ATV

Author: ATVLive

  • BE-ja këmbëngul në zgjedhje të reja në veri, “masat gati nëse nuk veprohet”

    BE-ja këmbëngul në zgjedhje të reja në veri, “masat gati nëse nuk veprohet”

    Me gjithë shqetësimin e thellë për tensionet në veri të Kosovës, Këshilli i Ministrave të Jashtëm i Bashkimit Evropian nuk mori asnjë vendim.

    Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, theksoi se shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa nëse nuk shohin veprime për shtensionim të situatës.

    “Shtetet anëtare nënvizuan shqetësimet e tyre të thella lidhur me vazhdimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe theksuan rëndësinë e de-eskalimit më linjë me qëndrimin e 3 Qershorit. Vendet anëtare do të marrim masa, nëse do të jetë e nevojshme, në mënyrë që të ngre levat e Bashkimit Evropian dhe për të mbështetur dialogun për normalizim”, tha Borrell.
    Pasi tha se problem janë kryetarët pa legjitimitetet, Borrell theksoi nevojën e mbajtjen së zgjedhjeve të reja dhe pjesëmarrjes së serbëve në to, pa kushte.

    “Hapat e radhës është të bëhet gjithçka për të shpallur zgjedhjet, ne pajtohemi që zgjedhjet duhet të mbahen, ne pajtohemi që nuk mund të kemi kryetarë në zyrat e tyre që mbrohen nga forcat e NATO-s përgjithmonë. Dhe të jenë të zgjedhur me 2-3% pjesëmarrje në zgjedhje. Kjo nuk është zgjidhje qëndrueshme dhe duhet të zëvendësohet me zgjidhje tjera dhe zgjidhjet tjera mund të vijnë vetëm nga zgjedhjet e reja”, tha Borrell.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së tha se do të vazhdojnë kontaktet me Kosovën dhe Serbinë, në përpjekjet për shtensionimin e situatës.

    Ndërsa, pa dhënë detaje, tha se masat eventuale mund të jenë politike dhe financiare, por të përkohshme dhe të kthyeshme – varësisht sjelljes së palëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Peja me dy komisione për t’i vlerësuar dëmet nga përmbytjet

    Peja me dy komisione për t’i vlerësuar dëmet nga përmbytjet

    Të hënën u varrosën Mirsada e Dion Ademaj, që vdiqën si pasojë e përmbytjeve të së shtunës, në qytetin e Pejës.

    Përveç dy jetëve të humbura, edhe dëmet materiale ishin të mëdha, pasi shumë shtëpi u dëmtuan e shumë lokale e biznese private u shkatërruan tërësisht.

    Për vlerësimin e dëmeve, ishte themeluar një komision, por sot u shtua edhe një tjetër. Njëri do t’i vlerësojë dëmet nëpër shtëpi e tjetri nëpër biznese.

    “Në mbledhjet e bordit e kemi një komision të formuar për vlerësim të dëmit. Por meqenëse ka qenë terren i hapur kemi bërë dy komisione. Komisioni i parë do t’i vlerësojë dëmet nëpër shtëpi, ndërsa komisioni i dytë do t’i vlerësojë dëmet nëpër biznese. Pra personave të cilëve përmbytjet u kanë shkaktuar dëme, do të kenë mundësi të aplikojnë përmes një formulari ku ne pastaj e dërgojmë në qeveri për kompensim të dëmeve”, zëdhënësi në Komunën e Pejës, Faik Zekaj.

    Dy prej lagjeve më të prekura nga përmbytjet janë “Asllan Çeshmja” e “Fidanishte”. Në asnjërën prej tyre, shtëpitë nuk janë të ndërtuara sipas një plani
    urbanistik.

    “Jo, një pjesë e tyre janë të ndërtuara më herët, një pjesë janë ndërtuar para luftës. Një pjesë e ndërtimit kanë leje e një pjesë tjetër kanë legalizime”, tha Zekaj.

