ATV

Author: ATVLive

  • Çka bëjnë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që Kosova do t’i shpallë terroriste?

    Çka bëjnë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që Kosova do t’i shpallë terroriste?

    Kosova planifikon t’i shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.

    Tensionet atje i ka rritur instalimi i kryetarëve shqiptarë të komunave qysh në fund të majit. Protestat e komunitetit serb kundër tyre – që në disa raste kanë kulmuar edhe në dhunë – vazhdojnë ende.

    “Ditëve në vijim, unë do të kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Severna Brigada’ të shpallen organizata terroriste – me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 25 qershor.

    Në atë konferencë u fol, po ashtu, për disa armë të konfiskuara në një makinë me targa të Beogradit, një ditë më herët në komunën e Zveçanit. Aty u gjetën edhe disa letra ngjitëse të “Brigadës së Veriut”.

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse vendimi për t’i shpallur terroriste dy organizatat, ka shkuar në Qeveri.

    Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se nëse Kosova ka dëshmi se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” ushtrojnë veprimtari me qëllim të cenimit të rendit kushtetues dhe juridik, atëherë i takon shtetit që t’i shpallë këto organizata terroriste.

    “Vendime të tilla duhet të jenë të bazuara, të arsyetuara mirë dhe të dëshmuara. Kur një organizatë shpallet terroriste, atëherë vetëm pjesëmarrja në të konsiderohet vepër penale, dhe kushdo që bën pjesë në të, duhet të përballet me ligjin”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

    Por, një vendim i tillë, sipas Miftarajt, duhet të merret vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në mënyrë që, siç thotë ai, vendimi ta ketë edhe legjitimitetin dhe besimin e tyre.

    Çka bën “Mbrojtja Civile”?

    Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë.

    Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.

    Atëbotë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civillna zashtita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.

    Në nëntor të vitit 2012, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.

    Një vit më vonë, pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” janë parë edhe para qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, por janë larguar nga Policia e Kosovës.

    “Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.

    Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake.

    Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014.

    Ani pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Shuarja e “Mbrojtjes Civile” është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por, këto të fundit kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.

    Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, përkatësisht në Zveçan, kanë kulmuar në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.

    Më 13 qershor, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale është arrestuar serbi Millun Millenkoviq, në Mitrovicë të Veriut.

    Sveçla ka thënë se ai është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale” në veri.

    Çka bën “Brigada e Veriut”?

    “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”

    Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.

    Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.

    Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.

    Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale.

    Për këtë formacion, gushtin e vitit të kaluar, ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.

    “Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq.

    Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.

    Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës.

    Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.

    Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.

    Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

    Si i trajton ligji i Kosovës organizatat terroriste?

    Me ligjin në Kosovë, në rast se organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë.

    Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

    Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.

    Këtu përfshihen një sërë veprash: vrasja, marrja e pengjeve apo rrëmbimi, furnizimi, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve kimike, biologjike e të tjera.

    Kryerja e veprave terroriste është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim.

    Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.

    Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njëjtë siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste.

    Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet./REL

  • Kurti njofton deputetët britanikë për progresin e Kosovës që nga Pavarësia

    Kurti njofton deputetët britanikë për progresin e Kosovës që nga Pavarësia

    Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Mbretëri të Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori Ilir Kapiti, në Parlamentin Britanik takoi deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group).

    Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat e thellimit të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti foli me ta për progresin që Kosova ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë, 15 vjet më parë, e veçanërisht për arritjet në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të sundimit të ligjit në dy vitet e fundit të qeverisjes, të vërtetuara nga shumë raporte kredibile ndërkombëtare.

    “Ai i njoftoi ata edhe me zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në veri të vendit, me agresionin e bandave kriminale dhe të shtetit të Serbisë, dhe me qasjen parimore të Kosovës për shtensionim të situatës dhe me angazhimin konstruktiv të saj në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian drejt normalizimit të plotë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    “Kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mikpritjen nga deputetët e Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe për përkrahje e vazhdueshme që i kanë dhënë e po i japin Republikës së Kosovës dhe popullit të saj”.

