ATV

Author: ATVLive

  • Trupi gjykues nuk e shtynë datën për mbylljen e çështjes së ZPS-së në rastin kundër Shalës

    Trupi gjykues nuk e shtynë datën për mbylljen e çështjes së ZPS-së në rastin kundër Shalës

    Trupi gjykues në çështjen kundër Pjetër Shalës, nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ana e ZPS, që është planifikuar të ndodh më 6 korrik. Urdhri është marrë në seancën ku ka dëshmuar për të dytën ditë me radhë dëshmitari i prokurorisë, Marek Gasior.

    Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se nuk kanë vlerësuar asnjë arsye për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS përtej 6 korrikut 2023.

    “Trupi gjykues nuk shikon asnjë arsye për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS dhe konstaton se kjo nuk është në interes të zhvillimit efektiv të procedurave. Kjo nuk cenon vendimmarrjen e turpit gjykues për kërkesën e ardhshme për leje për apelim nëse kjo do të miratohet dhe nëse Gjykata e Apelit do të tjetërsojë vendimin atëherë do të vendosim se si do të vijomë më tej. Për rrjedhojë kërkesa e mbrojtjes kundërshtohet”, ka thënë kryegjykatësja.

    Megjithatë, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Shalës, për të shtyrë kundërpyetjet për dëshmitarin 4823, duke marrë vendim që ato të fillojnë të hënën e 3 korrikut.

    Mbrojtja kishte kërkuar këtë në mënyrë që të mund të përgatisin pyetjet për këtë dëshmitar.

    “Pasi ka marrë parasysh parashtrimet e palëve dhe duke marrë parasysh faktin që salla e gjyqit nuk është e disponueshme të enjten dhe të premten, trupi gjykues vendos të shtyjë kundërpyetjet për dëshmitarin 04826 deri javën që vjen, ne kemi marrë konfirmim se kemi përkthyes të disponueshëm për 3 korrik dhe kjo do të thotë që do të vazhdojmë me marrjën në pyetje të dëshmitarit, nga mbrojtja, të hënën. Gjithashtu për të siguruar kryerjen e efikase dhe të shpejtë të procesit gjyqësor, trupi gjykues i bën thirrje mbrojtjes që të sigurojë një pozitë të tillë që të ketë të disponueshëm ekspertët e vet gjatë gjithë javës që vjen dhe të ketë të disponueshëm dy dëshmitaret ekspertë”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

    Pas këtyre urdhrave, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të ZPS-së, Marek Gasior, në cilësinë e ekspertit mjekoligjor nga Polonia.

    Ai është intervistuar nga prokuroria dhe nga mbrojtësi i viktimave.

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës do të vazhdojë të hënën me 3 korrik.

    Edhe këtë seancë, Pjetër Shala e ka ndjekur nga qendra e paraburgimit, ku ndodhet prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./KosovaPress

  • ​Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët të dihet ndikimi i revoltës së Wagnerit në Rusi

    ​Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët të dihet ndikimi i revoltës së Wagnerit në Rusi

    Shtëpia e Bardhë tha të hënën se është “shumë shpejt për të ditur” se çfarë ndikimi do të ketë në rajon revolta e Wagner-it e fundjavës së kaluar në Rusi.

    “Presidenti është i fokusuar në mbështetjen e Ukrainës. Ne nuk po mbajmë anë në këtë çështje të brendshme,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, gjatë një konference të përditshme për shtyp.

    Por ai shtoi: “Historia e këtij konflikti ka treguar se ushtria ruse nuk është aq e lavdëruar sa ndoshta ata donin të karakterizoheshin”.

    Duke e kthyer fokusin përsëri te lufta 16-mujore e Ukrainës, ai tha: “Dhe përsëri, të mos tingëllojë si një rekord i thyer, por ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sigurohemi që ukrainasit të kenë gjithçka që u nevojitet për të qenë të suksesshëm në atë luftë”.

    Kirby gjithashtu nuk pranoi të komentojë nëse qeveria amerikane i konsideron ngjarjet që ndodhën me Grupin Wagner një “kryengritje, një grusht shteti, një tentativë për grusht shteti ose një rebelim të armatosur”.