    ATV-ja ka tentuar të kuptojë se kur ka qenë hera e fundit që komuna ka bërë zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në këto lagje, por për këtë çështje nuk mori detaje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ​ATK-ja gjobit me 41 mijë euro klubet e natës për moslëshim të kuponëve fiskal

    ​ATK-ja gjobit me 41 mijë euro klubet e natës për moslëshim të kuponëve fiskal

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se për 12 biznese të sektorit të klubeve të natës, është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara.

    Siç njofton ATK-ja janë lëshuar 163 gjoba në vlerë 41 mijë euro, për të cilat do të iniciohen raste penale.

    Sipas ATK-së këto aktivitete kanë evidentuar edhe 77 punëtorë të pa regjistruar, si dhe janë konfiskuar 7 printer jo-fiskal.

    “Gjatë inspektimeve, inspektorët kanë identifikuar disa raste ku klubet e natës, restorantet dhe baret e ndryshme, nuk po i respektojnë rregullat tatimore – kryesisht në lëshimin e kuponëve fiskal. Andaj, si rezultat i këtyre aktiviteteve janë vizituar 12 subjekte biznesore, tek të cilat është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara. Me këtë rast, janë lëshuar 163 gjoba në vlerë 41 mijë euro, për të cilat do të iniciohen raste penale. Këto aktivitete kanë evidentuar edhe 77 punëtorë të pa regjistruar, si dhe janë konfiskuar 7 printer jo-fiskal”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    ATK bënë të ditur së këto inspektime janë bërë në përpjekje për të siguruar që këto biznese janë duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponëve fiskal.

    Më tej thuhet ATK-ja duke pas parasysh fillimin e sezonit të verës kur shumëfishohet aktiviteti në klubet e natës, bare dhe restorante të ndryshme, ka kryer aktivitete gjatë ditëve të vikendit, tek ky sektor në disa qytete të Kosovës.

    Sipas ATK-së rikujtojmë të gjithë tatimpaguesit se shkeljet të tilla ligjore, ndikojnë rëndë në rritjen e ekonomisë jo-formale në treg, e cila më pas krijon pabarazi dhe konkurrencë jo të drejtë.

    Administrata Tatimore e Kosovës rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF) / sistem fiskal (SF) dhe të lëshojnë kuponë fiskal.

  • Gjykimi ndaj Shalës, mbrojtja e quan veten të dëmtuar nga takimi i ZPS-së dhe dëshmitarit ekspert një ditë para dëshmisë

    Gjykimi ndaj Shalës, mbrojtja e quan veten të dëmtuar nga takimi i ZPS-së dhe dëshmitarit ekspert një ditë para dëshmisë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, të premten po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës. Mbrojtja e Shalës e ka quajtur veten të dëmtuar nga takimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) me dëshmitarin ekspert, një ditë para dhënies së dëshmisë së tij në sallën e gjyqit.

    Avokati Jean-Louis Gilissen tha se u duhen 40 orë kohë për të diskutuar me ekspertin e tyre dhe të akuzuarin Shala lidhur me elementet e reja të cilat janë paraqitur nga shënimi zyrtar i ZPS-së lidhur me këtë takim, të dielën më 25 qershor, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Sipas tij, mbrojtja gjendjet para një fakti të kryer pasi që sot fillohet me dëshminë e dëshmitarit dhe se tha se mbrojtjes nuk i është dhënë kohë siç duhet për të i shqyrtuar elementet e reja të paraqitura nga eksperti dhe as nuk kanë pasur kohë të marrin udhëzime nga Shala.

    Ai tha se kjo është e papranueshme dhe e padrejtë dhe se vendos barrën në mënyrë të tepruar mbi mbrojtjen dhe se sipas tij, ndryshimet në momentin e fundit bien ndesh me parimin e barazisë së palëve dhe me të drejtën e të akuzuarit.

