugjerimet e federatave sportive

    “Qëllimi kryesor i kësaj tryeze është t’i dëgjojmë sugjerimet dhe idetë e të gjitha federatave. Kjo është tryeza e katërt me radhë, dhe ne që nga tryeza e parë kemi marrë sugjerimet e të gjithë atyre që kanë diskutuar dhe kanë dhënë ide”, tha Krasniqi

    Ndërsa, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu deklaroi se fakti që po dëgjohet zëri i komunitetit të sportit në hartimin e ligjeve të reja është shumë i rëndësishëm.

    “Ky komunikim është shumë i rëndësishëm për komunitetin e sportit. Është shumë e rëndësi që të kemi formalisht komunikim të tillë. Është me rëndësi që komuniteti i sportit apo zëri i tij po dëgjohet çdo ditë e më shumë që jemi duke e dhënë kontributin tonë në këtë fazë hartuese që tani…Projekti i ri për sportin është vital, i rëndësisë jetike për komunitetin e sportit dhe mëtojmë apo kërkojmë gjithë kohës që të jemi një shumë të konsoliduar në të ardhmen për sportin”, theksoi Fetahu për KosovaPress.

    Gjatë tryezës është diskutuar edhe për hapat që Kosova duhet t’i ndërmarr për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, sidomos në ndërtimin e infrastrukturës sportive. /kp

  • Shqiptarja martohet me një serb në Leposaviq: Tani ndihem serbe

    Shqiptarja martohet me një serb në Leposaviq: Tani ndihem serbe

    Një shqiptare nga Durrësi, Mira Dreaj, u martua dje në Leposaviq me serbin Dejan Slavkoviq.

    Ata u martuan në Kishën Ortodokse në Soçanicë, pasi që shqiptarja para pak kohësh ishte konvertuar në Ortodokse, raporton Kosovo Online.

    Pas dasmës në kishë, ata kanë shëtitur nëpër rrugët e Leposaviqit, madje edhe pranë ndërtesës së komunës ku po vazhdojnë protestat e serbëve dhe ku është duke qëndruar edhe kryetari i komunës, Lulzim Hetemi.

    Mira tha se ajo tani ndihet serbe, dhe se sipas saj ka shumë shqiptarë me origjinë serbe, që nuk e dinë një gjë të tillë.

    ‘’Unë u martova me Dejanin për dashuri, ne u takuam në Durrës. Njohja dhe shoqërimi ynë zgjati gjashtë muaj. Unë jam e lumtur që po kthehem në besimin e të parëve të mi. Tani ndihem serbe. Ka shumë njerëz në Shqipëri qe kanë origjinë serbe, dhe nuk e dinë, ose deri tani ata ishin të ndaluar ta dinin’’- tha Mira.

    Ndërsa dhëndri, Dejani, tha se Mira i ka thënë se do t’i lindë fëmijët e tyre si ortodoksë, në Kosovë.

    “Faleminderit Mira që pranove të bëhemi një. Edhe nëse Mira nuk do të kishte pranuar besimin tim, unë nuk do të isha zemëruar. Kjo ishe dëshira e saj. Kjo më tha mua- Unë dua t’i lind fëmijët e tu si ortodoksë në Kosovën tënde- dhe kjo më gëzoi shumë’’- tha serbi, Dejan.

    Këtë fjalim serbi e dha teksa kaloi pranë pengesave ku po qëndrojnë trupat e KFOR-it, pranë ndërtesës së komunës ku po qëndron kryetari i ri tash e 16 ditë.

  • Kastrati: Të arrestohen të gjithë ata që morën pjesë në sulmet në veri

    Kastrati: Të arrestohen të gjithë ata që morën pjesë në sulmet në veri

    Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, e vlerëson se situata në veri të vendit është e rëndë. Sipas tij, Policia e Kosovës nuk duhet të zmbrapset deri në arrestimin e të gjithë serbëve që kanë marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

    Në një intervistë për KosovaPress, gjeneral Kastrati thekson se duke marrë parasysh praninë e trupave paqeruajtëse, nuk pritet përshkallëzim i situatës pas aksionit të sotëm.

