ATV

Author: ATVLive

  • Iu vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

    Iu vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ua kanë vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Vendimi është marrë më 13 mars 2025, nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Për të dy të akuzuarit, paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se nuk ka mjaftueshëm informacione se ata mund të ikin nga drejtësia, mirëpo ekziston rreziku që ata të pengojë zhvillimin e procedurave të DhSK-së, si dhe të kryejnë krime të tjera.

    Këto krime, sipas gjyqtarëvec ka rrezik të kryhen ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë dëshmi gjatë ditëve në vijim.

    Andaj, paneli ka konstatuar se asnjë prej kushteve alternative nuk mund të zbusin rreziqet ekzistuese përveçse ai i paraburgimit në objektet e DhSK-së.

    ZPS-ja për Krasniqin dhe Selimin ka parashtruar se duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi ndaj tyre mbetet i arsyeshëm.Po ashtu, edhe Paneli ka vlerësuar se ky rast është i ndërlikuar duke marrë parasysh natyrën e akuzave si dhe dënimet e mundshme e po ashtu edhe rreziqet e vazhdueshme për pengim të drejtësisë. Andaj, si rrjedhojë ka gjetur se paraburgimi ndaj Krasniqit dhe Selimit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm për shkak të rrethanave specifike të rastit.

  • Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova meriton trajtim të barabartë në dialog

    Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova meriton trajtim të barabartë në dialog

    Presidentja Vjosa Osmani pas takimit më të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vlerësoi se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së. Ajo shtoi se masat e BE-së ndaj Kosovës po e dëmtojnë balancën në dialog.

    Presidentja Osmani tha se në takim kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës.

    “Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancin e nevojshëm në dialog”, shkroi presidentja Osmani.

  • ​Ndërroi jetë shoferi i ambulancës që shpëtoi jetë nga zjarri në Koçan

    ​Ndërroi jetë shoferi i ambulancës që shpëtoi jetë nga zjarri në Koçan

    Shoferi i ambulancës që kaloi natën duke transportuar të lënduar nga zjarri shkatërrues në klubin e natës në Koçan ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, raporton Alsat.mk.

    Ile Gocevskit sot në mëngjes i japin lamtumirën e fundit kolegët dhe punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Koçanit.

    Gocevski ishte shofer i ambulancës për një kohë të gjatë në Koçan, i cili vdiq mbrëmë pasi shkoi në shtëpi për të pushuar pas një dite të vështirë dhe të gjatë duke transportuar persona të lënduar nga zjarri, por nuk u zgjua.

    Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm në Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie.

    Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.

    Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN, përcjell KosovaPress.

  • ​Sorensen në takim me Kurtin, nuk dihet nëse do të deklarohet për media

    ​Sorensen në takim me Kurtin, nuk dihet nëse do të deklarohet për media

    Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka mbërritur në objektin e qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin Albin Kurti, raporton KP.

    Sorensen pas takimit me Kurtin do ketë takim të veçantë edhe me kryenegociatorin kosovar për dialog, Besnik Bislimi.

    Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm në hyrje të objektit, derisa nuk dihet nëse Sorensen do të deklarohet për media pas përfundimit të takimeve.

    Emisari i BE-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 19 mars. Kjo është vizita e tij e parë në vend prej kur ka marrë detyrën më 1 shkurt.

    Ai është pasues i ish emisarit Miroslav Lajçak.

  • Varrimi i Haxhi Thaçit nesër në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt

    Varrimi i Haxhi Thaçit nesër në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt

    Komuna e Skenderajt njoftoi se varrimi i Haxhi Thaçi, babait të ish – presidentit Hashim Thaçi, do të bëhet nesër të martën më 18 mars 2025, në orën 15.00 në varrezat e reja të fshatit Burojë të Skenderajt.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    “Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Thaçi dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar jetën dhe veprën e të ndjerit Haxhi Thaçi”, thuhet në njoftimin e komunës së Skenderajt.

  • ​A do t’i lejohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait?

    ​A do t’i lejohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait?

    Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vdekur të dielën në orët e vona.

    Ende nuk dihet se kur do të mbahet ceremonia e varrimit të tij, njësoj siç nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur në Kosovë.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

    Gjykata tha se “të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të KSK-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të KSK-së”.

    Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton kp.

    Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.

    Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

    Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

    Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.

    Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

    Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

  • Tragjedia në Koçan, shtyhet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor

    Tragjedia në Koçan, shtyhet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka njoftuar se është shtyrë takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, që ishte paraparë të mbahej në Shkup.

    Kjo si shkak i tragjedisë që ndodhi të dielën në Maqedoninë e Veriut, ku vdiqën 59 persona dhe 155 u lënduan.

