ATV

Author: ATVLive

  • ​Nafta rritet mbi kujdesin e tregut pas tentativës për rebelim të armatosur në Rusi

    ​Nafta rritet mbi kujdesin e tregut pas tentativës për rebelim të armatosur në Rusi

    Çmimet e naftës ishin kryesisht të qëndrueshme të martën pasi investitorët u përqendruan në rezultatet e mundshme të një “rebelimi të armatosur në tentativë” kundër qeverisë ruse nga Wagner Group, ndërkohë që kërkonin drejtim nga të dhënat ekonomike nga SHBA, nafta më e madhe në botë. konsumatori.

    Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent u tregtua me 74,83 dollarë për fuçi në orën 11:39 të mëngjesit me orën lokale (0739 GMT), një fitim 0,64% nga çmimi i mbylljes prej 74,35 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të hënën.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 69,92 dollarë për fuçi, 0,80% më shumë nga mbyllja e sesionit të kaluar prej 69,37 dollarë për fuçi.

    Të dy standardet i mbajtën fitimet e tyre të mëparshme në një rrugë kryesisht të qëndrueshme, me investitorët që peshonin rreziqet si pasojë e kompanisë private paraushtarake ruse, tentativës së rebelimit të Wagner Group kundër Moskës më 24 qershor.

    Megjithëse përpjekja nuk ndërpreu prodhimin ose furnizimin e naftës ruse, tregjet vazhdojnë të vlerësojnë rreziqet dhe pasojat e mundshme të rebelimit të Grupit Wagner.

    Ndërsa pasiguritë në lidhje me politikat monetare të bankave qendrore, veçanërisht Rezervën Federale të SHBA-së (Fed), vazhdojnë, investitorët po ndjekin deklaratat e zyrtarëve të Fed dhe të dhënat e ardhshme ekonomike në SHBA.

    Fed është planifikuar të publikojë rezultatet e vlerësimeve vjetore të shëndetit të bankave të mërkurën. Ushtrimi i “testit të stresit” vë bilancet e bankave përballë një rënieje ekonomike fiktive katastrofike.

    Investitorët po vëzhgojnë gjithashtu të dhënat për inventarët e naftës së papërpunuar në SHBA, të cilat ofrojnë një perspektivë afatshkurtër për kërkesën për naftë të vendit.

    Instituti Amerikan i Naftës (API) është planifikuar të shpallë vlerësimet e tij për stoqet të mërkurën vonë, ndërsa Administrata e Informacionit të Energjisë së SHBA (EIA) do të publikojë të dhënat aktuale.

    Megjithatë, rëniet e çmimeve u frenuan pasi qeveria kineze njoftoi mbështetjen e saj të vazhdueshme për ekonominë kineze.

    Të martën, kryeministri kinez Li Qiang tha se vendi i tij është ende në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e tij vjetor të rritjes prej rreth 5%.

    “Nga ajo që shohim këtë vit, ekonomia e Kinës tregon një vrull të qartë rikthimi dhe përmirësimi,” tha Li, duke shtuar se rritja në tremujorin e dytë pritet të jetë më e shpejtë se në të parën.

    Dollari i dobët ndihmon rritjen e çmimeve

    Çmimet e naftës të indeksuara në dollarë u vunë nën presion në rritje nga rënia e vlerës së monedhës së gjelbër./AA/

  • Protestë e qetë e serbëve në Graçanicë

    Protestë e qetë e serbëve në Graçanicë

    Numër i madh i serbëve kanë marshuar në Graçanicë, duke kanë kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar për dhunë në veri, raporton EO.

    Në pankarta, serbët thanë se “Anamorava është me Vuçiqin”, “prej Anamoravës deri në Leposaviq jena një familje” e “liri për të gjithë serbët e arrestuar”.

    Marshi protestues ka nisur nga manastiri për në drejtim të komunës e që pritet të përfundojë te stacioni i Policisë së Kosovës në këtë qytet.

    Policia e Kosovës ka arrestuar Dragisha Milenkoviq nga Graçanica nën dyshimet për krime lufte. Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Dragisha Milenkoviq.

    Në njoftimin e gjykatës është theksuar se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare.

    “Pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që ti godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma etj, dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Por, kundër arretimit të tij kanë dalë në protestë sot disa serbë në Graçanicë për të kërkuar lirimin e tij dhe të serbëve tjerë që u arrestuan për përfshirje në sulmet ndaj gazetarëve, KFOR-it dhe objekteve të ndryshme, gjatë ditëve të fundit në veri.