  • Borrell pas takimit me Ramën: Vendeve të BE-së po u humb durimi nga tensionet Kosovë-Serbi

    Borrell pas takimit me Ramën: Vendeve të BE-së po u humb durimi nga tensionet Kosovë-Serbi

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për përpjekjet që po bën për të gjetur zgjidhje, pas rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se, palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje, sipas planit të BE-së, që u është prezantuar atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet janë duke humbur durimin, andaj kërkojnë veprime të shpejta”, ka thënë Borrell në një konferencë për media me Ramën në Bruksel.

    Kryeministri Rama, në anën tjetër, ka thënë se është i shqetësuar për tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Jam i përkushtuar dhe Shqipëria është e përkushtuar për të punuar që të mos lejojë që kjo situatë të ndikojë keq në rajon”.

    Ai ka thënë se lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë përbën lajm të mirë, dhe tani është koha për shtensonim urgjent.

    Tre policët janë liruar nga paraburgimi më 26 qershor do të mbrohen në liri.

    Ata janë arrestuar më 14 qershor.

    Ndaj tyre rëndon vepra penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

    Kosova pretendon se ata janë rrëmbyer nga territori i Kosovës, por Serbia deklaron se i ka arrestuar në territorin e saj.

    Arrestimi i tyre përbën vetëm një prej arsyeve të rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Atmosfera është përkeqësuar prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

    Çështja e tensioneve në Kosovë do të jetë temë diskutimi edhe në takimet e shefave të shteteve të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel. /REL

  • ​Osmani: Kosova e përkushtuar për të punuar me partnerët për siguri dhe stabilitet

    ​Osmani: Kosova e përkushtuar për të punuar me partnerët për siguri dhe stabilitet

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku ka përsëritur përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për të punuar me partnerët për siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe ka theksuar përkushtimin për një të ardhme brenda institucioneve euroatlantike.

    Osmani ka përgëzuar presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq për një organizim të suksesshëm, të këtij samiti në të cilin po marrin pjesë krerët e 13 shteteve. Aty po bisedimet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit.

  • Kupa e Botës për Klube 2023 do të mbahet në Xheda të Arabisë Saudite

    Kupa e Botës për Klube 2023 do të mbahet në Xheda të Arabisë Saudite

    Federata e Futbollit të Arabisë Saudite (SAFF) dhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) konfirmuan se Kupa e Botës për Klube FIFA 2023 do të zhvillohet në qytetin saudit të Xheda, raporton Anadolu.

    Vendimi erdhi pas vizitës së një delegacioni të FIFA-s në Xheda për të vlerësuar përgatitjet e vazhdueshme për kompeticionin, i cili është planifikuar të mbahet nga 12 deri 22 dhjetor.

    “Jemi të kënaqur që Xheda, me objektet e saj moderne dhe reputacionin për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, është zgjedhur si qyteti ku do të luhet Kupa e Botës për Klube FIFA”, tha Yasser Al Misehal, President i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite.

    “Sporti është shtytësi kryesor i transformimit të vazhdueshëm të Arabisë Saudite sipas Vizionit 2030, të vendosur në Mbretëri si një nga vendet me rritjen më të shpejtë dhe më emocionuese në sportin botëror”, shtoi ai.

    Kjo do të shënojë garën e parë të Kupës së Botës për Klube FIFA që mbahet në Arabinë Saudite.

    E themeluar në vitin 2000, Kupën e Botës për Klube për herë të fundit e fitoi Real Madrid në vitin 2022.

    Kompeticioni direkt me nokaut mbahet midis fituesve të vitit të Ligës së Kampionëve AFC (Azi), CAF Liga e Kampionëve (Afrikë), CONCACAF Kupa e Kampionëve (Amerika e Veriut, Amerika Qendrore dhe Karaibet), CONMEBOL Libertadores (Amerika e Jugut), OFC Liga e Kampionëve (Oqeani) dhe Liga e Kampionëve UEFA (Evropë), së bashku me kampionët kombëtarë të vendit pritës.

