ATV

Author: ATVLive

  • “Shqetësuese”, Rutte ia përmend Vuçiqit dhunën e serbëve ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në Veri

    “Shqetësuese”, Rutte ia përmend Vuçiqit dhunën e serbëve ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në Veri

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha sot se është i domosdoshëm de-përshkallëzimi i situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se marrëdhëniet e qëndrueshme mes këtyre dy shteteve janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm në procesin e integrimeve evropiane.

    Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serbm Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel, Rutte theksoi se Luksemburgu dhe Holanda kanë vendosur të punojnë së bashku dhe të angazhohen në punë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Ne jemi të vendosur të forcojmë lidhjet tona. Tensionet në rritje mes Serbisë dhe Kosovës na kanë shqetësuar. Dhuna ndaj civilëve, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve është shqetësuese”, theksoi ai

  • Bettel: Inkurajojmë bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Bettel: Inkurajojmë bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, theksoi se është shumë e rëndësishme që të deeskalohet situata në veri të Kosovës dhe se vendet e Beneluksit inkurajojnë fuqishëm bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Beograd, pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin holandez, Mark Rutte, Bettel kujtoi se ky është rajoni ku filloi Lufta e Parë Botërore.

    “Ne e dimë se lufta e fundit në kontinent, para Ukrainës, ishte në këtë rajon dhe ne ende shohim se nuk kemi nevojë për shumë zjarr për të shpërthyer. Ka mjaft tension mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.

    Po ashtu, ai ka bërë të ditur se nesër do të shkojë në Prishtinë me bashkë me homologun nga Holanda, Mark Rutte.

  • ”Jam pa fjalë”, Bill Clinton i emocionuar nga pritja e shqiptarëve

    ”Jam pa fjalë”, Bill Clinton i emocionuar nga pritja e shqiptarëve

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i është drejtuar popullit shqiptar me mesazhe falënderues nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

    Ai tregoi nga takimi me disa shqiptarë në Amerikë duke treguar se një javë më parë ata i kanë treguar se çfarë do të bënte ai gjatë vizitës së tij në Tiranë.

    “Jam pa fjalë. Mendoj se po të kisha një gjykim të shëndoshë nuk do thoja asgjë. Jam pa fjalë. Dua tju falënderoj për një moment, që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Jam mirënjohës për atë që kryeministri tha lidhur me Kosovën. Unë dhe Hillary jetojmë në New York që është vendi me përqendrimin më të madh të shqiptarëve të Amerikës”.

    “Një javë para se të largohesha po ecja dhe kalova bri tre restoranteve të shkëlqyera shqiptare. Njerëzit dolën dhe të tregonin për axhendën time këtu. E dinin më mirë ata se çfarë do bëja unë këtu. Dua t’i them faleminderit kryeministrit për fjalët që ai tha”, u shpreh ai.

  • Kurti: Rruga jonë është e qartë, është ajo evropiane

    Kurti: Rruga jonë është e qartë, është ajo evropiane

    “Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimit në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës. Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, ne i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë”.

    Kështu tha kryeministri Albin Kurti, në shënimin e përvjetorit të 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë.

    Duke uruar Këshillin për këtë ditë të veçantë, Kurti foli për mundësitë të cilat Republika e Kosovës i ofron, potencialin zhvillimor, punën dhe arritjet e Qeverisë.

    Ai theksoi se Qeveria ka marrë përsipër të kryejë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin në dialog të rëndësishëm me sektorin privat.

    Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

    “Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese”, shtoi Kurti.

    “Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku,” tha Kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.

    Fjala e plotë e Kurtit:

    I nderuar Emrush Ujkani, CEO i Këshillit të Investitorëve Evropianë,
    I nderuar Johannes Stenbaek Madsen, Drejtues i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë,
    E nderuar Eriola Bibolli, Kryesuese e Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë,
    Të nderuar shkëlqesi, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
    Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
    Të nderuar të ftuar,

    Urime!
    Dëshiroj të ju uroj të gjithëve për këtë nëntë vjetor të Këshillit të Investitorëve Evropianë në Republikën e Kosovës.
    Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimi në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës.

    Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë.

    Ne po jetojmë në kohë inkurajuese dhe po punojmë për ta shfrytëzuar këtë sa më shumë që mundemi. Renditjet dhe raportet ndërkombëtare e pranojnë dhe njohin përparimin tonë dhe numrat dëshmojnë për punën tonë. Vendi po përjeton rritjen më të fortë ekonomike në historinë e tij, me një normë mesatare prej 7 për qind në vit që kur morëm detyrën në vitin 2021 dhe të paktën 4 për qind për këtë vit.

