ATV

Author: ATVLive

  • ​Obiliq, arrestohet një person i dyshuar për dhunë në familje

    ​Obiliq, arrestohet një person i dyshuar për dhunë në familje

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet të ketë sulmuar fizikisht viktimën femër, më të cilën ishte duke bashkëjetuar. Ngjarja ka ndodhur të hënën ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    Sipas njoftimit të Policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor si dhe mundësia për strehim.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, i është ofruar mundësia për strehim, por e njëjta ka refuzuar dhe ka shkuar tek motra e saj. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

  • ​Policia e Kosovës parandaloi dy raste të kontrabandimit me mallra

    ​Policia e Kosovës parandaloi dy raste të kontrabandimit me mallra

    Në kuadër të planit operacional të Task Forcës, në zonën kufitare “Lindje”, Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka bërë parandalimin e kontrabandimit me mallra.

    Policia ka njoftuar se pas mesnate, në hyrje të fshatit Pasjan janë ndaluar dy vetura me targa të Serbisë në të cilat janë gjetur qindra shishe me pije alkoolike.

    “Me datën 27.06.2023 rreth orës 00:25 në hyrje të fshatit Pasjan është ndaluar vetura Mercedes me targa të Serbisë, e drejtuar nga i dyshuari M. S., si dhe vetura tjetër po ashtu Mercedes me targa të Serbisë e drejtuar nga i dyshuari Z. I. Gjatë kontrollit tek vetura e parë janë gjetur dhe janë konfiskuar 35 arka x 20 shishe pije alkoolike, kurse tek vetura e dytë gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë konfiskuar gjithashtu 29 arka x 20 shishe pije alkoolike”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Në konsultim me prokurorin kujdestar, malli i konfiskuar është përcjellë në terminalin doganor, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësiti kompetent.

  • Bie eksporti i Kosovës, thellohet deficiti tregtar për 20.5%

    Bie eksporti i Kosovës, thellohet deficiti tregtar për 20.5%

    Eksporti i mallrave në muajin maj 2023 kishte vlerën jo më shumë se 74.7 milionë euro, ndërsa importi 518.1 milion euro, dhe është një rënie prej 1.6% për eksport si dhe një rritje (16.7%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për 20.5% në muajin maj 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 443,3 milion euro krahasuar me deficitin 367,8 milion euro në vitin 2022.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti mbulon importin vetëm 14.4%.

    Në raportin e fundit të ASK-së thuhet se eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 33,1 milion euro, ose (44.3%) të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (6.9%).

    “Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Shqipëria (15.3%), Maqedonia (14.8%), Serbia (6.9%), Mali i zi (5.9%)”, thuhet në raport.

    Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin maj 2023, arritën në 96.8 milion euro, ose 18.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 16.9%.

    “Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.8%), Serbia (5.3%), Maqedonia (5.2%)”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • ​Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    ​Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

    Samiti do të mbahet në Podgoricë të Malit të Zi ndërsa Osmani ka udhëtuar atje për t’iu bashkuar krerëve të 13 shteteve në bisedimet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit.

    “Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, ka njoftuar Zyra e Presidentes.

  • Burg i përjetshëm për kosovaren në Gjermani: E përvëloi vajzën e saj dhe se dërgoi te mjeku, vdiq pas 12 ditësh

    Burg i përjetshëm për kosovaren në Gjermani: E përvëloi vajzën e saj dhe se dërgoi te mjeku, vdiq pas 12 ditësh

    Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar atë te mjeku. Kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet

    Pas vdekjes së vajzës së saj katërvjeçare, një 25-vjeçare është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me mosveprim, shkruan dpa.de. Gjykata e Landit në Verden (Saksonia e Ulët) e ka konstatuar të hënën si të provuar faktin se e akuzuara ka vepruar nga lakmia.

    Në gusht të vitit 2022, ajo kishte larëqëllimisht të bijën në apartamentin e saj në Grasberg afër Bremenit me ujë aq të nxehtë sa fëmija pësoi djegie me rrezik për jetën, transmeton albinfo.ch. Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar të bijën fare te mjeku.

    Kishte vepruar kështu pasi kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet.

    Kosovarja, e lindur në Gjermani, e ka trajtuar fëmijën “krejtësisht në mënyrë joadekuate”, duke e lyer me pomadë dhe fasha. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se katërvjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo “e kishte lënë atë në fatin e saj” dhe më në fund ka pranuar edhe mundësinë për vdekjen e saj.

    Vajza ka vdekur dymbëdhjetë ditë pas përvëlimit. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë, ka thënë kryetari i trupit gjykues. Fëmija ka vuajtur në mënyrë “të pabesueshme”.

    Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza, përcjell albinfo.ch. Gjykata nuk e beson këtë pretendim, sepse ashpërsia e plagëve duhet ta ketë bërë të qartë se çfarë mundimi ka pësuar fëmija.

  • Aksident me vdekje në Rrugën e Kombit, autobusi me targa të Kosovës përplas një person me biçikletë

    Aksident me vdekje në Rrugën e Kombit, autobusi me targa të Kosovës përplas një person me biçikletë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Rrugën e Kombit në afërsi të Rubikut ku një autobus me targa të Kosovës ka përplasur për vdekje një person që lëvizte me biçikletë.

    Sipas Report Tv ende nuk dihet identiteti i personit që humbi jetën.