    ‘‘Ka informacione të reja, disa hollësi të shënuara në këtë të ashtuquajtur shënim, faqja numër 1 e këtij shënimi, pika 4 nga fundi ku flitet për dëmin e shkaktuar nga tre plumba, deri tani eksperti fliste për 2 plumba mbase 3, kemi renditjen kohore të të shtënave me armë, koha që eshtrat janë dëshmuar, koha e lëndimit dhe shkaku i vdekjes diçka shume e re për ne dhe nëse mund, mbase këtë mund ta trajtojmë me këshillin e ekspertëve tanë, përputhshmëria se viktima ka qenë i ulur kur është qëlluar me armë, në faqen 16 lidhur me copë hekuri, ky është informacion i ri, pra copëza fisheku, është e pamundur të dihet nëse ka mund të ec disa ditë pas lëndimit të shputës së këmbës e që mund të ketë qenë lëndim sipërfaqësor’’, përmendi ai si elemente të reja.

    Kurse, lidhur me këtë, ZPS ka thënë se vendimi mbi familjarizimin e dëshmitarëve përcakton edhe kontaktet përkatëse nga ana e palës që thërret dëshmitarin.

    ‘‘Diskutime mes palëve thirrëse dhe dëshmitarit si eksperti mund të zhvillohet çdo moment para thirrjes së dëshmitarit, nuk ka kufizime të vendosura mbi ZPS-në që të takohet me ekspert para fillimit të dëshmisë’’, tha prokurorja Gaia Pergolo.

    Lidhur me këtë, trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia është konsultuar dhe ka vendosur që seanca e sotme do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga prokuroria dhe me marrjen në pyetje nga mbrojtësi i viktimave nëse ka pyetje nga ai, kurse mbrojtja të vazhdojë me kundra-pyetje në seancën e së nesërmes, pasdite.

    Këtu ka ndërhyrë i akuzuari Shala i cili ka thënë se nuk është duke e kuptuar se cilat janë ndryshimet e reja andaj është e drejtë e tij të i kuptojë ato duke thënë se ‘‘jeta ime është në pyetje këtu’’.

    Pas kësaj ekipi mbrojtës ka kërkuar që të ju mundësohet kontakti me Shalën para fillimit të pyetjeve por që këtë e ka kundërshtuar prokuroria, kurse trupi gjykues ia ka mundësuar këtë gjatë pushimit të drekës.

    Andaj seanca tutje do të vazhdojë me dëgjimin e ekspertit.

    Kurse, në këtë seancë paraprakisht është diskutuar edhe për vendimin se mbrojtjes nuk do të i lejohet të bëjë kundra-pyetje për dëshmitarin e ZPS-së që pritet të japë dëshmi para trupit gjykues dhe se këtë mbrojtja e quajti cenuese.

    Avokati Gilissen tha se njoftimi i vonuar i ndryshimeve ka ndikim mbi mënyrën si ka zgjedhur mbrojta që të konfrontojë dëshmitarë të mëparshme dhe se sipas tyre ndryshimet e prokurorisë në momentet e fundit i mohojnë mbrojtjes kohën e vlefshme për të paraqitur çështjen e vet.

    Ai tha se duhet të bëhet planifikim i ri se si duhet të procedohet tutje me procesin gjyqësor.

    ‘‘Çështja ose provat e prokurorisë mund të konsiderohen të mbyllura kur trupi gjykues të vendos për kërkesën e mbrojtjes për leje për apelim të vendimit dhe deri sa të lëshohet vendimi i apelit në qoftë se doni të parashtroni mundësinë e mundshme të apelit dhe nëse kjo procedurë do jetë e dobishme’’, tha ai.

    Kurse, lidhur me këtë ZPS-ja tha se nuk mendojnë se ekzistojnë arsye për ndryshim të hapave procedural të përcaktuar nga trupi gjykues vitin e fundit.

    Gjykatësja Veldt-Foglia tha se për këtë do japin përgjigje më pas.