    Me eksportet vjetore që tani tejkalojnë 1 miliard euro, raporti ynë eksport-import është ngushtuar nga pothuajse 1 me 9 (në 2019) në më pak se 1 me 6 (në 2023). Kemi dyfishuar investimet e huaja direkte, me një total prej 1.2 miliardë eurosh gjatë dy viteve dhe 772 milionë euro të regjistruara vetëm në vitin 2022.

    Të ardhurat tona tatimore pothuajse janë dyfishuar – me dy të tretat ose një miliard euro – të gjitha duke i mbajtur të paprekura normat tona tatimore. Gjatë dy viteve në detyrë, buxhetit të shtetit iu shtuan tre të katërtat e një miliardë eurove (760 milionë për të qenë të saktë), kurse ekonomisë 2.1 miliardë euro. Më herët janë dashur tre herë më shumë kohë për të arritur rritje të tilla në qeveritë e mëparshme.

    Ne jemi të bindur se ndryshimi mund të ndodhë, se sundimi i ligjit është një imperativ për të na shërbyer të gjithëve dhe se qeveria mund të kontribuojë në mënyrë efektive dhe efikase për prosperitet. Ne kemi filluar reforma të shumta për këtë qëllim dhe po punojmë për shumë të tjera së bashku me komunitetin tonë të biznesit.
    Po rishikojmë ligjet dhe rregulloret tona imtësisht për t’i përditësuar ato me legjislacionin e BE-së, për të pasqyruar nevojat e një shoqërie në rritje dhe për të reduktuar barrën administrative për bizneset dhe individët.

    Ne kemi themeluar Gjykatën Komerciale të Kosovës për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të bizneseve, për të zbatuar ligjet për pronën dhe kontratat, dhe për të liruar kapitalin e nevojshëm për rritje. Ne kemi miratuar projektligjin për Investime të Qëndrueshme për të krijuar Agjencinë e Investimeve dhe Eksportit, si institucioni i parë i pajisur plotësisht në vend për të mbështetur investitorët në të gjitha fazat e procesit të investimit. Fondi Sovran i Republikës së Kosovës është duke u themeluar për të menaxhuar asetet në pronësi publike dhe për partneritet me sektorin privat përmes dy aktiviteteve të rëndësishme: së pari duke sjellë kapital privat në kompanitë shtetërore dhe së dyti duke injektuar para publike në bizneset private me potencial eksporti dhe prodhimi.

    Ne udhëhiqemi nga një e vërtetë e thjeshtë: të kemi një shtet të fortë me një qeveri të shkathët. Dhe ne kemi marrë përsipër të kryejmë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin tonë në dialog të rëndësishëm me sektorin privat. Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat ne i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen.

    Është përmes një procesi pjesëmarrës – duke zëvendësuar spektatorët pasivë me lojtarë aktivë – që ne mund të ofrojmë atë që nevojitet për një ekonomi të fuqishme dhe moderne.
    Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese.

    Tranzicioni i energjisë renditet lart në listën e prioriteteve. Ne kemi miratuar një Strategji të Energjisë ambicioze, por të realizueshme, duke kërkuar të shtojmë 1300 MW energji të rinovueshme deri në vitin 2031. Me një grant prej 202 milionë dollarësh nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të ShBA-së, ne po krijojmë një strukturë magazinimi 170 MW — ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Ankandi ynë i parë i burimeve të rinovueshme është duke u zhvilluar ndërsa ne kërkojmë oferta për një park diellor 100 MW, duke siguruar qasje në tokë dhe një marrëveshje afatgjatë të blerjes së energjisë. Më shumë ankande dhe projekte do të vijnë, ndërsa planifikojmë të përdorim erën dhe diellin tonë të bollshëm për të prodhuar energji për bizneset dhe familjet.

    Rruga jonë është e sigurt me politikën tonë të re industriale, e cila i jep përparësi sektorëve me potencial të lartë dhe promovon konkurrencën përmes një qasjeje të integruar. Bizneset janë të qetë me reformën tonë të vazhdueshme të inspektimeve dhe progresin tonë në digjitalizim. Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit sjellë krenari të madhe për vendin tonë, me raportet evropiane që e rendisin Kosovën në mesin e më të talentuarve dhe konkurruesve në këtë sektor. Edhe vendbanimet deri më të largëta tani janë të lidhura me internetin me brez të gjerë, duke e vendosur Kosovën në mesin e vendeve më të avancuara të Evropës sa i përket lidhshmërisë.