    “Situata në veri është mjaft e tensionuar, ka qenë të hënën e kaluar, para një jave e më tepër ka qenë shumë kritike sepse sipas disa informacione që kanë dalë, serbët kanë qenë të përgatitur edhe për të vrarë policë të Kosovës dhe KFOR-i ka pasur këto informacione dhe për këtë arsye ka dalë në vijë të parë, kur janë lënduar mbi 30 pjesëtarë të KFOR-it. Për këtë arsyeje sepse KFOR-i në situata të jashtëzakonshme ka edhe mision qe të jetë reagues i parë, të jetë përgjegjësi kryesor për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në gjithë territorin e Kosovës, e posaçërisht në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Është situatë mjaft e rëndë, Policia e Kosovës në asnjë moment nuk duhet të zmbrapset, që t’i arrestojë të gjithë ata që janë identifikuar që kanë marrë pjesë në sulmin e asaj të hëne”, thotë Kastrati.

    Kastrati shton se serbët në veri po rezistojnë ndaj aksioneve të Policisë me qëllim që mbrojnë kriminelët.

    “Çdo herë e kemi parë edhe në të kaluarën që çdo herë kur Policia e Kosovës është munduar që të shtrijë ligjin në gjithë territorin e Kosovës, e posaçërisht në atë pjesë, kanë hasur në rezistencë. Ata dalin dhe mbrojnë, sepse krimineli e mbron kriminelin. Dhe gjithë këta kriminelë kanë jetuar si në ‘bahqen e babës’, kanë bërë kontrabanda, janë marrë me gjithë ato sene që nuk janë ligjore për tu pasuruar dhe normalisht që atyre u prishet ajo rehati dhe ata kanë rezistuar çdo herë. Ata janë të përkrahur nga vet presidenti Vuçiq në Beograd dhe nga strukturat politike të Serbisë dhe janë të mbrojtur. Unë kam informacione që këtu kanë qenë të implikuar edhe njerëzit e BIA-s edhe ish-policisë që kanë eksperiencë të jashtëzakonshme në luftërat e ish-Jugosllavisë, kemi dy njerëz në burg, njeri ka qenë në luftë në Koshare, njëri ka qenë serb i Sllovenisë, tjetri serb i Bosnjës “, shton Kastrati.

    Sipas tij, nuk do të ketë përshkallëzim të situatës në komunat veriore, për shkak të pranisë së trupave paqeruajtëse.

    “Unë mendoj që nuk do të ketë përshkallëzim, kjo është e çastit, e momentit, është arrestuar një kriminel atje. KFOR-i e ka marrë shume seriozisht, i ka sjell 500 trupa të njësive elite të Turqisë, njësi me eksperiencë të jashtëzakonshme, sidomos në luftërat dhe konfliktet urbane. Ata do të stacionohen atje dhe një batalion rezervë është në gjendje gatishmërie që mund të vije kurdo që kërkohet”, përfundon ai.

    Ai kërkon nga institucionet që veprimet të jenë të koordinuara me KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

    Gjatë ditës së sotme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic- Llune. Gjatë arrestimit janë lënduar tre zyrtarë policor. /KP

  • Zvogëlohet numri i protestuesve por edhe i policisë në Mitrovicën e Veriut

    Zvogëlohet numri i protestuesve por edhe i policisë në Mitrovicën e Veriut

    Një pjesë e njësiteve të Policisë së Kosovës me autoblindat e tyre nga udhëkryqi në lagjen e boshnjakëve, përkatësisht rreth 300 metra larg protestuesve në Mitrovicën e Veriut, janë nis në drejtim të jugut të Mitrovicës. Ndërkohë, aty kanë mbetur një pjesë tjetër e pjesëtarëve të Policisë.

    Kjo lëvizje, siç raporton ekipi i KosovaPress-it, erdhi pas diskutimeve që kanë zgjatur rreth 5 minuta, në mes majorit të Policisë së Kosovës dhe kolonelit të KFOR-it amerikan.

