ATV

Author: ATVLive

  • ​Nesër varroset babai i Hashim Thaçit

    ​Nesër varroset babai i Hashim Thaçit

    Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, do të mbahet të martën, njoftoi Komuna e Skenderajt.

    Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Ende nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur nga Haga në Kosovë.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    Fillimisht, sipas njoftimit të komunës, do të bëhen homazhe pranë arkivolit në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, nga ora 09:00 deri në 12:00.

    Më pas, aty do të mbahet mbledhje komemorative, në orën 12:00

    Ndërkaq, varrimi do të mbahet në orën 15:00 në varrezat e reja të fshatit Burojë.

    Në njoftim thuhet se e pamja e familjes Thaçi do të mbahet më 19 dhe 20 mars në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

    “Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Thaçi dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar jetën dhe veprën e të ndjerit Haxhi Thaçi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

    Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.

    Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.

    Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

    Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

    Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.

    Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

    Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

  • ​FSK-ja filloi operacionet e deminimit

    ​FSK-ja filloi operacionet e deminimit

    Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës filloi të hënën operacionin humanitar për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave,.

    Kjo sipas FSK-së, po bëhet me qëllim të pastrimit dhe sigurimit të zonave të caktuara nga mjetet e pashpërthyera.

    “Gjatë këtij viti, njësitë e deminimit do jenë të angazhuara në pastrimin e tri lokacioneve në territorin e Republikës së Kosovës: në fshatrat Muradem dhe Maja e Cvilenit të komunës së Prizrenit si dhe në Parkun e Lirisë në Ferizaj dhe gjithashtu do të ofrojnë kujdestari 24/7 për largimin e mjeteve të pashpërthyera që mund të hasen nga qytetarët”, tha FSK-ja në një njoftim në Facebook.

    Këto operacione janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të FSK-së për të garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit./KP

  • ​Përsëri në cash: Jeta pa para në xhep nuk është utopia që Suedia shpresonte

    ​Përsëri në cash: Jeta pa para në xhep nuk është utopia që Suedia shpresonte

    Në vitin 2018, një ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Suedisë parashikoi se vendi do të ishte pa para të gatshme deri në 2025. Shtatë vjet më vonë, ky parashikim është pothuajse realizuar—vetëm 1 në 10 blerje bëhet me para të gatshme, ndërsa kartat dhe sistemi i pagesave mobile Swish dominojnë.

    Suedia dhe Norvegjia kanë qarkullimin më të ulët të parasë së gatshme si përqindje e PBB-së në botë. Megjithatë, pasiguria globale—lufta në Evropë, paqëndrueshmëria në SHBA dhe kërcënimet ruse—po e bëjnë shoqërinë pa para të gatshme më pak ideale, shkruan the Guardian.

    Autoritetet tani po i nxisin qytetarët të mbajnë para të gatshme për emergjenca. Në nëntor, Ministria e Mbrojtjes e Suedisë u dërgoi qytetarëve një broshurë duke i këshilluar të përdorin dhe të ruajnë para të gatshme për të paktën një javë. Banka Qendrore thekson rëndësinë e gatishmërisë financiare dhe mbështet politikat që kërkojnë nga disa biznese të pranojnë para të gatshme, përcjell KosovaPress.

    Edhe Norvegjia ka ndryshuar kurs, duke vendosur gjoba për shitësit që refuzojnë paratë e gatshme dhe duke rekomanduar qytetarëve të mbajnë para fizike për shkak të rrezikut të sulmeve kibernetike.

    Megjithëse janë ndër shoqëritë më pa para “cash” në botë, Suedia dhe Norvegjia ende mbështeten te paraja e gatshme për emergjenca.

  • ​Mbi 50 të vdekur nga sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen, sipas Huthëve

    ​Mbi 50 të vdekur nga sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen, sipas Huthëve

    Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen është rritur në 53, përfshirë pesë fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Huthëve.

    SHBA-ja tha se sulmet ishin një përgjigje ndaj sulmeve të Huthëve që iu bënë anijeve në Detin e Kuq. Uashingtoni pretendon se disa figura kyçe të Huthëve u vranë, por grupi nuk e ka konfirmuar, raporton BBC.

    Lideri i Huthëve, Abdul Malik al-Houthi, paralajmëroi sulme ndaj anijeve amerikane në Detin e Kuq si hakmarrje. Huthët raportuan gjithashtu sulme të reja amerikane në Al Jaouf dhe Hudaydah të hënën.