  • ​Tërnava uron për Kurban Bajram: Lutemi për sa më pak konflikte

    ​Tërnava uron për Kurban Bajram: Lutemi për sa më pak konflikte

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Duke uruar për shëndet e mbarësi, Tërnava tha se kjo festë përçon mesazhin e paqes dhe të mirëkuptimit.

    Tërnava u shpreh se festa e Kurban Bajramit tek ne vazhdimisht ka përçuar në formën më të mirë të mundshme edhe shpresën, begatinë, solidaritetin, ndihmën për tjetrin, urtësinë, paqen e mirëkuptimin, vlera këto që i japin kuptim shoqërisë.

    “Sot po jetojmë në kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë. Në këtë ditë të madhe në vigjilje të Kurban Bajramit, lutemi që mesazhi dhe porositë që i bart kjo festë të kuptohen drejtë nga të gjithë, lutemi po ashtu që bota të ketë sa më pak konflikte e ngatërresa luftëra e çrregullime, festa e Kurban e Bajramit ka edhe domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit, e mirëkuptimit. Duke iu uruar për festën e madhe të Kurban Bajramit, lus për shëndet, mbarësi, begati, dashuri, e harmoni në familjet tona. Me fat e mbarësi festa e Kurban Bajramit!”, tha Tërnava.

    Duke kujtuar haxhinjtë kosovarë që janë duke kryer një nga obligimet e fesë myslimane. Tërnava tha se ata së bashku me miliona besimtarë të tjerë po shprehin përkushtimin dhe adhurimin ndaj Zotit në formën më të mirë.

    “Me kryerjen e haxhit, besimtari shpreh në mënyrë shpirtërore emocionale e fizike përkushtimin vetanak dhe kolektiv për Zotin. I bindur në faljen e mëkateve dhe shpërblimet e shumta e të veçanta të premtuara nga Zoti fuqiplotë, kryerja e haxhit përmban në vete urtësi e begati të shumta. Haxhi na rikutjon udhëtimin për tek Zoti duke pasur për qëllim që haxhiu të kthehet i pamëkate”, vijoi Tërnava.

    Kreu i BIK kujtoi edhe obligimin për prerjen e kurbanit dhe shpërndajen e mishit me familjarët e nevojtarët për të gjithë besimtarët që kanë mundësi.

    “Prerja e Kurbanit në Ditën e Bajramit është një ibdaet shtesë ndërkaq argumenton shpirtin e bindjes për Zotin në të njëjtën kohë ka për qëllim qoftë edhe për një kohë të caktuar mbylljen e hendekut dhe ndasive mes shtresave të ndryshme shoqërore duke rritur bashkëpunimin dhe duke afruar ndihën dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit”, tha Tërnava.

    Dita e parë e festës së Kurban – Bajramit, është të mërkurën, më 28 qershor 2023. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste do të mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

    Namazi i sabahut falet në orën 4.23 min, ndërsa namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.38 min, të cilit do t’i prijë Burhanudin ef. Hashani- kryeimam i Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

    Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban – Bajramit do ta mbajë dr. Selatin Mehani-pedagog në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë.

    Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, ditën e parë, më 28 qershor 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë, nga ora 9:00-12:00. /KP

  • Programeri i ri nga Vushtrria që ka krijuar faqe të ngjashme me atë të Facebook-ut

    Programeri i ri nga Vushtrria që ka krijuar faqe të ngjashme me atë të Facebook-ut

    Programeri i ri nga Vushtrria, Enis Kasumi, ka krijuar dy uebsajta, një të ngjashme me Facebook-un, e tjetrin për blerje online.

    Ai ishte mysafir në emisionin ALARM në ATV, ku shpalosi më shumë detaje për dy projektet e tij.

    Rrjetin social të cilin e ka quajtur “Trilog”, thotë se ka ardhur si kombinim mes tri rrjeteve sociale, Facebook, Instagramit the Linkedin.

    “Ideja ka qenë që të bëj diçka më të madhe si aplikacion edhe kam kriju një “Facebook” që është i tëri aktiv dhe i ka të gjitha funksionet. Është në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze, me kohën do të shkojmë edhe në gjuhë të tjera edhe besoj se do të funksionojë. Ky është në përfundim e sipër, vetëm jemi duke i pritur disa licenca që ta publikojmë”, tha Enisi.

    Ai tha se, së shpejti rrjeti social “Trilog” do t’i ketë edhe aplikacionet e veta për Android dhe IOS, të cilat do të jenë falas.

