ATV

Author: ATVLive

  • Osmani e pret në takim emisarin Sorensen

    Osmani e pret në takim emisarin Sorensen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim emisarin e BE-së për dialog, Peter Sorensen.

    Pas këtij takimi, Sorensen do të pritet edhe nga kryeministri Albin Kurti. Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

    Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut, në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje.

  • ​Rama: Kënaqësi zgjedhja e një shqiptari ndër më të mirët në krye të Kishës Ortodokse

    ​Rama: Kënaqësi zgjedhja e një shqiptari ndër më të mirët në krye të Kishës Ortodokse

    Hirësi Joan Pelushi të dielën u zgjodh Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan u bë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës, shkruan ATSH.

    Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik, përcjell KosovaPress.

    Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka uruar Hirësinë e Tij Joan Pelushi për zgjedhjen si Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare.

    Në një postim në rrjetet sociale Rama uron që Zoti ta mbrojë Hirësinë e Tij Pelushi e ta udhëzojë gjithnjë në misionin e Tij të udhërrëfyesit të grigjës së besimtarëve ortodoksë”.

    “Me kënaqësinë e rrallë të zgjedhjes së një shqiptari ndër më të mirët në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si edhe me urimin e posaçëm për Hirësinë e Tij, Kryepeshkopin Joan Pelushi, që Zoti ta mbrojë e ta udhëzojë gjithnjë në misionin e Tij të udhërrëfyesit të grigjës së besimtarëve ortodoksë”, shkruan Rama.

  • ​93 vjet nga vdekja e ish-kryeministrit të Shqipërisë

    ​93 vjet nga vdekja e ish-kryeministrit të Shqipërisë

    Iljaz Vrioni u lind në Berat në vitin 1882 dhe vdiq në Paris, më 17 mars 1932. Ai ishte latifondist, nëpunës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministër, disa herë ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.

    Për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhrin e lartë Grand Officier de la Legion d’Honneur, raporton KosovaPress.

    Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmin në Janinë, kurse shkollimin e lartë në shkollën e lartë të administratës në kryeqytetin e perandorisë, ku u diplomua më 1905.

    Më 1909 – 1911 shërbeu si kryebashkiak i Beratit. Më 1912 delegat i Kuvendit të Vlorës, ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. Më 1914 anëtar i delegacionit shqiptar që i dorëzoi kurorën Princ Vidit.

    Më 1914-1918 qëndroi në Korfuz ku e shoqja, Xhemile Dino, lindi djalin e tyre, Jusufin.

    Më 1920 ishte delegat i Beratit në Kongresin e Lushnjës, ku në qeverinë e dytë të dalë pas këtij Kongresi ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

    Iljaz Vrioni ishte gjetje kompromisi mes palëve, qeveritë e tij disamujore u përqendruan në politikën e jashtme për njohjen e plotë të pavarësisë së plotë të vendit, fqinjësinë e mirë. Në politikën e brendshme thirrja e organizatorëve të huaj për organizimin e degëve të administratës, planifikimin e të ardhurave, përparësia ndaj arsimit, hartimin e një projektligji për zgjedhjet parlamentare.

    Zgjidhet deputet i prefekturës së Dibrës 1921-1922, zëvendësohet më 1922, përcjellKosovaPress.

    Pas ndërhyrjes së ushtrive serbe më 1921, u krijua qeveria e dytë e tij në korrik si koalicion mes dy partive më të mëdha, Partisë Popullore dhe asaj Përparimtare – pjesë e së cilës ishte atë vit. Ambicia e disa njerëzve shkaktoi në tetor të po atij viti një interpelancë që rrëzoi qeverinë.

    Më 1923-1925 rizgjidhet deputet, tashmë i prefekturës së Beratit. Tashmë ishte përfaqësues i grupit indipendent. Emërohet në qeverinë Vërlaci, ministër i Jashtëm dhe më pas është kryeministër për dhjetë ditët para së të ndodhte Lëvizja e qershorit.

    Largohet nga Shqipëria, qeveria Noli e shpall në kërkim për arsye politike.

    Rikthehet me Triumfin e Legalitetit, shërben si ministër i Jashtëm në periudhën tranzitore prej dhjetorit 1924 gjer në janar të 1925 kur emërohet Imzot Gjergj Koleci.