  • 200 hektarë kyçen në sistem të ujitjes, investohen rreth 200 mijë € – Peci e Idrizi inspektojnë nisjen e punimeve për ndërtimin e kanalit

    200 hektarë kyçen në sistem të ujitjes, investohen rreth 200 mijë € – Peci e Idrizi inspektojnë nisjen e punimeve për ndërtimin e kanalit

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë parë nga afër nisjen e punimeve për ndërtimin e kanalit të sistemi të ujitjes në fshatin Sfaraqak, raporton EO.

    Ky kanal është rreth 2 500 metra i gjatë që mbulon një sipërfaqe prej 200 hektarë.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se krahas këtij investimi kapital, bujqit në Vushtrri kanë përfituar edhe 2.6 milionë euro grante.

    “Është kënaqësi edhe për mua që si ministër të marrë pjesë në fillimin e punimeve të këtij investimi kapital që përkundër që nuk është një shifër shumë e madhe, efektin në ekonomi do ta ketë të konsiderueshme për shkak se flitet për 200 hektarë tokë bujqësore dhe pjellore, të cilat do ta kenë mundësinë që nga viti i ardhshëm të jenë në sistem të ujitjes”.

    “Mua më gëzon ky fakt aq më tepër që jemi në njërën prej komunave më bujqësore në Kosovë dhe përveç këtij investimi kapital të këtij projekti dhe dje e kam analizuar numrin që kanë përfituar nga Komuna e Vushtrrisë del që përveç këtij investimi kapital janë edhe 2.6 milionë euro grante që janë në proces të implementimit të Komunës së Vushtrrisë”, tha Peci.

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se kostoja e këtij projekti kap shifrën e 196 mijë euro dhe se komplet financohet nga Ministria e Bujqësisë, raporton EO.

    “Së pari të falënderoj ministër për këtë donacion që e ke dhënë për Komunën e Vushtrrisë për bujqit vushtrrias, do të futën në sistem të ujitjes rreth 200 hektarë tokë”.

    “Vlera totale e projektit është 196 mijë euro dhe komplet e financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe sa herë që kemi pas nevojë, ministrin Peci e kemi pas afër nesh”, tha Idrizi.

  • Skandali seksual, botohet në Fletoren Zyrtare shkarkimi i Gjicit si kreu i Bashkisë së Kukësit

    Skandali seksual, botohet në Fletoren Zyrtare shkarkimi i Gjicit si kreu i Bashkisë së Kukësit

    Është botuar në Fletoren Zyrtare shkarkimi i Safet Gjicit si kryetar i Bashkisë së Kukësit.

    Vendimi mban datën 16 qershor, ndërsa ai është marrë me arsyetimin “për shkak të shkeljeve të rënda”

    “VENDIM Nr. 367, datë 16.6.2023 PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TE KRYETARIT TË BASHKISË KUKËS, Z. SAFET GJICI

    Në mbështetje te neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Kukës, z. Safet Gjici. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”.

    Pas publikimit të një videoje nga zyra e tij, ku ai shfaqet në momente intime, Gjici dha dorëheqjen, më pas erdhi shkarkimi i tij, ndërsa të shtunën, me urdhër të SPAK, ish-kreu i Bashkisë së Kukësit u vu në pranga. Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e prokurorisë për akuzën e “korrupsionit pasiv”. Fillimisht, SPAK kishte nisur hetimet për “shpërdorim detyre”.

    Më 16 qershor, Gjici u shfaq në një video të publikuar online duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit. Më vonë, u publikua një tjetër fragment i asaj videoje ku Gjici diskutonte me vajzën në fjalë për mundësinë e akordimit të saj të një tenderi për menaxhimin e qenve endacakë të qytetit të Kukësit.

    Në një postim në rrjetet sociale pas publikimit të videos, Gjici kërkoi falje dhe tha se prej disa kohësh kishte lidhje intime me vajzën në fjalë, si dhe akuzoi kundërshtarët politikë.

  • Osmani në Mal të Zi: Jam këtu t’i rikonfiromoj përpjekjet tona për paqe

    Osmani në Mal të Zi: Jam këtu t’i rikonfiromoj përpjekjet tona për paqe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, ka thënë se është në këtë samit për të rikonfirmuar përpjekjet e Kosovës për paqe dhe stabilitet.