    Ngjarja ka ndodhur si rezultat i shpërthimit të zjarrit brenda një diskoteke në Koçan.

    Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, do të mbahej më 19 dhe 20 mars në kryeqendrën maqedonase, por u anulua për shkak të fatkeqësisë.

  • ​OVL-UÇK ngushëllon familjen Thaçi: Dhimbja bëhet më e rëndë për shkak të padrejtësisë ndaj Hashimit

    ​OVL-UÇK ngushëllon familjen Thaçi: Dhimbja bëhet më e rëndë për shkak të padrejtësisë ndaj Hashimit

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur ngushëllime për vdekjen e babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, shkruan KP.

    “Haxhi Thaçi do te kujtohet si njeri mirë, i urtë, i ndershëm dhe i respektuar. Si baba i përkushtuar, qe rriti dhe edukoi fëmijë me vlera të larta, si ish presidentin Hashim Thaçi, i cili si Drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, dha një kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera organizata në telegramin e ngushëllimit.

    Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KP.

    Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.

    “E dimë që dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak të padrejtësisë që po i bëhet Hashimit në Hagë, duke e penguar që të ishte pranë babait sa ishte i sëmurë dhe sot që të jetë pranë familjes dhe t’i jap lamtumirën e fundit babait te tij”, ka shkruar OVL-UÇK të hënën.

    Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

    Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

    Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.

    Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

    Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

  • Të akuzuarit për spiunazh nuk e pranojnë fajësinë, Muharrem Qerimi e pranon vetëm atë për armëmbajtje pa leje

    Të akuzuarit për spiunazh nuk e pranojnë fajësinë, Muharrem Qerimi e pranon vetëm atë për armëmbajtje pa leje

    Asnjëri nga të dyshuarit për spiunazh Besdri Shabani e Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajësinë.

    Dy kosovarët që akuzohen për spiunazh, në seancën e sotme kanë mohuar çdo akuzë që rëndon mbi ta.

    “Plotësisht jam i pafajshëm”, deklaroi Shabani.

    Kurse, i akuzuari Qerimi e pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

    “Nuk e pranoj për veprën penale të spiunazhit, e për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, tha ai.

    Prokurorja Fikrije Fejzullahu kërkoi që pranimi i fajësisë për veprën e armëmbajtjes pa leje t’i aprovohet Qerimit.

    “Sepse është në përputhje me dispozitat procedurale pasi që nga fillimi ka pasur mbrojtje dhe mjaftueshëm është konsultu dhe se është në përputhje të plotë edhe me provat materiale”, tha prokurorja.

    Edhe mbrojtësi i Qerimit, avokati Betim Shala tha se pajtohen me pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje nga Qerimi pasi bazohet në provat materiale në shkresat e lëndës dhe bëhet pas konsultimit praprak.

    Kështu, avokati i propozoi Gjykatës që t’i aprovohet pranimi i fajësisë Qerimit.

  • Gjermania premton 300 milionë euro ndihmë për Sirinë në konferencën e BE-së

    Gjermania premton 300 milionë euro ndihmë për Sirinë në konferencën e BE-së

    Gjermania është zotuar për 300 milionë euros ndihmë shtesë për sirianët përmes Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të përzgjedhura, tha të hënën ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, para një konference donatorësh të udhëhequr nga BE-ja në Bruksel.

    Më shumë se gjysma e fondeve të ofruara do të jenë për njerëzit në Siri. Ato do të zbatohen pa përfshirjen e qeverisë kalimtare, bëri të ditur kryediplomatja gjermane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Fondet do të ndahen për ofrim të ushqimit, shërbimeve shëndetësore e strehimoreve urgjente, si dhe për masa mbrojtëse për njerëzit që janë posaçërisht të ndjeshëm, sipas Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

    Zonja Baerbock shtoi se nga kjo ndihmë do të përfitojnë edhe refugjatët sirianë dhe komunitetet mikpritëse të tyre në Jordani, Liban, Irak e Turqi.

    Ministrja gjermane e përsëriti nevojën për një proces politik gjithëpërfshirës në mënyrë që të sigurohet një e ardhme paqësore për Sirinë.

    “Si evropianë, ne qëndrojmë së bashku për popullin e Sirisë, për një Siri të lirë e paqësore” – tha ajo.

    Baerbock gjithashtu bëri thirrje që qeveria kalimtare siriane ta hetojë vrasjen e qindra civilëve në fshatra të komunitetit Alawite dhe t’i mbajë përgjegjës ata që qëndrojnë prapa vrasjeve.

    Një grup vëzhgues ka thënë se mbi 1.000 njerëz janë vrarë nga përleshjet e dhunshme që zgjatën disa ditë këtë muaj në rajonin bregdetar mes forcave qeveritare e besnikëve të ish-presidentit Bashar al-Assad./Nacionale