    Rikthehet si ministër i Punëve të Jashtme që më 12 shkurt 1927 dhe deri më 18 prill 1929, në një periudhë brenda së cilës kryen edhe detyrën e ministrit të Drejtësisë. Nga 1929 e deri në 1932 ishte ministër fuqiplotë në Britani dhe Francë për së dyti pas periudhës 1925-1926. Ndërron jetë nga infarkti në Paris, ndërsa u varros në Berat.

    Në vitin 1946, regjimi do të zhvarroste eshtrat e ish-kryeministrit për t’i hedhur ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë pa varr.

  • ​33 vjet nga fillimi i vitit akademik në shtëpi

    ​33 vjet nga fillimi i vitit akademik në shtëpi

    Pas rreth 20 vjetëve punë të suksesshme të Universitetit të Prishtinës, vitet 1989-1990 shënuan fillimin e përpjekjeve të pandalshme serbe për ta shkatërruar arsimin e lartë në Kosovë, raporton KP.

    Me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në krye të Serbisë, një figurë ultranacionaliste e politikës serbomadhe, i cili nxiti kundër shqiptarëve politika nacional-shoviniste, së pari në mesin e serbëve të Kosovës, më pastaj edhe në Serbi e më gjerë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz, me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip. Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë.

    Gjendja në universitet erdhi duke u përkeqësuar, krahas gjendjes në gjithë Kosovën. Qendra universitare nuk ishte më streha e studentëve dhe as e profesorëve shqiptarë. Sapo u mbyll semestri veror i vitit akademik 1990/91, më 28 qershor 1991, në ditën e Vidovdanit, (festë fetare serbe) Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës.

    Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi.

    Më 21 gusht 1991, grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive, përcjell KosovaPress.

    Më 14 shkurt 1992 Universiteti i Prishtinës njofton se më datë 17 shkurt të po atij viti do të fillonte mësimi në nivelin universitar dhe kështu edhe ndodhi.

    Në vitin 2019 ka kaluar ligji për statusin e punëtorëve të arsimit, sipas të cilit mësimdhënësve që kanë punuar në sistemin arsimor 1990-‘99, u ofrohen benificione pas daljes në pension.

    Përveç mësimdhënësve, sipas ligjit edhe pronarët e shtëpive që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre, të shfrytëzohen si shkolla, do të gëzojnë benificione, si dhe punëtorët teknikë dhe shërbyes.

  • “Kështu e kërkon drejtësia”, Koci kërkon që Thaçit t’i lejohet pjesëmarrja në varrimin e babait

    “Kështu e kërkon drejtësia”, Koci kërkon që Thaçit t’i lejohet pjesëmarrja në varrimin e babait

    Avokati Arianit Koci ka reaguar duke theksuar se Hashim Thaçit i është refuzuar disa herë e drejta për ta vizituar babanë e tij në momentet e fundit të jetës.

    Një panel gjyqësor në Hagë nuk e ka marrë parasysh situatën dhe, përkundër kërkesave të përsëritura, ka vonuar lejen deri në momentin kur ishte tepër vonë.

    Sipas Kocit, kjo situatë bëhet edhe më e rëndë duke pasur parasysh se Thaçi ndodhet në një paraburgim të pafund në Hagë, mijëra kilometra larg vendit të tij. Ai thekson se drejtësia nuk është vetëm procedurë dhe rregull, por edhe ndjeshmëri.

    “Tani nuk ka më justifikime. Duhet t’i jepet leja për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Kështu e do humanizmi. Kështu e kërkon drejtësia”, ka shkruar Koci.

    Lajmi për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit ka prekur shumë qytetarë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Hashim Thaçit do t’i mundësohet të jetë pranë familjes në këtë moment të dhimbshëm.

    “Prehu në paqe, Haxhi Thaçi. E vërteta mund të vonojë – por nuk humb kurrë”, shkroi ndër të tjerash.

  • 21 vjet nga revolta kundër UNMIK-ut

    21 vjet nga revolta kundër UNMIK-ut

    Njëzetenjë vjet më parë, shpërtheu revolta popullore kundër UNMIK-ut.

    Pas përfundimit të luftës në qershor 1999, në Kosovë instalohet misioni i OKB-së, i cili lejoi krijimin e strukturave paralele serbe dhe ndikoi në ngulfatjen e ekonomisë së Kosovës.