    Në këtë emision ai ka folu edhe për projektin tjetër që ka të bëjë me blerjet online.

    Më shumë detaje rreth këtyre dy projekteve i gjeni në videon më poshtë.

  • ​Atiq: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

    ​Atiq: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

    Kryetari i komunës në veri të Mitrovicës, Erden Atiq, ka deklaruar se do të vazhdojnë punën pavarësisht sulmeve dhe kërcënimeve. Ai ka reaguar pasi objekti komunal u sulmua mbrëmë me granatë dore.

    Atiq u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të trajtojnë me urgjencë këtë rast dhe kryesit të dalin para drejtësisë.

    “Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar ai.

    Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

    “Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me çrast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, ka deklaruar zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani./KP

  • ​Rama: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi detyrim ndaj krejt rajonit

    ​Rama: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi detyrim ndaj krejt rajonit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Bruksel, zhvilloi sot një takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ndau detaje nga takimi, teksa theksoi se, de-eskalimi i tensioneve në Kosovë është i domosdoshëm për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!”, bëri me dije Rama.

    “Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

    Pas letrës së dërguar ndaj presidentit francez dhe kancelarit gjerman për një shtysë të re nga BE për zbatimin e planit franko-gjerman si zgjidhje për tensionet Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama udhëtoi dje në Bruksel, për t’u takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

  • ​Liverpooli rivalizon Realin për Mbappen

    ​Liverpooli rivalizon Realin për Mbappen

    E ardhmja e Kylian Mbappé mbetet e pasigurt. Derisa 24-vjeçari shpreh dëshirën e tij për të respektuar vitin e fundit të kontratës së tij me Paris Saint-Germain, një raport thotë se francezi dëshiron të transferohet në Real Madrid këtë verë.

    Megjithatë, Marco Kirdemir, një agjent i FIFA-s, së fundmi bëri komente interesante për transferimin e mundshëm të Kylian Mbappe nga PSG. Sipas Kirdemir, Liverpool do t’i bëjë një konkurrencë të fortë Real Madridit për të siguruar sulmuesin e talentuar francez.

    “Liverpool është duke konkurruar me Real Madridin dhe dëshiron të paguajë shifra të mëdha për Mbappé”, tha Kirdemir për “MARCA.”

    Problem i madh për Liverpoolin mbetet fakti që ata nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, dhe kjo është një pengesë e madhe për futbollistin, përcjellë KosovaPress.

    Ndryshe, Mbappe ka njoftuar PSG-në që nuk do ta vazhdojë kontratën, ndërkohë që mediat spanjolle vazhdojnë ta lidhin atë gjithnjë e më shumë me Real Madridin.

  • ​Vjedhje në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë

    ​Vjedhje në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë

    Në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë është kryer një vjedhje nga arka e postës, e cila gjendet brenda këtij objekti.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të hënën ndërsa nga arka dyshohet të jenë vjedhur para të gatshme, pulla postare dhe SIM kartela.

    Lidhur me këtë rast, deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar.

    Qendra e regjistrimit Civil ndodhet në rrugën “Salih Çitaku” në Podujevë ndërsa edhe më herët ka qenë cak i veprave të tilla.

    Një muaj më parë kishte ndodhur një vjedhje e rëndë në këtë qendër ku persona të panjohur kishin depërtuar me forcë dhe kishin vjedhur 5 mijë e 853 euro nga kasaforta e filialit./KP

  • ​Kaloi ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë, ndalohet nga Policia

    ​Kaloi ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë, ndalohet nga Policia

    Njësiti policor ka ndaluar veturën me targa të Serbisë të cilin kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull serb shtetas i Serbisë.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë në fshatin Koshuticë të Komunës së Leposaviqit, ku i dyshuari me veturën e tij në mënyrë të kundërligjshme nga territori i Serbisë përmes rrugëve alternative jashtë vendkalimit kufitar kishte hyrë në territorin e Kosovës.

    I dyshuari është sjellë në stacion policor dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

  • ​MPB pas sulmit në veri të Mitrovicës: Serbia po tenton të eskalojë situatën

    ​MPB pas sulmit në veri të Mitrovicës: Serbia po tenton të eskalojë situatën

    Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas sulmit që ka ndodhur mbrëmë në objektin e komunës në veri të Mitrovicës. Aty thuhet se sulme të tilla janë tentativa të njëpasnjëshme të Serbisë për të eskaluar situatën.

    Në reagimin e ministrisë theksohet se sulmet e vazhdueshme terroriste duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.

    “Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”.

    Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.