    Në vendngjarje ka mbërritur policia e cila ka rrethuar zonën ku ndodhi aksidenti tragjik. Ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

  • ​Kërkohet drejtësi për viktimat e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

    ​Kërkohet drejtësi për viktimat e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

    Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” e ka kujtuar 79 vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

    Në reagim është theksuar se kjo është një prej tragjedive më të rënda që ka përjetuar populli shqiptar.

    “Sot, më 27 qershor, përkujtojmë njërën nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar populli shqiptar: 79-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve autoktonë të Çamërisë. Fatkeqësisht edhe në vigjilje të përmbylljes së dekadës së tetë nga koha e kryerjes së këtij krimi të shëmtuar, drejtësia nuk ka ngadhënjyer”, është theksuar në komunikatën e kësaj qendre.

    Tutje, është deklaruar se pa zgjidhjen e kësaj çështje, gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë do të mbetët plagë e hapur.

    “Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” konsideron se është në përgjegjësinë e diplomacisë shqiptare dhe institucioneve shkencore që të mobilizojnë të gjitha energjitë e nevojshme që çështja e “Gjenocidit çam” të vihet në rend të ditën për zgjidhje! Pa zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje, gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë do të mbetet plagë e hapur”, është thënë në deklaratën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”./KP

  • Imami Mehas Alija uron komunitetin shqiptar në Zvicër për festën e Kurban Bajramit me mesazhe paqeje

    Imami Mehas Alija uron komunitetin shqiptar në Zvicër për festën e Kurban Bajramit me mesazhe paqeje

    Komuniteti mysliman shqiptar në Zvicër (KMSHZ) njofton të gjithë besimtarët e fesë islame të këtij komuniteti që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër se dita e parë e Kurban-Bajramit është të mërkurën, më 28 qershor 2023.

    Me këtë rast, imami shqiptar Prof.Mehas Alija, u ka uruar festën të gjithë besimtarëve me mesazhe paqeje.

    “Këto ditë festive dhe adhurimi na sjellin bashkë në një atmosferë gëzimi dhe harmonie, duke na rikujtuar rëndësinë e sakrificës dhe të përkushtimit në jetën tonë. Përmes veprave të mira dhe përpjekjeve tona për të ndihmuar të tjerët, ne tregojmë dashurinë dhe mirënjohjen tonë për hir të Zotit të Gjithësisë”, thuhet në urimin e tij.

    Mesazhi i plotë i imamit Mehas Alija për festën e Kurban Bajramit:

    Të respektuar besimtarë!

    Gjendemi në ditët më të mira të vitit, në prag të festës së madhe që karakterizohet me dy adhurime të veçanta: Vizitën e Qabesë – Haxhin dhe therjen e kurbanëve.

    Këto ditë festive dhe adhurimi na sjellin bashkë në një atmosferë gëzimi dhe harmonie, duke na rikujtuar rëndësinë e sakrificës dhe të përkushtimit në jetën tonë.

    Përmes veprave të mira dhe përpjekjeve tona për të ndihmuar të tjerët, ne tregojmë dashurinë dhe mirënjohjen tonë për hir të Zotit të Gjithësisë.

    Ditët e Bajramit le të bëhen shkak që të kemi në fokus dashurinë dhe paqen ndërmjet nesh dhe te të gjithë të tjerët me të cilët bashkëjetojmë. Le të përqendrohemi në vlerat që na bëjnë njerëz të mirë dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Të kujtojmë gjithmonë se me një veprim të mirë, me një fjalë inkurajuese dhe me dorën e ndihmës, mund të ndërtojmë një botë më të mirë, më paqësore, për të gjithë ne.

    Urime të përzemërta për festën e Kurban-Bajramit! Të gjitha bekimet dhe gëzimet e kësaj feste qofshin pjesë e jetës suaj!

    Shpresoj që kjo festë të sjellë gëzim, paqe dhe lumturi në shtëpitë tuaja. Shëndeti dhe begatia qofshin gjithnjë pranë jush!

    Me respekt,
    Hfz. Mehas Alija
    Kryetar i KMSHZ-së

  • ​Sulmohet me granatë dore objekti i komunës në veri të Mitrovicës

    ​Sulmohet me granatë dore objekti i komunës në veri të Mitrovicës

    Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona. Policia e Kosovës konfirmon se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

    Lajmin për KosovaPress, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

    “Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me çrast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë”, ka deklaruar ai.

    Në konsultim me prokurorin kompetent është inicuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.

  • Blinken pas bisedës me Kurtin: Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara

    Blinken pas bisedës me Kurtin: Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është deklaruar pasi e ka zhvilluar të hënën një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Biseda Kurti-Blinken vjen pas zhvillimeve dhe temsioneve në veri të Kosovës.

    Blinken, shkroi në Twitter se plani tre pikësh i propozuar nga Bashkimi Evropian është rruga që duhet të ndiqet.

    “Fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të qetësuar situatën në veri të Kosovës dhe për t’u kthyer menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara”, tha Blinken.

    Po ashtu, për këtë bisedë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka ndarë disa detaje.

    Sipas tij, Blinken i ka kërkuar Kurtit që kryetarët e katër komunave veriore të punojnë nga lokacione tjera alternative, e jo në objekte komunale.

    “Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të kërkuar de-përshkallëzimin e menjëhershëm në veri të Kosovës, duke përfshirë thirrjen e vazhdueshme që kryetarët e komunave të punojnë nga lokacione alternative. Sekretari gjithashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe falënderoi kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në takimin e liderëve të 22 qershorit në Bruksel”, tha ai.