    Shpresa jonë është të afrohemi më tej – me çdo kusht. Ne jemi duke kryer një studim fizibiliteti për një hekurudhë që lidh Prishtinën me portin e Durrësit në Shqipëri dhe planifikojmë të ndërtojmë një port të gjelbër pikërisht në Kosovë për ta bërë atë një qendër tregtare për rajonin dhe një pasuri të vlefshme për Evropën.
    Pra, le të festojmë përvjetorin tuaj dhe të ardhmen tonë.
    Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku.

  • Konjufca merr ftesë ta vizitojë Parlamentin e rajonit të Nordrein Westfalisë

    Konjufca merr ftesë ta vizitojë Parlamentin e rajonit të Nordrein Westfalisë

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion nga rajoni më i madh i Gjermanisë, Nordrein Westfalisë, të udhëhequr nga deputeti dhe njëkohësisht Shefi i Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna, Hartmut Ganzke.

    Kryetari i Kuvendit i shprehu falënderimin e tij delegacionit gjerman për ndihmën e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën në etapa të ndryshme, që nga vitet ’90-ta të shekullit të kaluar, në fusha të ndryshme.

    Kryetari Konjufca konsideroi të rëndësishëm forcimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi, veçanërisht në rrafshin ekonomik.

    Udhëheqësi i delegacionit gjerman, Hartmut Ganzke, pasi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, shprehu gatishmërinë për të vazhdimin e mbështetjes për Kosovën e të bashkëpunimit midis palëve.

    Z. Ganzke i dorëzoi kreut të Kuvendit ftesën zyrtare për vizitën në Parlamentin e rajonit të Nordrein Westfalisë.

    Gjatë takimit deputeti Ganzke shoqërohej nga Këshilltari për Politikë të Brendshme dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Holger Fiedler, asamblisti në Kuvendin Komunal të Komunës Frondenbeg, Arbër Aliu, si dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

  • Haliti paralajmëron protesta nëse Kurti nuk “reflekton shpejt”

    Haliti paralajmëron protesta nëse Kurti nuk “reflekton shpejt”

    Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti në një intervistë për ABC News ka komentuar vizitën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, në Shqipëri, në mes të krizës në veri të Kosovës, si një mesazh ndaj asaj që po ndodh në Prishtinë.

    “Është vizitë e veçantë e presidentit me të cilin lidhet liria e Kosovë dhe me të cilën shqiptarët frymuan ndryshe nga shekulli i kaluar dhe me të cilat presidenti Clinton në kushtet kur forcat serbe kishin dëbuar më shumë se 1 milionë shqiptarë nga shtëpitë përmes masakrave dhe gjenocidit më të madh u bë edhe ndërhyrja e NATOS dhe e SHBA. Në sajë të negocimit dhe kontributi që ka dhënë Shqipëria për të negociuar drejtpërsëdrejti me strukturat e SHBA. Për ne në Kosovë është zoti në qiell dhe SHBA në tokë.”

    Haliti i kërkon edhe një herë kryeministrit Kurti që të reflektojë mbi qëndrimet e tij, dhe të marrë parasysh këshillat e ndërkombëtarëve dhe në veçanti vizitën e ish-presidentit Clinton.

    “Si zë i opozitës dhe si person i kërkoj që të reflektojë për gjendjen në të cilën ka sjellë Kosovën dhe ndonjë mesazh që mund të bëjë ish presidenti Bill Clinton duhet që ta marrë parasysh ashtu siç duhet që të merrte parasysh këshillat e ndërkombëtarëve të dhëna herë pas here. Unë besoj se nëse mesazhi i Clinton do të jetë i fuqishëm dhe ato që janë të hutuar do të jenë në linjën e shumicës.”

    Sa i takon masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. deputeti i PDK-së tha se i trembet një vale të dytë sanksionesh, teksa kërkoi gjithashtu që opozita të lërë mënjanë inatet dhe të krijojë një strategji për daljen nga kriza.

    “Unë jam duke u trembur jo vetëm nga sanksionet e BE-së por edhe të SHBA-së dhe po e lus publikisht Kurtin që të reflektojë dhe të na e lërë ne përgjegjësinë e gabimeve. Ne si parti po diskutojmë në lidhje me masat e marra pas sanksioneve nga BE por si opozitë nuk kam parë që mund të ndërtojmë një strategji të përbashkët por për shkak të këtyre politikave po vuajnë gabime tona edhe qytetari i thjeshtë.”

    Haliti tha se nëse Kurti nuk reflekton shpejt do të ketë edhe protesta nga opozita në Kosovë.

  • ​Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë

    ​Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ronan Gargan.