    Ndërkaq, në fillim të seancës, gjykatësja Veldt-Foglia ka deklaruar se është pranuar kërkesa e ZPS-së që ekspertit të sotëm të i lejohet të përdor mjete pamore (një skelet dhe modele anatomike) gjatë dhënies së dëshmisë.

    Ndryshe, seanca e sotme në çështjen Shala ka filluar me vonesë për rreth 40 minuta.

    Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.

    Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. (Betimi për Drejtësi)

  • Kurti e njofton sekretarin e Jashtëm britanik për propozimin e tij: Kështu shtensionohet situata

    Kurti e njofton sekretarin e Jashtëm britanik për propozimin e tij: Kështu shtensionohet situata

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në takim nga Sekretari për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

    Falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e sekretarit Cleverly, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha etapat e shtetformimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit.

    Në takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

    Zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe situata në katër komunat në veri të vendit ishin po ashtu temë e këtij takimi.

    Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly me propozimin e tij për shtensionimin e situatës, duke theksuar se sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer.

    “Kryeministri Kurti po zhvillon një vizitë pune dyditore në Britani të Madhe. Ky ishte takimi i dytë i tij me sekretarin Cleverly. Takimi i parë ishte mbajtur në tetor të vitit të kaluar, po ashtu në Mbretëri të Bashkuar”, tha ZKM-ja.

    Po ashtu, Kurti u takua me kryetaren e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

    Me deputeten Kearns, kryeministri Kurti diskutoi për qeverisjen, progresin në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe.

    “Vëmendje të veçantë iu dha zhvillimeve të fundit në katër komunat veriore në Kosovë dhe sulmeve të organizuara nga grupe kriminale atje ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe përfshirjen aktive të Serbisë në tensionimin e situatës deri te rrëmbimi i tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës, për të cilët Serbia duhet të mbahet përgjegjëse ndonëse ata u liruan sot gjatë ditës”.

    “Ai e falënderoi deputeten Kearns për mbështetjen ndaj Kosovës dhe qëndrimet e zëshme për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në të gjithë Evropën”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

  • Rama i jep guvernatores së Iowas “Çelësin e Kryeqytetit”

    Rama i jep guvernatores së Iowas “Çelësin e Kryeqytetit”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka pritur sot në takim governatoren e Iowas, Kim Reynolds.

    Me këtë rast, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i dha ” Çelësin e kryeqytetit, governatores së Iowas, Kim Reynolds, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

  • Lirimi i tre policëve, Begaj: Palët të kthehen në dialog

    Lirimi i tre policëve, Begaj: Palët të kthehen në dialog

    Kreu i shtetit Bajram Begaj ka reaguar pas lirimit të tre efektivëve të Policisë së Kosovës të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe disa ditë më parë.

    Ndër të tjera ai shton se palët duhet të kthehen sa më shpejt në tryezën e dialogut dhe bën thirrje për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

    “Përshëndes lirimin e tre policëve të Kosovës. Uroj kthim sa më të shpejtë e efektiv të palëve në tryezën e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel dhe Ohër”, shkruan Begaj.

  • ​Interi largon kosovarin Ani Hoti

    ​Interi largon kosovarin Ani Hoti

    Mbrojtësi kosovar, i lindur në vitin 2003, Andi Hoti pritet të largohet nga Interi dhe të luajë sërish në Gjermani pas sezonit të kaluar në formë huazimi në Freiburg.

    Sipas “FcInter1908”, klubi zikaltër ka zyrtarizuar shitjen e Andi Hotit te Magdeburgu, një ekip gjerman që luan në Bundesligën Zëeite. Qendërmbrojtësi kosovar, i lindur në vitin 2003 dhe kampion me të rinjtë e Italisë 2021/22, do të largohet në baza të përhershme dhe ka nënshkruar kontratë trevjeçare, përcjellë KosovaPress.

    Pasi mbërriti në Milano në janar të vitit 2020 nga Zyrihu, në sezonin e fundit Hoti luajti si huazim me Freiburg U23 , ku shënoi gjithsej 23 paraqitje dhe 1 gol në ligën e tretë gjermane.