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Michael Waltz, tha se sulmet synonin liderët e Huthëve. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, premtoi një fushatë të pamëshirshme deri sa sulmet e Huthëve të ndalojnë, përcjellë KosovaPress.

    Huthët thonë se do të vazhdojnë sulmet ndaj anijeve derisa Izraeli të heqë bllokadën e Gazës. Ata janë të mbështetur nga Irani, por nuk janë qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit.

    Presidenti Trump tha se SHBA-ja do të përdorë “forcë shkatërruese” kundër Huthëve.

    Irani kritikon sulmet e SHBA-së, ndërsa OKB-ja bëri thirrje për përmbajtje dhe ndalim të luftimeve.

  • Grabitja në Prishtinë me një i plagosur – Dyshohet se kjo është vetura e grabitësve

    Grabitja në Prishtinë me një i plagosur – Dyshohet se kjo është vetura e grabitësve

    Një person ka mbetur i plagosur gjatë një grabitjeje të armatosur në lagjen Veternik të Prishtinës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30, ku sipas Policisë, viktima u plagos gjatë një sulmi ndaj një furgoni që transportonte para.

    Në pamjet e siguruara nga ATV, shihet një veturë e djegur në periferi të Veternikut, për të cilën dyshohet se mund të jetë e grabitësve.

    Megjithatë, ende nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet.

    I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ku mjekët kanë konfirmuar se po kryhen ekzaminimet e nevojshme për ndërhyrje kirurgjike. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit.

  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë për protestat për Demokraci dhe Drejtësi në Serbi: Mbështetja e stabilitetit në kurriz të demokracisë është një qasje dritëshkurtër

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë për protestat për Demokraci dhe Drejtësi në Serbi: Mbështetja e stabilitetit në kurriz të demokracisë është një qasje dritëshkurtër

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i konsideron protestat e vazhdueshme të studentëve dhe qytetarëve serbë, të cilët me guxim po reagojnë kundër korrupsionit, autokracisë dhe gërryerjes së vlerave demokratike, si demonstrim i zhgënjimit të një populli që kërkon llogaridhënie, transparencë dhe respektim të të drejtave themelore, vlera që janë themeli i çdo shoqërie demokratike.

    Historia ka treguar se kur njerëzit dalin në rrugë në protestë, ata e bëjnë këtë për një arsye.

    Zërat e tyre nuk duhet të shpërfillen, shtypen apo injorohen. E drejta për tubim dhe shprehje paqësore është një gur themeli i demokracisë dhe ne qëndrojmë me vendosmëri me të gjithë ata që luftojnë për drejtësi, barazi dhe një qeveri që u shërben qytetarëve të saj në vend që të sundojë mbi ta.

    KASH shpreh shqetësimin e saj të thellë për reagimin represiv dhe absurd të autoriteteve serbe, si nga institucionet politike ashtu edhe nga organet ligjzbatuese.

    Këshilli qëndron në solidaritet me të gjithë individët dhe lëvizjet që mbrojnë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Aspiratat e popullit nuk duhet të adresohen me represion, por me dialog, reformë dhe përkushtim për një shoqëri të drejtë dhe demokratike.

    Për më tepër, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje të gjitha qeverive në rajon që t’u kushtojnë vëmendje këtyre protestave si një kujtesë për detyrën e tyre për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e popullit të tyre.

    Është e papranueshme për çdo lidership që të heshtë disidencën, të shpërfillë kërkesat publike ose të dobësojë institucionet demokratike në favor të sundimit autoritar. Komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë vigjilent dhe të mbështesë aktivisht ata që kërkojnë një të ardhme të përcaktuar nga liria, integriteti dhe qeverisja e vërtetë demokratike.

    Mbështetja e stabilokracisë në kurriz të demokracisë është një qasje shumë dritëshkurtër.

  • Foda për përballjet me Islandën: Gjasat 50 me 50, e rëndësishme ta fitojmë lojën e parë

    Foda për përballjet me Islandën: Gjasat 50 me 50, e rëndësishme ta fitojmë lojën e parë

    Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda i ka komentuar dy ndeshjet e këtij muaji ndaj Islandës, të vlefshme për “play-off”-in e Ligës së Kombeve, raporton EO.