    Në këtë takim miqësor u ritheksuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe përkushtimi i dyanshëm për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit.

    Kryeministri e falënderoi ambasadorin Gargan për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij përgjatë misionit, veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Irlandës për Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar e organizatat evropiane e demokratike ku vendi ynë aspiron të aderojë.

    U tha se marrëdhëniet e dy shteteve tona kanë avancuar gjatë viteve të fundit e janë karakterizuar dhe nga vizita të nivelit të lartë, sikurse vizita e vitit të kaluar në Kosovë e Ministrit irlandez për Çështje Evropiane, z. Thomas Byrne. U theksua se Kosova dhe Irlanda ndajnë vlera e parime të përbashkëta, të cilat lehtësojnë bashkëpunimin në sfera të ndryshme.

    Kryeministri Kurti dhe ambasadori Gargan bashkëbiseduan edhe për situatën në veri të Republikës së Kosovës dhe zhvillimet e fundit.

    Kryeministri Kurti i uroi fat dhe suksese të mëtejme ambasadorit Gargan në angazhimet e tij të radhës.

  • Fier: E vrau dhe e groposi tetëvjeçarin, Klodian Çalamani dënohet me burgim të përjetshëm

    Fier: E vrau dhe e groposi tetëvjeçarin, Klodian Çalamani dënohet me burgim të përjetshëm

    Klodian Çalamani u dënua me burgim të përjetshëm.

    Ai u shpall fajtor për vrasjen e tetëvjeçarit Mateo Vasiut.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur më 16 nëntor 2021.

    Mediat shqiptare raportojnë se Çalamani, fillimisht kishte abuzuar seksualisht me tetëvjeçarin, më pas e kishte vrarë duke e goditur me kazmë e lopata.

    Por, ngjarja nuk mbaroi me kaq.

    Autori i krimit e groposi të miturin në oborrin e shtëpisë së tij, duke tentuar për të fshehur gjurmët e krimit.

    Pas raportimit të familjarëve, policia nisi të kontrollonte lagjen derisa gjeti trupin e të miturit të groposur.

  • “45 të dyshuar për sulmet e dhunën në Veri”, kryeministri Kurti jep detajet

    “45 të dyshuar për sulmet e dhunën në Veri”, kryeministri Kurti jep detajet

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaron se deri më tani organet e sigurisë kanë identifikuar 45 persona të dyshuar për sulme e dhunë në Veri, ndaj KFOR-it, policisë e gazetarëve.

    Kurti tha para gazetarëve se këta persona kanë përdorë edhe granata të dorës, shok-bomba por edhe plumba.

    Gjithashtu foli edhe për veturën me targa të Beogradit që u kap me një sasi municioni në Veri dhe tha se del të jetë që vetura “paska qenë i udhëheqësit Paviqeviq të “Brigadës Veriore”.

    “Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona që kanë marrë pjesë në sulme e dhune kundër ushtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve, por edhe që kanë përdorur armë, ju e patë çfarë armatimi u konfiskua me 23 qershor me automjet me targa të Beogradit që i përket Ndërmarrjes Publike të Hekurudhave të Serbisë dhe që paska qenë i udhëheqësit Paviqeviq, të “Brigadës Veriore”, që u shpall organizatë terroriste së bashku me të aushtuquajturën “Mbrojtje Civile”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri Kurti tha se popullsia serbe është paqësore, dëshiron jetë të mirë, por janë dhjetëra të tjerë të spikatur.

    “Janë këta dhjetëra kriminelë të spikatur, dhe 45 prej të cilëve janë identifikuar saktë nga organet tona të sigurisë dhe kjo nuk do të thotë që nuk ka më shumë, por minimumi është 45, e as çereku i tyre nuk janë në burg për këtë arsye e kemi këtë situatë”, u shpreh Kurti.

    Ai tha se qytetarët serbë janë të frikësuar nga këta kriminelë.

    “Qytetarët serb janë më të frikësuarit nga këta kriminelë, të cilët na dërgojnë informacion mbështetës e përkrahës çdo herë kur vepron ligji sepse ata e dinë që Policia e Kosovës, është profesionale . Ata na njoftojnë me mesazhe që nuk frikësohen nga Policia e Kosovës, por nga trysnisë, shantazhit, zullumit, kërcënimeve të këtyre kriminalëve të organizatave që u shpallën terroriste”, tha Kurti.

    Në mbledhjen e Qeverisë, javën e kaluar janë shpallur organizata terroriste “Mbrojtja Civile” (Civilna Zastita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.