  • Hill mirëpret lirimin e tre policëve, bën thirrje për kthim në dialog

    Hill mirëpret lirimin e tre policëve, bën thirrje për kthim në dialog

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka përshëndetur dje lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, që ishin rrëmbyer më 14 qershor.

    Ai ka thënë se tani pret përpjekje shtesë për de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

    “Ne e mirëpresim lajmin për vendimin e gjykatës për lirimin e tre policëve të Kosovës dhe presim që të bëhen përpjekje shtesë që do të çojnë në de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës aktuale”, tha Hill për KO.

    I pyetur se çfarë pret më pas për krizën në veri të Kosovës, ambasadori amerikan bëri thirrje për zbatim urgjent të planit trepikësh të Bashkimit Evropian dhe kthimin e menjëhershëm të Kosovës dhe Serbisë në tryezën dialogut.

  • Shpërthimi në Veri, dëmtohen dy vetura të Policisë

    Shpërthimi në Veri, dëmtohen dy vetura të Policisë

    Dy vetura të Policisë së Kosovës janë dëmtuar si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur në Veri të Kosovës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhësi i PK-së në Veri, Veton Elshani.

    Shpërthimi, siç tha ai, ka ndodhur të hënën rreth orës 22:30.

    “Një shpërthim dhe dy vetura të dëmtuara të policsë rreth orës 10:30”, ka thënë Elshani.

  • Putin: Luftëtarët e Wagner-it mund t’i bashkohen ushtrisë ruse ose të shkojnë në Bjellorusi

    Putin: Luftëtarët e Wagner-it mund t’i bashkohen ushtrisë ruse ose të shkojnë në Bjellorusi

    Presidenti rus, Vladimir Putin, i është adresuar kombit, pas rebelimit të armatosur të shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin gjatë fundjavës. Putin tha se luftëtarët e Wagner-it mund t’i bashkohen ushtrisë ruse, por ai shtoi se nëse ata nuk duan, ai do të mbajë premtimin dhe do t’i lejojë që të shkojnë në Bjellorusi.

    Putin u tha rusëve se ata që organizuan rebelimin dëshironin që Rusia të humbë “dhe që shoqëria jonë të mbytej në gjak, por ata i bënë keq llogaritë”.

    “I falënderoj ushtarët dhe komandantët e Wagner-it që nuk derdhën gjak: ju mund të nënshkruani kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes [së Rusisë] apo të shkoni në Bjellorusi”, tha ai.

    Gjatë adresimit të tij të shkurtër, Putin nuk e përmendi Prigozhinin, por tha se organizatorët e revoltës kanë tradhtuar popullin rus.

    Sipas presidentit rus “shumica dërmuese” e grupit Wagner janë patriotë të Rusisë.

    “Duke u kthyer [nga marshimi drejt Moskës], ata shmangën një gjakderdhje të mëtejme”, shtoi Putin.

    Gjatë adresimit, Putin tha se të gjitha vendimet e nevojshme janë marrë që në fillim për të neutralizuar kërcënimin. Sipas tij, “rebelimi do të shtypej gjithsesi dhe organizatorët e kuptuan se veprimet e tyre ishin kriminale”.

    Pas adresimit televiziv, Kremlini njoftoi se Putini po takohej me krerët e shërbimeve kryesore të sigurisë, me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe me ministra të tjerë, tha zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov.

    Në këtë mbledhje po ashtu u njoftua se të pranishëm janë edhe prokurori i përgjithshëm, Igor Krasnov, drejtori i administratës së Kremlinti, Anton Vaino, ministri i Brendshëm, Vladimir Kolokoltsev, drejtori i shërbimit sekret FSB, Alexander Bortnikov, kreu i Gardës Kombëtare, Viktor Zolotov, por edhe udhëheqës të institucioneve të tjera të sigurisë.