  • ​NATO thotë se rebelimi i Wagnerit tregoi gabimin e Moskës për sulm ndaj Kievit

    ​NATO thotë se rebelimi i Wagnerit tregoi gabimin e Moskës për sulm ndaj Kievit

    Rebelimi i ndërprerë i grupit mercenar rus Wagner në fundjavë, e ka demonstruar shkallën e gabimit strategjik të Kremlinit kur e ka nisur luftën në Ukrainë, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Rusia ka tentuar të rikthejë qetësinë të hënën, pasi luftëtarët e Wagnerit e kanë ndërprerë avancimin drejt Moskës, janë larguar prej qytetit të kapur rus Rostov-on-Don dhe janë nisur drejt bazave të tyre në orët e vona të së shtunës, pas arritjes së një marrëveshjeje që u garanton siguri.

    Sipas marrëveshjes – të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alexander Lukashenka – komandanti i tyre, Yevgeny Prigozhin, duhet të shkojë në Bjellorusi.

    “Ngjarjet e fundjavës janë një çështje e brendshme dhe një tjetër demonstrim i një gabimi të madh strategjik që presidenti (Vladimir) Putin e ka bërë kur e ka nisur aneksimin e Krimesë dhe luftën në Ukrainë”, ka thënë Stoltenberg nga kryeqyteti i Lituanisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Konfuzioni për ngjarjet e jashtëzakonshme të fundjavës i ka lënë qeveritë e Perëndimit në kërkim të përgjigjeve se çfarë mund të ndodhë në këtë shtet me arsenal të fuqishëm bërthamor – dhe me luftën që vazhdon të zhvillohet në Ukrainë.

    Stoltenberg ka thënë se NATO është duke e monitoruar situatën në Bjellorusi dhe e ka dënuar vendimin e Moskës për të dërguar armë bërthamore atje.

    “Ne nuk kemi parë shenja që Rusia është duke u përgatitur për t’i përdorur armët bërthamore, mirëpo NATO mbetet vigjilente”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se mbrojtja e NATO-s është mjaftueshëm e fuqishme për t’i mbajtur njerëzit të sigurt “në një botë të rrezikshme”.

    Në të njëjtën kohë, Stoltenberg e ka ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Kievin.

    “Nëse Rusia mendon se mund të na frikësojë nga ofrimi i ndihmës në Ukrainë, do të dështojë”, ka thënë ai.

    “Ne do të jemi afër Ukrainës sa të ketë nevojë”.

    Stoltenberg ka qenë në Lituani për t’i parë nga afërt stërvitjet e NATO-s.

    Ai ka thënë se stërvitjet dërgojnë mesazh të qartë se NATO është e gatshme të mbrojë çdo inç të aleancës.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • Vdes në aksident një pjesëtar i Policisë së Kosovës në Kamenicë

    Vdes në aksident një pjesëtar i Policisë së Kosovës në Kamenicë

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në fshatin Rogoçicë të Kamenicës. Si pasojë ka vdekur një zyrtar i Policisë së Kosovës ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar rëndë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    “Ju informojmë se sot më datë 26.06.2023, në rreth orës 12:20 ka ndodhur një aksident trafiku te vendi i quajtur ,, Te Tyrbja” në fshatin Rogoqicë, komuna e Kamenicës, në mes të mjetit motorik katërrotësh të Policisë së Kosovës dhe një veture civile”, ka thënë ai.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Agim Maliqi, toger i Policisë së Kosovës.

    Sipas Hashanit, në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante, të cilat janë duke u marrë me rastin.

    “Të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal. Nga spitali rajonal jemi njoftuar se njëri zyrtar policor i përfshirë në aksident ka ndërruar jetë si pasoj e lëndimeve të pësuara në aksident. Ndërsa një pjestar tjetër i Policisë së Kosovës që ka qenë bashkë në mjetin motorik i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore po trajtohet në qendrën rajonale emergjente në Gjilan”, tha Hashani.