  • El Pais shkruan nga veriu i Kosovës: Kryetarët etnikë shqiptarë të barrikaduar para shumicës serbe

    El Pais shkruan nga veriu i Kosovës: Kryetarët etnikë shqiptarë të barrikaduar para shumicës serbe

    Gazeta prestigjioze spanjolle “El Pais” i ka kushtuar një artikull të gjatë e të detajuar gjendjes paszgjedhore e të tensionuar në katër komunat të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku qysh në titull nis me konstatimin se:

    “Kryetarët etnikë shqiptarë kanë barrikaduar veten në zyret e tyre para shumicës serbe”. Gazetari Franciso Peregil ka vizituar të gjitha komunat për të krijuar përshtypjet e tij rreth situatës, teksa ka biseduar edhe me kryetarët shqiptarë atje, por edhe me politikanë serbë lokalë si Zoran Todiq.

    “Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi…që vinë nga partia socialiste e Kryeministrit të Kosovës…kanë strategjinë e njëjtë të mbylljes së vetes nëpër zyret e tyre. Por, a mund të udhëhiqen qytete kështu, mbyllure brenda, pa mbështetjen e më shumë se 95% të popullatës”, shkruan në formë pyetje El Pais.

    Shkrimin e tij e nis me Erden Atiqin, kryetarin e Mitrovicës së Veriut nga Lëvizja Vetëvendosje, për të cilin thotë se “preferon të mos i fotografohet dhoma se ku flen” që nga 26 maji. “Nuk ka asgjë aty përpos rafte të zbrazta dhe dy shishe ujë” derisa shpjegon edhe se Atiq vjen nga partia e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “i cili erdhi në pushtet me një ideologji të fortë nacionaliste”.

    “Që nga 26 maji, Erden Atiq, 40 vjeçar, vështirë se është larguar nga Bashkia e Qytetit të Mitrovicës së Veriut, i mbrojtur rëndë nga policia shqiptare e Kosovës…Lulzim Hetemi, kryetari i Lepposaviqit, sidoqoftë, nuk është larguar fare nga zyrja që nga 26 maji. Nuk i përgjigjet mediave, madje as përmes telefonit”.

    El Pais citon një qytetar serb nga Leposaviqi me emrin Martin, i cili i thotë se duhet larguar njësitet speciale kosovare. “Nuk kemi asgjë kundër policisë së rregulltë. Por, këta agjentë special vinë me autoblinda dhe armë të gjata. Dhe nuk jemi në Irlandën Veriore”.

    Erden Atiq i thotë gazetës spanjolle se “unë kujdesem për çdo kënd që dëshiron të më takojë” kur pyetet se si mund të udhëheq i mbyllur dhe pa mbështetjen e mbi 95% të popullatës lokale.

    “Ka shumë punë”, thotë Atiq, ndërsa thotë se do të flejë në komunë për sa kohë të jetë e nevojshme. “Është një vend shumë i mirë dhe modern, e ndërtuar me para të Bashkimit Evropian. Nuk është asgjë e vështirë. Gjatë 10 viteve në opozitë unë shumë herë kam fjetur nëpër shtëpitë e miqve të mi. Jam aktivist politik. Kam guxim, besim dhe vi nga një parti që beson në barazi”, i thotë Atiqi gazetës.

    Gazeta po ashtu bisedon ish-kryetarin e Leposaviqit, Zoran Todiqit, i cili zgjedhjet e prillit i quajti edhe “të paligjshme” ndërsa atë pjesë vazhdon ta vlerësojë si “pjesë të Serbisë”.

    “Zgjedhjet u mbajtën nëpër kontenjerë, brenda stacioneve policore. Ky njeri (Lulzim Hetemi), ka marrë vetëm 100 vota. Dhe nga ta, vetëm shtatë ishin serbë. Dhe nga ata shtatë, dy ishin të dehur. Unë kam dhënë dorëheqje atë kohë për të drejtat tona kolektive, për të luftuar për Asociacionin e Komunave Serbe. Të gjitha problemet që kemi tani do të zgjidheshin me Asociacionin. Nuk kam dhënë dorëheqje që një kryetar me 100 vota të na qeveris”, ka thënë Todiq.

    Që nga dorëheqja e nëntorit të vitit të kaluar, Todiq i shpjegon El Pais-it se pagat i marrin nga Qeveria e Serbisë. Pyetur se a nuk i bën kjo të varur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai ia kthen: “Të gjithë ne këtu besojmë se këtu është Serbi. Në Kushtetutën e Serbisë ky rajon paraqitet si pjesë e Serbisë dhe kështu e shohim ne”.