    Më herët gjatë 26 qershorit, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, tha se qëllimi i marshimit të trupave të tij drejt Moskës ishte për të shpëtuar kompaninë e tij dhe jo një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë ruse.

    Në fundjavë, grupi Wagner, gjatë një rebelimi të shkurtër mori nën kontroll qytetin Rostov-on-Don, që gjendet në kufi me Ukrainën. Një grup i mercenarëve u nisën drejt Moskës. Por, Prigozhin vendosi që të tërhiqte trupat, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

    Kremlini më pas kishte njoftuar se Prigozhin ishte nisur drejt Bjellorusisë, por në audio-mesazhin e publikuar më 26 qershor, shefi i Wagner-it nuk bëri të ditur vendndodhjen e tij.

    Ky rebelim paraqiti kërcënimin më të madh për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Luftëtarët e Wagner-it po ashtu kanë marrë pjesë në luftimet në Ukrainë.

    Prigozhin dhe Lukashenka, ndarazi kanë deklaruar se tërheqja e trupave të Wagner-it u bë për të parandaluar “gjakderdhjen” në Rusi.

  • Prishtina pa barnatore kujdestare gjatë natës

    Prishtina pa barnatore kujdestare gjatë natës

    Në mungesë të barnatoreve të hapura pas mesnatës, qytetari nga Prishtina Agim Asllani, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore, është detyruar ta presë mëngjesin për t’i blerë medikamentet e nevojshme.

    “Kom pas rast para një jave, kam kërkuar barnatore, por nuk ka pasë askund hapur, kam pritur deri në mëngjes. Këtu kryeqytet e mos të ketë barnatore hapur, duhet Ministria e Shëndetësisë t’i rregullojë këto gjëra”, tha Agim Asllani, qytetar.

    Të njëjtin hall e ndajnë edhe qytetarët e tjerë.

    “Duhet 24 orë se tash që është sezoni me diell e gripa, po kemi nevojë për fëmijë e për vete nganjëherë, nuk qëllojnë në shtëpi, kur po dalim krejt mbyllur”, u shpreh Rasim Gërbeshi, qytetar.

    “Me bo me u sëmu natën, nuk ke ku të shkosh me i ble, a kështu kur e din që ndonjë është hapur shkon qaty”, tha Nazif Haziri, qytetar.

    Përveç kësaj, qytetarët ankohen edhe për çmime të larta të barnave.

    “Jeta vazhdon edhe gjatë natës, normalisht që duhet të ketë barnatore hapur në orët 1 e 2, edhe gjatë gjithë natës, mirëpo problematikë tjetër është se çmimet e barnave duhet të barazohen në të gjitha barnatoret”, tha Mustafa Halili, qytetar.

    Për këtë shqetësim të qytetarëve, nga Komuna e Prishtinës është premtuar një zgjidhje.

    “Realisht duke e pasur parasysh se Prishtina është kryeqytet dhe shumë QMF punojnë 24 orë, nuk ka barnatore hapur gjatë natës, për këtë arsye me odën e farmacistëve të Kosovës, shoqatën e farmacistëve kemi bërë grup punues që ka filluar punën para tri javë dite, javën e ardhme do të realizohet drafti i parë, pastaj debati publik në kuvend dhe pas seancës publike do të bëhet monitorimi i tyre gjatë natës dhe gjatë festave”, tha drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
    Gjatë muajit korrik pritet të mbahet diskutim publik, për gjetjen e një zgjidhjeje për kujdestari të barnatoreve në kryeqytet. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Prishtina prezanton planin e sigurisë në shkolla

    Prishtina prezanton planin e sigurisë në shkolla

    Me qëllim të sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve, Komuna e Prishtinës ka hartuar planin e veprimit për sigurinë e nxënësve në shkolla, për vitin 2023/26.