    Kështu më 17 mars 2004, filluan trazirat që më vonë janë përfolur shumë si “Trazirat e marsit”. Këto trazira filluan pasi që dy fëmijë shqiptar në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër.

    Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona po atë natë treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbët dhe duke ikur dy fëmijë kishin humbur jetën në lum. Gjatë këtyre trazirave u vranë 19 persona, prej tyre ishin 12 shqiptarë.

  • Çmimi i rrymës pritet të rritet 15 për qind, publikohen raportet konsultative për të hyrat maksimale të lejuara

    Çmimi i rrymës pritet të rritet 15 për qind, publikohen raportet konsultative për të hyrat maksimale të lejuara

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka publikuar raportet konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU).

    Sipas ZRRE-së, bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%.

    “Raportet konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat”, thuhet në njoftim.

    Më tej në njoftim thuhet se ZRRE-ja e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.

    “Në këtë kuadër, ZRRE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Komentet mund të dërgohen deri në datën 28 mars 2025”, thuhet në njoftim.

    Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) për shtrenjtimin e çmimit të rrymës për 15 për qind nga muaji prill, ka ngjallur reagime të shumta.

    Me sloganin “Asnjë cent më shumë”, në rrjete sociale, ka nisur një fushatë për të kundërshtuar propozimin e ZRRE-së, për ngritje të çmimit të rrymës.

    Në njoftimin e ZRRE-së thuhet se ky publikim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe ka për qëllim të sigurojë mundësinë për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë proces të rëndësishëm.

  • Kryeparlamentari Konjufca ngushëlloi me rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit

    Kryeparlamentari Konjufca ngushëlloi me rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ngushëlloi me rastin e ndarjes nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish- presidentit Hashim Thaçi.

    “Me pikëllim mora lajmin se u nda nga jeta Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të cilët humbën të dashurin e tyre! Qëndrojmë pranë tyre në këto momente dhimbjeje!

    Edhe pse Haxhi Thaçi nuk është më në këtë jetë, ai do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas, në zemrat e atyre që e patën pranë dhe ndanë jetën me të.

    U prehtë në paqe!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Konjufca.

  • Haradinaj reagon për vdekjen e Haxhi Thaçit: Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet edhe me mungesën e Hashimit

    Haradinaj reagon për vdekjen e Haxhi Thaçit: Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet edhe me mungesën e Hashimit

    Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime familjes Thaçi për vdekjen e Haxhi Thaçit- babait të ish presidentit Hashim Thaçi.

    Haradinaj ka thënë se Haxhi Thaçi e ka mbyllur jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash dhe shton se ndarja e tij vjen në një moment edhe më të rëndë për familjen Thaçi.

    Ai thotë se në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet edhe me mungesën e Hashim Thaçit.

    “Lajm i hidhur ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit, babait të luftëtarit të orëve të para, bashkëluftëtarit tim dhe ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Baca Haxhi e mbylli jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash, por ndarja e tij vjen në një moment edhe më të rëndë për familjen Thaçi. Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet jo vetëm me humbjen e njeriut të tyre të dashur, por edhe me mungesën e Hashimit, i cili, me bashkëluftëtarët e tjerë, po mbron luftën e shenjtë të UÇK-së në Hagë. Në këtë moment dhimbjeje, jam pranë mikut dhe bashkëluftëtarit tim Hashimit dhe mbarë familjes Thaçi. Zoti ju forcoftë!”

  • Maqedonia e Veriut mban zi për tragjedinë në klubin e natës ku vdiqën 59 të rinj

    Maqedonia e Veriut mban zi për tragjedinë në klubin e natës ku vdiqën 59 të rinj

    Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate. Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.

    Mbi 155 persona janë shtruar në spitale – kryesisht në klinikat e Shkupit.

    Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie.

    Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se objekti ku ka ndodhur tragjedia kishte licencë të falsifikuar, e cila ishte lëshuar në mars të vitit të kaluar.

    Ai ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.

    Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.

    Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë në mbajtje policore.

    Në mesin e të vdekurve është edhe një zyrtar policor, i cili ishte pjesë e operacionit për të kryer kontrolle në klube nate dhe biznese hotelerie në disa lokacione të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.