    Një numër më i vogël i protestuesve po vazhdon të qëndrojë te udhëkryqi afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.

    Më herët, Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic- Llune.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës.

    “Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë”, shkruan ai.

    Menjëherë, serbët lëshuan alarmin dhe ishin me qindra që u tubuan afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.

    “Llune”, “tradhti”, Vuçiq peder”, ishin brohoritjet e tyre.

  • Petkoviq dënon aksionin policor në veri të Kosovës: Millenkoviq nuk është kriminel

    Petkoviq dënon aksionin policor në veri të Kosovës: Millenkoviq nuk është kriminel

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Millun Millenkoviq-Llune – i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës – nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

    Autoritetet kanë thënë se Millenkoviq ka qenë mbrapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, dy javë më parë.

    Petkoviq ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd se, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në vend që t’i ulë tensionet, ai po dërgon forca të reja policore në veri të Kosovës.

    Petkoviq i ka bërë thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe që t’i largojë forcat speciale nga veriu i Kosovës./rel

  • Ambasada gjermane mohon të ketë bojkotuar pritjen shtetërore nga Kurti dhe Osmani në Ditën e Çlirimit

    Ambasada gjermane mohon të ketë bojkotuar pritjen shtetërore nga Kurti dhe Osmani në Ditën e Çlirimit

    Ambasada gjermane në Prishtinë tha se “nuk kemi bojkotuar” pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenca dhe Kryeministria për Ditën e Çlirimit më 12 qershor.

    Më 12 qershor ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca dhe Britania e Madhe) nuk janë parë në ngjarjen e organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, për shënimin e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Kurse mediat në Kosovë kanë raportuar se ambasadorët e shteteve të QUINT-it e kanë bojkotuar këtë ngjarje.

    “Ambasada gjermane ka pranuar ftesë për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe zyrtarisht në të është përfaqësuar nga zëvendëskreu i misionit, siç ka ndodhur në shumë raste”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada gjermane në Prishtinë.

    Megjithatë, kjo ambasadë nuk pranoi të japë detaje se pse ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, nuk mori pjesë në pritjen zyrtare.

    Kjo mosmarrje pjesë e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në këtë ngjarje, vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Qeverisë së Kosovës të qetësojë situatën në veriun e banuar me shumicë serbe. Deri më tani, ekzekutivi në Kosovë nuk i ka plotësuar kërkesat e partnerëve të tij ndërkombëtarë.

  • Serbët në veri brohorasin kundër Vuçiqit dhe Listës Serbe

    Serbët në veri brohorasin kundër Vuçiqit dhe Listës Serbe

    Qytetarë serbë janë mbledhur në veri të Mitrovicës, pasi në mesditë u dëgjuan sirenat në atë zonë.

    Sirenat më vonë u ndalën, por qytetarët Akoma po qëndrojnë të mbledhur në një pjesë të Mitrovicës Veriore.

    Siç raporton medium serb “Kossev”, qytetarët janë dukshëm të pakënaqur me situatën dhe publikisht shprehin pakënaqësinë e tyre me Listën Serbe dhe brohorasin kundër presidentit serb, Aleksandër Vuciq.

    Këto zhvillime ndodhën pas arrestimit të një personi, për të cilin dha detaje Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    “Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, njoftoi Sveçla.

  • Pamje nga momenti kur sulmohet Policia e Kosovës në veri

    Pamje nga momenti kur sulmohet Policia e Kosovës në veri

    Policia e Kosovës është sulmuar sot në veri të vendit. Siç shihet në pamjet e siguruara nga ATV, vetura e zyrtarëve policorë së pari është bllokuar, dhe pastaj një person ka gjuajtur me gurë në pjesën e prapme të saj duke e thyer xhamin.

    Ndryshe sot në veri është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Milun Milenkoviq – Llune, për të cilin ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.

    Ministri i Brendshëm theksoi se gjatë arrestimit të tij, tre zyrtarë policorë janë lënduar lehtë.