    “Hulumtimet e përfshira të kryera nga institucionet e kryeqytetit, OSBE dhe Policia e Kosovës, kanë nxjerrë në pah se një përqindje e konsiderueshme e nxënësve ndihen të pasigurt në shkollat e tyre. Kemi vizitorë të padëshiruar nëpër shkolla, zënka fizike nëpër shkolla, vandalizmi, ngacmimet gjatë rrugës, vjedhjet e gjërave të nxënësve dhe këta janë vetëm disa nga faktorët që nxënësit tanë i shohin në aspektet që cenojnë sigurinë e tyre. Madje, edhe nxënësit më të vegjël kanë raportuar apo kanë qenë të shqetësuar me dukuri të ngjashme”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, thotë se plani i veprimit ka tri objektiva kryesore për nxënësit.

    “Objektiva e parë është infrastruktura shkollore që garanton siguri. Përmirësimi i klimës së shkollës dhe objektiva e tretë është rritja e sigurisë nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Buxheti vjetor është 1.5 milion euro në vit”, tha Musmurati.

    Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se ndryshimi i qeverisjeve lokale, ka shkaktuar ngecje në sistemin arsimor.

    “Në rrethanat e përgjithshme që i kemi, konsideroj se pa krijuar favore për siguri dhe mbrojtje të fëmijëve në kontekst të shkollës, siç e kërkon legjislacioni në fuqi, shumë është e vështirë me u fol për rezultate mësimore dhe është shumë e vështirë me fol për kompetencat apo ato që pretendon kurikula dhe shkolla. Gjatë kësaj pune që kemi punuar shumë, konsideroj se sistemi vit pas viti ka çaluar. Konsideroj se çalohet për shkak se pushtetet ndryshohen nëpër komuna dhe ne nuk jemi mësuar me trasua memorien institucionale”, tha Merita Jonuzi nga MASHT.

    Plani i Sigurisë është hartuar në bashkëpunim me nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe shkollat. Për hartimin e planit të veprimit, hulumtimi është realizuar në 20 shkolla të kryeqytetit me 500 nxënës, përfshirë stafin e shkollës dhe prindërit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shtrenjtohen kurbanet, thuhet se në këtë ka ndikuar ndryshimi i çmimeve në treg

    Shtrenjtohen kurbanet, thuhet se në këtë ka ndikuar ndryshimi i çmimeve në treg

    160 euro kushton një dele për kurban këtë vit. Krahasuar me vitin e kaluar, çmimi i kurbanit është shtrenjtuar së paku për 20 euro.

    Ky çmim, sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, është si shkak i ndryshimit të çmimeve të tregut.

    “Çmimi për një kurban është caktuar 160 euro. Vitin e kaluar ka qenë 140 euro, sivjet është 160 euro, po e shihni tregun, kanë ndryshuar çmimet, kanë lëvizur çmimet edhe te kafshët. Tregu na ka imponuar që çmimet të ngrihen”, tha sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Ahmet Sadriu.

    Sadriu për më tepër thotë se therjen e kurbaneve as këtë vit nuk do ta bëjnë në Kosovë.

    “Na edhe këtë vit nuk kemi mundur të realizojmë një operacion apo një obligim detyrë të tillë që e kemi këtu në Kosovë, për shkak të mungesës edhe të kushteve, edhe mungesës së kurbaneve, kështu që jemi detyruar që edhe këtë vit therjen e kurbaneve ta bëjmë në njërën prej shteteve të Bashkimit Evropian”, tha Sadriu.

    Ndërkaq, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, me qëllim të ruajtjes së shëndetit, iu bën thirrje qytetarëve, që therjen e kurbaneve ta bëjnë në thertore, në të kundërtën do të shqiptohen gjoba.