    Në këtë samit po marrin pjesë liderë dhe përfaqësuesve të tjerë të Evropës Juglindore, ndërta edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj e ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq.

    “Krahas liderëve dhe përfaqësuesve të tjerë të Evropës Juglindore, jam në Podgoricë për t’i rikonfirmuar përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe angazhimin tonë për një të ardhme më të sigurt brenda institucioneve euroatlantike. Përgëzoj Malin e Zi dhe Presidentin Jakov Milatović për kryesimin e suksesshëm të Procesit të sivjetëm të bashkëpunimit të Evropës Juglindore”, ka shkruar Osmani.

  • Haxhilerët sot qëndrojnë në Arafat

    Haxhilerët sot qëndrojnë në Arafat

    Haxhilerët që ndodhen në Arabinë Saudite për të përmbushur obligimin fetar të Haxhit arritën në Arafat, raporton Anadolu.

    Haxhilerët u nisën grupe-grupe për në Arafat, 25 kilometra larg Mekës, duke filluar dje nga ora 16:30 sipas kohës lokale. Shumica e automjeteve që transportonin haxhilerët u nisën për në Arafat.

    Haxhilerët të cilët u udhëzuan në rajonet ku do të qëndronin, e kaluan natën nëpër çadra të klimatizuara.

    Haxhinjtë që do të largohen nga Arafati në mbrëmje do të shkojnë më pas në Muzdelife.

    Haxhinjtë që do të mbledhin gurët për t’i hedhur shejtanit në Muzdelife, më pas do të shkojnë në zonën e “Xhemaratit” në Mina. Në ditën e parë të Kurban Bajramit, haxhilerët do të hedhin shtatë gurë mbi “shejtanin e madh”.

    Pas gjuajtjes me gurë dhe prerjes së kurbanit haxhinjtë do të dalin nga ihrami. Në rastin e parë do të kryejnë tavafin e detyrueshëm dhe Saj’in dhe kështu, ata do të kenë përfunduar haxhin e tyre.

    Haxhilerët do të hedhin nga 7 gurë tek “shejtani” i vogël, i mesëm dhe i madh”, përkatësisht, në të njëjtin rajon në ditën e dytë dhe të tretë të Bajramit si përkujtim i praktikës së profetit Ibrahim.

    Më pas haxhilerët do të shkojnë në Medine dhe do të vazhdojnë adhurimet dhe vizitat e tyre këtu. Haxhinjtë që do të largohen nga Meka do t’i japin lamtumirën Qabesë dhe qytetit me tavafin e tyre të lamtumirës.

  • Von der Leyen kërkon urgjentisht deeskalim të situatës në veri

    Von der Leyen kërkon urgjentisht deeskalim të situatës në veri

    Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se të martën ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar deskalim të situatës në veri të vendit dhe kthimin në dialog me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Po ashtu, ajo ka njoftuar se gjatë ditës së martë do të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Bisedova me Kurtin këtë mëngjes. Theksova nevojën urgjente për deskalim dhe kthim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Do të flas me presidentin Vuçiq më vonë sot”, ka shkruar ajo në Twitter.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se disa persona të dyshuar kanë sulmuar me granatë dore ndërtesën e komunës në veri të Mitrovicës, në orët e vona të mesnatës të së hënës.

    Kryeministri Kurti ka reaguar pas sulmit në objektin e komunës duke i bërë thirrje Serbisë “që menjëherë t’i ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”.

    Ai në një postim në Twitter ka shkruar se asnjë person nuk është lënduar, por siç theksoi ai do të mund të kishte lëndime.

    “Mbrëmë ndërtesa e komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me 2 granata dore, duke shkaktuar dëme në veturat që ndodheshin afër. Fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua, por mund të kishte ndodhur lehtësisht. I bëj thirrje Serbisë që menjëherë të ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”, ka shkruar ai.

    Policia e Kosovës ka thënë se në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.

    Ditë më parë është raportuar edhe për sulme me shok-bomba afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, komuna në veri të Kosovës.