    Dardanët do të grumbullohen sot, ndërsa do të ushtrojnë në ditët në vazhdim para duelit të parë me islandezët, i cili do të luhet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    E loja e kthimit më pas do të luhet të dielën në Murcia të Spanjës.

    Verdhekaltrit synojnë të dalin triumfues ndaj Islandës për ta siguruar kështu inkuadrimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Por, Foda nuk do të mundë të llogarisë në dy lojtarë të rëndësishëm siç janë Amir Rrahmani dhe Edon Zhegrova, të cilët janë të lënduar.

    Sidoqoftë, ai po mundohet ta ndërtojë një ekip solid për t’iu bërë ballë islandezëve.

    “I kemi disa mungesa, tani duhet të gjejmë zgjedhje të reja. E kemi studiuar Islandën, është intensive, agresive, ka lojtarë të mirë. Shpresoj shumë që të fitojmë në shtëpi. Duhet të bëjmë intensitet të shtuar në lojë dhe ta zbatojmë lojën tonë.”

    “Islanda është një kundërshtar i fuqishëm, shanset janë 50 me 50. Nëse fitojmë në shtëpi, do ta kemi një përparësi. Është e rëndësishme të kemi paraqitje të mirë në fushë, të paraqitemi si ekip i përbashkët, të tregojmë mendësi të fortë, ta përkrahim njëri-tjetrin në fushë dhe kështu mund të arrihet deri tek fitorja.”

  • Sorensen: Do të shkoj edhe në Beograd dhe do të vlerësoj se ku jemi, dialogu është pikërisht për kompromise

    Sorensen: Do të shkoj edhe në Beograd dhe do të vlerësoj se ku jemi, dialogu është pikërisht për kompromise

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka theksuar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti është diskutuar për mënyrat e avancimit të procesit të dialogut, raporton EO.

    Ai e ka cilësuar këtë si një “fillim të mirë”. Pas takimit, Sorensen ka deklaruar në një deklaratë të shkurtër për mediat se procesi i dialogut ka sjellë shumë zhvillime që kërkojnë përpjekje për të punuar mbi to.

    “Kemi pasur një bisedë rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara, kështu që është një fillim i mirë. Qëllimi, sigurisht, është që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara”, ka thënë Sorensen.

    Ai tha se do të shkojë edhe në Beograd dhe sapo t’i zhvillojë bisedat e para me liderët, do të ulet dhe “të vlerësoj ku jemi”.

    Sorensen tha se zgjodhi të vijë në Kosovë sa më shpejt, ndërsa i pyetur edhe lidhur me mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, tha se duhet punuar “për t’u siguruar që njerëzit t’i marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme”. “Dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë”, shtoi ai.

    Diplomati danez tha se “u takon palëve ta përcaktojnë” nëse nevojitem kompromise apo jo, por shtoi se “dialogu është pikërisht për këtë dhe këtë e kemi bërë që nga viti 2011”.

  • Kurti i shpreh ngushëllime familjes Thaçi

    Kurti i shpreh ngushëllime familjes Thaçi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një letër ngushëllimi, në emër të Qeverisë dhe të tij, ka ngushëlluar familjen Thaçi për humbjen e më të dashurit të tyre, Haxhi Thaçit.

    Për të ndjerin, kryeministri u shpreh se do të kujtohet gjithmonë për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin.

    “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes suaj dhe miqve të ish-presidentit Hashim Thaçi”, thuhet në letër ngushëllim.

  • Grabitje në Prishtinë, një i plagosur

    Grabitje në Prishtinë, një i plagosur

    Një person ka mbetur i plagosur gjatë një grabitjeje të armatosur që ka ndodhur në lagjen “Veternik” në Prishtinë.

    Sipas Policisë rasti ka ndodhur rreth orës 10:30.

    “Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen ‘Veternik’ në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Personi i plagosur është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë thuhet se janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

    Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë njoftuar se personit të plagosur me armë zjarri janë duke iu kryer ekzaminimet.

    “Një pacient, F. A., sillet në Qendrën Klinike Emergjente të QKUK-së, si pasojë e plagosjes me armë zjarri. Ekipi mjekësor është duke kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritët të intervenohet në sallën e operacionit në Qendrën Emergjente nga ekipet e anestezionit dhe kirurgjisë”, ka njoftuar QKUK-ja.