    “Therja në hapësira publike në çfarëdo forme është e ndaluar me ligj dhe është e sanksionuar dhe kush do që haset duke i kryer veprimet që bien ndesh me ligjin, do të ndëshkohen nga autoritetet kompetente në Republikën e Kosovës. U bëjmë thirrje që therjet të bëhen në thertore që të mos rrezikohet jeta e asnjë qytetari, sepse në thertore është një veterinar i cili kryen kontrollin e kafshës para therjes”, tha Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

    Sipas Thaçit, në Kosovë janë mbi 50 thertore të licencuara ku mund të bëhet therja e kafshëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova nënshkruam marrëveshje me shtetin e Iowas

    Kosova nënshkruam marrëveshje me shtetin e Iowas

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, me ç’rast rast nënshkruan marrëveshjen për marrëdhënie mes shteteve simotra, Kosovës dhe Iowa-s. Kjo marrëveshje pritet ta fuqizojë bashkëpunimin edhe më tej në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe bujqësisë.

    “Po ashtu do të krijoj instrumente për koordinim të shtuar mes dy vendeve tona edhe në fushën e mbrojtjes. Një bashkëpunim ky që ka qenë esencial mes FSK-së dhe Iowa-s. Por mbi të gjitha marrëveshja e nënshkruar sot do t’iu hapë rrugë përafrimit dhe përfitimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve tanë. Për Republikën e Kosovës aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale”, tha Osmani.

    Përkushtim për ta zgjeruar bashkëpunimin shprehu edhe guvernatorja Reynolds.

    “Marrëdhënia jonë speciale është e ndërtuar në një themel të fortë të partneritetit në fushën e sigurisë, të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila vazhdon të lulëzojë edhe tani… Kjo është një dëshmi aq e fuqishme e ndikimit që partneriteti ynë mund të ketë. Mund të dini se sa jemi të përkushtuar për t’i zgjeruar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë edhe më tej, në fushën e sigurisë, edukimit dhe në lidhjet e reja komerciale”, tha Reynolds.
    Pas takimit me Osmanin, Reynolds u takua edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

    Takimi qe i mbyllur për media, por përmes një shkrimi në Facebook, Konjufca tha se biseduan për mundësitë e zgjerimit të fushave të bashkëpunimit reciprok dhe shkëmbyem pikëpamjet rreth zhvillimeve politike në vend e rajon.

    Në fund të vizitës, Reynolds u takua edhe me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Numri i përdoruesve të drogave në Kosovë, i lartë

    Numri i përdoruesve të drogave në Kosovë, i lartë

    Heroinë, kokainë, marihuanë e hashash, janë disa nga llojet e drogave që Policia e Kosovës i ka konfiskuar vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti. Krejt këto lloje të drogave që arrijnë sasinë mbi 10 kg, policia ua konfiskoi 373 personave.

    Ndërkaq, në vitin 2022 u identifikuan 1066 persona, si përdorues dhe bartës të substancave narkotike.

    Kurioziteti, kushtet e dobëta ekonomike e problemet familjare, sipas sociologut Jeton Brajshori, janë disa nga arsyet që shtyjnë të rinjtë të bëhen përdorues të drogës.

    “Kushtet jo të mira, informimi jo i duhur, të gjitha këto i shpien drejt përdorimit të drogave, posaçërisht të rinjtë”, tha Brajshori.

    Megjithatë, Brajshori vlerëson se institucionet duhet të fokusohen më shumë te parandalimi i këtij fenomeni.

    “Institucionet duhet me u marrë më shumë, kanë ende shumë punë deri në eliminimin e rasteve të tilla”, vlerësoi Brajshori.

    Por, trajtimi i përdoruesve të drogës në Kosovë, sipas Safet Blakajt nga Qendra “Labirint”, nuk është edhe aq i thjeshtë. Ai vë në pah mungesën e një qendre për rehabilitim afatgjatë dhe të përshtatshëm për këtë kategori shoqërore.

    “Duhet patjetër të ketë edhe një institucion që merret me trajtimin e përdoruesve të drogave, për shërbimet ditore, diagnostika të problemit dhe jo vetëm për shtrirjen e tyre, siç është spitali i psikiatrisë”, tha Blakaj.

    Sipas organizatës “labirint”, aktualisht në Kosovë, janë rreth 40 mijë përdorues aktivë të drogave. Vetëm në këtë qendër, kanë kërkuar trajtim të thellë 2.850. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: